Home » Opinione » Liqenasi do emër tjetër!

Liqenasi do emër tjetër!

Epo e qartë është që dikush tani do të thoshte…po mirë pse s’ia jepni atë emër që duan të ngratëve?

Fundja çfarë duan ata 5 mijë banorë të asaj zone bregliqenore buzë Prespës së madhe,përballë ishullit të lashtë pellazg,ilir e bullgar të Carit Samuil,Mali Gradit pra të shkëmbinjve e kishave eremite të gërmuara e punuara në gur?

Ata pra duan që kryefshatit të zonës së tyre “minoritare” t’i kthehet emri që sipas mendimit të tyre padrejtësisht iu hoq nga Partia në vitet 70-të.kështu të riquhet dhe njëherë Pustec në vend të Liqenas siç e ka tani në shqip emrin.

E drejta e tyre është edhe kjo padyshim.

Si qytetarë me të drejta të plota në Republikën e Shqipërisë,e cila është për fat një vend demokratik,këta banorë gëzojnë mundësinë që me anë të peticioneve apo lidhjeve politike e pse jo duke ju drejtuar ndonjë gjykate,të kërkojnë që kryefshati i tyre,të marri atë emër që ata e ndiejnë si më të afërt me kombësinë e tyre.

Mirë e kanë,s’po them gjë!

Po aq me të vërtetë më ka habitur zelli i Partisë dikur,për t’ia ndërruar emrin vetëm këtij fshati të humbur e “të harruar nga Zoti”,ndërsa nëpër tërë Shqipërinë,toponimet sllave t’a shkelin syrin “sfidueshëm” përditë me prezencën e tyre të huaj në shtetin tonë.

Faktet thonë që nga zona e Korçës e cila është e mbushur me toponime sllave,janë ndërruar dikur edhe do emra të tjerë,tip Bozhigrad-Miras etj,por këto mbivendosje emrash shqiptarë ndaj atyre sllavë,nuk është se kanë qenë aq të shpeshta sa ç’do kishte qenë nevoja.

Sllavët siç e dimë mirë,si të paftuar e si barbarë që me hekur e zjarr kanë bërë historikisht kërdinë në trojet tona,ata më pas për shkaqe e pasoja të ndryshme,kanë lënë pas si “dhurata” jetëgjata edhe shumë emra fushash,malesh,luginash,qytetesh e fshatrash.

Por 100 vite shtet të bëjnë të vihesh në mendime e t’a pyesësh veten,se shtetin s’e pyet dot-jo për gjë po se nuk të përgjigjet edhe po deshe ti si qytetar i thjeshtë që je…t’i thuash vetes pra,si është e mundur që gjatë një shekulli s’i ra kujt mendja që ca emra të papërshtatshëm si këto sllavët për shembull,t’i ndërronim ishim që ishim?

Por faktet janë fakte,emrat aty janë akoma e askush s’ka marrë mundimin t’i heqë e aq më pak t’i ndërrojë!

Kështu Çorovoda po ashtu në sllavisht “uji i zi” quhet,Berati ende “beligrad-qytet i bardhë” quhet,Korça siç thonë burimet më të besueshme nga “Gorica” e ka emrin,Golloborda gjithmonë “kodër e zhveshur” mbetet,Velipoja-“veliko polje-fushë e madhe” është…Zadrima “ndënë Drinit-za Drima” quhet.

Majën më të lartë ende kemi atë të “Jezercës-liqeneve”,malin e Korabit pra të “anijes” në bullgarishten e vjetër dhe moderne,më pas vjen Çereneci në Dibër a Bulqizë “i ziu” pra,Cërkovina “kisha” e Novosela “fshati i ri” në zonën e Vlorës e jo vetëm,Peshtanët e shumtë,Golemi “i madh” në Kavajë,Shkodër e Gjirokastër,Divjaka “e egër” në Lushnje etj.

Pse të harrojmë edhe Qafën e Zvezdës e cila fare lehtë mund të ishte në shqip një “qafë e yllit”,apo fshatra të modelit Podgorje “nën lartësi” si dhe vetë qytetin e mrekullueshëm të Pogradecit-“nën qytet”!

Toponime me origjinë sllave,bullgare kryesisht në jug e verilindje,si dhe serbe në veri,ka sa të duash siç shihet.

Arsyet e prezencës së këtyre emrave jo-shqiptarë sllavë,historikisht i dimë.

Ato vijnë deri në ditët e sotme si pasojë e vërshimeve,pushtimeve,imponimeve e dhunimeve kulturore-toponomastike sllave përgjatë shumë shekujve qëkur ata u shfaqën barbarisht në tokat tona këtu e rreth 1400 vite më parë.

Sllavët patjetër pas çdo pushtimi të tyre në trojet tona,nga gjërat e para që kanë bërë,ka qenë ajo e ndryshimit sllavor të emrave të vendeve,qyteteve e fshatrave tanë.

Siç po ashtu historianë të ditur kanë demonstruar,sidomos gjatë kohës së sundimit të Perandorive bullgare të Borisit,Simeonit e Samuilit,të cilat arritën të dilnin deri në bregdetin shqiptar-arbëror të kohës,shumë zona shqiptare pranuan emërtime bullgare-sllave për shkak të dëshirës për t’u larguar nga  taksat dhe shtypja e padurueshme e administratës në kalbje e sipër të Bizantit.

Kështu këto zona shqiptare,duke mbajtuar emra bullgarë,dilnin nga hija bizantine e siguronin si kundërpeshë në dukje një mbrojtje bullgare.

Prandaj edhe sot kemi në hyrje të Korçës së bukur e kulturuar shqiptare,fshat me emrin Bulgarec i cili përkthehet fiks “bullgar”!

Në malësitë dibrane kemi Tërnovë si Veliko Tërnovo e Bullgarisë së sotme,dikur edhe kryeqytet i atij vendi.

Po aq gjejmë edhe Malin e Thatë i cili si fqinjë ka Mokrën “të lagurën” pra!

Të mos harrojmë më pas Gorat e shumta,pra “lartësitë”.

Faktet janë fakte dhe ato s’dinë të gënjejnë!

Ajo që ne duhet të bëjmë e mbi të gjithe nevojitej të kishim bërë me kohë,do kishte qenë që shumicën e këtyre emrave fyes sllavë,t’i kishim NDËRRUAR!

Ky mosndërrim i tyre është shumë i turpshëm për ne vërtetë.

E di që po kaq shumë emërtime sllave ka edhe në Kosovë,por ai shtet ka vetëm 5 vite jetë të pavarur e kohë ka akoma,megjithë pengesat shpesh artificiale në këtë këndvështrim që vijnë nga Pakoja e Ahtisarit.

Vetë Kosova sipas shumicës së gjasave është një emër sllav!

Emër që i bën sfidë të vazhdueshme emrit të lashtë e fort të nderuar Dardani që ai rajon ka pasur në antikitet para se sllavët t’a binin kokën pa i ftuar kush këtej nga anët tona.

Më pas Suhareka,s’ka pse të jetë “lumi i thatë”,apo Novobrda “kodra e re”,Istogu “lindje” se në lindje të tokave shqiptare ka qenë vërtetë,Krusha mund të ishte thjesht në shqip “dardhë” e me rradhë shumë toponime të tjera lehtësisht mund të shqiptarizohen me pak dëshirë e vullnet të mirë.

Por po të jetë se në Kosovë ekzistojnë pengesa nga proçesi shtetformues,në të cilin duhen marrë parasysh edhe shumë mbivendosje në favor të minoriteteve si ai serb e po aq edhe kërkesat e të huajve që atë degë të truallit shqiptar e pavarësuan,në Shqipëri këto formalitete s’i kemi fare të detyruara!

Pra ndryshimet mund t’i bëjmë kur të na e dojë zemra e për këtë askush s’do të na thoshte dot asgjë.

Liqenasi ndërkohë,komuna fshatare rurale e banuar nga minoriteti i vockël e i papërfillshëm maqedonas sllav,kështu emrin e tij të vjetër sllavisht edhe mund t’a marri sërish,pse jo!?

E merr,po me kusht që për shembull në tabelën e komunës,aty përveçse Opshtina Pustec të shkruhet në shqip Komuna Shkretinë!

Sepse Pustec domethënë Shkretinë,jo se po ia fus kot unë!

Pra Partia dhe xhaxhi Enveri kur atij fshati ia kanë ndërruar emrin,atyre u kanë bërë një alamet nderi,sepse kështu banorët minoritarë të atyshëm i kanë shpëtuar nga një emër i turpshëm e fyes për ta.

Banorët e bregut të Prespës nga ana shqiptare e këtij liqeni që ndahet në tre pjesë mes nesh,IRJ Maqedonisë e Greqisë,ata pra kanë dy emërtime fyese,Pustec për kryefshatin e tyre dhe vetë populli korçar i quan “shule”.

Për epitetin “shule” regjimi i kaluar s’kishte ç’të bënte,por emrin e turpshëm të fshatit në fjalë sidoqoftë e ndërroi,duke e bërë nga “shkretinë” në Liqenas,siç ajo qendër e banuar është në të vërtetë,pasi buzë liqenit ndodhet.

Kuriozitetet historike më pas na vënë në mendime kur dihet sa nga ana maqedonase përballë,ende disa fshatra të Prespës banohen nga shqiptarët e rrethinave të Resnjes,të cilët janë një vazhdim natyral i Devollit në Shqipëri pasi flasin dialektin tosk e vishen,kërcejnë e këndojnë si devollinjtë.

Po ashtu edhe në anën greke të liqenit,dikur deri vonë ka pasur prezencë shqiptare të të dyja feve,myslimane e ortodokse.

Kurse kur u bë ndarja e kufirit,neve e gjetën të na lënë në anën tonë të liqenit një popullsi të vogël sllavisht folëse.

Të shkuara-të harruara sido që të jetë!

Pra unë kështu e mendoj,po të duan banorët e Liqenasit që komuna  e tyre të quhet në sllavisht Pustec,meqë janë në Shqipëri e domosdo që duhet t’a shkruajnë edhe në shqip emrin e fshatit të tyre,atëherë me ligj ky emër nevojitet të jetë përkthimi në gjuhën tonë i kësaj fjale…pra “SHKRETINË”.

Pastaj normalisht më bie të mendoj edhe që megjithë respektin për normat demokratike të cilat shteti ynë nevojitet t’i ketë parasysh përherë në ndërveprimin me shtetasit e tij,qoftë edhe kur këta janë minoritarë,sidoqoftë rikthime të tilla emërtimesh sllave në vendin tonë,ndërsa në IRJ Maqedoni për shembull emrat e qyteteve shqiptare vazhdojnë të përçudnohen nga sllavët,duhet pasur kujdes kur bëhen.

Sepse Shkupi nga ana tjetër e kufirit vazhdon të jetë Skopje sipas sllavëve dhe Shkup aty kanë leje t’i thonë vetëm shqiptarët në lagjet e tyre apo në komunikimin mes njëri-tjetrit.

Kjo ndërkohë që si qytet me mbi 20% banorë shqiptarë,aty sipas Marrëveshjes së Ohrit dygjuhësia e emërtimet duhet të ishin më të lirshme për shqiptarët.

Kërçova emrin antik ilir Uskana e ka humbur prej kohësh e sot në shqip asaj vetëm në versionin tonë të emërtimit sllav i shqiptohet emri.

Po ashtu ka ndodhur edhe me Strugën e cila dikur nga ilirët është quajtur Enhalon e sot edhe nga ne shqiptarët ende përdoret emërtimi sllav i saj.

Ohri i lashtë prej shumë shekujsh quhet ashtu siç i thonë sllavët e jo Lyhnid si banorët ilirë të tij e quanin në antikitet.

Pra ajo që dua të them është,se respektimi strikt i normave demokratike në Shqipëri apo në Kosovë,nuk duhet asnjëherë të kalojë përmbi shkeljet e hapura ndaj emërtimeve të lashta shqiptare që bëhen nga sllavët ditën për diell në IRJ Maqedoni,Serbi apo Mal të Zi.

Kur sllavët kanë ndërruar e akoma sot e kësaj dite ndërrojnë emrat shqiptarë të vendbanimeve të ndryshme,kur ata sapo zbulohet ndonjë varr apo kështjellë ilire ose e mbyllin prapë me furi në mënyrë që të mos dalin në dritë gjurmët tona të lashta e të mos flitet për rrënjët tona antike ose për më keq këto dëshmi tonat ata i bëjnë paturpësisht të tyret…në të tilla kushte pra,shteti ynë qoftë edhe me banorët e parrezikshëm minoritarë të Liqenasit nuk ka përse të shpejtohet shumë!

Më parë se të merren me çështjen aspak të rëndësishme të Liqenas-Pustecit,pushtetarët tanë,duhet t’i hyjnë me themel pastrimit të toponimeve tona nga emrat sllavë!

Lëre pastaj që ndërkohë,sllavët e Liqenasit,askush nuk i ka penguar deri tani që emërtimin ligjor të komunës së tyre minoritare,t’a shkruajnë cirilikisht në gjuhën e tyre pikërisht Pustec,ndërsa versioni shqip i saj patjetër që është Liqenas.

Pra shteti shqiptar s’i pengon ata e s’i ka ndaluar fare që në gjuhën e tyre,fshatin ku banojnë t’a quajnë si të duan,kurse në shqip të respektojnë emërtimin shqiptar të tij.

Ajo që s’ka kuptim është që tani të kërkohet që edhe në shqip kësaj komune t’i thuhet zyrtarisht Pustec!

E këtu unë them që po qe se ata kërkojnë këtë zgjidhje,atëherë shteti nevojitet që t’ua bëjë të qartë që në atë eventualitet…fshati në shqip do të duhej të quhej thjesht “Shkretinë”!

Ndërsa ajo që më shumë paraqet interes e që vërtetë ka rëndësi,është që me pak përjashtime,si emrat e Korçës apo Beratit ndoshta,të cilët megjithë origjinën e tyre sllave,tashmë për fat janë shqiptarizuar për shkak të evoluimit të kohës e shqiptimit të tyre,në të tjera raste shumë emërtime sllave do të ishte shumë e udhës që të ndërroheshin e të shqiptarizoheshin.

Një Novoselë mund të jetë fare mirë një “Fshat i ri”,ashtu si dhe një Cërkovinë mund të bëhej një “Kishëzë”!

Një Podgorje mund të transformohej në një “’Nënmal”,kurse Çorovoda mund të merrte emrin që mban rrethi ku ky qytet bën pjesë,pra Skrapar.

Zgjidhje ka gjithmonë e po ashtu mjafton impenjimi i duhur që këto ndryshime,në një shtet sovran siç është i yni,të bëhen në një kohë shumë të shkurtër.

Herë mund të përdoren emrat e lashtë parasllavë të qyteteve,fshatrave,fushave apo maleve tona e në të tjera raste mund të vihen apo krijohen emra të rinj për të cilët mund të pyeten po ashtu edhe banorët e zonave në fjalë.

Rëndësi ka që kjo të bëhet e të mos kalojnë të tjerë shekuj duke i lënë Shqipërisë apo në të ardhmen edhe Kosovës të mbajnë mbi kurriz si shenja goditje me kamzhik,këto emërtime të imponuara dhunshëm nga hordhitë barbare sllave.
…-pra Begatisë “bogatsvo” që zëvendëson Pasurinë shqipe,apo Vaditjes “voditi” në vend të Ujitjes në shqip,Zbavitjes “zabaviti” që thuhet kur do duhej të përdorej Argëtimi shqip e shumë sllavizmave të tjera të panevojshme.E këtu s’po i futem pastaj fjalorit të tepërt sllav që shpesh hasim në gjuhën tonë të bukur…

Jemi akoma në kohë që vendin tonë t’a pastrojmë nga mbeturinat e pushtimeve shfarosëse sllave e kjo do bërë njëherë e mirë!

 

Nga Elvi Sidheri

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch