Home » Opinione » “Lajmet” nga Lugina e Preshevës

“Lajmet” nga Lugina e Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

Lajmi “i keq” nga Lugina e Preshevës është se kjo pjesë e Shqiptarisë po zbrazet gjithënjë e më tepër, duke e lënë shkret këtë vend të tyre, ku pushojnë eshtrat e stërgjyshërve dhe të parëve të tyre. Kjo është një gjendje e trishtueshme, që disi pa zhurmë, pothuajse në heshtje të plotë, është duke ndodhur para syve tanë dhe botës së civilizuar. Po “lajmi i mirë , në këtë atmosferë kaq të zymtë dhe të poadurueshme, vallë, cili mund të jetë?  Përgjigja është se, më në në fund, një ditë të caktuar, i gjithë ky kalvar shpërnguljeje të shqiptarve  do të përfundoj. Por, të shpresojmë që kjo do të ndodhë para se  të shpërngulen të gjithë! Atëherë do të jetë tepër vonë.

Skena e zymtë politike

Skena politike e Luginës së Preshevës është pllakosur nga një paqartësi dhe huti e pashpjegueshme. Gjithçka duket se ndodhë befasisht. Sikur të ishte gjithçka e rastit. Pa asnjë lidhje me asgjë. Vetëm ashtu, kot, ndodhin gjërat.

Edhepse fuqia dhe rëndësia e ndodhive në këtë pjesë të Shqiptarisë është e madhe, bile shpeshë na duket edhe “vendimtare”. Megjithatë, ngjarjet e së nesërmes, sikur e zbehin “rëndësinë” e ditës së mëparëshme, duke e lënë pothuajse në harresë .

Kështu, ditët vijnë dhe shkojnë njëra pas tjetrës, duke u shfaqur me rëndësinë hijerëndë fillimisht, që menjëherë t’ia lëshojnë vendin atyreve të ditës së nesërme, ashtu si bora që bie në dimër dhe mbulon gjithçka, prandaj edhe “gjurmët” e ditës së mëparëshme.

Dhe në këtë rrjedhë të pandalëshme të kohës, sikur nuk ia vejmë veshin fare rëndësisë dhe kontekstit politik botërorë, europian dhe atij rajonal,dmth. ballkanik, që i karakterizojnë ato.

 

 

Pasiguria

Nuk mund ta themi me saktësi se pse ndodhë kjo kështu. Sepse, nganjëherë na bëhet se zymtësia e ditës së nesërme e mbulon atë ditës së mëparshme, duke pritur ditën tjetër edhe më me ankth, sepse gjithënjë ekziston mundësia, por edhe droja se ajo do të sjellë brenga edhe më të mëdha. Por edhe pasiguri më të mëdha. Ankthi që e rëndon këtë pjesë të gjeografisë shqiptare për çdo ditë të re, vetëm sa shtohet dhe rëndohet, duke ia zvogëluar hap[siren opitizmit dhe shpresës për një jetë më t dinjitetshme dhe normale.

Kolonat e pafund të mërgimtarëve

Andaj edhe autobusët që radhiten mëngjeseve të hershëm në ditën e caktuar të javës, shënojnë “rekorde” të reja, duke i mundësuar për t’i fërkuar duartë pronarët e tyre, si shenjë se biznesi po u ecë mirë dhe se kanë “myshteri” për rrugën e degdisjes “kah sytë këmbët”, në rrugën e pakthim të shqiptarzinjëve drejt gurbetit.

Fitohet përshtypja se, duke parë grumbullin e njerëzve dhe numrin e autobusve që nisen si në kolonë, se nuk do të mbetet askush për t’i përcjellur grupin tjetër që do të udhëtoj javën e ardhëshme. Dhe autobusët nisen ngadalë, hijerëndë dhe me gjëmim, duke çarë midis turmës së të afërmve që përbëjnë grupin e pafund, duke bërë garë secili që të “grabis” edhe një përshëndetje më tepër para se të largohet përfundimisht kolona.

Kështu, turma e atyre që largohen me kolonat e gjata të autobusëve drejt gurbetit dhe paqartësive që i presin, meqë pjesa më e madhe e tyre do të përfundoj në ndonjërin nga kampet për refugjatë, gjithandej Europës, ku do t’i bashkanjgjiten karvanit të pafund të shqiptarisë që jetojnë me frigë se do të dëbohen dhe do të kthehn sërish prej nga kanë ardhur.

Pra, është kjo atmosfera që e karakterizon realitetin e hidhur, të zymtë dhe trishtues të shqiptarve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pra, të Luginës së Preshevës, apo të Kosovës Lindore.

Lajmi i “keq” dhe ai i ”mirë” nga Lugina

Deri kur do të zgjasë kjo pamje?

Cinikët thonë se kemi dy përgjigje: një të mirë dhe një të keq. Cilën e doni të parin? Supozojmë se e dojmë të keqin, meqë “ëmbëlsira duhet të mbetet për fund”. Ashtu thonë tek ne në Luginë.

Pra, lajmi “i keq” nga Lugina e Preshevës është se kjo pjesë e Shqiptarisë po zbrazet gjithënjë e më tepër, duke e lënë shkret këtë vend të tyre, ku pushojnë eshtrat e stërgjyshëve dhe të parëve të tyre. Kjo është një gjendje e trishtueshme, që disi pa zhurmë, pothuajse në heshtje të plotë, është duke ndodhur para syve tanë dhe botës së civilizuar. Duke u bërë madje, barrë e Europës dhe shpeshëherë edhe gaz i botës nëpër kampe ku mblidhen me qindra milete nga çdo cep i botës. Pra, ky është “lajmi i keq”, që na vjen nga Lugina e Preshevës për çdo ditë, javë, muaj e vit.

Po “lajmi i mirë” , në këtë atmosferë kaq të zymtë dhe të poadurueshme, vallë, cili mund të jetë?  Përgjigja është se, më në në fund, një ditë të caktuar të Zotit, i gjithë ky kalvar shpërnguljeje të shqiptarve  do të përfundoj.

Po, po, si gjithçka tjetër në këtë botë, edhe shpërnguljsa e shqiptarve të Luginës, një ditë do të përfundoj! Sepse, nuk do të mbetet asnjë shqiptarë dhe nuk do të ket kush të shpërngulet më. Ashtu si ishte rasti i Çamërisë, pastaj i reth 750 fshatrave të sanxhakut të Nishit e Toplicës, etj.

Pra, ky është “lajmi i mire” që mund të pritet nga Lugina e Preshevës, një ditë të caktuar. Atëherë do të “pushojnë” të gjitha këto. Nuk do të ket më shpërngulje, lotë ndarjeje etj. Të gjitha këto do të pushojnë.

Atëherë nuk do të ket probleme për shtruarje të kësaj “çështjeje” në tavolinat e bisedimeve politike, duke shkarkuar kështu një barrë të rëndë nga politikbërja shqiptare.

Regjistrimi (I paralajmëruar) i popullsisë së Luginës

Prandaj, Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar regjistrimin e popullatës së Luginës së Preshevës në vjeshtë të vitit 2013.

Sigurisht se motivacioni i kësaj qeverie të dëshmuar si antishqiptare është që të “zyrtarizoj” gjendjen faktike të numrit të shqiptarve (të mbetur) në Luginën e Preshevës, ku do të faktoheshin efektet politikave të saja antishqiptare me numrin e stërzvogëluar të shqiptarve, që do t’i shërbente për minimizimin e tyre në këto troje të tyre stërgjyshore, duke e dëshmuar tezën e vet për moskrahasueshmërinë e çështjes së shqiptarve me atë të serbëve të Kosovës.

Deri tani, këtë qëllim pothuajse e kanë arritur definitivisht në komunën e Medvegjës, ku nuk kanë mbetur më tepër se 10% nga numri i dikurshëm i shqiptarve në këtë komunë.

Kurse, malësia e Bujanocit dhe ajo e Preshevës tanimë janë boshatisur ngjajshëm me Medvegjen. Ndërkohë, kolonat e autobusëve drejtë gurbetit janë duke e bërë të veten, me intensitet të pazvogëluar.

Deri kur? Mjerisht, këtë nuk e dijmë.

Të shpresojmë se, megjithatë kjo dukuri negative do të ndëpritet një ditë, duke e kthyer shpresën se edhe këtu mund të jetohet me dinjitet njerëzor e kombëtar dhe se në këto troje do të vazhdojë të këndohet, të flitet dhe të jetohet shqip.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch