Home » Lajme, Opinione » Letër Drejtuar: Ambasadores së SHBA-ve, znj. Yuri Kim – Tiranë

Letër Drejtuar: Ambasadores së SHBA-ve, znj. Yuri Kim – Tiranë

(Me dëshirën e mirë, që këtë letër të mund t’ia përcillni dhe Presidentit të SHBA-ve, z. Joe Biden)

  Znj. Ambasadore!

  Që unë të iu bëj prezent hallet e popullit tim, siç unë e ndjej, si një pjesëtarë i thjeshtë  (pensionist), do të duheshin shumë faqe, por dhe “protokolli” i një letre, e cila i drejtohet një zyrtari/ je të lartë, si Ju, më “imponon” të iu reflektoj thelbin e atyre çështjeve që unë mendoj të iu shkruaj, duke i përcjellë si një shqetësimi i imi, por dhe i njerëzve të thjeshtë të popullit shqiptar.

Siç dhe dihet, SHBA-të dhe përfaqësuesit e saj në Shqipëri, siç jeni dhe Ju znj. Ambasadore, të cilët gëzoni dashuri të pakufishme nga shqiptarët historikisht dhe sot, mbeteni shpresa e fortë, që ky vend (Shqipëria) të hyjë në rrugën e zhvillimit bashkëkohorë, ku funksionon demokracia, ligji dhe liria.

Shqipëria është një vend me resurse dhe pasuri të mëdha prodhimi, me klimë të mrekullueshme malore, mesdhetare, bregdetare, me bregdet të jashtëzakonshëm në një shtrirje të madhe, pasuri nëntokësore, burime hidro- energjetike, me rreth 300 ditët e vitit me diell, por fatkeqësitë që e ndoqën këtë komb historikisht, e lanë atë një popull të prapambetur, të pazhvilluar në Ballkan dhe në Evropë.

  Tri fatkeqësi e kanë shoqëruar Shqipërinë dhe shqiptarët në historinë e tyre, si burimi i prapambetjes së tyre:

-Fatkeqësia e parë mbi këtë popull, kulturën dhe padijen e tij, fillon me pushtimin turk dhe ndikimi që Turqia ka pasur dhe vazhdon të ketë mbi vendin tim;

-Fatkeqësia e dytë është ajo, se Shqipëria historikisht është kufizuar dhe ka qenë nën lakminë e dy shteteve nacional- shoviniste, me pretendimet e tyre të njohura territoriale që nga fillim-vitet 1800, Serbia dhe Greqia. Siç dhe dihet, më shumë se gjysma e trojeve etnike shqiptare më 1912- 1913, nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër iu la shteteve fqinje dhe jo me trungut amë, Shqipërisë;

-Fatkeqësia e tretë, e cila ka lënë hapur këto fatkeqësi, duke e lënë këtë popull të pa ringjallur e të pazhvilluar pavarësisht se shqiptarët kanë një tokë të mbushur me “flori”, e cila mund të begatojë jo vetëm 3- 4 milionë shqiptarë, e ta bëjë Shqipërinë vendin më të begatë në Evropë, është klasa politike drejtuese e qeverisëse ndër vite.

  Unë përmes kësaj letre, po iu kërkoj ndihmë SHBA-ve, nëpërmjet Juve znj. Ambasadore, si një shtet- komb i fuqishëm, me përvojë dhe traditë demokratike, për një ndikim aktiv në rimëkëmbjen dhe fuqizimin ekonomik, social, kulturorë, politik dhe diplomatik të vendit tim.

Ju mund ta bëni znj. Ambasadore Yuri Kim!

   Unë mendoj se është i trishtueshëm fakti, pasi Shqipëria u bë 30 vjet, d.m.th një brez jetësorë, që vazhdon të drejtohet nga të njëjtët personazhe politik, të cilët nuk e kanë justifikuar asnjëherë besimin popullorë, sot tërësisht të konsumuar deri të urryer nga një popull i tërë. Të njëjtët eksponentë që nuk arritën të jenë të suksesshëm në ndërtimin e një demokracie funksionale, posedojnë dhe sot ofiqet qeveritare, përfitimet e pandershme dhe të paprekura nga drejtësia. Sundues të medias, të pamoralshëm, përfitues me 1001 mjete e forma manipulatore, këto personazhe të njohur për përfitimet e shumta mbi jetën, djersën dhe sakrificat e një populli të varfër, zotërojnë ekranet televizive, mjetet e tjera të informimit dhe komunikimin politik në institucione dhe rrjetet sociale. Kjo është e dhimbshme për një popull që aspiron zhvillimin, lirinë dhe demokracinë e vërtetë znj. Ambasadore.

  Unë mendoj se këta personazhe të politikës shqiptare, të cilët shfaqen si të “dërguarit e Perëndisë” në tokë, kanë mbetur ATY për një arsye të kuptueshme dhe të thjeshtë:- në Shqipëri nuk ka vepruar dhe nuk vepron drejt drejtësia, e cila mbetet gur-themeli i demokracisë dhe shtetit të së drejtës, e cila në Shqipëri është drejtuar dhe është vënë në shërbimin e politikës.

Opinionin tim, lidhur me një çështje të tillë, po ua paraqes, përmes fakteve, të cilët e kanë përgjigjen brenda vetes:

1. A mund të ketë vlerë vota e një deputeti që fsheh të kaluarën kriminale, i cili ka ardhur në parlament me votën e blerë, pa asnjë të dhënë intelektuale (ndoshta analfabet!?), votë e të cilit bën ligje në parlamentin shqiptar?

2. A ka ndodhur në ndonjë vend të Perëndimit, ashtu siç ndodhi gjatë viteve 1996-1997 në Shqipëri, ku një populli iu rrëmbyen të gjithë përfitimet financiare, me bekimin e qeverisë e shtetit (pasi ata ishin dhe përfituesit më të mëdhenj), me anë të skemave piramidale, e për këtë vepër kriminale nuk u dënua askush, përkundrazi eksponentët e njohur të politikës së asaj kohe janë akoma aktorë të fuqishëm të politikës shqiptare dhe në vitin 2021.

Ish- presidenti i asaj kohe dhe forca e tij politike (Partia Demokratike) u mbështet në vitin 2005 për të qeverisur vendin për 8 vjet. Unë besoj se kujtesa për ngjarjet e vitit 1997 nuk duhet të zbehet, pasi për të vendosur rendin social në Shqipëri u deshën 6000 forca të NATO-s.

3. A është i pranueshëm, që një krim shtetërorë, siç ndodhi në Gërdec (me 26 viktima dhe dëme të mëdha ekonomike- financiare), të mos gjykohen dhe ndëshkohen qeveritarët dhe eksponentët  e tjerë  të tragjedisë, të cilët përveçse lejuan, miratuan këtë veprimtari jashtë çdo standardi, si ndëshkim të vetëm patën vetëm dorëheqjen e ministrit të mbrojtjes, i cili pak kohë më vonë u rikthye përsëri në qeverinë e kohës si ministër? Përkundër shurdhërisë në Tiranë (Shqipëri), për një çështje të tillë gjykatat amerikane dënuan me burg një blerës amerikan të municioneve të Gërdecit, i cili qe i përfshirë në këtë projekt.

4. A gjendet një rast në botën demokratike dhe të qytetëruar, që shteti të qëllojë me plumb vrasës mbi protestuesit (madje kur protestuesi ishte me duar në xhepa), siç ndodhi me protestën e 21 janarit 2011, kur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbetën katër protestues të vrarë? Kjo tragjedi nuk pasoi me asnjë fajësim dhe marrje përgjegjësie ligjore as nga shteti e qeveria e kohës, as nga drejtësia, e cila nuk veproi sipas ligjeve të së drejtës demokratike.

Përveçse në qeverinë e kohës nuk ndodhi asgjë, eksponentët politikë, mbi të cilët rëndojnë vjedhje, vrasje, tragjedi të njerëzve të thjeshtë, ata e mbyllën mandatin politik dhe në zgjedhjet politike të vitit 2013, u lejuan të marrin mandatin e deputetit. Në Perëndim kjo nuk mund të ndodhë kurrë.

  Por populli shqiptar din gjithçka; din vjedhjet dhe shpërdorimet kolosale në “Rrugën e Kombit”; din pse janë vrarë në protestën e 21 janarit 2011 katër protestues; din se si në 2008 Greqisë iu falën 350 km katrorë deti (eksponenti kryesorë i kësaj marrëveshje, i shpërdorimit të Rrugës së Kombit dhe vrasjeve në bulevard marrëveshjes sot është kryetari i opozitës shqiptare). Populli din dhe nuk harron zbulesën me zë dhe figurë nga ish- deputeti i ndjeri Dritan Prifti, të aferës korruptive të ish zv/ kryeministrit të kohës në vitin 2011 për një tender, video e cila solli dhe vrasjet e katër protestuesve me 21 janar, i cili akuzohet edhe për vënien dorë (vjedhjen) mbi vlerat kapitale të shtetit shqiptar, e sot ai gëzon postin e lartë të Kryetarit të Shtetit.

Këto nuk ndodhin kurrë në Perëndim!

  E nderuara znj. Ambasadore Kim!

  Populli i din mirë pasuritë e oligarkisë dhe politikanëve shqiptarë (të majtë dhe të djathtë), të cilët zotërojnë vila, makina, para, pasuri të patundshme, biznese, troje, resorte luksoze në bregdetin shqiptarë, të përfituara dhe të vëna padrejtësisht nga pasuria e popullit shqiptar e taksat e tyre, por akoma më keq është keqpërdorimi dhe përfitimet abuzive për shkak të detyrës nga ish-Kryeprokurori i Republikës (të cilit SHBA-të ia kanë ndaluar hyrjen), Kryetari i Gjykatës së Lartë (i shkarkuar nga Vetingu për mos- justifikim të pasurisë që kishte), që dëshmojnë korrupsionin thelbësorë në Shqipëri, i cili  e ka bërë drejtësinë të paaftë për të vepruar.

  Ky shqetësim i thellë qytetar i imi, më bën t’iu drejtohen Juve, si përfaqësuese e shtetit më demokratik të botës, për të ndihmuar vendin tim, që ai të ketë të ardhme. Unë besoj në personin Tuaj znj. Ambasadore, pasi kujtesa më bën të ri-sjell në vëmendje artikulimin për të çuar në bankën e drejtësisë “peshqit e mëdhenj” për gati tri vite nga ambasadori Lu, por që fatkeqësisht asnjëri nuk arriti të kapet dhe të gjykohet, gjithashtu ambasadori Arvizu, i cili tragjedinë e 21 janarit e “kapërceu” përmes “batutës” politike, se Kryeministri i kohë ishte “burrë shteti”, ashtu si dhe Ju keni falënderuar Presidentin Ilir Meta, lidhur me afrimin e një emri për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, kur ajo është detyra e Tij.

E nderuara znj. Ambasadore!

  Unë mendoj se Ju keni një rast të rrallë për të ndihmuar Shqipërinë si Uillsoni (Presidenti i SHBA-ve në Konferencën e Versajës), për ta bërë efektive reformën në drejtësi në Shqipëri, për të pastruar politikën shqiptare nga krimi, korrupsioni, shantazhimi, protagonizmi mediatik dhe pa- aftësia, për konsolidimin e shtetit ligjorë dhe funksionimin e demokracisë.

Duke mbështetur policinë, gjykatat, SPAK-un, BKH-ë, qoftë me specialistë nga SHBA-të (veçmas të FBI-së), unë mendoj se vendi do të ketë një rrjedhë tjetër, qoftë me zgjedhjet politike, të cilat janë shpejt në Shqipëri, deri tek investimet dhe përfitimet nga njeriu i thjeshtë (qytetari) i këtij vendi të vuajtur.

  Unë e di, si gjithë shqiptarët, se Edi Rama gjatë qeverisjes 8 vjeçare ka gabuar në jo pak raste dhe punë të kryera, por ka bërë dhe aq punë të mira, më mirë se gjithë qeveritë e mëparshme të tij vendi. Ndaj po iu referoj më të rëndësishmen, që bëri Edi Rama, të bërit shtet, por dhe me fillimin e projekteve strategjike (nuk ndërtohet asnjë vend pa projekte strategjike), të cilët duan ushtrimin tij në detyrën e kryeministrit dhe në një mandat të tretë, që Reforma në Drejtësi të bëhet e plotë dhe funksionale në Shqipëri dhe projektet strategjike të kryhen me sukses, që vendi të fitojë ritmet e      pandalshme të zhvillimit.

  Lënia e vendit në duar të pasigurta në të ardhmen do të ishte fatalitet për Shqipërinë.

  Ju duhet të dini dhe të kuptoni, se Edi Rama sulmohet nga opozita për shkaqe të njohura, pasi me bërjen shtet dhe Reformën në Drejtësi, ai ka prekur interesa të mëdha të kundërshtarëve politik në Shqipëri, prandaj ai mbetet personi më i aftë, më largpamës dhe më këmbëngulës për ta bërë detyrën më mirë se çdo politikan tjetër në Shqipëri.

  E nderuara znj. Ambasadore Kim!

  Unë jam i bindur dhe mirënjohës gjithashtu në qëllimin e mirë dhe mbështetës që Ju do t’i jepni vendit tim, në kushtet aktuale dhe të perspektivës, si shprehje e një përfaqësuesi të shtetit më të fuqishëm dhe më demokratik në botë- SHBA-të.

Tiranë, më  23 janar 2021                                                    Me respekt e mirënjohje

Pjetër  META  (publicist, studiues dhe shkrimtar)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch