Home » Opinione » Lapidari i UÇPMB-së dhe kredibiliteti i lidershipit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Lapidari i UÇPMB-së dhe kredibiliteti i lidershipit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës

 

 

 

 

 

 

Shkruan:Mr.Nehat Hyseni

Nga Qeveria e Kosovës shqiptarët e Luginës së Preshevës trajtohen si “jokosovarë”, dmth. si “shtetas të Serbisë” dhe u thuhet se ata duhet t’i kërkojnë dhe realizojnë të drejtat e veta në shtetin e Serbisë. Ata janë i vetmi entitet në Europë të cilëve nuk u lejohen tekstet shkollore në gjuhën amëtare që nga data 17 shkurt 2008, kur u shpallë Pavarësia e Kosovës. Tani ata  janë midis „vajtimit“ për getoizimin e plotë dhe braktisjen e përbuzjen e tyre dhe „mburrjes“së kremtimit të pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kosova duhet të mësoj nga Serbia se si duhet kujdesur për bashkëkombasit e vet. Mosrealizimi i dorëheqjeve të premtuara, dëmtoi kredibilitetin e lidershipit, por dhe të të gjithë shqiptarëve të Luginës.

Lapidari në fokus të opinionit

Që nga dhjetori i vitit 2012, lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së, i vendosur në platonë para ndërtesës së Kuvendit komunal të Preshevës, ishtë bërë “kryefjalë” fillimisht e politikës shqiptare në Luginë, kurse më vonë mori përmasa gjithëkombëtare, duke u trajtuar si temë kryesore e lajmeve dhe komenteve politike, si dhe emisioneve të veçanta kushtuar kësaj tematike.

Mediet nacionale në Kosovë, RTK,TV21 dhe KTV, si dhe mediet e shkruara dhe vizive në Shqipëri, gjithashtu e vendosën në focus “ çështjen e lapidarit”. Vend i posaçëm i kushtohej edhe deklaratave “bombastike” të disa politikanëve të Luginës, të cilët nuk lëshonin pe dhe deklaronin se “asnjë millimeter nuk do ta lëvizin nga vendi”, kurse disa “komandantë” shkuan edhe më larg, duke deklaruar e duke u kërcnuar “fuqishëm” dhe duke i treguar “muskujt” para opinionit.

Gjithësesi, ky fokusim i vëmendjes së opinionit mbarëshqiptarë, në rend të parë, por edhe opinionit të gjërë ndërkombëtarë kuptohej si një senzibilizim, që aq shumë ishte i nevojshëm për ta kthyer vëmendjen e opinionit kah problemet e shqiptarëve të Luginës, të cilët padrejtësisht ishin lënë moti kohë plotësisht  jashtë agjendës politike të Prishtinës zyrtare, sa që asnjëherë deri më sot në këto pesë-gjashtë vitet e fundit lidershipi i Luginës nuk ishte ftuar dhe as nuk ishte pranuar nga Qeveria e Kosovës, edhepse kishte pasur kërkesa gojore dhe kërkesa me shkrim për t’u pranuar tek ajo.

Pra, për Qeverinë e Kosovës, shqiptarët e Luginës së Preshevës trajtohen si “jokosovarë”, dmth. Si “shtetas të Serbisë” dhe u thuhet se ata duhet t’i kërkojnë dhe realizojnë të drejtrat e veta në shtetin e Serbisë, sepse janë “shtetas të Serbisë”. Kështu, kjo qeveri e hiqte barrën e shqiptarëve të Luginës, duke ua “dorëzuar” ata me shumë zemërgjërësi, “elokuencë” e pedantëri “demokratike europiane…”Serbisë. Kështu, ata bënin “politikë të madhe”, sepse jepnin “shembull” se si duhet të sillet edhe Serbia ndaj serbëve të Kosovës, duke i trajtuar ata si qytetarë dhe “shtetas të Kosovës”. Me këtë politikë “gjeniale” Qeveria e Kosovës, pra tregon “nivel të lartë” civilizimi dhe pretendon të shërbej si “model” i mospërzierjes në punët e brendëshme të shtetit fqinjë-Serbisë.

Duhet konstatuar se kjo gjë bëhej me sinqeritet dhe përkushtim të pabesueshëm, duke i dhënë “shembull” Serbisë e cila ndante zyrtarisht mbi 600 milion euro në vit për serbët e Kosovës, kurse jozyrtarisht kjo shumë mund të jetë shumëfish më e madhe. Ndërkaq, Kosova nuk e ndanë asnjë cent të vetëm për shqiptarët e Luginës. Me këtë veprim, Qeveria e Kosovës e “turpëron” qeverinë e Serbisë! Pra, “turp” t’i vijë asaj që ndanë mjete kaq të mëdha financiare dhe e “shkrinë” tërë atë pasuri për bashkëkommbësit e vet  serbë dhe nuk merr “yrrnek” (model) nga qeveria e Kosovës se si duhet  (mos)interesuar një qeveri “e civilizuar” ndaj bashkëkombasve të vet që jetojnë si pakicë kombëtare në shtetin fqinjë.

“ Kosova non pasaran”

Dhe jo vetëm kaq! Serbia ka vendosur institucione paralele për serbët e Kosovës, si dhe forca paramilitare dhe ilegale për mbrojtjen  fizike të tyre nga “rreziku” i vendosjes dhe shtrirjes së shtetësisë së Kosovës në tërë territorin e saj, duke vendosur “barrikada” për t’i treguar atyre se  ky territor nuk është Kosovë dhe se aty nuk mund të kaloj “shteti i Kosovës”, pra as policia dhe as doganierët dhe ata duhet të barten me helikopterë. Kurse, gjykata u mbyllë dhe ata e bëjnë të qartë se aty  “Kosova non pasaran”, pra, “Kosova nuk kalon”.

Në këto rethana, të njohura për të gjithë, shqiptarët e Luginës së Preshevës, në vigjilie të kremtimit të Njëqindvjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, të entuziazmuar nga ky eveniment i jubileut të madh mbarëkombëtar, bënë një hap “të gabuar” dhe, merre me mend, më 16 nëntor 2012,  vendosën një lapidar kushtuar dëshmorëve të  UÇPMB-së para Kuvendit komunal në Preshevë, pa lejen e Serbisë!

Për këtë arsye, premieri Daçiq deklaroi se  nuk lejon vendosje të përmendores së Al Qaeda-s në territrorin e vet dhe se dëshmorë shqiptarë na qenkan “terroristë”!

Sa duket, Daçiqi s i “prapambetur” që është, nuk e ditka nivelin e “civilizimit” të qeverisë së shtetit fqinjë (Kosovës) që lejon anekënd territorit të vet përmendore e lapidare për serbët ku shenohet qartë se kanë rënë nga “terroristët shqiptarë”. Pra, jo vetëm që dëshmorët shqiptarë trajtohen si “terroristë” në Serbi, por edhe në Kosovë ata trajtohen sit të tillë. Dhe askush nuk ua prishë “tymin”.

Kosova duhet të mësoj nga Serbia se si duhet kujdesur për bashkëkombasit e vet

Nuk e dijmë se kush duhet të mësoj nga tjetri:  qeveria e Kosovës, duke i dhënë “shembull” Serbisë se si duhet (mos) kujdesur për bashkëkombësit e vet, apo e kundërta: qeveria e Kosovës duke mësuar se si duhet kujdesur një qeveri  për bashkëkombësit e vet, duke e ruajtur sovranitetin e vet shtetëror.

Sidomos në Ballkan ka “leksione” të ndryshme politike dhe varësisht nga interesimi i vet, secili mund të mësoj atë çka dëshiron dhe don nga tjetri. Andaj, edhe Qeverisë së Kosovës i mbetet në dëshirën dhe ndërgjegjen e saj se si do të veproj. Por, e kishim lutur që së paku “haraçin” në kufi ta hjekë dhe ta lejë derën çelë, pa taksa e spica me vëllazërit e vet në Luginë.

Ndoshta nuk po kërkojmë tepër, meqë shembull të tillë nuk ka as në Europë e as në botë, prandaj askush nuk mundet me na shitë mend se ky është akt “modern” e civilizues. Pra, ky është akt diskriminues dhe getoizues ndaj shqiptarëve të Luginës dhe e dëmton rëndë ekzistencën  kombëtare në ato troje të tyre stërgjyshore.

Zaten, shqiptarëve të Luginës, si “fukara” për nga të drejtat e veta kombëtare, nuk i bien në mend të kërkojnë që të jipet ndonjë “lek”, e të mos flasim për miliona euro që marrin serbët në Kosovë, e as për ndihmëm vëllazërore për ruajtjen e lapidarit sikur serbët që i ruajnë barrikadat në Kosovë  me forcat e sigurmit të Serbisë dhe nuk del bir nëne t’ua heqë. Ata nuk i kërkojnë këto sepse frigohen se mund t’i nervozojnë dhe pastaj ata t’i shajnë e poshtërojnë si është më keq dhe t’i quajnë “matrapazë, “pa ndjenja dhe dinjitet kombëtar” etj.etj.

Gjithashtu, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të vetmit entitet në Europë të cilëve nuk u lejohen tekste shkollore në gjuhën amëtare që nga data 17 shkurt 2008, kur u shpallë Pavarësia e Kosovës dhe tani janë të “hutuar” se çka do të festojnë më parë: getoizimin e plotë të tyre dhe braktisjen e përbuzjen e padrejtë, të pamerituar dhe të padurueshme, apo mburrjen dhe krenarinë me kremtimin e pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës?

Premtimet e parealizuara të dorëheqjeve dëmtuan kredibilitetin e lidershipit

Opinioni mbarëkombëtar ka mbetur i hutuar dhe nuk gjenë dot përgjigje dhe shpjegim racional të rrebeshit të fyerjeve ndaj lidershipit të shqiptarëve, e besa edhe të të gjithë shqiptarëve të Luginës nga ana e Kryeministrit Thaçi dhe përqafimneve aq të përzemërta të tij me “kryeprotagonistin”, apo “kryetradhëtarin” e Lapidarit, z. Ragmi Mustafa?!

Sepse ai priu tërë kësaj pune dhe pastaj na doli se ai e përqafoi në shenjë falënderimi për fjalët e mëdha që i tha personalisht për te z. Mustafa në Konventë. Dhe kjo mjaftoi që t’i falen “gjynahet” atij.

Pra, z. Mustafa me një lavdërim i “ndreqi punët” me Thaçin, por me premtimet e “dorëheqjes së parevokueshme” dhënë para opinionit , pastaj se do t’i “lëshojnë institucionet” dhe kërcnimet e premtimet e tjera se “lapidari nuk do të lëvizë asnjë milimetër” etj., këto vështirë se do t’ia falë populli.

Sepse, asnjërin nga këto “premtime” nuk i realizoi, duke u paraqitur si joserioz dhe duke humbur besimin. Kurse, burrnia dhe besa për fjalën e dhënë kanë qenë virtyte që e kanë stolisur karakterin burrëror të shqiptarit kudo që jeton, e sidomos shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë autoritet dhe nam anembanë shqiptarisë.

Sa duket, ai nuk mundi ta bëjë dallimin nga fushata parazgjedhore, ku gjithçka premtoi dhe asgjë nuk realizoi, duke mos u ballafaquar asnjëherë me pasojat e papërgjegjësisë së tij.

Sigurisht se këto veprime dhe premtime të pamatura, joserioze dhe të pasinqerta, ia kanë dëmtuar rëndë dinjitetin dhe kredibilitetin jo vetëm lidershipit të shqiptarëve të Luginës por edhe të gjithë shqiptarëve të kësaj ane, duke u bërë objekt talljeje dhe mosbesimi.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch