Home » Lajme, Rajonale » Kuvendi dha pëlqimin për Marrëveshjen Kosovë-Serbi, përfundon protesta e VV-së

Kuvendi dha pëlqimin për Marrëveshjen Kosovë-Serbi, përfundon protesta e VV-së

Me 89 vota për, 5 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendi kanë votuar Rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo rezolutë u votua, nën thirrjet e deputetëve të VV që kjo rezolutë të mos votohet e të cilët edhe më tej vazhdonin ta pengonin seancën.

Përmbajtja e rezolutës është kjo:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës me propozimin e Qeverisë së Kosovës shpreh përkrahje dhe jep pëlqimin për mbështetjen e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve nga kryeministri i Kosovës dhe kryeministri i Serbisë;

2. Kuvendi i Republikës mbështet zotimet për përmbajtjen e kësaj marrëveshje nga dita e miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, Rexhep Selimi, deputet nga radhët e Vetëvendosjes, i ka bërë thirrje Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, që të mos lejojë votimin e kësaj rezolute, e cila, sipas tij, është kundër interesave të popullit dhe pavarësisë së vendit.

“Mos e lejoni se edhe ju edhe ne, do t’i bijmë pishman, por do të jetë vonë. Kjo rezolutë është kundër interesave të qytetarëve, por i mbron interesat e klaneve të Hashim Thaçit. Mos e lejoni zoti kryetar. Mos e lejo Jakup Krasniqi, sepse nesër do të jetë vonë. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm, për çka kanë luftuar ushtarët tanë. Nuk na duhet Serbia as në veri, as në parlamentit. Është në duar të deputeteve, të ndajnë mes turpit dhe detyrës që e kanë si deputet”, ka pohuar Selimi.

Gjithashtu ka përfunduar edhe protesta e Lëvizjes Vetëvendosje para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ndërpritet përsëri seanca

Për shkak të zhurmës që po bën në Kuvend Lëvizja Vetëvendosje, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka kërkuar përsëri pauzë. Deputetët e Vetëvendosjes janë duke e penguar vazhdimin e seancës.

Kryeparlamentarit iu afrua deputeti i VV-së, Liburn Aliu, të cilit Krasniqi iu drejtua me këto fjalë: “Nuk mundet Vetëvendosja ta imponojë demokracinë. Shko poshtë dhe mos më pengo… Vullnetin e deputetëve nuk mund ta ndryshoj… Shko poshtë”.

Gjatë transmetimit direkt, shpesh ndërpritej transmetimi tonik. Krasniqi kërkoi edhe një pauzë tjetër.

Deputetët kanë dalur jashtë, derisa pranë ndërtesës së Kuvendit, VV po zhvillon një protestë. Raportohet se protestuesit po brohorasin ”Me hajna nuk ka shtet”.

Thaçi fton të votohet marrëveshja

Përkundër zhurmës që po bën në Kuvend Lëvizja Vetëvendosje, Kryeministri Hashim Thaçi ka mbajtur fjalimin e tij përmbyllës. “Ju ftoj që të votoni pro marrëveshjes”, ka thënë Kryeministri, në një seancë jashtëzakonisht të tensionuar.

Vetëvendosje pengon fjalimin e kryeministrit Thaçi

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë penguar kryeministrin e vendit Hashim Thaçin, gjatë kohës sa ai po fillonte fjalimin e tij përmbyllës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku ai ka raportuar lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Deputetet e VV janë shfaqur para foltores, duke mbajtur në duar me një pankartë me hartën e Kosovës, në të cilin shkruhej “Kosova e Hashimit, Selver Haradinaj e Enver Zymberi, Rezoluta e nënshtrimit të Serbisë”.

Ndërkohë që në sallë nga VV janë transmetuar përgjimet telefonike të Shefit të Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci me kryeministrin Thaçi me zyrtarë të tjerë të kësaj partie. Pas kësaj ngjarje, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi që të ketë pauzë prej 10 minutave dhe më pastaj të vazhdohet me seancën.

Thaçi në Kuvend: Marrëveshja jo ideale, por më e mira për rrethanat

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë seancës jashtëzakonshme, e cila është duke vazhduar, para legjislativit ka raportuar për Marrëveshjen për Normalizim e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar të premten në Bruksel. Marrëveshja mori mbështetjen e PDK-së, LDK-së, AAK-së, AKR-së, por u kundërshtua nga Vetëvendosje.

Kryeministri Hashim Thaçi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se me këtë marrëveshje përmbylli një tjetër pjesë të konsolidimit të shtetësisë. Ai ka thënë se me këtë marrëveshje Kosova vulosi shtrirjen e sovranitetit dhe kushtetutës në tërë territorin e vendit. Ai po ashtu tha se kjo marrëveshje është më e mira e mundshme në këto rrethana edhe pse nuk është ideale.

“Të premten në Bruksel, si rezultat i një të ardhme të ndritur ngadhënjeu mbi të kaluarën e hidhur. Kjo nuk është marrëveshje ideale, por është më e mira e mundshme. Kjo marrëveshje ndërshtetërore, i hap rrugë të sigurtë integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit. Ka qenë një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë, por është një rrugë të mbarë. Kosova ka vulosur shtetësinë dhe sovranitetin e saj”, ka pohuar kryeministri Thaçi.

Ai, po ashtu, ka pohuar se gjatë këtyre negociatave gjashtë mujore si dhe në proceset e më hershme, ekipi i delegacionit kosovar i ka fituar përpjekjet e gjata e të mundimshme për liri dhe shtetësi.

“I kam pasur në mendje bashkëluftëtarët e mi, familjet e dëshmorëve dhe veteranëve dhe kolonat e gjata të qytetarëve të dëbuar nga Kosova nga Serbia. Në momentet vendimtare, kisha në mendje fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre dhe doja të sigurohesha që ata të mos e përjetojnë luftën. Ishte përkushtimi për të ardhmen evropiane. Ai që më dha forcë për të pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo marrëveshje është për të ardhmen, paqen dhe integrimet evropiane. Është marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Është marrëveshje ku kushtetuta dhe ligjet do të funksionojnë në tërë territorin dhe ne do t’i japim fund strukturave ilegale në veri. Serbia e ka pranuar këtë fakt e ka nënshkruar. Marrëveshja në asnjë pikë, nuk e cenon funksionalitetin e shtetit tonë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë. Mundëson që pas shumë vitesh mungesë të ligjit në veri, tani ligji të shtrihet në çdo cep të vendit tonë”, ka theksuar Thaçi.

Ai, po ashtu, pati dhe një mesazh për qytetarët e veriut, që të mos frikësohen nga marrëveshja e arritur. “Të nderuar qytetar, mos u frikësoni nga kjo marrëveshje. Mos bini pre e atyre që 14 vite po e mbajnë peng të ardhmen tuaj dhe shfrytëzuan mungesën e ligjit për t’u pasuruar. Marrëveshja do të sjell mundësi të reja për ju dhe fëmijët tuaj. Do të sjell zhvillim dhe investime”, ka pohuar Thaçi.

Thaçi, po ashtu, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është marrëveshja e parë që pritet të ratifikohet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, i cili para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka sqaruar një për një pikat e marrëveshjes, duke pohuar se kjo marrëveshje është në harmoni me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se fati i kësaj marrëveshje varet nga zbatimi i saj. Ai, po ashtu, ka thënë se Qeveria në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in ka përgatitur një plan serioz me detaje për zbatimin e kësaj marrëveshje në praktikë.

Thaçi ka folur një nga një për pikat e marrëveshjes, duke u ndalur dhe në piken 8 të kësaj marrëveshje. Thaçi ka pohuar se strukturat ilegale të Serbisë që kanë ekzistuar në veri të vendit, tani e 14 vite tani e tutje nuk do të ekzistojnë dhe nuk do të mund të operojnë, pasi që kjo marrëveshje, sipas tij, zyrtarisht u jep fund atyre.

Ndërsa sa i përket pikës 9 të marrëveshjes, ku një komandant rajonal i policisë për katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovica e Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqi, do të jetë një serb i nominuar nga Ministria e Brendshme e Kosovës, nga lista e ofruar nga katër zyrtarë të komunave në emër të bashkësisë së asociacionit. Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunoj me komandant tjerë rajonal.

Thaçi ka thënë se e kupton se kjo është një pikë që ka lënë shije të hidhur dhe ka nxitur debate. Megjithatë ai ka bërë të qartë se marrëveshja e arritur është kompromis mes palëve të përfshira në këtë proces. por të gjithë komandantet rajonal, janë në kontroll të plotë nga autoriteti i nivelit përkatës me nivelin qendror në Prishtinë dhe se ata do të zbatojnë rendin kushtetues, ligjet tona dhe zinxhirin e vetëm komandues.

Ai, po ashtu, është ndalur tek Pika 14, e cila ka qenë ndër me të diskutuarat e cila thotë se asnjëra palë nuk do ta bllokojë progresin drejtë integrimit në BE. Thaçi ka sqaruar pikën 14, pikë të cilën ai e quajti kyçe, e cila do ta forcojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në arenën Ndërkombëtare. Ai tha se me plotë të drejtë presin që 5 vendet e BE-së, ta njohin Kosovën dhe këtë gjë ta bëjnë një të ardhme të afërt. Sipas Thaçit, këto shtete pret që të reflektojnë sepse nuk kanë arsye që të mos e njohin shtetin e Kosovës.

“Tani Serbia nuk do të mund t’i inkurajoj të tjetër, të bllokojnë përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Çdo përpjekje për të penguar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare do të ishte në kundërshtim me marrëveshjen”, ka pohuar Thaçi.

Ai, po ashtu, ka ripërsëritur se kjo marrëveshje është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se tani e tutje Kushtetuta dhe ligjet, do të zbatohen në gjithë territorin tonë. “Kjo është marrëveshje e paqes mes Kosovës. Forcon paqen dhe i hap Kosovës perspektivë të qartë në procesin e integrimeve euroatlantike”, ka pohuar kryeministri Thaçi.

Thaçi është shprehur i bindur se kjo marrëveshje është në interesin tonë shtetëror, andaj në emër të Qeverisë ka kërkuar mbështetje në favor të marrëveshjes duke kërkuar pëlqimin e deputetëve. Marrëveshja mori mbështetjen e PDK-së, LDK-së, AAK-së, AKR-së, por u kundërshtua nga Vetëvendosje.

Bajrami: Është fillimi i fundit të një konflikti shekullor

Deputeti Arsim Bajrami në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka thënë se kjo marrëveshje është një kapitull i ri, i cili i jep fund konfliktit të dy shteteve tona.

“Grupi Parlamentar e konsideron si një hap historik, si një epokë civilizuese, ku Serbia përherë të parë arrin një marrëveshje. Padyshim ne vlerësojmë se ky moment është fillimi i fundit të një konflikti shekullor që kanë pasur dy shtetet tona. Të dy shtetet do të kenë një agjendë dhe atë evropiane. Ne konsiderojmë se kjo marrëveshje e cila nuk është perfekte, arrihet një kompromis ku ruhen interesat kombëtare të Kosovës dhe është në pajtim me sistemin kushtetues të Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Ai ka deklaruar se kjo marrëveshje i jep fund një gjendje të padurueshme që ka qenë në veri të Kosovës, ku Serbia ka cenuar sovranitetin e Kosovës.

Beqiri: Në parim përkrahim marrëveshjen

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se LDK përkundër vërejtjeve që ka në këtë draft marrëveshje jep pëlqimin e saj në parim. Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të garantoj implementimin e saj.

“Patjetër se duhet të vlerësojmë angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në këtë proces. Ne e themi qartë se garancionet dhe mbështetja e SHBA-së dhe BE-së janë arsye kryesore, sepse ne e përkrahim në parim këtë marrëveshje. Janë të njëjtët faktor që na përkrahën në formimin dhe ndërtimin e shtetit tonë. Ne si subjekt vëmë interesat shtetëror para interesave të tjera”, ka theksuar Beqiri.

Shala: Marrëveshja zgjidh çështjen e veriut

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njëherë koordinator në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, Blerim Shala ka thënë se që nga viti 1999 veriu mbeti jashtë Kosovës. Ai ka thënë se me këtë marrëveshje po bëhet zgjidhja e çështjes së veriut, normalizimi i marrëdhënieve si dhe pozicioni i Kosovës.

“Një histori e shkurtër thotë kështu. Në qershor të vitit 1999 veriu mbeti jashtë Kosovës dhe u munduam të ndryshojmë këtë. Në shkurt të vitit 2008 Kosova u bë e pavarur, por integrimi i Kosovës nuk ndodhi. Kjo gjendje herë u tregua si konflikt i ngrirë apo u përfol për shkëmbim të territoreve dhe mbeti, duke cenuar sovranitetin e Kosovës. Kjo pjesë asnjëherë nuk u integrua”, ka theksuar Shala.

Sipas tij, me këtë marrëveshje po zgjidhet çështja e veriut. “Marrëveshja parasheh zgjidhjen e temës së veriut të Kosovës, raportet mes dy shteteve, si dhe pozicioni i Kosovës në aspektin ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai ka shtuar se Serbia nuk e merr datën më 28 qershor, po që se nuk fillon implementimin e marrëveshjes. Për këtë ai ka thënë se së shpejti Baronesha Catherine Ashton do të hartoj planin për zbatimin e marrëveshjes.

Pacolli: Kosova nuk ka mundur ta shtrijë sovranitetin në një formë tjetër përpos dialogut

Në emër të Grupit Parlamentar të AKR-së, megjithëse nuk është deputet ka folur Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli.

“Mbetem besnik në bindjet e mia që kurrsesi Kosova nuk ka mundur ta shtrijë sovranitetin në një formë tjetër përpos dialogut dhe kështu doli. Ka ardhur dita kur ky dialog duhet të fillojë. Ky dialog nuk është definitiv por dita e firmosjes së kësaj marrëveshjeje do të jetë dita më e rëndësishme historike”, ka thënë Pacolli duke shtuar se zgjidhja është te zhvillimi ekonomik.

Ai e ka lavdëruar kryeministrin Thaçi dhe anëtarët e ekipit negociator të Kosovës, e gjithashtu edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë. “Zoti e bekoftë Ashtonin për punën qe e bëri”, ka thënë Pacolli.

Kurti: Marrëveshje e turpshme dhe e padrejtë

Lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve është e turpshme dhe e padrejtë, e cila po e Bosnjëzon Kosovën. Andaj, si e tillë, assesi s’duhet të pranohet.

“Me këto 15 pika Bosnjëzohet Kosova, duke u shndërruar në shtet jo funksional drejtë dështimit të sigurt. Për hir të pushtetit të tij Thaçi i zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar i sakrifikoj dhe braktisi si shqiptarët në veri të Kosovës edhe ata në Kosovën Lindore”, ka thënë ai.

Ai ka pohuar se është dashur që Serbisë t’i vihen kushte, që ta pranojë pavarësinë e Kosovës, të kërkoj falje dhe t’i kthejë trupat e trupave të pagjetur, të pushoj me diskriminimin ekonomik dhe shtypjen si dhe ta ndërpresë financimin e strukturave kriminale e ilegale.

Kurti, po ashtu, ka thënë se me këtë marrëveshje, veriu fiton forcën e vet policore si regjion i veçantë, ku ka ndarje të gjyqësisë, e që është autonomi e të gjithës serbeve në Kosovë, sipas kërkesës së Beogradit. Kurti ka thënë se nuk janë kundër serbeve por kundër Serbisë, sepse ajo është kundër nesh. Sipas tij, veriu i Mitrovicës po bëhet si Banjalluka, ku shqiptaret do ta keni kryeqytet Prishtinën e serbet veriun e Mitrovicës.

Miletiq: E kemi pritur marrëveshjen

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq ka thënë se vetëm me bisedime mund të arrihet marrëveshje për problemin e Kosovës, duke shtuar se partia e tij përkrah marrëveshjen.

“Partia Liberale Serbe ka pritur që nga themelimi dhe sot kemi pritur që sot të kemi një dokument, që është një tekst që do të nënshkruajnë të dy palët. Në Bruksel nuk ka të humbur apo të fituar askush. Mosarritja e marrëveshjes do të ishte humbje të për dyja palët”, ka theksuar Miletiq.
(RTK)

One Response

  1. Barcelona thotë:

    Pershendetje per te gjithe Shqiptaret nga Kosova Lindore,i vetmi subjekt politik ne Kosove qe i mbron Shqiptaret,asht LEVIZJA VETEVENDOSJE!.
    Por fal tradhetis se HASHIM TRADHTARIT – ESAT PASHES SE DYTE,VERIU E FITOJ AUTONOMIN E KJO AUTONOMI DO TE SHKOJ DALE NGA DALE DHE DO TE BEHET MA ZI SE REPUBLIKA SRPSKA NE BOSNJE.
    ANDAJ VELLEZER E MOTRA SHQIPTAR/E QE GJINDENI NE KOSOVEN LINDORE,MOS JU BESONI RRENAVE TE HASHIM THAQIT SE KY ASHT TRADHETARI QE E KA PRU NE KETE GJENDJE SOT VERIUN E KOSOVES.
    SE VEQ VETEVENDOSJA ASHT SHPETIM PER NE.
    JU PERSHENDES PERZEMERSISHT VLLEZER DHE MOTRA NGA KOSOVA LINDORE,SE BASHKU ME NJE QELLIM,DREJT BASHKIMIT TE TROJEVE ETNIKE SHQIPTARE.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.