Home » Lajme » Lajmet 10 shkurt 2012: Këshilltarët e DS janë larguar nga koalicioni qeverisës në Bujanoc…

Lajmet 10 shkurt 2012: Këshilltarët e DS janë larguar nga koalicioni qeverisës në Bujanoc…

Këshilltarët e DS janë larguar nga koalicioni qeverisës në Bujanoc. Ky është një vendim logjik pas provokimeve që janë bërë me ndryshimin e emrave të rrugëve dhe sheshit në Bujanoc ka deklaruar kryetari i këshilltarëve komunal të DS, Boban Pavloviq. “Për të gjithë është e qartë se ky është një provokim dhe tentim për të marrë poena politik para zgjedhjeve, duke patur parasysh dhe të qartë se ministria kurrë nuk do të lejojë miratimin e një vendimi të tillë që e kanë marrë përfaqësuesit e partive politike shqiptare” ka thënë Pavloviq. Demokratët në njoftimin për media për vendimin e tyre për dalje nga koalicioni kanë thënë se deri tani ia kanë arritur disi ti tejkalojnë problemet e numërta, sic është ndarja e buxhetit komunal e cila sipas tyre ka qenë në dëm të bashkësisë serbe, mirëpo me këtë të fundit, për ndryshimin e emrave të rrugëve, ka qenë “pika e fundit që ka mbushur gotën”. “Partnerët tanë të koalicionit me ndryshimin e emrave të rrugëve dhe sheshit kanë tejkaluar të gjitha masat dhe kanë treguar të kundërtën e principeve me të cilat edhe është themeluar koalicioni multietnik” thuhet në njoftimin e DS. Kjo parti në Bujanoc me këtë rast i ka dërguar edhe letër partnerëve të koalicionit, qeverisjes lokale, Trupit Koordinues, qendrës në Beograd dhe zyrës së OSBE-së në Beograd. Koalicioni multietnik në qeverisjes lokale në Bujanoc është themeluar në tetor të vitit 2010 me ndërmjetsimin e OSBE-së dhe trupit Koordinues. Kuvendi komunal në Bujanoc ka 41 këshilltarë ku prej tyre 23 janë nga Partitë shqiptare, dy këshilltarët të DS, 4 nga Regjioni i bashkuar i serbisë dhe një këshilltar rom, ndërsa në opozitë kanë qenë 6 këshilltarë të SRS të Sheshelit dhe pesë këshilltarë të DSS të Koshtunicës.
———————–
Shtabi Komunal për Situata të Jashtëzakonshme, ka vizituar dje fshatrat Lenik dhe Svinjishte, vendbanime këto të thella të përbërë nga banorë serbë në komunën e Preshevës. Në përbërje të kësaj vizite ishin Shtëpia e Shëndetit e Preshevës, Stacioni Policorë, kryeshefi i fondit për punë komunale, anëtari i shtabit për situate të jashtëzakonshme, dhe ekipi i RTV Presheva. Vizita është bërë pasi Shtabi Komunal për Situata të Jashtëzakonshme, ka marrë informata se disa persona të shtyrë në moshë kanë nevojë për ndihmë mjekësore, pasi që gjendja e tyre shëndetësore është e përkeqësuar. Rruga deri në këto vendbanime ishte bërë me ndihmën e kompanisë “Saba Bellça”, e cila pastroi rreth 10 km rrugë, për të arritur ekipi i mobilizuar në përbërje të plotë i shtabit komunal, për ti dala në ndihmë këtyre banorëve. Është ky Stanislav Dinkoviq, i cili nuk u lejua nga mjekët e Shtëpisë së Shëndetit të qëndrojë në shtëpinë e tij, pasi që gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë dhe mundësia që ndihma e shpejtë në Lenik ti jepet çdo ditë është e pamundur për shkak të pengesave në qarkullim që po paraqet moti i keq në vendin tonë. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevës Bujar Zylfiu, thotë se ai duhet të strehohet për momentin në ndonjë vendbanim ku rruga është me lehtë të qarkullohet. Pas kësaj Dinkoviq me automjetin e shtëpisë së shëndetit është transportuar deri në Preshevë, ndërsa me pas ai është dërguar për në spitalin e Vranjës për përkujdesje mjekësore. Por në këtë fshatë nevojë për ndihmë mjekësore kishin edhe disa banorë tjerë. Ekipi i shtëpisë së shëndetit i doli në ndihmë edhe një banoreje tjetër të moshës 86 vjeçare. Nga ana tjetër banorët e këtyre fshatrave faleminderojnë autoritetet që janë duke pastruar rrugët dhe për bashkëpunimin me banorët. Kryeshefi i Fondit për Punë Komunale Burhan Emurllahu, thotë se edhe pse me probleme, gjitha rrugët në tërë territorin e Komunës së Preshevës janë të kalueshme. Për ti ikur problemeve në komunikacion për shkak të reshjeve të mëdha të borës, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit thotë se deri sat ë jetë situate e jashtëzakonshme, qytetarët për ndihmë mjekësore mund të drejtohen në stacionet e Shtëpisë së Shëndetit, nëpër ato vendbanime ku ka të tilla.

————————–

Për dallime nga komuna tjera që kufizohen me atë të Preshevës ku ka edhe vendbanime totalisht të bllokuara, në komunën tonë për fat të mirë për momentin kjo nuk ekziston, sepse deri më tash nuk ka qenë asnjë vendbanim i bllokuar nga të reshurat e borës, kjo fal edhe të menaxhimit të mirë të situatës nga autoritet kompetente të cilat i kanë marrë, të cilat i kanë zbatuar punët me përpikmëri të caktuara nga Shtabi Komunal për Situata të Jashtëzakonshme.

Shkollat nuk do të punojnë edhe javën e ardhshme, ka pohuar ministri i arsimit Zharko Obradoviq për medie. Ky vendim i ministrisë ka pasuar pas sygjerimit të qeverisë serbe që për shkak të kursimit të energjentëve të mos mbahet msim edhe javën tjetër. Shkollat janë në pushim të detyrueshëm që nga 6 shkurti. Nxënësit bankave shkollore do ti kthehen me 20 shkurt 2012

 

———————–
Në kuadër të shërbimeve që kryhen në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, pneumoftiziologu, Sabit Sahiti mjek në shërbimin e sëmundjeve të mushkërive po në këtë institucion paraqet problemin e mungesë së zgjidhjes që ka të bëj me çështje organizative po në këtë shërbim. Sipas tij ky problem shfaqet si pasojë e përzierjes së pacientëve në të njëjtin korridor të atyre me sëmundje të mushkërive dhe atyre të rentgenologjisë sepse pacientët me sëmundje të mushkërive duhet të shkojnë anasjelltas nga praksa e përgjithshme për tu kontrolluar çka është e ndaluar rreptësisht për shkak të sëmundjeve ngjitëse, çka edhe mund të paraqet rrezik për pacientët. Personeli mjekësor në këtë shërbim ka kërkuar që pacientët e sëmundjeve të mushkërive të dalin në anën tjetër. Përndryshe zoti Sahiti problemin në fjalë e ka paraqitur edhe tek drejtori i këtij insitucioni shëndetësore. Përkitazi me këtë mjeku në fjalë pret që ky problem të zgjidhet sa më shpjet dhe të merren hapat konkret për evitimin e kësaj çështjeje.
———————-
Në mbledhjen e sotme të rregullt të Këshillit drejtues të Ndërmarrjes Informative Presheva në Preshevë u diskutua për Skemën programore të Radio Televizionit Presheva për vitin 2012, Raporti i punës dhe ai financiar për vitin 2011 si dhe Programi dhe plani financiar për vitin 2012. Në mbledhjen e sotme prezantuan kryetari i këshillit drejtues Xhelal Arifi dhe anëtarët e këtij këshilli. Sipas rendit të ditës në këtë mbledhje lidhur me pikën e parë drejtori, Reshat Neziri u sqaroi anëtarëve të këshillit drejtues për plotësimin e programit në TV dhe Radio me kuisin e diturisë Lugina garon, programin e mëngjesit si dhe me reportazhet nëpër komuna që do të vazhdojnë edhe gjatë këtë viti. Po ashtu është folur edhe për aktivitetet që janë realizuar gjatë vitit që kemi lënë pas si dokumentari Lugina e Preshevës dje dhe sot i cili është i realizuar si koproduksion në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës, Reportazhi me Arbëreshët e Italisë si dhe reportazhet e realizuara nëpër qytete të banuara me shqiptarë. Po ashtu janë përmendur edhe reportazhet që janë realizua nëpër fshatrat e komunës së Preshevës të cilat do të vazhdojnë së realizuari edhe në vitin 2012. gjatë vitit që kemi lënë pas është punuar edhe programi argëtues Zgjedhim Talentin e Luginës si dhe emisioni për të rinj Çka ka re si dhe një sërë programesh të realizuara nga Radio Televizioni Presheva. Mbledhja e sotme nuk kishte asnjë kundërshtim nga anëtarët e këshillit drejtues të cilët njëheri ishin edhe të kënaqur me punën e stafit të RTP.

——————–
Dinari sot do të shënojë një rënje prej 0.7% kundrejt euros, andaj edhe kursi mesatar do të jetë 109.179 dinarë për një euro, çka është vlera më e ulët që është shenuar ndonjëherë. Sipas kursit zyrtar të Bankës popullore, një euro do të kushtojë më shumë për 78 pare se sa ditën e enjte ku kursi mesatar ka qenë 108.403.
——————
Më datë 23 janar 2012, ditë e hënë, me fillim nga ora 11:oo, në Restorantin BBC në Preshevë, janë mbajtur zgjedhjet për anëtarë të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Preshevë, të organizuara nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës. Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë gjithësej 21 këshilla xhamish, të cilët përfaqësoheshin me nga 2 delegat dhe imamët, e që gjithësej të drejtë vote kishin 63 veta, nga të cilët votuan 61. Zgjedhjet u mbikqyrën nga përfaqësuesit e dërguar ekskluzivisht për këtë çështje: M.Resul Rexhepi – sekretar i Kryesisë së B.I të Kosovës dhe Ragmi Destani – anëtarë i Kryesisë së B.I të Kosovës. Për të marrë besimin e votuesve dhe për të qenë pjesë e Këshillit të B.I. të Kosovës në Preshevë, kandiduan këta individ: Abdusamet Rahimi, Fikret Limani, Shemsi Jashari, Mumin Tahiri, Bejtulla Veseli, Orhan Ademi, Ilaz Ilazi, Adnan Ahmeti, Mehmet Sahiti, Xheladin Mustafa, Abdulla Abdiu, Abedin Limani, Llukman Limani, Adnan Aliu, Abdulaziz Rashiti, Vehbi Dalipi, Lukman Ibrahimi, Enver Mehmeti, Isak Ibrahimi, Bekim Limani, Deli Dalipi, Zekerija Kurtishi dhe Muharrem Emini. Në bazë të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës, nga të kandiduarit për në Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Preshevë, duhet të zgjedhen 9 nga ta, të cilët do të marrin më së shumti vota. Pas përfundimit të votimit dhe numrimit të votave, doli se anëtarë të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Preshevë, për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar janë: Llukman Ibrahimi, Fikret Limani, Bejtulla Veseli, Mehmet Sahiti, Zekerija Kurtishi, Orhan Ademi, Vehbi Dalipi, Isak Ibrahimi, dhe Abdulla Abdiu
——————-
Me iniciativ të Vigan Durakut – Kryetar i Forumit Rinor të Bashkimit Demokratik të Luginës, më 14 shkurt 2012, ditë e martë me fillim në ora 12:00 përpara objektit të gjykatës komunale do të realizohet aksioni rrugor “Ajo është e IMJA!” Qëllimi i këtij aksioni, është që përmes shënimit të ditës së dashuruarve të prezantohet “Dashuria ndaj një Presheve të shëndoshë, funksionale dhe me vlera të mirëfillta qytetare”. Gjatë aksionit rrugorë do të shpërndahen broshura me karakteristikat e Preshevës të cilën e dashurojnë rinia dhe në përgjithësi shoqëria preshevare. Ky aksion rinor i ndërmarrë nga Vigan Duraku ka gjetur mbështejen tek shoqëria civile, në këtë rast Këshilli për të Drejtat e Njeriut. Andaj ftojm të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës të bëhen pjese të këtij manifesti për nder të ditës së Dashuruarve. Ajo është IMJA, festo edhe TI.
———————
Shefi i ekipit negociator të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanovic, ka përgënjeshtruar shkrimet e disa mediave se kohëve të fundit janë shtuar presionet ndaj Serbisë që të ketë rezultat për përfaqësimin rajonal të Kosovës deri kah mesi i shkurtit. Në një intervistë për Politika, ai ka pohuar se kësaj radhe “presionet janë mbi palën tjetër, së paku në këtë fazë”. Ai ka thënë se Serbia ka hyrë me mençuri në këtë proces duke u mbështetur në interesin kombëtar dhe Rezolutën 1244. “Fokusi i aktiviteteve të bashkësisë ndërkombëtare është në Prishtinë. Interesi ynë është që të gjejmë zgjidhje në afat sa më të shkurtër dhe në atë aspekt ne kemi dhënë disa propozime për zgjidhje. Kemi qenë aktivë dhe konstruktivë dhe kjo e ka forcuar pozicionin tonë para marrëveshjes së mundshme rreth përfaqësimit rajonal të Prishtinës”, ka deklaruar Stefanovic. Ai ka shtuar se të gjithë pajtohen se dialogu i deritanishëm ka sjellë rezultate të shkëlqyeshme dhe të pranueshme, ndërsa ka shtuar se pala serbe në asnjë mënyrë nuk do ta flijojë “interesin kombëtar në Kosovë, Kushtetutën dhe ligjin.
RTV Presheva

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch