Home » Opinione » Librat në rrezik!

Librat në rrezik!

Dhurata prej pesë mijë librash e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, e paraparë për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, përfundoi në bodrumet e policisë serbe.

Inspektorët serbë me urdhër të prokurorisë, kanë bastisur Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” në Raincë, Komuna e Preshevës dhe kanë konfiskuar të gjitha librat, prej klasës së parë deri në të katërtën, me arsyetimin se janë të botuara në Kosovë dhe se nuk janë në harmoni me planprogramet e Serbisë.
Librat e dhuruara nga Ministria e Arsimit të Kosovës, në formë donacioni, fillimisht ishin vendosur në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini”, për t’u shpërndarë më pas edhe nëpër shkollat e tjera të Luginës së Preshevës.

Ky akt i turpshëm dhe i shëmtuar i aksionit spektakular të inspektorëve serbë nëpër hapësirat shkollore, në kohë mësimi, ka nxitur reagimin e menjëhershëm të spektrit politik shqiptar dhe shoqërisë civile në Luginën e Preshevës.

Një hidhërim i papërmbajtur vërehet edhe te nxënësit, prindërit dhe arsimtarët, të cilët në vend se t’i gëzohen dhuratave më të dashura për ta, librave të ofruara nga Kosova, ata ballafaqohen me një terror të paparë si në kohën e inkuizicionit.

Beogradi me kaq nuk e ndal zullumin ndaj shqiptarëve të Luginës. Në përgjegjësi kanë filluar të merren drejtuesit e shkollës, më pas vijnë ata që i kanë sjellë librat nga Kosova në Preshevë e kështu me radhë.

Serbia nuk i dha leje ministrit Rama, të vijë në Preshevë për t’i gëzuar nxënësit me libra shkollorë, ashtu siç i lejon Prishtina zyrtarët e Beogradit, të hyjnë në Kosovë. Po, Beogradi, në anën tjetër lejoi ardhjen e ministres së integrimeve Vlora Çitaku e cila vizitoi institucionet komunale dhe një shkolle në Preshevë. Nuk pat arsye Beogradi t’i thotë “JO” Vlorës ngase ajo ishte në Beograd, jo më larg se para dy muajsh.

Ministri Rama nuk erdhi në Preshevë, por dhurata e tij prej 5 mijë librash, kaloi kufijtë shtetëror Kosovë-Serbi, për t’u bërë “mollë sherri”, për ata që e pranuan donacionin.

Lidershipi i Luginës së Preshevës, në këto situata më shumë vepron emocionalisht se sa profesionalisht. Beogradi, defektet e politikës përçarëse shqiptare në Luginë i shfrytëzon me mjeshtëri, duke i vënë ata shpesh para aktit të kryer.

Sekuestrimi i librave shqip është provokimi i dytë më i rëndë Brenda këtij viti, i cili vjen pas atij të rrëmbimit të Lapidarit të dëshmorëve në Preshevë, nga xhandarmëria serbe.

Spektri politik shqiptar në Luginë të Preshevës, merr pjesë aktive në jetën politike të Serbisë, kanë deputetin republikan të cilin nuk e njohin dhe Këshillin Nacional, të cilin e injorojnë për shkak përkatësisë njëpartiake.

Ky spektër i financuar nga Serbia, kërkon ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës dhe nuk di se si ta gëzoj atë ndihmë. Në anën tjetër shoqëria civile ka kërkuar ndihmë financiare për botimin e revistës “Jehona”, në kudër të së cilës do të dilte edhe shtojca speciale për fëmijë dhe të rinj e që heshtet nga disa institucione në Shqipëri e Kosovë.

Moskoordinimi i spektrit politik shqiptar në Luginë të Preshevës, shpesh ka sjellë mjegullirë e dilema karshi kërkesave të drejtuara faktorit relevant shqiptar në Prishtinë dhe Tiranë. /Jehona Press/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch