Home » Opinione » LAPIDARI I DËSHMORËVE TË UÇPMB-së SI PRETEKST PËR ARRITJE TË POENAVE POLITIK

LAPIDARI I DËSHMORËVE TË UÇPMB-së SI PRETEKST PËR ARRITJE TË POENAVE POLITIK

Shkruan: Mr.Nehat Hyseni

 

 

 

 

 

Krahas luftës së  ashpër për pushtet  në kreun e politikës serbe në Beograd midis partnerëve aktual  të koalicionit qeverisës , ose “pozitës” serbe, është “shpikur”  preteksti i rrënimit të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së,  për orientimin e shigjetave  të premierit  Daçiq dhe presidentit Nikoliq kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Sa duket, edhe kësaj here ata dojnë ta vërtetojnë tezën e vjetër  ultrashoveniste serbe se “vetëm urrejtja  ndaj shqiptarëve mund t’i bashkoj serbët”. Por, kësaj radhe ky “bashkim” i tyre më tepër i ngjanë garës primitive midis tyre  për pushtet. Dhe nëse punët i shkojnë si duhet, duke ia marrë nga dora pasuesit të Millosheqiviqit, dmth. premierit Daçiq  “flamurin” antishqiptar, Presidenti aktual serb, dikur pasues i  Vojisllav Sheshelit, i cili ajktualisht është duke u gjykuar në Hagë për “krime kundër njerëzimit”  deklaron se: “mbështet qeverinë për rrënimin e lapidarit…”, me çka e dëshmon se ai nuk është president i të gjithë qytetarëve të shtetit që përfaqëson, ashtu si e obligon Kushtetuta aktuale  e shtetit të vet.

Sigurisht se këta politikanë kryesorë të Serbisë bëjnë gara në antishqiptarizëm, të bindur se në këtë mënyrë do ta përmirësojnë pozitën para elektoratit serb. Sepse, sa duket,  ata janë të bindur  se “patriotizmi” serb matet me shkallën e urrejtjes antishqiptare. Kjo do të thotë se sa më tepër të urrejsh shqiptarët, aq më tepër do të jesh “serb i madh”. Pra, patriotizmin serb ata mundohen ta realizojnë me mobilizimin e tërë Serbisë kundër shqiptarëve  të mjerë, të cilët çdo ditë diskriminohen dhe persekutohen në mënyrë jocivilizuese dhe jonjerëzore.

Derisa Nikoliqit nuk i mjaftoi luftimi dhe kufizimi i pushtetit të Daçiqit me anë të të ashtuquajturës Platformë mbi Kosovën, ai tani ngutet të tregoj “vullnetin” e tij dhe gadishmërinë që “t’i turret” shqiptarëve të Luginës, në mënyrë që “t’ia kaloj” Daçiqit, i cili mori “bajrakun” e rrënimit të lapidarit “ja me hatër ja me dhunë”.

Serbia tani ka garniturën politike në krye të saj të ngjajshme me atë të viteve të 90-ta të shekullit XX., të cilët nxitën katrahurën e luftës shfarosëse  në territorin e ish Jugosllavisë dhe në Kosovë, duke shkaktuar me mijëra viktima dhe të zhvendosur. Të njejtin “avaz” ata dojnë ta përsërisin tani edhe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me pretekstin e rrënimit të lapidarit të dëshmorëve shqiptarë të rënë për lirinë e këtyre trojeve të tyre stërgjyshore

Me këtë, këta zotërinjë para botës së qytetëruar e dëshmojnë se edhe shqiptarët e vdekur atyre u pengojnë. Tani ata i heqin maskat dhe dilemat  edhe tek mbështetësit më të mëdhenjë perëndimor për “orientimin e tyre proeuropian”, duke ua bërë të qartë botës demokratike se në Serbi gjithçka mund të kërkosh por vetëm qasje civilizuese ndaj shqiptarëve dhe demokraci e prosperitet për ata nuk mund të gjesh. Dhe këtë ata nuk e mëshefin fare. Bile, ata këtë “solemnisht” e deklarojnë!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch