Home » Opinione » Lëkundje në skenën politike të Luginës – TËRMET NË UDSH!

Lëkundje në skenën politike të Luginës – TËRMET NË UDSH!

Sindromi i tregtisë me mandate këshilltarësh, tashmë e ka prekur Unionin Demokratik Shqiptar, në Preshevë, duke lëkundur edhe degët e saj në Bujanoc dhe Medvegjë.

 

E shqetësuar për ardhmërinë e saj politike, UDSH, lëshon alarmin te subjektet në pushtet, që mos ta dëmtojnë këtë subjekt politik, i cili nuk po mundet me i përballuar jetës opozitare në këto komuna të Luginës së Preshevës.

 

UDSH ka mbetur në opozitë bashkë me PVD-në, e cila e mban artificialisht nën sqetull këtë subjekt, si dekor i Këshillit Nacional, i cili po çalon tash e sa vjet.

 

Është e qartë se UDSH-në po e merr në qaftë PVD-ja e “deputetit” Riza Halimi dhe Këshilli Nacional i Galip Beqiri.

 

Prandaj, UDSH, nuk duhet të mbaj inat me pozitën e cila e ka lutur për participim në pushtet, por lakmia për nja grusht para nga Këshilli Nacional dhe një çerek mandate i deputetit republikan, e kanë bërë këtë subjekt të flas vet me vete.

 

Me të humbur rrugën në oborr, ose më mirë si rosat në mjegull, UDSH, po përjeton një krizë të thellë politike, që nga themelimi i saj.

 

Një tërmet të vogël UDSH e përjetoi kur Dega e saj në Medvegjë e aderuar nga Lëvizja Demokratike për Integrim e Rexhep Abazit, i tha “Jo” zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe përfshirjes në Këshillin Nacional, njëpartiak.

 

Goditjen e dytë jo më pak të fuqishëm ky subjekt e përjetoi këto ditë nga largimi i dy këshilltarëve komunalë, të cilët publikisht i shprehën pakënaqësitë rreth organizimit politik të UDSH-së.

 

Shuplakën më të fortë UDSH, do ta përjetoj me shpartallimin e e Degës në Bujanoc. Kjo Degë e UDSH-së në Bujanoc është “kopil” i krasitur nga LPD-ja, prandaj dy krahët e saj zor se mund të fluturojnë gjatë pa u përplasur në stuhitë e zhvillimeve politike në Luginë.

 

Lugina e Preshevës, është një rajon i vogël, për t’i ushqyer kaq shumë parti politike, të cilat me veprimet e tyre, jo rrallë, ia zënë frymën, e ngulfatin politikisht dhe e hallakatin ekonomikisht.

 

Reduktimi i partive politike, në Luginën e Preshevës, nuk do të thotë atak ndaj pluralizmit, por një mobilizim të korpusit politik, i cili dukshëm është çorientuar, parcializuar dhe përçarë pa fund.

 

Unifikimi i faktorit politik, në Luginën e Preshevës, do të ishte një hap pozitiv në koordinimin e veprimtarive me interes qytetar e kombëtar.

Ramadan Bektashi

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch