Home » Histori » Lisat e Zarbicës në legjenda dhe në realitet

Lisat e Zarbicës në legjenda dhe në realitet

Ismet TafiliFshatrat e Malësisë së Bujanocit ruajnë dëshmi të konsiderueshme të zhvillimit të jetës mijëravjeçare. Edhe pse pushtuesit e armiqtë e ndryshëm dhe koha kanë fshirë dëshmi të shumta, megjithatë, kanë mbetur sot e kësaj dite një numër i konsiderueshëm i dëshmive të tilla se, në këto vende ka pasur jetë të paraardhësve tanë që nga kohët më të hershme. Këto dëshmi mund të vërtetohen me emërvende të ndryshme, trashëgimi të paluajtshme, të luajtshme emra të botës bimore të përcjellë me  emra të njerëzve  e të posteve të tyre, me gurë të ndryshëm, zeje etj. P. sh. themele kishash të vjetra, kalash, toponime etj, si: Kalaja e Markut, Te kisha, Kisha e Madhe, Kisha e Vogël, Te Kroi i  Kishës, Kisha e Shën Ilisë, Krushqit e Ngrirë, Merqezi, Selishta,  Përroi i Kevës, Çuka, Kroi i Rrinave, Kroi i Gjorgjisë (Gjergjit-I.T.), Lisi i Verrit, etj. etj.

            Siç dihet, determinanti -ishtë, -ishte i shqipes tregon vend, prandaj edhe toponimi Selishtë i Pribocit e Suharrnës e Novosellës, flet për vendbanime të hershme. Mikrotoponimet që kanë të bëjnë me kishën janë të shumta, ato flasin për përhapjen e fesë së krishterë në këto vise. Shumica e kishave të përmendura i përkasin antikitetit të vonë, por që nuk përjashtohen edhe kishat mesjetare.  Bile një nga mikrotopnimet me domethënie përkatësie religjioze është toponimi Kishali i një lagjeje të Zarbicës. Ndërsa, mikrotoponimi tjetër Çuka, sikundër e thonë arkeologët, është nga ato mikrotoponime që shpërfaq ekzistencë të tumave të periudhave të ndryshme, le të jenë ato të fillimit të bronzit të hershëm ose të mëvonshme, – të epokës së hekurit. Tek sa jemi te emërtimi i krojeve, një nga mikrotoponimet interesante të Pribocit është Kroi i Rrinave. Ne kujtojmë se atributi Rrinave është me semantikë shqipe, që ka kuptimin rri, të rrish, të rrimë.  Në kuadër të gjithë këtyre vlerave të trashëgimisë, në hapësirat e fshatrave të Malësisë së Bujanocit janë edhe dy lisa të vjetër që lidhen  edhe me emërtimet e vendeve dhe të njerëzve: Verri, lis i vjetër në lagjen “Kishali” të Zarbicës, përkatësisht në vendin me toponimin ‘Te kisha e Madhe” dhe “Lisi i  Dervishit”, i cili gjendet në Shpatin e Shjopit, nja 100-150 m. larg shtëpive të familjes Uka.

 

Verri

 

Verri, ky lis në Zarbicë, siç thonë edhe banorët e këtij fshati është lis mjaft i vjetër.

Sinan Fejzullahu ( i lindur, më 1943) dhe djali i tij Naimi, mësues nga Zarbica, thonë se  verri që ndodhet afër toponimit Kisha e Madhe është i vjetër rreth 1000 vjet. Nëse mbamendja kolektive flet me guxim, atëherë për kishën e këtij fshati mund të thuhet se i takon mesjetës.

Verri lis i vjeter

Verri gjendet 1060 m. në lartësi mbidetare, që është gati lartësia më e  madhe  mbidetare e këtyre fshatrave. Siç e dimë, objektet e kultit, veç kishave, siç janë altarët, sanktuarët, tempujt etj. zakonisht janë ndërtuar në vendet më të larta të vendbanimeve. Po ashtu, në vendet ku ka pas  dhe ku ka edhe sot varreza janë rritur lisa të mëdhenj. Janë  bërë të tillë ngase janë ruajtur nga banorët, nuk janë dëmtuar, sepse ai vend e së bashku me të edhe lisat janë konsideruar, nga popullata vendase, të shenjta. Edhe sot, gati gjithkund  ku ka varreza  gjenden, 2-3 e më shumë lisa të lartë, të trashë  që gjithsesi edhe të vjetër. Varrezat, përgjithësisht janë të rrethuara me rrethoja të ndryshme vetëm sa për të treguar se matanë është bota tjetër, një botë që nuk shkëputet nga bota aktuale. Dy botëra që komunikojnë mes vete në mënyra të ndryshme.

Sinan Fejzullahu na e tregon edhe një gojëdhënë që ka të bëjë me lisin: “Një  bashkëfshatar i tij, edhe fqinj i tij ( R. i Sh.), para disa kohësh kishte prerë një degë të këtij lisi për të punuar pjesë të qerres (Kuta apo  spica). 


Trungu i Verrit

 

E kishte dërguar  atë degë në shtëpi dhe kishte punuar spicat e qerres, por të nesërmen, kur ishte zgjuar në mëngjes kishte parë se i kishin ngordh lopët”.

Rrëfime të tilla me pasoja në njerëz a kafshë ka edhe për njerëz të tjerë, të cilët kishin marrë qoftë edhe një degë të hollë,  të njomë. Për  këtë arsye dhe  për shkaqe tjera, banorët kurrë nuk e kishin dëmtuar lisin, e kishin ruajtur duke e konsideruar si  “vakëf”.

Jo larg  këtij lisi, në pjesën veriore të tij, ndoshta 100/150 m. largësi, pranë një qershie, gjendet një krua që quhet “Kroi i Kishës” (Banorët e quajë Kroni i Kishës, I.T). Edhe kjo tregon se vërtet, dikur  këtu ka ekzistuar një kishë katolike shqiptare. Kjo për faktin se në këto anë askush nuk e mban mend, as nuk ka të shkruar në libra se kanë jetuar sllavët (serbët). Këto fshatra  gjithmonë kanë qenë etnikisht shqiptare.

 

 

 

Lisi i Dervishit

 

Në Shpatin  e Shjopit, 250-300 m. mbi shtëpinë e familjes Uka (e cila tani nuk jeton aty) dhe  afër 1 / 1.5 km. në lindje të lisit të Verrit, përkatësisht të Kishës së Madhe, gjendet  “Lisi i Dervishit”. Vendi ku gjendet ky lis  është një vend mjaft i pjerrtë i mbushur me lisa ahu.

Kroi i Kishës

 

 

 

 

 

Është një lis që është rritur shumë , ku “koka” e tij është mbi lisat tjerë. Trungu  është shumë i  trashë, dhe në krahasim me lisat tjerë që i ka afër, lirisht mund të themi sa është i trashë sa t’i bësh 4-5 lisa bashkë. Nga toka  fillon me një trung, ndërsa 4-5 më lartë ndahet në dy trungje, po ashtu të trashë. Degët i ka të trasha  dhe të gjata, që tregon se askush, asnjë njeri nuk i ka prek ato degë  e as lisin asnjëherë. Rrënjët e trasha duken sikur gishta dore të njeriut që mbahet fortë për tokë për të mos u rrëzuar.

lisi ahu Ismet Tafili-5-2lisi ahu Ismet Tafili-5-1

Disa nga banorët e fshatit, të cilët kanë dëgjuar nga paraardhësit e tyre, thonë se aty nën lis gjendet një varr i një Dervishi, dhe në një farë forme, edhe ky vend konsiderohet si vend i bekuar. Ndërsa, Haqif  Berisha, me moshë mbi 60 vjet, banor i fshatit Zarbicë  i cili tani jeton në Gjilan, tregon një gojëshënë të shkurtër për këtë lis të cilën e kishte dëgjuar nga të parët e familjes tij. Ai thotë se:” Para shumë kohësh një i panjohur kishte kaluar nëpër fshat. Aty  e kishte zënë nata. I panjohuri, që si duket ishte një “evlia”, nga banorët e fshatit kishte kërkuar që ta kalojë një natë në ndonjë shtëpi. Askush nga banorët nuk e kishte pranuar në shtëpi, nuk e kishte bërë “konak”. I panjohuri kishte vazhduar rrugën dhe kur ishte lodhë  dhe nuk kishte mund të ecë më, ishte strehuar nën këtë lis dhe kishte fjetur. Kur ishte zgjuar në mëngjes e kishte bekuar lisin. Që prej atëherë, banorët e këtij fshati nuk e kanë marrë asnjë degë, qoftë edhe ajo e tharë, apo që është shkëputur vet e ka rënë në tokë, sepse është konsideruar si vend “vakëf”. Unë kështu kam dëgjuar, si legjendë, ndoshta dikush tjetër mund ta dijë ndonjë variant  tjetër.”-thotë në fund Haqif  Berisha.

lisi ahu Ismet Tafili-4-2lisi ahu Ismet Tafili-4-1

Gjatë fotografimit që i bëra, në fund të muajit nëntor (2014), duke hulumtuar në gjethe të thara, 50 m. më poshtë lisit gjeta një gurë, që dukej se ishte gurë varri. Ishte gurë i gdhendur në pjesën e sipërme i cili, sigurisht kishte rrëshqitur  vetë nga shkrirja e  borës së madhe që bie këtu, nga kullotja e kafshëve, apo, ndoshta është larguar nga ndonjë dorë e pakujdesshme e njeriut.

lisi ahu Ismet Tafili-3lisi ahu Ismet Tafili-3-2

 

 

 

 

 

 

 

 

Gjithashtu rreth lisit kishte  gurë  të ndryshëm, ndërsa dy gurë të ngulitur në tokë, larg njëri tjetri  me hapësirë sa madhësia  e njeriut, dukeshin se kufizonin diçka. Mirëpo, vendi  ne mes gurëve ishte i  rrafshuar. Ata mund të jenë edhe gurë që kanë rrëshqitur nga lartë.

lisi ahu Ismet Tafili-2

Askush nga banorët nuk e dinë sa është i vjetër ky lis. Të gjithë thonë se mua më ka treguar baba e gjyshi për këtë lis, e atyre po ashtu sigurisht baba e gjyshi i  tyre.

lisi ahu Ismet Tafili-1

Karakteristikë apo e veçanta e këtij lisi ahu është se, gjethet  edhe kur thahen në vjeshtë ky i mbanë shumë më gjatë se lisat tjerë që i ka për rreth. Kjo shihet edhe tani kur është fotografuar ky  lis. Të gjithë lisave tjerë u kanë rënë gjethet, ndërsa ky ende i mban. Po ashtu, edhe në pranverë kur fillon të gjelbërojë natyra, përkatësisht të gjethojnë drunjtë, ky lis gjethon shumë më përpara se lisat tjerë të ahut. Kjo sikur tregon se është duke  mbrojtur dikë nga shiu, bora, të ftohtit e po ashtu edhe  nga vapa.

Këta lisa (Verri te kisha e Madhe dhe lisi i Dervishit), janë vlera të trashëgimisë kulturore natyrore. Populli ynë, pa marrë parasysh se çfarë besimi ka  pasur, siç shihet nga këta dy lisa, i ka respektuar dhe mbrojtur shenjat e besimeve të ndryshme, i ka ruajtur, ndoshta edhe pa qenë të vetëdijshëm. Prandaj mund të themi se,  këta lisa kanë vlera kulturore, fetare e historike.

Prandaj, ashtu si ka ditur populli ynë t’i ruaj këto vlera, duhet që edhe institucionet komunale e shtetërore, këto lisa si vlerë të trashëgimisë, sikurse edhe vlerat tjera të këtij rajoni, ti marrë në mbrojtje  e të mos lejojë të dëmtohen.

 

15. 12. 2014

 

Ismet Tafili

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch