Home » Opinione » Liburn Aliu: Prishtina po e harron Luginën

Liburn Aliu: Prishtina po e harron Luginën

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se çështja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk po i intereson Qeverisë së Kosovës, por më shumë është e fokusuar kah zhvillimi i bisedimeve pa kushte me Serbinë. Drejtues të saj kanë thënë se të drejtat e shqiptarëve atje do të duhej të ishin një ndër kushtet e bisedimeve me Serbinë.Nënkryetari i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka thënë se shqiptarët në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë, janë harruar nga Prishtina. Sipas tij, kur filloi dialogu Kosovë-Serbi, shqiptarët e kësaj ane shpresonin se do të diskutohej çështja e të drejtave të tyre, por kjo nuk ndodhi. Aliu ka thënë se të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës do të duhej të ishte një nga kushtet e bisedimeve dhe jo një nga temat.
“Këto ditë, pra ditët para shkuarjes së Thaçit në Bruksel për të negociuar veriun përbëjnë momentin për të cilin shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, prej vitesh u lanë të shpresonin. Nga ana tjetër pikërisht këto ditë tërë fushata mediale në të cilën bëhet fjalë për shqiptarët nën Serbi, gjëja më themelore e problemit po injorohet. Po injorohet fakti që Thaçi do të shkojë me datë 17 janar në Bruksel, për të negociuar veriun dhe atë, pa qenë as temë e as kusht të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kësisoj çështja e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, goditet tani nga vetë Prishtina, të cilët në fakt po braktisen dhe po u kthehet shpina.Aliu ka kërkuar nga përfaqësuesit politikë që të qëndrojnë në ballë të kërkesave të qytetarëve dhe të ngjarjeve atje dhe të marrin përgjegjësinë politike.
Sipas tij, çfarëdo tërheqje e tyre i lë hapësirë devijimeve dhe duhet të jenë të guximshëm në mbrojtjen e qëndrimeve të tyre të deklaruara në platformën e miratuar nga përfaqësuesit politikë të të tri komunave ku kërkohet reciprocitet deri në bashkim me Kosovën. Ata duhet të jenë të parët edhe në mbrojtje të lapidarit, mendon Liburn Aliu.Në këtë drejtim, ai ka shprehur përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje duke i inkurajuar këmbëngulje në realizim të të drejtave të tyre.
Kurse nënkryetari tjetër i kësaj lëvizjeje, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se përderisa Kuvendi i Serbisë miraton rezoluta që i referohen platformave për Kosovën, Qeveria e Kosovës i konsideron ato si çështje për konsum të brendshëm.“Kuvendi i Serbisë mban takim 14-orësh dhe miraton rezolutën e cila i referohet platformës me më shumë se 90 për qind të votave në Kuvend, ndërsa Qeveria e Kosovës e quan atë takim dhe atë rezolutë obligative për të gjitha institucionet e Serbisë si rezolutë “për konsum të brendshëm”. Kjo kuptohet vetëm kur e kuptoni se si mendon qeveria e Kosovës në raport me Kuvendin e Kosovës. Ata çdo diskutim të Kuvendit të Kosovës e kanë për konsum të brendshëm e atje në Bruksel kur shkojnë flasin gjëra të tjera, prandaj mendojnë se edhe të tjerët bëjnë gjëra për konsum të brendshëm”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka shtuar se Thaçi thotë se nuk do të lejojë hapjen e temave të organizimit të brendshëm, ndërsa disa të tjerë thonë se kur Serbia e përmend rezolutën duhet thënë ‘fute në xhep e kthehu në Beograd’. Me këtë qasje joserioze, Ahmeti ka thënë se do të mbesim ne me duar në xhepa.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch