Home » Opinione » Liri e pakufizuar e veprimit të zyrtarëve serb në Kosovë

Liri e pakufizuar e veprimit të zyrtarëve serb në Kosovë

XHAVIT ÇITAKUZyrtari serb Marko Gjuriq kur të dojë e si të dojë hynë në Kosovë, organizon e i tubon serbët lokal dhe u thotë se Kosova është Serbi, ndërsa së voni ministri Vulin mori pjesë në aktin e fillimit të punës së Entit për Punësim në Gorë

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Insistimi i Bashkimi Evropian për të filluar një dialog ndërmjet Prishtinës e Beogradit po del se ishte i panevojshëm por edhe bukur shumë i dëmshëm për palën kosovare. Për këtë konstatim flasin edhe marrëveshjet e deritashme të arritura në të cilat, dorën në zemër, tregojnë qartë se prekin dhe provokojnë ndjeshëm sistemin tonë rregullues kushtetues. Si shembull për këtë mund të merret marrëveshja për drejtësinë, në të cilën ashiqare shihet një segregacion etnik në këtë fushë tejet të rëndësishme, i cili ishte praktikuar në arsim dhe në punësim në kohën kur në pushtet ishte Milosheviqi . Ka shumëçka për të thënë, por më e rëndësishmja është se bazuar në zhvillimet e deritashme të këtij dialogu, Kosova nuk do të duhej të futej fare në këtë dialog, sepse, pavarësisht se BE është ndërmjetësuese, ky mekanizem më shumë po i bën presion palës kosovare që të pranon marrëveshje të “ gatuara” në Bruksel sesa që këtë e bën në drejtim të qeverisë serbe. Me një fjalë, Kosova është duke u ballafaquar e vetmuar nga presione që i vijnë nga anë të ndryshme, ndërsa nga miku ynë i madh SHBA, për shkak të problemeve të shumta e mjaft të rrezikshme në arenën ndërkombëtare, nuk i ka mbetur gjë tjetër pos që të përkrah ato propozime të Brukselit, me një arsyetim tashmë që është bërë rutinë se me to nuk dëmtohet gjë Kosova dhe çka është me rëndësi se nuk cenohet integriteti territorial i vendit.

Serbia e di që e ka humbur Kosovën, por çka mund të nxjerr është një plus për të

Vetëm shembulli i fundit i i përgatitjes së opinionit serb për ndryshime kushtetuese në atë vend ku do të hiqet nga preambula e aktit më të lartë juridik fjalia e Kosova është krahinë serbe, flet qartë se Serbia e di fare mirë se Kosova është humbur përgjithmonë. Mirëpo, politika serbe si gjithnjë nuk dorëzohet dhe vazhdimisht punon e vepron kundër Kosovës sidomos në planin ndërkombëtar dhe e përkrahur nga disa miq të saj po arrin që të nxjerr disa “përfitime” të cilat po shkojnë në dëm të palës kosovare. Thënë konkretisht, Kosova ka humb se ka humb bile lë të provohet me të gjitha mjetet, tash për tash diplomatike, për të nxjerr diçka në dobi të komunitetit pakicë serb, por nuk do të ngadalësoj se vepruari edhe në aspektin ekonomik të përfitoj diçka. Se qeveria serbe ende nuk i ka shuar apetitet për pasuritë përrallore të Kosovës tregon deklarata e këtoditshme e kryeministrit serb, Vuqiqit, i cili thotë se kurrë nuk do të pranoj që liqeni i Ujëmanit t’i mbetët krejtësisht pronë e Kosovës, por, siç thekson si, ajo pasuri duhet të ndahet  50 me 50 përqind. Kësi marifeti nuk mund të dëgjosh askund në botë, ndërsa politikanët tanë në asnjë rast nuk reagojnë dhe t’i tregojnë atij dhe të tjerëve se pronarë i gjithë pasurisë është shteti i Kosovës dhe askush tjetër dhe se nëse edhe njëherë dëgjojnë “ klithma” të tilla pushtuese më nuk do të këtë kurrfarë dialogu me Serbinë. Nuk forcohet e ndërtohet shteti duke bërë gjithnjë lëshime palës serbe dhe asaj evropiane, por duhet përmbajtur me konsekuencë parimeve që dalin dhe obligojnë nga Kushtetuta e vendit. Vetëm kaq dhe asgjë më tepër.

Asnjë ligj e as Kushtetuta nuk parasheh që asosacioni të këtë kompetenca?

Ditë më parë përfaqësuesi e Bashkimit Evropian për Kosovë, Zhbogar, pos tjerash tha se asosacioni serb i komunave do të formohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës dhe se ai do të këtë kompetenca në disa fusha. Së këndejmi, edhe shtrohet pyetja se athua në cilin ligj dhe nen të Kushtetutës e paska parë z. Zhbogar se një formacion etnik i tillë mund të këtë kompetenca? Megjithatë,për këtë deklaratë të tillë aspak nuk mund të “ fajësohet” përfaqësuesi i BE-së sepse kjo është rrjedhojë e marrëveshjes bazë të arritur në Bruksel, e cila siç është thënë, do të duhet të plotësohet me kontaktet tjera të të dyja palëve, që do të thotë se ato kompetenca do t’i këtë ky asosacion gjithsesi, por pale mos po mundet edhe diçka tjetër të nxjerrë Serbia. Së këndejmi, shtrohet edhe pyetja se në çfarë shkalle do të mund të “ intervenoj” dhe kontrolloj e ndikoj qeveria e Kosovës që ky asosacion t’i përmbahet ligjeve dhe aktit më të lartë juridik të vendit. Kjo lë shumë për të dëshiruar.

Serbia pa asnjë pengesë formon institucione paralele në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka rënë në gjumë të thellë dhe as nuk po sheh e as nuk po dëgjon se çfarë po bënë e vepron Serbia në territorin e Kosovës. Këtë më së miri e tregon shembulli i fundit antikushtetues në Gorë, kur ministri serb me “ krenari” mori pjesë në aktin e themelimit të Entit për Punësim. Dhe jo vetëm kaq. Ai tha se të njëjtat veprimtari dhe të tjera që kanë karakter shtetëror do të vazhdojnë të instalohen  edhe në komunat tjera si dhe që financimi dhe ndihmat financiare nuk do të ndalen për banorët e kësaj pjese të Kosovës, që janë lojal të shtetit serb. Po ashtu, dihet haptas se Serbia ka emëruar kryetar dhe zyrtar tjerë në të gjitha komunat, të cilët në fakt janë persona kryesor që vendosin për gjithçka që ndodh në ato mjedise dhe i japin llogari vetëm shtetit serb. Me një fjalë, qeveria serbe pa asnjë pengesë formon e instalon institucione paralele, ndërsa qeveria jonë “qele guri gojën” apo thënë më mirë nuk ndërmend të kundërshtoj këtë përzierje flagrante në punët e brendshme të qeverisë serbe në vendin tonë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch