Home » Kulturë, Lajme » Libër me shumë të mira dhe dy të meta

Libër me shumë të mira dhe dy të meta

Me rastin e botimit të librit: “Vallet e Karadakut I, /pjesa e parë/ , Gjilan, në botim të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, 2018, dokumentuar nga ekspertë të fushës , Dilaver Kryeziu, Etnokoreolog, Visar Munishi, Etnomuzikolog.

Shkruan: Xhemaledin SALIHU, prof.

 

Libri në fjalë është botuar edhe në gjuhën angleze, i përkthyer nga Tahit Dalipi, në katalogim të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, me shenjën 394.3(496.51.2), shënon valet popullore të Kosovës.

Libri në gjuhën shqipe ka 45 faqe dhe po aq faqe në gjuhën angleze.

Autorët në libër shkruajnë për 5 vallet popullore të Karadakut: 1. Vallja “Deli Agushi”, 2. Vallja “Ibrahim Hoxha”, 3.Vallja “Mahrama”, 4. Vallja “Gajde” dhe 5. Vallja “Gjilanka”.

Libri fillon me parathënien  të shkruar nga Sherafedin Kadriu, redaktor i botimit, i cili shkruan pos tjerash për projektin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në  hulumtimin  dhe dokumentimin e 5 valleve të Karadakut nga 2 ekspertë të fushës, Dilaver Kryeziu, etnokoreolog dhe Visar Munishi, etnomuzikolog, ndërsa, poashtu sipas tij,  kanë mbetur edhe disa të tjera.

“Vallet e Karadakut të kompletuara do t’i propozohen UNESKO-së për shqyrtim dhe pranim” thotë Kadriu në parathënie të librit.

Një ide shumë e qëlluar, por që do përzgjedhje të valleve, me të vërtetë të Karadakut, por jo edhe të krahinave të tjera shqiptare.

Autori Dilaver Kryeziu shkruan në kapitullin: Vallet e Karadakut(Për disa karakteristika të vallëzimit popullor në Krahinën e Karadakut) se vallet e Karadakut, Anamoravës dhe të Moravicës: “Vallja e Deli Agushit”, “Vallja e Ibrahim Hoxhës”, “Vallja e Preshevës”, Vallja e tretë”, “Vallja e katërtë”, “Vallja e Mehmetit”, “Vallja e Gjilanit”, “Vallja e Gajdës”, “Vallja e Mahramës” e disa të tjera shoqërohen me surle e tupan.

 

“Vallja “Deli Agushi”

Autori I librit në fjalë, në f. 12 se Vallja e deli Agushit ka origjinën nga Bilaçi: “Emërtimi I kësaj valleje vjen nga një personazh mjaft interesant  dhe karizmatik me merin Agush I fshatit Bilaq/Bilaç/.”

 

““Vallja e Deli Agushit” e ka prejardhjen nga fshati Bilaç i rrethinave të Preshevës. Për këtë valle, që është shumë e popullarizuar, qarkullojnë në popull disa versione. Kështu, sipas njërit variant në vendlindjen e valles, në fshatin Bilaç, gjatë një tubimi në prani të shumë burrave, thuhet se njëri shpifi ndaj Deli Agushit. Këtë ofendim para publikut, ai nuk ka mundur ta durojë, ndaj shkon në shtëpi merr pushkën dhe e vret fyesin.

Pas vrasjes Agushi, nuk u dorëzohet sejmenëve turq.  U arratis maleve dhe formoi çetën e kaçakëve për mësymje ndaj turqve.

Deli Agushin e zënë me tradhëti në shtëpinë e vet duke ja dhënë besën se do ta bëjnë komandant të kufirit Serbo-Turk. Eshte vrarë në vitin 1865 në Vranje me urdhër të Mid-hat Pashës, reformator i Nishit.

Deli Agushi, sipas traditës popullore përshkruhet si burrë i madh, i gjatë, i shpejtë, zemërak, i bukur dhe musteqeli. Ishte adhurues i kuajve të shpejtë, mbi të gjitha ishte trim dhe nuk frikësohej as nga ushtria e as nga bimbashët. Edhe zaptit që kishin detyrë ta arrestonin, i shmangeshin takimit me të. Disa herë nga Vranja janë dërguar në Bilaç trimat më të njohur të asaj ane për ta zënë Deli Agushin, por janë kthyer prapa, duke ikur për të shpëtuar kokën. Si njeri me trimëri të jashtëzakonshme, nuk dinte ç’ka është frika, prandaj turqit, emrit të tij, i kane shtuar epitetin “Deli”, që do të thotë “i çmendur”, i krisur, figurativisht, trim i madh.

Për Deli Agushin, populli ka ngritur edhe kënge, njëra prej të cilave thotë: ”N’a ra mjeglla rreth Moravës;/ Tan askeri po shkon xhades;/Në Bilaç kur kanë shkue;/ Koçabashi ka nalue./- Ku i ka kullat Deli Agushi?/ -Ç’atje nalt n’krye t’katunit./ Shpin Agushit shpejt e kan rrethue….” (Sipas të dhënave “Vallen e Deli Agushit”, e kanë trajtuar në repertorët e tyre Ansamblet Artistike Profesioniste “Kollo” i Beogradit të Jugosllavisë dhe “Tanec”  i Shkupit të Maqedonisë).”, shkruan Prof.Dr.Ramazan Bogdani “Mjeshtër i Madh(Tiranë), Vallet e Luginës së Preshevës_Kosovë, në librin: “Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë/Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 dhjetor 2010/, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe krijimtari Kulturore, 2010, f. 15,16

 

Këtu po i shënojmë dy këngë të Deli Agushit, të mara nga libri: Nazmi Beqiri, Këngët e Kaçakëve në Malësinë e Karadakut, Kumanovë, 2006, f.124, 125.

MJEGULLA E ZEZË (këngë për Deli Agushin)

Seç na doli mjegulla e zezë

Nuk na qenka mjegulla e zezë

Por na vjen ushtri me hov

O-drejt n’Bilaç ja paska msy

 

  1. KËNGA PËR DELI AGUSHIN

Hej Deli Agushi kaçak o-m’ish kanë

O-dora turkut xhall s’kish mujt me nxanë

Mor Pasha i Vrajës nav çu në kamë

O-shumë zapti o-aj poj shtrëngon

More për Bilaç o-aj poj fillon

O-Deli Agushin ata po rrethojnë

 

“Sikur në shumë vise të Kosovës e të Shqipërisë edhe në Luginën e Preshevës kemi dy tipa kërcimesh: valle të grave dhe valle të burrave. Njëra ndër  valleve më të popullarizuar e kësaj ane që me mënyrën e kërcimit,ritmin, melodin ka pushtuar zemrat e njerëzve,është Vallja e Deli-Agushit, nga Bilaçi. Kjo valle është e rendë, valle e burrave që në këtë rreth luhet më se një shekull.

Shumë herët ka kaluar kufirin e Luginës së Preshevë. Fillimisht arriti në rrethet fqinjë, të Gjilanit dhe Kumanovës e më vonë edhe më larg. Vlen të përmendet se Vallën e Deli-Agushit si valle të bukur  me kënaqësi e ka përqafuar populli Serb i rrethit të  Vranjës. Ata vallen e luajnë duke e kënduar Këngën e Deli Agushit  në gjuhën serbe me që kjo këngë ekziston edhe në  Serbishte në disa variante.

Bilaçi, nga ishte Deli Agushi, konsiderohej  ndër fshatrat më të përparuara të Kazasë së Preshevës. Qeveritarët Turq në vitin 1304 Hixhrije (1886), në Bilaç  ndërtuan një kazermë dhe një spital me material shumë  të fort nga guri. Në pazarin e  Bilaçit që mbahej  rregullisht të marteve   vinin shumë njerëz nga gjithë kazaja dhe më larg. Rreth kazermës dhe çarshisë punonin 120 dyqane. Aso kohe në Bilaç zhvillohej një jetë e gjallë. Bilaçlinjtë ia kishin mësy jetës qytetare dhe haresë. Në orët e mbrëmjes nga hanet e saj dëgjohej bubullima e zurnasë dhe daullit. Në Bilaç që nga ajo kohë ka pasur këngëtarë,valltarë dhe shakaxhi të njohur e burra të mençur. Ishin adhurues të instrumenteve dhe ekzekutues.
Pas valleve gazmendi në Bilaç vazhdonte duke kënduar Këngën e Deli Agushit, e më pastaj evokoheshin kujtimet mbi personalitetin dhe trimërinë e Deli Agushit nga pleqtë.

Pas Bilaçit nga ishte Deli Agushi, kujtime të rëndësishme rreth tij  dashuria mbi te është  ruajtur edhe në Bushtran.

Këngën e dytë të Deli Agushit e kam shënuar nga informatori Avdulla Rashiti,i lindur në vitin 1952. në fshatin Zarbincë. Ky fshat gjendet në malësinë e Bujanocit, larg Bilaçit e Bushtranit, afër Vranjës që ka toponim Shqip. Kënga e dytë është më e gjatë se e para:

 

 

 

Naj ra mjegulla rreth Moravës,

Ton askeri po shkon xhadës,

Në Bilaç medet kur kan shkue,

More koxhabasht ju mi bini këtu.

Në Bilaç shpjegohen dy variante pse Agushi është bërë kaçak. Sipas variantit të parë një ditë  në mesë të katundit në Bilaç në prezencën e burrave një njeri  shpif Deli Agushin. Këtë ofendim publik Deli Agushi krenar nuk ka mundur ta durojë, shkon në shtëpi merr pushkën dhe e vret fyesin, atë që a ka marrë fytyrën.

Motivi i kërcimit të Valles së Deli Agushit është ruajtja e kujtimeve për te dhe gjithë trimat legjendar, ruajtja e traditës. Me ruajtjen e Valles së Deli Agushit ruajmë folklorin e bukur,autokton të Bilaçit, Luginës së Preshevës, ruajmë kërcimin artistik dhe këngën e mrekullueshme të kësaj ane  që pasuron folklorin tonë mbarëkombëtar. “ shkruan Mr. Xhahit Ramadani(Bujanoc): Vallja e Deli-Agushit, në librin:”Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë/Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 dhjetor 2010/, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2010, f.90,91,94,95,96,97,98,101,102

 

Bilaçi aktualisht i takon komunës së Bujanocit, e cila si Nahi i takonte Kazasë së Preshevës, në kohën kur lindi legjenda mbi Deli Agushin, për të cilin këndohen këngë dhe vallëzohet vallja e njohur e tij, Vallja e Deli Agushit,  shtrihet në Malin Rujan, në lindje të Luginës së Preshevës, nuk shtrihet në Karadak, por në masivin e Maleve Rodope, në jug të Serbisë, nga mali Kozjak në jug deri në Luginën e Preshevës, në perëndim.

Andaj ngritet përfundimi se Vallja e Deli Agushit luhet në Karadak e troje tjera shqiptare, por assesi nuk mund t’i takoj valleve të Karadakut.

 

 

“Vallja “Mahrama”

Autori Dilaver Kryeziu për këtë valle në f.15 të librit shkruan: “Kjo valle kërcehet në raste të caktuara e më së shpeshti në ambiente të hapura, por edhe në ambiente të mbyllura. Emërtimi kodifikon mahramën që do të thotë pjesëmarrja në garë vrapimesh të kuajve po edhe të vrapuesve.Mahrama është një shami që vihet si shenjë I arritjes së garuesvë.”

 

Vallja e Mahramës luhet edhe në dasmat popullore të Karadakut, por nuk është valle e Karadakut.

Vallet e burrave në Preshevë janë:

  1. Vallja e Preshevës “Preshevka”
  2. Vallja e Miratocit “Miratocka”
  3. Vallja preshevare: “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë”
  4. Vallja e Marhamës
  5. Vallja e Deli Agushit
  6. Vallja me këndim : “Pembe, Pembe”
  7. Vallja me këndim: Dimke, Dimke Popova
  8. Vallja e Moravës

 

Vallet e burrave të Preshevës kanë lindur dhe janë zhvilluar në vijën gjeografike Miratoc, fshat në jug të Preshevës deri në Bilaç të Bujanocit/aktualisht/, ndërsa që nga pushtimi i Preshevës, më 1445 nga Perandoria osmane, sidomos nga formimi i Kazasë së Preshevës më 1878, Nahia e Bujanocit ka qenë pjesë përbërëse e Kazasë së Preshevës deri më 1945. Andaj edhe vallja e Mahramës është valle e fushës dhe jo e Karadakut, ajo është vallëzuar në disa vendbanime të ulta të Kumanovës, sikur Llojani, ku kanë ndodhur dasma dhe gazmende të mëdha me vrapime të vrapuesve dhe kuajve si dhe janë siguruar peshqeshe në shami, por edhe më të mëdha. Pastaj në Luginën e Preshevës, në Preshevë dhe në Rahovicë, si dhe në Hogosht të Dardanisë, ku poashtu kanë ndodhur dasma të familjeve tëmëdha me vrapime.

Në Preshevë, kaherë në traditën popullore, dasmat dhe gazmendet familjare, por edhe kombëtare bëhen me daulle e zurle, ndërsa te gratë ato bëheshin me dajre. Madje, familjet e pasura në ditën e marrjes së nuses organizonin tubime dhe gazmende popullore, në pritje të ardhjes së nuses dhe krushqëve.

Gazmendet organizoheshin në vende të caktuara, kështu në Preshevë, ato organizoheshin te vendi i quajtur Allajtë.Poashtu edhe në Rahovicë, te vendi i quajtur Allajtë. Fjalë turke për një vend të ngritur ku organizohet një manifestim.

Pra, Vallja e Marhamës /shami/ është valle me hap të rëndë, e cila luhet nga grupi i burrave, luhet në dasma, gjatë pritjes së nuses dhe gjatë vrapimit të kuajve dhe vrapuesve, ku këta bëjnë gara për shaminë e nuses dhe peshqeshet që i siguron i zoti i dasmës së djalit. Edhe pse ka hap të rëndë gjatë vallëzimit, ajo i takon valleve lirike.Në fillim vallja ka ritëm të ngadalshëm, ndërsa përshpejtohet ritmi i valles me ardhjen, arritjen e vrapuesve dhe kuajve në cak, te qerrja e nuses.

 

“Vlen të theksohet që në Karadakun e Preshevës nusja dorëzohej herë-herë diku në gjysmë rruge, ku krushqit takoheshin dhe me atë rast kryhej akti i teslimit të nuses, dorëzim-pranimi i nuses.

Janë nisë kerret mlue me t’kuç,

Para i shkojn-o treqin krushq;

Treqin krushq-o me bajrak.

Rrehin surlat për merak;

Bjen daulli dum e dum.

Krushkat n’kerr thojnë: “Lum e lum,

Lum e lum-o për kët ditë,

shyqyr zoti s’na ka koritë![1]

 

Vallja e Marhamës /shami/ është valle me hap të rëndë, e cila luhet nga grupi i burrave, luhet në dasma, gjatë pritjes së nuses dhe gjatë vrapimit të kuajve dhe vrapuesve, ku këta bëjnë gara për shaminë e nuses dhe peshqeshet që i siguron i zoti i dasmës së djalit. Edhe pse ka hap të rëndë gjatë vallëzimit, ajo i takon valleve lirike.Në fillim vallja ka ritëm të ngadalshëm, ndërsa përshpejtohet ritmi i valles me ardhjen, arritjen e vrapuesve dhe kuajve në cak, te qerrja e nuses.” shkruan Xhemaledin Salihu/Preshevë/,Ritet e dasmës shqiptare në Preshevë me rrethinë, me theks të veçantë valet e burrave në dasmën preshevare, në librin:Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot/Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 e 25 dhjetor 2011/, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2012, f.53,62

 

Autori Metush R. Berisha në librin: Reflektime të traditës kulturore (Karadaku i Preshevës), Vatra, 2013, në f. 146: “Tradita e dasmave akt solemn, shkruan: “ Edhe në malësinë e Karadakut, dasma ka karakteristikat e kësaj treve e që pak a shumë dallojnë nga viset tjera, sidomos nga trevat e vendeve fushore.”

Poashtu, sipas autorit Metush Berisha, në f.166,167 shkruan: “Para se të jepej teslimi-dorëzimi, në shumë raste, por jo në të gjitha, është praktikuar edhe një traditë e veantë mjaft domethënëse…atëherë ky zakon ka fituar peshë obligative. Bëhet fjalë për jen me pushkë në shenjë që zakonisht ishte një gur.”

Autori Metush Berisha, në f.167, të librit shkruan edhe për vrapimet e kuajve dhe garuesve të mirë, që shpesh ishte dashi, mirëpo askund nuk shkruan se në dasmat dhe traditën kulturore të dasmave të Karadakut ndodhin edhe kërcimet e valleve popullore e aspak të valles së Marhamës.

 

Vallet e Karadakut (Shoqërimi muzikor  valleve të Karadakut) në këtë libër është shkruar nga Visar Munishi, etnomuzikolog, që përshkruan shoqërimin muzikor të valleve të Karadakut, hollësisht, në mënyrë profesionale nga lëmia e muzikës dhe është mbështetur në këtë përshkrim në spjegimet dhe selektimin e vallleve të bërë nga autori Dilaver Kryeziu, etnokoreolog.

Edhe kapitulli i parë dhe i dytë i librit/ashtu po i quaj/ përshkruhet me ilustrime /figura/ të valleve të Karadakut, përçka e shton vlerën artistike të librit.

Vlerën e librit e shtojnë edhe : Konstatimet përgjithësuese mbi vallet e Karadakut. Metoda e përshkrimit të valleve dhe transkriptimi i tyre, për 5 vallet popullore të Karadakut/përjashto vallen e Mahramës dhe vallen  Deli Agushi, si dhe literature e bolshme e shfrytëzuar.

 

Në veçanti peshën dhe vlerën e librit e shton edhe përkthimi i librit në gjuhën angleze, që rrallëherë ndodh në botimet e librave shqip, sepse libri në fjalë bëhet më i përdorshëm edhe për lexuesit joshqiptar.

 

Libri mbi vallet e Karadakut është i veçantë, specific, i rrallë në trojet shqiptare, për lëminë e trashëgimisë shpirtërore të një krahine. Mundësisht të hulumtohen dhe dokumentohen trashëgimitë shpirtërore edhe të krahinave tjera shqiptare, ku mungojnë institucionet përkatëse.

 

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan ka bë një punë të mrekullueshme në hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë shpirtërore/me vallet e Karadakut/ dhe mesazhi do t’ishte që Qendra të vazhdoj me hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore edhe në krahinat tjera shqiptare.

 

Faqosja dhe dizajnimi i librit nga Genc Buca rrisin peshën dhe vlerën artistike të librit, ndërsa kopertinat e trasha të librit shtojnë bukurinë dhe zgjasin jetën e librit.

 

Në përgjithësi, libri Vallet e Karadakut në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze ofron njohuri të bollshme lexuesit shqiptar dhe jo shqiptar të  Krahinës së Karadakut, trojeve tjera shqiptare dhe më gjërë.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch