Home » Lajme, Opinione » Lojrat e politikave të intereseve personale në Preshevë

Lojrat e politikave të intereseve personale në Preshevë

Loja politike “party” preshevare, ka disa vjet, që nuk ka humbës e as fitimtarë. Kjo lojë e cila luhet me një stil allapreshevarçe, që nga viti 2002 e këndej, pas përfundimit të konflikteve të armatosura, ka sjell në qeverisjen lokale politikanë me rotacion.

Kur themi se nuk ka humbës e as fitimtarë, kemi parasysh se ata që hipin në pushtet e ata që ngelin në opozitë, nuk i gëzojnë deri në fund pozicionet e tyre.
Të rrallë janë mandatet, që kanë përfunduar pa u prishur Kuvendi legjislativ, apo pa u shpallur zgjedhjet e parakohshme lokale. Kështu që edhe fitimtarët dhe humbësit, kanë mundësi t’i ndërrojnë rolet qeverisëse.
Nëpër këto palë zgjedhjesh Presheva, ka dalë herë krenare, herë e zhgënjyer e herë e sfilitur, duke u marrë më shumë me çështje organizative pushtetare, se sa me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, të cilët ka vite e shekuj, që përballen me probleme ekzistenciale.

Sindromi

Ky sindrom preshevar, nuk ka mundësi të përhapet edhe në komunat tjera simotra si: Bujanoci dhe Medvegja, për shkak elementit serb të pranishëm në jetën institucionale të këtyre komunave shumetnike. Dhe mirë që ky sindrom, nuk ka ndikim edhe në këto komuna, të cilat jo rrallë kanë fituar fondacione nga Beogradi dhe ndërkombëtarët, për qeverisje të mirë, për ambient të përshtatshëm për investime si dhe për një varg privilegjesh të tjera, që nuk i gëzon Presheva, për shkak inateve politike, përçarjeve dhe hasmërive provinciale.

Në këtë vijë, është duke shkuar edhe pushteti lokal i Preshevës, i dal nga zgjedhjet e 24 prillit, të vitit të shkuar, i cili pa i mbushur një vit e disa muaj, u ballafaqua me prishje të koalicioneve qeverisëse e ndërrime në strukturat udhëheqëse të komunës.
Me kaq nuk përfundojnë “zhurkat” politike në Preshevë. Problemet artificiale të krijuara në organin më të lartë të pushtetit vendor, mund ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.
Potenciali politik i liderëve partiakë në vend se të harxhohet për funksionimin e pushtetit drejt një qeverisjeje të mirë, përkundrazi mandatet e këshilltarëve dhe posteve shfrytëzohen për konvertime, kontrabandime e shpartallime.

Defekti

Pasojat e këtyre lëvizjeve politike të çakorduara, sjellin defekte negative, së pari në shoqërinë preshevare, e mbi të gjitha në përpjekjet e përbashkëta të shqiptarëve për ta drejtuar si duhet Këshillin Nacional e për ta reformuar Trupin Koordinues, në favor të tyre.
Mungesa e një kulture profesionale dhe e një bashkëpunimi të sinqertë, në skenën politike preshevare, ka reflektuar për të keq jo vetëm te faktorët relevantë vendorë, por edhe te ndërkombëtarët dhe më së rëndi te qytetarët preshevarë, të cilët janë në zor me këto ngërçe politike dhe kolapse ekonomike.
Nga kjo krizë e thellë institucionale, në të cilën është futur Presheva, nuk mund ta nxjerr as Beogradi, i cili e dëshiron një gjendje të tillë, e as Prishtina dhe Tirana, të cilat vazhdojnë të merren me problemet e veta zgjedhore, po thuajse me të njëjtin sindrom.

Notari

Derisa pozita dhe opozita preshevare, shtyhen si në gara se kush ka më shumë të drejtë në lojën e “Party”-s, jeta e qytetarit po rëndohet, gjithnjë, me probleme jetike.
Një shembull nga shembujt e shumtë, që e rëndojnë preshevarin e rëndomtë për të mos u argëtuar me lojërat pa fund të liderëve të tyre, është vërtetimi i dokumenteve zyrtare.
Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, nuk kanë Notar për t’i vërtetuar dokumentet e qytetarëve, e meqë gjykatat ka muaj që kanë hequr dorë nga punët e tilla, ata detyrohen të bëjnë rrugë deri në Vranjë, jo më pak se 40 km.
Për një dokument me vulë Notari dhe Apostili, preshevari duhet të bëjë rrugë: shkuarje-ardhje nga Vranja, mbi 80 km. Po këtyre problemeve të përditshme t’i shtohen edhe ato javore, mujore e vjetore, del se jeta e një preshevari kushton më shtrenjtë se sa jeta e një gjermani, e cila nuk i ka hallet e problemeve të lart-theksuara e as standardin jetësor shumëfish më të avancuar.
Por, kështu e ka jeta politike në Preshevë, në stilin: “Hip se të vrava, zbrit se të vrava!, apo jo?

Sevdail Hyseni, nga Shoqëria Civile “Perspektiva”, Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch