Home » Lajme, Politikë, Vendore » LDK: Nuk kemi kufi, të cilët i ka pranuar edhe Kosova dhe Serbia

LDK: Nuk kemi kufi, të cilët i ka pranuar edhe Kosova dhe Serbia

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që dialogu me Serbinë të udhëhiqet nga institucionet që sipas kësaj partie kanë kredibilitet dhe jo nga ‘dikush që nuk ka asnjë deputet pas vete’, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt.

Kryesia e LDK-së së bashku me degët e saja dhe grupin parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës ka mbajtur sonte mbledhjen e radhës në të cilën është diskutuar lidhur me zhvillimet aktuale në vend, përfshirë dialogun me Serbinë, qeverisjen aktuale dhe transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Në një konferencë për media kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova do të përfitojë shumë më tepër nga dialogu nëse arrihet një pajtueshmëri më e gjerë dhe që ky proces të udhëhiqet nga institucionet kredibile.

Sipas tij, dialogu nuk është çështje emergjente që duhet përfunduar me çdo kusht brenda disa muajve, por që  institucionet e vendit, partitë politike dhe shoqëria civile të bisedojnë për qëllimin përfundimtar në dialogun me Serbinë dhe të ketë institucione legjitime të dala nga zgjedhje të lira.

“Dialogun nuk mund ta zhvillojë as vetëm pozita, aq më pak opozita, as vetëm një subjekt politik, por lypset një sinergji e të gjitha partive, pasi është në pyetje interesi i vendit dhe ne si LDK nuk i ikim përgjegjësisë për dialogun dhe e kemi përgjegjësinë si opozitë të japim kontributin tonë në këtë proces të dialogut, por konsiderojmë se në dialog do të kalojmë shumë më mirë dhe Kosova do të përfitojë shumë më tepër dhe do të ketë një pajtim më të madh qytetar nëse arrijmë një pajtim më të gjerë para se të hyjmë në procesin e dialogut dhe nëse arrijmë që dialogu të udhëhiqet nga institucionet që kanë kredibilitet dhe jo të shkojë atje të dialogojë dikush që nuk ka asnjë deputet pas vete”, ka thënë Mustafa.

Për më tepër, sipas Mustafës problemet e dialogut i kanë vënë hije problemeve të qytetarëve, si problemi i papunësisë, investimet e huaja, korrupsioni dhe menaxhimi i kompanive publike.

Ai ndërkaq ka folur edhe rreth transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të rregullt të Kosovës për të cilën tha se duhet të bëhet në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n.

“Ushtria jonë nënkupton të jetë ushtri e NATO-s dhe pjesë e saj. Po ashtu ne shpresojmë se qeveria e cila ka propozuar ligjin, përkatësisht i ka propozuar tri ligje në Kuvendin e Kosovës, t’i ketë kryer këto konsulta me faktorin ndërkombëtar përkatësisht me partnerët tanë strategjikë, pasi do të ishte dëm që të shkojmë në këtë proces pa një pajtueshmëri të plotë me ata me të cilët do të funksionojmë edhe në të ardhmen e kjo është NATO. Sot shpreh gatishmërinë e LDK-së që kur të vijë në votim ligji për ushtrinë e Kosovës, LDK do ta përkrahë, pasi Kosova duhet ta ketë domosdo ushtri, e cila duhet të jenë në koalicion me NATO-n”, ka thënë Mustafa.

Ai ka përsëritur qëndrimin e LDK-së kundër korrigjimit të kufijve, duke thënë se mund të korrigjohen kufijtë e pranuar nga Kosova dhe Serbia.

“Ne në këtë rast nuk kemi kufi, të cilët i ka pranuar edhe Kosova dhe Serbia. Ne mund të hyjmë në procesin e shënimit të vijës kufitare. Kur të bëhet ajo, mund të flitet për ndonjë korrigjim të asaj vije e cila është e pranuar nga të dy palët. Të na pranojë Serbia sot si shtet në këta kufij që jemi dhe kemi shpallur pavarësinë dhe pastaj më vonë mund të flasim për korrigjime, por në këtë rast nuk jemi për atë që në këto momente të flasim për korrigjime, pasi mund të hapim korrigjimin e deklaratës së shpalljes së pavarësisë, pasi po vëmë në tavolinë çështje që kemi përfunduar”, ka thënë Mustafa.

Duke folur rreth sondazheve që renditin LDK-në si parti të parë politike në vend, kryetari Mustafa tha se kjo nuk do të thotë se me çdo kusht për të shkuar në zgjedhje vetëm për këtë arsye dhe se LDK do të bashkëpunojë me partitë tjera opozitare që sa më shpejt të shkohet në zgjedhje të reja, pasi qeveria aktuale nuk ka numra të mjaftueshëm në Kuvend.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch