Home » Histori, Kulturë, Lajme » Lokalitete dhe vendbanime arkeologjike në Preshevë

Lokalitete dhe vendbanime arkeologjike në Preshevë

Shkruan : Xhemaledin SALIHU, profesor

“Ata që nuk e njohin të kaluarën janë si foshnja – nuk dinë gjë!” (Lucrecius Car).

 “Popujt, si dhe foshnja, kanë rritën e vet dhe kjo rritë bazohet në njohuritë dhe përvojat e fituara nga e kaluara, nga rrënjët individuale e kolektive. Këto rrënjë gjenden në trashëgiminë kulturore, të krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit.”

 “Ne nuk e kuptojmë se ka popuj që janë zhdukur nga ky rruzull tokësor dhe jo pse s’kanë pasë politikanë të mirë, por sepse kanë qenë mospërfillës ndaj kulturës së vet”

“Popujt radhiten në botë sipas trashëgimisë së kulturës”

Hyrje

Komuna e Preshevës zenë vendin qendror në Luginë të Preshevës, në anën perëndimore kufizohet me malin e Karadakut, ndërsa në lindje me malin e Rujanit dhe shtrihet përgjatë lumit Moravicë. Ajo në veri kufizohet me Luginën e Vranjës, ndërsa në jug me Luginën  e Shkupit.

Presheva banohet nga periudha e neolitit, vazhdon të banohet edhe gjatë periudhave të mëvonshme : të bronzit, të hekurit e deri në ditët e sotme, përshkak të  pozitës së volitshme gjeografike, kushteve  të favorshme klimatike, hidrografike.

Lugina e Moravës dhe ajo e Vardarit, kryesisht ishin të banuara nga fisi Ilir- Dardan, pra Presheva shtrihej në pjesën qendrore të Mbretërisë Dardane. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturore-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera.

Edhepse u gërshetuan shumë lëvizje të popullatave dhe kulturave, popullata autoktone shqiptare e Preshevës arriti ta ruajë materialin arkeologjik, i cili vërteton autoktoninë e saj shumë shekullore dhe vjetërsinë e saj.

Gjeturinat arkeologjike, lokalitetet, objektet dhe vlerat arkeologjike në Preshevë janë gjetur  të kohës parahistorike, të kohës antike, të mesjetës, por edhe më vonë.

“Gjurmët më të vjetra të kulturës lëndore në territorin e komunës së Preshevës datojnë qysh nga periudha e neolitit të vjetër. Mirëpo, është e mundshme që kjo trevë (për shkak të pozitës gjeografike shumë të rëndësishme dhe kushteve natyrore të përshtatshme) të jetë banuar edhe në periudhën e paleolitit, por ende nuk kemi zbulime lëndore të kësaj periudhe, që do të dëshmonte këtë mundësi”, shkruan Dr. Jahi Staneci.”[1]

Gjendja e tanishme e Trashëgimisë kulturore

 Presheva, gjatë historisë së saj të bujshme dhe të pasur pati periudha të ndryshme të progresit kulturor. Andaj edhe trashëgimia e saj është e pasur dhe e bollshme nëpër periudha të ndryshme kohore. Secila prej këtyre periudhave në vete ka pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore, të trashëgimisë natyrore dhe asaj shpirtërore. Asnjë prej këtyre periudhave, gjegjësisht trashëgimia e tyre kulturore, natyrore dhe ajo shpirtërore nuk është hulumtuar, studjuar, identifikuar, regjistruar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi shumë lokaliteti, objekte dhe gjësende të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, sidomos asaj shqiptare të rrezikuar, të prishur, të huazuar dhe aspak të ruajtur, aspak të mbrojtur dhe nën përkujdesjen e shtetit.Pra, gjendja edhe pozita e trashëgimisë kulturore në Preshevë është e vështirë, me tendencë të shkatërrimit total të saj.

Ato, në emër të ndërtimeve moderne, gërmimeve jo zyrtare arkeologjike, dorës së njeriut të paditur dhe për një interes personal apo kolektiv përfitimi, lokalitetet, objektet dhe vlerat të trashëgimisë kulturore, aspak nuk kursehen, rrezikohen deri në shfarrosjen e tyre. Andaj popullata, institucionet, organet shtetërore, shoqëria civile, Shoqata për Trashëgimi kulturore në Preshevë, me fanatizëm të madh duhet t’i ruajë dhe t’i mbrojë edhe ato pak objekte që kanë mbetur në komunën e Preshevës.

Në të kaluarën, jo të largët të këtyre ndërtimeve moderne, ndodhën katastrofa të mëdha dhe nuk u kursyen lokalitetete, objekte dhe vlera të Trashëgimisë kulturore. Kështu u prish Hamami i Vjetër i Preshevës, për tu ndërtuar një ndërtesë moderne, disa katshe në Preshevë.

Përmbi qytetin e Preshëvës së Vjetër dhe Varrezave të Vjetra të Preshevës, në të majtë dhe në të djathtë të rrugës rajonale Preshevë-Gjilan, te vendi i njohur „20 Mullinjtë“ u ndërtuan shtëpi private, e tërë një Mëhallë e Kurbalive.

Livadhi i Shehut, një park natyror për pushime, rekreacione dhe pikniqe u dëmtua aq shumë, sidomos me ndërtimin e një kazerme ushtarake.

Në fshatin Tërrnavë ndertimi i një ndërtese ndërmjet xhamisë së fshatit dhe Teqesë, po rrezikohet shkatërrimi i Teqesë qindvjevare e vjetër.Edhepse Inspektorati komunal ka dhënë udhëzime nëpërmjet të proçesverbalit të shkruar ne vendin e ngjarjes, që Teqeja të adaptohet apo meremetohet, prapseprap, Bashkësia lokale dhe Këshilli i xhamisë nuk marrin ndonjë nismë tër ta shpëtuar teqenë nga shkatërrimi.

Poashtu në fshatin Bukuroc, me ndërtimin e rrugicës nëpërmjet Vorrezave te Krushqëve, ato janë rrezikuar, bile nga kompleksi i Vorrezave të Krushqëve është ndarë Varri i Nuses unikat për këtë krahinë. Varri është mbuluar me dhe, faktikisht është shkatërruar dhe me nuk shihet në hapësirë. Megjithë intervenimet tona, të Shoqatës për Trashëgimi dhe krijimtari kulturore dhe Inspektoratit komunal që vorrezat të rrethehen dhe nga Varri i Nuses të hiqet dheu, prapseprap ka mbetur gjendja e patolerueshme dhe i kanoset rreziku i shkatërrimit të Varrezave të Krushqëve.

Poashtu me gërmimet e egra të hulumtuesve të egër në për levërdi të parave dhe stolive, rrezikohet Kalaja e Preshevës, Muri i saj, por edhe shumë objekte dhe vende arkeologjike e objekte e vende të trashëgimisë kulturore në Preshevë. Këtë situatë të shkatërrimit ia kemi paraqitur Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Nish dhe komunës së Preshevës, bile edhe kryetarit të Komunës që të ndërmerrë masa urgjente për ndalimin e shkatrrimit të vlerave, objekteve dhe vendeve të trashegimisë kulturore.

Ndoshta është koha e fundit që të vendosen tabela emertuese-informuese edhe për vendbanimet, rrugët dhe objektet, vendet e vlerat e trashëgimisë kulturore, që t’ia bejne me dije qytetarit tonë të Preshevës, por edhe të komunave të tjera, sidomos „arkeologëve“ të egër edhe të komunave jashtë Preshevës, që mos t’i prekin dhe shkatërrojnë këto vlera.

Shpella e Ilincës, Shpella e Arushës, Guri i Shpuem, Kalaja e Preshevës e objekte të tjera Trashëgimie janë lanë në mëshirën e natyrës, por edhe të prishjes nga dora e njeriut.

Sidomos janë rrezikuar shumë lokalitete me ndërtimin e Autoudhës E-75, në drejtim Bujanoc-Preshevë-Kumanovë. 

Ju është e njohur puna në Korridorin 10, në Autostradën Nish-Preshevë-Shkup e tutje. Derisa autoritetet serbe, institucionet përkatëse të shtetit serb reaguan në pjesët tjera të Autostradës, ku gjetën lokalitete të vjetra, në Autostradën Preshevë-Kumanovë, te vendi Banjkë e Miratocit, u zbulua një lokalitet i vjetër dhe vorreza të vjetra iliro-dardane, institucionet përkatëse vetëm reaguan, por nuk ndërrmorën kurgjë në hulumtimin e këtij lokaliteti dhe mbrojtjen dhe ruajtjen e tij. Reaguan disa profesorë të gjeografisë(Sami Agushi) dhe të historisë si dhe reagoi Shoqata për Trashëgimi, por ende kurgje nuk ka në drejtim të hulumtimit të lëtij lokaliteti të vjetër. 

Hulumtime arkeologjike në Preshevë

Hulumtime arkeologjike në komunën e Preshevës kanë ndodhur spontanisht nga individë entuziastë, vullnetarë si psh: Dr. Jahi Staneci, Sabedin Hetemi e ndonjë tjetër.

Profesori Sabedin Hetemi nga Presheva, para shumë viteve ka hulumtuar vende arkeologjike, por edhe objekte arkitektonike-ndërtimore, sikur kishat, xhamitë, etj, madje edhe shkroi për to.

Profesori Dr. Jahi Staneci hulumtoi gjatë në komunën e Preshevës vende dhe objekte arkeologjike dhe ka arritur rezultate të konsiderueshme.

Profesori Dr. Jahi Staneci mblodhi eksponata arkeologjike etjerë, të cilat me sa di unë i ka vendosur diku në fshatin Stanec, shumë me vlerë për trashëgiminë tonë dhe ka propozuar që ato të barten në Shtëpi të kulturës apo dikund tjeter, në vend të sigurtë, në mungesë të Muzeut komunal në Preshevë. Për zbulimet e tij arkeologjike dhe vendgjetjet arkeologjike ka shkruar disa herë dhe opinioni, dashamirë i kësaj lëmie është i njoftuar. Mirëpo, vlen të ceket hulumtimi dhe zbulimi i fundit, me rëndësi në mars të vitit 2008. Në realitet u zbulua një Varreze me skelete njerëzish të vjetra nga mijëvjeçari i tretë para erës së re, në Kodrën e Sheh-Halilëve, në veri të qytetit.

Hulumtime arkeologjike grupore në Preshevë kanë ndodhur më vitin 1966, 1967,1968 dhe në vitet 1977/78.Të gjitha këto hulumtime kishin të bëjnë me rekognoscim, ndërsa gërmime të vogla të pjesëshme sondazhi kanë ndodhur  në Kështjellën e Bushtranit, më 1977 dhe në Kacipup të Rahovicës, më 1977/78, nga arkeologë serbë të Muzeut Popullor të Vranjës, me ndonjë angazhim të arkeologëve maqedonë nga Shkupi. Pra, kanë munguar kuadrotë shqiptare në këto ekspedita, kuadrotë shqiptare nuk janë angazhuar, kurse është më se e domosdoshme, për hir të objektivitetit që në hulumtimet e ardhshme, apo në punët pas rekogniscimit të angazhohen edhe kuadro të mirëfillta shqiptare të lëmisë së arkeologjisë dhe lëmive profesionale të tjera.

Shënimet e para mbi vjetërsitë, lokalitetet arkeologjike dhe strukturën e popullatës në Luginën e Moravës Jugore i mblodhi udhëpërshkruesi Feliks Kanici, i cili shkroi një libër mbi Serbinë dhe popullatën e saj, duke i përmendur edhe fshatrat dhe popullatën shqiptare.

Kontribut të madh arkeologjisë në rajonin e Vranjës dhe Bujanocit, në shekullin e kaluar i dha M. Jovanoviqi, kustos i Muzeut Popullor në Vranjë, i cili në këtë rajon kreu rekognoscime në hapësirat nga V.Hani deri në Preshevë.

Në gërmimet arkeologjike në Serbi, nëpërmjet Akademisë Serbe për Shkencë dhe Art, mbi vendbanimet ilire në Serbi, në të cilët morën pjesë edhe Instituti Arkeologjik dhe Ballkanik dhe Muzeu Popullor në Beograd, gjatë viteve 1977 dhe 1978 u bënë gërmimet në Priboj të Vranjës, në Kacipup të Rahovicës dhe në Bushtran dhe u vërtetua se Kacipupi është lokalitet iliro-dardan.

Në këtë rajon ndodhën gërmime arkeologjike edhe në vitin 1990, të cilat i organizoi Muzeu Popullor në Vranjë.

Gërmime arkeologjike kanë ndodhur edhe në vitin 2002, në të cilin nëpërmjet rekognoscimit në trasën prej Nishit deri në kufi me Maqedoninë, ku sistematikisht janë bë hulumtime arkeologjike edhe në vitin 2003, në Samolicë/kisha katolike/ dhe në Zhunicë/Cërkvishta dhe Bunishta/

Gjatë viteve 2006-2007, Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish organizoi rekognoscimin e tërritoreve në komunat: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.Mirëpo, deri më tash, edhepse janë premtuar materialet mbi këto hulumtime, ende askujt nuk iu kanë përcjellur rezultatet e këtyre hulumtimeve.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë ka realizuar një projekt : “Trashëgimia jonë, puna e jonë – na e njohim Trashëgiminë tonë, pasurinë tonë”, në vendbanimet e komunës së Preshevës, me të cilin është bërë : identifikimi, hulumtimi, mbledhja, përpunimi elektronik dhe formimi i evidencës elektronike, caktimi, i pozitës gjeografike të objekteve dhe vlerave të trashëgimisë, fotografimi, kartografimi, skicimi dhe pasqyrimi grafik, si dhe digitalizimi e skenimi i dokumentacionit të terenit dhe të të dhënave në hulumtim, deri në formimin e data-bazës së Trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës, e cila mund të vizitohet në ëeb faqen e Shoqatës për Trashëgimi/ëëë.shtkk.org/. Më vonë realizuam edhe një projekt të njëjtë, në komunën e Bujanocit me titull:”Trashëgimia kulturore e Bujanocit është edhe e jona”.

     Harta e Preshevës më vlerat të trashëgimisë kulturore dhe natyrore

  Skica e Preshevës me vlerat të trashëgimisë kulturore dhe natyrore

Vlerat e trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës që gëzojnë mbrojtjen ligjore dhe janë në evidencën e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish

Me realizimin e projektit: “Trashëgimia jonë, puna e jonë, pasuria e jonë…”, Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore ka identifikuar, ka evidentuar, ka regjistruar, ka fotografuar, ka bërë harta gjeografike, ka bërë skicime, ka bërë grafikone dhe ka bërë video inçizime për 346 vlera të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në komunën e Preshevës. Projekti zgjati 6 muajë, që nga 01 tetor 2012 deri më 31 mars 2013.Prej 346 vlerave janë të mbrojtura me ligj vetëm 78 vlera të Trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ndërsa 266, dy të tretat e vlerave nuk janë të mbrojtura me ligj dhe janë në mëshirën e kohës dhe dorës së njeriut. Shumica prej këtyre vlerave janë të rrezikuara.
Këtë pasqyrë të vlerave mund ta gjeni në ëeb faqen e Shoqatës për Trashëgimi nëse e klikoni: shtkk.org, pastaj arkiva Preshevë.

Enti për Mbrojtjen e Monumenteve historike në Nish ka evidentuar vetëm 78 objekte dhe lokalitete të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës.

Po e japim pasqyrën e tyre:

Në Preshevë janë 80 lokalitete arkeologjike dhe 35 vendbanime:

1.Geraj-lokaliteti Kodra e Daullës, Dautit
2.Në Bërçec: Ara e Dervishit, vendbanim antik, Kisha dhe Kalaja
3.Në Buhiç: Livadhi i Shehut
4.Bukoc: Varrezat e Moçme, nekropol e Mesjetës, por banorët thonë të krishtera shqiptare dhe lokaliteti Arat e Sh. Misinit, antikë.
5.Bukuroc: Arat e Gata, nekropolë, lokaliteti Selishta, lokaliteti Gurudani, parahistorik, Koplenica,Çezma e Vjetër dhe lokaliteti afër Pompës së Benzinës, lokalitet parahistorik.
6. Bushtran : Lokalitetet Cërkvishta, Kalaja, Gradina, e të tjerë.
7.Gare: nuk ka
8. Golemidoll : Lokaliteti Çezma, Uji i Ftohtë dhe te Molla.
9.Shoshajë e Epërme: Lokaliteti Rruza e Gatë dhe Selishta, lokalitet mesjetar, fshati i vjetër.
10. Gosponicë: Lokaliteti përskaj udhës.
11.Depcë:Nuk ka
12.Shoshajë e Poshtme: Nuk ka 
13.Në Zhunicë: Lokaliteti Cërkvishtë, vendbanim me ujësjellës dhe termo banjo, Vorret , nekropolë, lokaliteti Bunjishte, parahistori, lokaliteti në fshat me aquadukt.
14.Në Ilincë : lokaliteti Erëbinë, Kisha dhe Vrella.
15.Kurbali: Lokaliteti Çezma e Idrizit, lokaliteti Prona e Idrizit, në Mëhallën e Nurojëve, Vorret e Moçme, te Ara e Sadikut dhe Lokaliteti Cërkvishta, Proni i Kishës.
16.Në Lanik : lokaliteti Ridi i Lanikut, vendbanim i vjetër, lokaliteti Tuma, cërkvishtë, kishë dhe lokaliteti Kolibet e Vjetra-shtëpitë, nekropolë
17.Në Maxhere:Nuk ka
18.Në Miratoc : Lokaliteti Te Kalldërma, Kregëza, 
19. Në Norçë : lokaliteti Bezhanija e Mesme
20. Në Rahovicë : lokaliteti Dobrec, Dobreci II dhe Kacipupi.
21.Peçenë :Nuk ka
22. Preshevë : lokaliteti Cërkvishta, antikë, në perëndim nga Kisha, antikë, Kalaja e Preshevës, qyteti i Preshevës nën Kala, Guri i Shpuem, kishë dhe falltore.
23. Në Raincë : Lokaliteti Kodra e Bakanit, lokaliteti Biganoci, Kroi i Ftohte-Uji i Ftohtë dhe Udha e Shtrembët.
24.Në Ranatoc : lokaliteti Vendi i Artë.
25.Leran : lokaliteti Baltina-lumi i Leranit, Butini.
26.Në Svinjishtë: lokaliteti Cuka-Gradinë, parahistori, ndërtesë hallshtate, Stublina, lokalitet parahistorik, Mëhalla e Marçanëve, vendbanim antik.
27.Në Sefer : Nuk ka
28. Në Bugarinë : lokaliteti Cërkvishta, lokalitet antik.
29. Në Stanec : Lokaliteti Kulla dhe Rroga e Nezës, nekropolë.
30.Strezoc : lokaliteti Mëhalla e Ashanëve-Gjereni.
31.Tërrnavë : Ara e Spasës, Manastirishtja dhe Lumi i tërrnavës.
32. Ceravajkë: Nuk ka
33.Corroticë : Konopishta, lokalitet antik
34.Çukarkë: Te reka, lokalitet antik.

Lokalitete dhe vendbanime arkeologjike

1.Kalaja e Preshevës

Kalaja e Preshevës gjendet në majën e Kodrës, e cila gjendet në mes të lumit të Kurbalisë, në të majtë të rrjedhës së tij dhe udhës rajonale Preshevë-Gjilan, në të majtë të saj, ku në lumin e Kurbalisë derdhen dy përroska e që nga këtu vazhdon si lumi i Preshevës,.

Në rrënzë të kodrës, gjegjësisht të Kalasë së Preshevës ndodhet Qyteti i Vjetër i Preshevës, ku është vendosur një lagje e Kurbalisë së Preshevës.

Pra, mund të themi lirisht se u shkatërrua një lokalitet i vjetër antik në favor të një lagjeje dhe humbën shumë artefakte nga lokaliteti i përmendur.

                                                Kalaja e Preshevës

Në të djathtë të udhës rajonale Preshevë-Gjilan gjenden përskaj udhës vorrezat e qytetit të vjetër të Preshevës, të cilat shtrihen deri te lokaliteti Përzhar, ku gjendet një nekropole me varre ilire.

Kalaja e Preshevës gjendet në perëndim të qytetit të Preshevës, dikund 1,5- 2 kilometra.

Kalaja e Preshevës gjendet në gjërësinë gjeografike 0551713, në gjatësinë gjeografike 4684826 dhe në lartësinë mbidetare 743 m.

Kompleksi i qytetit të Vjetër të Preshevës, rrëzë Kalasë, ku u ndërtua Mëhalla e Kurbalive, në të djathtë janë Varrezat e Qytetit të Vjetër dhe krejt poshtë gjendeshin Mullinjtë e Vjetër të Preshevës.

Në rrëzë të Kalasë së Preshevës, në kohën antike gjendej Qyteti i Vjetër i Preshevës, i cili kishte funkcionin e vendbanimit të qytezës apo qytetit, sipas Xhevabi Hoxha. Në këtë vendbanim u gjetën maja të shigjetave, gjylpëra, sopata dhe monedha të kohës antike dhe bizantine, sidomos të kohës së Justinianit dhe ato ruhen në Muzeun e Vranjës.

Qyteti i vjetër i Preshevës gjendet në gjërësinë gjeografike 0552093, në gjatësinë gjeografike 4684720 dhe në lartësinë mbidetare 577 m.

Lokaliteti Kalaja e Preshevës, ku janë gjetur gjetje arkeologjike me rëndësi dhe material nga koha e vonshme antike, tregon se ekzistonte një qendër e rëndësishme në rajonin e Preshevës.Pra, janë gjetur blloka të gurit, shkallë, shtylla me bazë dhe kapitela.Poashtu janë gjetur në sipërfaqe tulla antike.Këtu, poashtu janë gjetur 3 pitosa të mëdhenj, të cilët tashti gjenden në oborrin e Muzeut në Vranjë.

Nga inventari lëvizës, të trashëgimisë kulturore materiale të luajtshme është gjetur gjëlpëra e bronzit, me kryet e shpendit të vogël, të cilën fibulë e kemi logo të Shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore , një kreshtë fragmentare të broncit me stilizim të gjarprit, një spatë të hekurt, monedha të broncit të Justinijanit e tjerë.

Për të arritur në Kala është vështirë, sepse në anën jugore të saj rruga është e rrëpishme, ashtu edhe në veri dhe në jug, ndoshta është më lehtë të arrihet deri në Kala nga perëndimi, nëse shkohet nga Livadhi i Shehut dhe lokalitetit Valë.

Në anën perëndimore të Kalasë gjendet një mur guri, sigurisht një kullë, me gjatësi 6, lartësi 5 m dhe të trashësisë 2 m. Në mur, poashtu mund të shihet edhe ndonjë tullë antike e vendosur në mur.

Krej muri, konstrukcioni i tij është i lidhur me horosan gëlqeror.

Në lindje të murit, kullës gjendet pusi, në formë të katrorit, i cili ka shërbyer si rezervoar uji të pijshëm për banorët e këtij lokaliteti.

Kalaja e Preshevës ka rëndësi të madhe strategjike për rajonin, sepse nga kalaja shihen shumë qartë hapësirat e  rajonit të Preshevës dhe shumë vështirë për ta pushtuar Kalanë, përshkak të rrëpishmërisë së saj  dhe konstrukcioneve mbrojtëse të mureve-bedeneve.

Një vizitë në Qendrën e Trashëgimisë kulturore Rajonale në Gjilan, e cila është e Ministrisë së Kulturës e Republikës së Kosovës dhe në bisedë me ekspertët e kësaj Qendreje na thanë se Kalaja e Preshevës, Kalaja e Pogragjës, Kalaja e Bërçecit në Preshevë janë ndërtuar në një kohë dhe kanë strukturë të përafërtë ndërtimore.

Ndërsa,Skender Anamali, në Kosova dhe trevat etnike në hapësirat e ish-Jugosllavisë në Mesjetën e hershme, Kosova, nr. 4/1994, f. 9 shkruan : “Prokopi i Cesaresë, një autor i shek. VI, në veprën e tij “Mbi ndërtime” shkruan se perandori bizantin, Justinian me prejardhje ilire, vetëm në Dardani ndërtoi 8 kështjella dhe rindërtoi 61 të tjera.”, çka përfundojmë se edhe Kalaja e Preshevës u ndërtua me të tjerat, që i përmendëm më lartë.

“ Kështjella legjendare dhe rrënojat e vendbanimit të zhvilluar antik, të cilat gjenden në skajin perëndimor të Preshevës, rrëzë kodrinës së kështjellës janë sinonime të lashtësisë dhe civilizimit antik të këtij qyteti. Ky vendbanim antik tashmë ka zbritur në fushë, është zgjëruar…

Supozohet se në këtë vend, Presheva të ketë ekzistuar edhe në fillim të periudhës bizantine. Nga kjo kohë e deri afër mbarimit të mesjetës, periudhë prej afër dhjetë shekuj(1000 vjet) nuk është lënë asnjë gjurmë e ekzistimit të këtij vendbanimi. Mungonte civilizimi…Për shkaqet dhe kohën e zhvendosjes së vendbanimit të Preshevës antike, nuk kemi kurrfarë të dhënash”./dr Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(monografi), Prishtinë, 2010, f.42

Kalaja e Preshevës është objekti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore materiale e pa luajtëshme në trevën e Preshevës, e ndërtuar në antikë, e rindërtuar edhe disa herë në mesjetë e më vonë, paraqet kalanë antike të fisit ilir-dardan dhe një ndër monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike në rajonin e Preshevës.

”Vendbanimi antik i Preshevës shtrihet në pjesën bregore pranë lumit të sotëm të Kurbalisë, gjegjësisht lumit të Preshevës. Ai gjendet rrëzë malit të sotëm të Karadakut diku afër 1.500 m në jugperëndim nga fillimi i vendbanimit të sotëm, në vendin e njohur nga vendasit “KALAJA E PRESHEVËS”, shkruan Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik/monografi/ Preshevë, 2009, f. 33.

Kalaja e Preshevës daton nga koha ilire-dardane. “Kështjella e Preshevës së pari u themelua nga Dardanët në shek.IV para erës së re. Me ardhjen e romakëve në këtë trevë, ata në shek. I të erës së re ndërtuan udhët të shtruara me gurë sipas standardeve ndërtimore të tyre, rindërtuan kështjellën mbi themelet e kështjellës së lashtë ilire, përkatësisht dardane si dhe vendbanimin dardan poshtë kështjellës” shkruan Dr. Jahi Murati-Staneci dhe vazhdon : “ Kështjella legjendare dhe rrënojat e vendbanimit të zhvilluar antik, të cilat gjenden në skajin perëndimor të Preshevës, rrëzë Kodrinës së Kështjellës janë sinonime të lashtësisë dhe civilizimit antik të këtij qyteti. Ky vendbanim antik tashmë ka zbritur në fushë, është zgjëruar…Supozohet se në këtë vend, Presheva të ketë ekzistuar edhe në fillim të periudhës bizantine. Nga kjo kohë e deri afër mbarimit të mesjetës, periudhë prej afër dhjetë shekuj(1000 vjet) nuk është lënë asnjë gjurmë e ekzistimit të këtij vendbanimi. Mungonte civilizimi…Për shkaqet dhe kohën e zhvendosjes së vendbanimit të Preshevës antike, nuk kemi kurrfarë të dhënash”.

Më vitin 2013, Këshilli komunal i Preshevës kishte miratuar Planin Gjeneral Rregullativ të Komunës së Preshevës dhe me atë rast aty përmendet edhe emërtimi i Kalasë së Preshevës. Kështu aprovohet një konkludim që në Planin Gjeneral Rregullativ në gjuhën serbe të mbetet emërtimi “MARKOVO KALE”, ndërsa në Planin rregullativ në gjuhën shqipe emërtimi të jetë   “KALAJA E PRESHEVËS”

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore reagon dhe është e mendimit që emërtimi në Planin Gjeneral Rregullativ të komunës së Preshevës edhe në gjuhën shqipe po edhe në gjuhën serbe të qëndrojë “ KALAJA E PRESHEVËS’, sepse e gjithë popullata e komunës së Preshevës, por edhe më gjërë e quan, e njeh, e emërton, e fol, e shkruan : KALAJA E PRESHEVËS. Pastaj shumë studiues dhe arkeologë shqiptarë e serbë e quajnë Kalaja e Preshevës. Bile edhe në takimin e arkeologëve të ish-Jugosllavisë, më vitin 2013, me titull Kampi Rajonal Arkeologjik “Ulpiana 20130”, të gjithë arkeologët serbë e shqiptarë u pajtuan se ajo kala quhet Kalaja e Preshevës.

                                    Pusi i ujit në Kalanë e Preshevës

2.Kacipupi në Rahovicë

                                            Kacipupi në Rahovicë

Më vitin 1966, ekipi i arkeologëve të Muzeut Popullor të Vranjës vazhdoi gërmimet arkeologjike përgjatë magjistralës Vranjë-Preshevë. Rezultatet e punëve në terren janë shumë me rëndësi dhe interesante, sepse kemi të bëjmë me lokalitete të reja të zbuluara, të cilët kanë luajtur rol me rëndësi si në kuptimin ushtarak po edhe kulturor.Kështu prej tyre, me më shumë rëndësi  dallohet oppidumi dardan në lokalitetin , të quajtur Kacipup në Rahovicë të Preshevës, i cili me pozitën dhe karakterin e materialeve , gjithësesi paraqet lokalitet me shumë rëndësi nga periudha parahistorike në këtë rajon.

Fshati Rahovicë gjendet në pjesën perëndimore të Luginës së Preshevës, gjegjësisht në rrëzët e Karadakut të Preshevës-Malit të Zi.

Kacipupi, Oppidumi Dardan është lokalitet parahistorik, shumështresor, gjendet në pjesën perëndimore të Rahovicës. Pjesa jugore e Kacipupit është e kalueshme nëpërmjet Tumës, për të cilën ekziston mendimi se është fortifikatë artificiale dhe për të cilën nuk dihet kur është ndërtuar dhe për çfarë misioni.  

 Pjesa veriore kah lumi, ajo lindore dhe ajo perëndimore e Kacipupit janë të thepisura dhe vështirë mund të arrihet në maje. Në pjesën e veriut, kah lumi është vërtetuar ekzistimi i një muri mbrojtës dhe ekzistimi i një dere për hyrje në paralagjen e fortifikatës.Në pjesën perëndimore, gjatë hulumtimeve arkeologjike janë gjetur material keramik dhe keramikë e epokës së mëvonshme të hekurit.

Kacipupi gjendet në gjërësinë gjeografike 0553838, gjatësinë gjeografike 4686245 dhe në lartësinë mbidetare 557 m.

Në horizontin e parë janë gjetur fragmente të enëve të mëdha, të pjekura me ngjyrë të përhimta,të murme të çelura dhe  kuqërremta /pitose dhe amfora-loj shtambe antike/ si dhe keramikë ngjyrë të murme, me faturë të ashpër e të punuar me dorë.

Në horizontin II dhe III janë gërmuar në një sipërfaqe më të vogël, në të cilat janë gjetur fragmente të enëve të mëdha, të punuara me çikrik  por edhe me dorë.

Në horizontin e IV janë gjetur fragmente keramike të punuara me dorë.

Në horizontin e V janë gjetur keramikë nga faza më e hershme e jetës në kështjellë. Këtu janë gjetur pjata, urna, enë me një apo dy mbajtës vertikal,vorba, e tjerë. 

              Thikë hekuri nga lokaliteti Kacipup në Rahovicë, epokë e re e hekurit

                   Mamuze hekuri nga Kacipupi i Rahovicës, epoka e re e hekurit

Në Kacipup janë gjetur fragmente të keramikës Imbars dhe pitose të vogla.

Disa eksponate të qeramikës nga lokaliteti i Kacipupit në Rahovicë mund të shpjegohen si ndikim i rajonit të Dardanisë.

Keramika e gjetur në Kacipup të Rahovicës, e punuar me dorë shumë i përngjan keramikës në Kosovë

Vendbanimi i fortifikuar dardan, Kacipupi zhvillohet nga shekulli VII deri në shek. VI para erës sonë.

Kacipupi në Rahovicë i takon epokës së hekurit, i evidentuar si vendbanim i urbanizuar, sepse ishte i banuar në kontinuitet nga shekulli VII deri në shekullin I të para erës sonë.

Në këtë kohë, në Traki, Maqedoni në Serbinë juglindore dhe në Kosovë kishte kulturë autoktone, e cila nënkupton komponenten etnike të përbashkët. Pra, në këtë kohë Dardanët filluan të themelojnë aparatin shtetëror centralist dhe të mbledhin fiset nën komandën e një pushtetari.

Fotografia arkeologjike shumë i përngjan asaj që lanë pas veti apo të shkruar historianët antikë. Kështu Straboni shkruan se Skordijcët gjatë gjysmës së shekullit II para erës sonë ndalën fqinjët Dardanët, Agrijanët dhe shumë fise të tjera të panjohura, duke bërë territorin e tyre të shkretë, dhe duke hapur rrugën vetes për në Maqedoninë e pasur. Ndoshta bash Kacipupi në Rahovicë dhe Kale në Kërshëvicë ishin punktet mbrojtëse nga të cilët popullata lokale mbronte territorinë e vet.

Kështu kur krahasohen burimet historike nga ajo kohë mund të thuhet se territori në perëndim të Moravës Jugore i ka takuar Dardanëve.

Pozita e tillë e Kacipupit mundëson kontrollën e Luginës së Preshevës në lindje dhe të Kosovës, në perëndim.

Gërmimet arkeologjike kanë dëshmuar tri horizonte kulturore: epokë e bronzit, epokë e hekurit të vonshëm, mbarimi i shekullit VIII dhe fillimi i shekullit VII para erës sonë dhe periudha e mëvonshme, horizontit më të ri të dokumentuar, i takon keramikës së importuar, e punuar në çikrik dhe keramika të formave latente.

Kacipupi në Rahovicë, sipas mënyrës së organizimit, vendbanimi i tij i përkon rrethit të kështjellave të Ballkanit Jugor.Të këtillë fortifikatë ndërtimore ka edhe në Bushtran të Preshevës.

Më poshtë Zef Mirdita për trajtimin e çështjes së marrë në shqyrtim shfrytëzon të dhënat e autorëve antikë për vendbanimet e dardanëve dhe kalon pastaj në atë që është themelore: vendosjen e identifikimin e aglomeracioneve dardane. Së pari ai sjell të dhënat e Tit Livit për dy «qytete dardane» që lidhen me një episod të luftës midis dardanëve e bestarnëve, të cilat me gjithë vështirësitë që ekzistojnë janë identifikuar

në fshatrat Kershevicë (12 km në jug të qytetit Vranja) dhe Rahovicë të Preshevës (20 km në JP të të parit). Pas këtyre dy «qyteteve dardane» pa emër, bëhen përpjekje për të identifikuar qytetin Sintia, të cilin »autori e kërkon në trekëndëshin e Dardanisë, Maqedonisë dheThrakisë.

Një vemendje e posaçme i është kushtuar ubikacionit të qytetit Damastion, një qendër e rëndësishime e një krahine të pasur në xeherore.

Mbasi radhiten mendimet e ndryshme dhe vështirësitë që u kanë dalë studjuesve për lokalizimin e këtij qyteti jepet edhe mendimi sipas të cilit qytetin Damastion duhet ta kërkojmë në trevën qendrore të dardanëve, në Kosovë, ku nuk mungojnë

gjurmë xeherorësh pararomake dhe ku janë gjetur më shumë monedha të këtij qyteti.

Etimologjia e këtij emërtimi mendoj se mund të lidhet me nocionin KACIGA, në gjuhën e sotme shqipe HELMETA. Emërtimi ky për kapelën metalike që shërben për mbrojtjen e kokës së ushtarit. Prandaj në kohën antike këtu ishte Opidumi Dardan, si qytet i fortifikuar, pra këtu jetonin ushtarët, ata që në kokë mbanin helmetën. Për pjesën e dytë të emrit PUP, mendoj se është shprehje për largësinë shumë të vogël të Kështjellës nga rruga. Sot në popull përdoret shprehja me një pup-kërcim gjati, shkruan Sami Agushi, profesor i gjeografisë, në faqen e tij të Facebookut.

3.Kalaja e Bushtranit

Në anën lindore të Luginës së Preshevës, rreth 10 km në verilindje të Preshevës dhe 1,5 km në lindje të fshatit Bushtran,  gjendet lokaliteti Kalaja, ku nga shtëpitë e fundit të fshatit ngritet një kodër dominuese,e quajtur Kalaja Ajo është e futur më shumë në kodër, e vendosur në një shpat, që në tri anët e saj është e rrëpishme dhe e pa kapërcyeshme dhe e vështirështirë për t’u ngjitur në te. Kalaja,  në lindje është e lidhur me  masivin të malit Rujan dhe e kalueshme. Kalaja është shumë e dukshme, sepse gjendet në një terren të zhveshur. Platoa e Kalasë ka formën e rrumbullakët, elipsoide, me dimensione 100X 60 m, sikur edhe kështjellat tjera dardane. Në anën perëndimore, në lartësi prej 0,80 m, gjendet një beden, i cili duke shkuar në lindje ngritet në një tumul të kapëcyeshëm.

                                 Ana lindore e Kalasë së Bushtranit

Ana lindore e Kalasë është  pa mbrojtje natyrore, para tumulit gjendet një hendek  mbrojtës, në gjërësi prej 5-6 m, afët të cilit shihen tragjet e murit apo gurëve  të gjallë, të radhitur dhe të shfrytëzuar.Sipas dimensioneve dhe radhitjes së gurëve, i ngjajnë të njëjtëve atyre në Kacipup të Rahovicës, në Gradinë të Konçulit dhe të Svinjishtës dhe i takojnë epokës dardane.

 Në Kala mund të hyhet nga ana lindore e saj, në jug të tumulit të saj, ku me të gjitha gjasat është edhe hyrja në Kala.

Lokaliteti është evidentuar më 1967, ndërsa është gërmuar 10 vjet më vonë.

Gërmime funkcionale dhe të mirëfillta nuk janë kryer në Kala, vetëm disa sipërfaqësore, andaj edhe nuk mund të flitet për funkcionin e këtij lokaliteti, mbi mënyrën e jetesës e tjerë, të asaj kohe.Pra, në Kalanë e Bushtranit duhet të ndodhin gërmime të mirëfillta arkeologjike edhe nga arkeologë shqiptarë.

Në Kala është gjetur keramikë e punuar me dorë të lirë dhe me faturë të dobët, e pa pastruar dhe e pa pjekur mjaftueshëm. Gjetjet keramike të Kalasë janë fragmente të vogla, të cilët nuk kanë pasur edhe formë të dukshme. Poashtu, janë gjetur enë të dimensioneve të mëdha, sigurisht vorba dhe sahane më të thella , të zbukuruara me kordhele plastike.

“Poashtu janë gjetur edhe suvatime ngjitëse në shtëpia që tregojnë se në plato të Kalasë ka pasur objekte banimi.” /Kostiq/

Grupi i të Rinjve-nxënës të Gjimnazit në anën lindore të Kalasë, me Sami Agushin, profesor i gjeografisë, Xhemaledin Salihun dhe Agim Arifin

Në Kala, pos bedenit  me gur janë gjetur edhe fragmente të keramikës parahistorike. Edhepse në mbështetje të kësaj keramike nuk mund të përcaktohet  përkatësia kulturore e lokalitetit, prapseprap mund të thuhet se lokaliteti i takon tipit parahistorik/halshtat/ të vendbanimit të fortifikuar dhe shumë të rëndësishëm strategjik: pamje e jashtëzakonshme, i pa kapërcyeshëm, i  vështirë deri në Kala dhe siguri e jashtëzakonshme me beden. /Jovanoviq/

Kalaja në formë të rrumbullakët, poshtë Bushtrani, në anën perëndimore, fotografuar nga Releja e TV-së

М. Вукмановић и П. Поповић, në mbështetje të analogjisë të keramikës me të disa lokaliteteve të tjera vërtetohet se vendbanimi i takon fundit të shekullit VIII dhe fillimit të shekullit VII para erës sonë.

Kalaja, së bashku me vendbanimin  Kacipupi të  Rahovicës kanë paraqitur një zonë të mundshme kufitare në pjesën jug-lindore të shtrirjes së Dardanisë, por edhe fortifikata mbrojtje të Mbretërisë Dardane nga sulmet e fisit ilir Peonëve, Penestëve dhe Maqedonasve nga jugu.

Mendoj se kishte komunikim permanent dhe shumë të mirë me Kështjellën e Rahovicës-Oppidumi Dardan/Kacipupi/ dhe shtriheshin ballë për ballë më njëra tjetrën. Në mes të këtyre dy kështjellave shtrihet Lugina e Preshevës.

Komunikimi vizuel i vendbanimeve ekzistonte për të pasur pasqyrë terrenin për rreth tyre. Kjo ishte një prej faktorëve në ndërtimin e vendbanimeve.Në Luginën e Preshevës kishin komunikim mes veti: Kacipupi në Rahovicë, Kalaj e Bushtranit, Gradina në Svinjishtë dhe e Konçulit.

Shumë studiues shkruajnë se në Luginën e Preshevës, ndërmjet Kalasë së Bushtranit, në lindje dhe Kacipupit të Rahovicës, në perëndim shtrihet qyteti i bukur i Dardanisë-Damastioni. Për këtë qytet, shkruan historiani Dr. Zef Mirdita, në librin e tij “Studime Dardane”. Për nga vjetërsia kjo kështjellëi i talon kohës së hershme të Bronzit, rrespektivisht shek.12 para Krishtit.”, shkruan Sami Agushi.

Kalaja gjendet në gjërësinë gjeografike 0563479, në gjatësinë gjeografike 4686494 dhe  në lartësinë mbidetare 640 m.

4.Cërkvishta në Zhunicë

Fshati Zhunicë gjendet në anën jugore të Moravicës, në anën e majtë të Hekurudhës:Beograd-Vranjë-Preshevë-Kumanovë-Shkup.Disa nga lumenjtë, lumi i Preshevës i bashkohet në Zhunicë lumit Moravicë, e cila derdhet në Moravën Jugore, në Danub dhe Detin e ZI.

Zhunica është e pasur me ujë, në vendin Cërkvishtë, në lindje të fshatit gjendet një burim i vjetër, i muratosur me horosan dhe gëlqere.

                                                        Cërkvishta në Zhunicë

Lokaliteti Cërkvishta gjendet, në atarin e Zhunicës,  ndërmjet udhës së fshatit, Moravicës në lindje dhe Lumit të Rahovicës, në veri. Lokaliteti është shënuar në vitet e 60-ta të shek.XX. Sipërfaqja e lokalitetit është shumë hektarësh me ara dhe me livadhe.

Instituti arkeologjik nga Beogradi dhe Muzeu Popullor i Vranjës më 2002 filluan rekogniscimin sistematik në trasën e autoudhës E-75, Vlladiçn Han- kufiri me Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast u gërmuan lokalitetet Cërkvishta dhe Bunishta në Zhunicë, Kisha në Samolicë, Pompa e benzinës në Bukuroc, e tjerë.

Në Zhunicë të Preshevës janë evidentuar dy lokalitete parahistorike: Bunishta dhe Cërkvishta. Bunishta i takon epokës së re të gurit,neolitit të mesëm, kultura starçevës, ndërsa Cërkvishta i takon epokës së hekurit 

Gjatë gërmimeve arkeologjike u zbuluan terme dhe pjesë të vendbanimit antik.

Aty është gjetur material i pasur arkeologjik, u gjetën tulla të formatit romak, imbreksi,  enë qeramike të kohës  romake të vonshme, monedha të bronzit të shek IV dhe një monedhë ari.

Pra, vendbanimi është i ndërtuar me gurë dhe tjegulla të lidhura me llaç, para të cilit gjendet burimi me ujë të ftohtë, burimi i së cilës është në mal. Janë gjetur edhe themelet e kompleksit ndërtimor, me gurë dhe horasan të bardhë dhe diçka tulla. Pra, kemi të bëjmë me një vendbanim të kohës romake më me rëndësi në fushën e Preshevës.

Gjithashtu është vërtetuar se 800 m në lindje, nga periferia e fshatit dhe 500 m, në jug të objektit, banorët shpesh gjatë lavrimit hasin në gurë e tjegulla dhe kështu rrezikojnë një nekropole të kohës romake të vonshme. Lokaliteti kap sipërfaqen prej 1 X 1,5 ha dhe llogaritet më i madhi në komunën e Preshevës.

Menjëherë pas heqjes së dheut sipërfaqësor/humusit/ dalin banjotë terme të ndërtuara me ujë të ftohtë dhe të nxehtë, ndërsa në mes janë banjotë terme me temperaturë të mesme, për adaptim të trupit nga uji i ftohtë në të nxehtë dhe anasjelltas.

Ato kanë formën e katrorit, në drejtim veri-jug janë të gjata 24 m, ndërsa në drejtim lindje-perëndim janë 20 m.

                                              Cërkvishta në Zhumicë

Në këtë lokalitet është gjetur material i bollshëm arkeologjik: enë të pjekura të dheut, vorba, sahane, pjata, peharë, amfora, pitosa, kapak, llampa, pastaj sende nga qelqi: peharë, shishe, sahane, vorba, qelq të dritareve, ari, sende të hekurta: thika, monedha të bronzit, etjerë.

Pra i gjithë fshati Zhunicë paraqet një anglomeracion të periudhës gjatë shek.IV-I të para erës sonë dhe kemi të bëjmë me ndonjë villë të ndonjë administratori civil apo ushtarak.

“Qytetërimin e lashtë antik e hasim edhe në lokalitetin Bostanishtë të Zhunicës, ku gjendet e njjëjta banjo, terme-publike. Në këtë lokalitet janë zbuluar temelet e banjosë publike. Ky lokalitet quhet edhe Crkvishte/crkva-kisha/ duke menduar se këtu ishin bazamentet e kishës. Mirëpo u vërtetua se këtu bëhet fjalë për bazamentet e banjosë të ngrohtë-banjo terme për pushime dhe dëfrime që  u quajtun edhe si hane ose hamame, shkruan Dr.sc. Naser Kamberi.

Cërkvishta gjendet në gjërësinë gjeografike 0558440, në gjatësinë gjeografike 4685882 dhe në lartësinë mbidetare 443 m.

5.Bunishta në Zhunicë

                                             Bunishta në Zhunicë

Në Zhunicë të Preshevës përskaj lumit Moravica, në largësi 40 m, në perëndim  gjendet lokaliteti Bunishtë, në të cilin janë gjetur kasolla nëndhese të epokës së neolitit të mesëm, me shtresën e epokës së hekurit I.

Lokaliteti Bunishtë është parahistorik, në te janë gjetur kasolla nëndhese, stane me madhësi të ndryshme. Sipas kasollës edhe lokaliteti ka marrë emrin Bunishtë, vend ku kanë buajtur udhëtarët dhe karavanet e tyre.

“Ky lokalitet është emërtuar, në bazë të kësaj kasolle, ku qysh herët në të kanë ndodhur bujtje, për t’u mbrojtur nga acaret dhe sulmet të tjera.”, shkruan Dr.sc. Naser Kamberi në revistën “Gjimnazisti”, nr.II.

Bunishtë është fjalë shqipe, në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, Prishtinë, 1981, shkruan: bunishtë-stan në bjeshkë, ku janë ngritur bunet e barinjve gjatë shtegtimit të bagëtisë.

Në fjalorin shqip-serbokroatisht, Prishtinë, 1976, të Mikel Ndreca shkruan: Bunishtë-bacija, cobanska bacila u planini.

Në fjalorin serbokroatisht-shqip, Prishtinë, 1986 shkruan: Bacija-stan,cobanska bacila u planini/stan i çobanëve në bjeshkë/

Instituti arkeologjik nga Beogradi dhe Muzeu Popullor i Vranjës më 2002 filluan rekogniscimin sistematik në trasën e autoudhës E-75, Vlladiçn Han- kufiri me Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast u gërmuan lokalitetet Cërkvishta dhe Bunishta në Zhunicë, Kisha në Samolicë, Pompa e benzinës në Bukuroc, e tjerë.

Gërmimet arkeologjike filluan më 2001, nën udhëheqjen e Petar Popoviqit nga Instituti Arkeologjik i Beogradit, në fillim si gërmime provuese, ndërsa më vonë ato u shndërruan në gërmime sistematike nën udhëheqjen e Dr. Miodrag Tomoviqit nga Instituti Arkeologjik i Beogradit. Ekipin e arkeologeve e bënin shumë arkeologë serbë, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe Rexhep Kadriu, bashkëpunëtor nga Lluçani.

Në gërmimet arkeologjike të lokalitetit Bunishta në Zhunicë të Preshevës u gjet keramikë e stilizuar Impresso, edhe ate nga faza e re e kultures së starçevës, dukuri e rrallë e kësaj kulture në rajonin e Vranjës.

Kështu në lokalittetin e Bunishtës, në një kasollë nën dhe, me bazë në formë të tetëshit, u gjetën shumë copa të keramikës tipike me forma të ndryshme të enëve, të zbukuruara me dhe jo organizim të barbotinës, pastaj në masë të vogël me teknikën impresso si dhe në masën edhe më të vogël, me pikturim të motiveve drejtvizore, me ngjyrë të përhimtë në të kuqe në bazën e kuqe të çelët.

                                                    Bunishta në Zhunicë

Pra, sipas materialit keramik dhe një figurine antropomorfe, kjo shtresë në lokalitetin Bunishtë daton nga faza e vonshme të kulturës së starçevës.Analogji të këtilla keramike u gjetën në disa lokalitete te Kosovës.

Lirisht mund të themi së materiali arkeologjik i gjetur në Bunishtë i takon kulturës së starçevës, periudhës së neolitit, epoka e hekurit I.

Gjatë vitit 2003, me gërmime arkeologjike në një arë afër Bunishtës është gjetur mbetje të furrës, ndërsa rreth saj disa vegla guri, sakicë dhe një sasi e madhe e keramikës neolite, e cila sipas cilësive stilistike dhe tipologjike i takonin kulturës së starçevës. Fjala ishte për një kasollë nën dhe  me formën tetëshe, e cila përbëhej prej dy gropave më dimenzione të ndryshme.

Objektet ndërtimore patën të forma të ndryshme, por tipi më i ndërtuar për at kohë ishte kasolla nën dhe, të evidentuara në Bunishtë të Zhunicës.

                                                        Bunishta në Zhunicë

“Gjetjet arkeologjike në lokalitetin Bostanishtë, Bunishtë të Zhunicës dhe nekropolet e lokalitetit Përshk /Përzhar/dokumentojnë antropogjenezën dardane”, shkruan Dr. Sc. Naser Kamberi.

Lokaliteti gjendet në gjërësinë gjeografike 0559249, në gjatësinë gjeografike 4685749 dhe në lartësinë mbidetare 445 m.

6.Vala në Karadakun e Preshevës

                                                     Vala në Karadak    

Vendbanimi i vjetër Vala /Valeva/ gjendej në  Moravicë, , më herët ekzistonin emërtimet Moravë, Moravicë, Preshevë, Pçinjë, Inogoshte që bënin pjesë në Kadillëkun e Vranjës.

Vala gjendet në Karadakun e Preshevës, në mes të Kalasë së Preshevës, në lindje dhe vendbanimeve të sotme të Karadakut: Stanec, në jug-perëndim dhe Buhiç, në veri-perëndim. Në jug të Livadhit të Shehut dhe Kodrës që quhet Çadrat e Sulltan Muratit.

Në lindje të vendbanimit Valë janë gjetur vorreza të vjetra. Vendbanimi Vala është rrezikuar nga ndërtime të egra që kanë ndodhur kohëve të fundit.

Gjatë sundimit të Perandorisë osmane ndodhën tre regjistrime të popullatës në Kadillëkun e Vranjës, ku bënte pjesë edhe Vala e Preshevës.

Vendbanimi i vjetër Vala më 1519 kishte 4 familje të krishterë dhe asnjë familje myslimane, më 1528 kishte 4 familje të krishtera, ndërsa asnjë familje myslimane dhe më 1570 kishte 3 familje të krishtera myslimane.

Kjo strukturë e popullatës në vendbanimin Valë dhe disa vendbanime të tjera në këtë anë, si vendbanimi tjetër, i vjetër Vaça, i cili nuk ekziston më, por vetëm si toponomi , dëshmojnë se shumica e popullatës së Karadakut të Preshevës kishin qenë e krishterë.

Këtë e vërteton edhe albanologu Hahn, i cili kaloi nëpër Preshevë, më 1888 dhe pë Karadakun u shpreh se është bastion i katolicizmit.

Familjet Valevojtë kanë jetuar në vendbanimin Vala, ndërsa tashti 60-70 familje jetojnë në Kumanovë.

                                                        Vala në Karadak

Varrezat karshi Livadhit të Shehut, në të djathtë të udhës rajonale Preshevë-Gjilan janë të familjes së Valevojve, thotë Demush Berisha.[2]

Vendbanimi i vjetër Vala nuk ekziston me, është vendbanim i zhdukur dhe përmendet vetëm si emërtim toponimie.

Vala është përmendur në shek. XVI, në regjistrimet e Perandorisë osmane në Kadillëkun e Vranjës të A. Stojanovskit.

Vendbanimi i vjetër Vala i takon atarit të Buhiçit të Karadakut të Preshevës dhe nuk është i mbrojtur me ligjet shtetërore të Serbisë dhe në nuk kanë ndodhur as hulumtime, as gërmime arkeologjike.

Vendbanimi Vala nuk ekziston më na hartat gjeografike, por përmendet vetëm si toponimi e Karadakut të Preshevës.

Gjendet në gjërësinë gjeografike 0550862, në gjatësinë gjeografike 4685821, me lartësi mbidetare 833 m.

Përfundim

Në këtë punim kam trajtuar 5 lokalitete arkeologjike: Kalaja e Preshevës, Kacipupi në Rahovicë, Kalaja e Bushtranit, Cërkvishta dhe Bunishta në Zhunicë dhe një vendbanim: Vala në Karadakun e Preshevës, ndërsa nuk i kam trajtuar edhe shumë lokalitete e vendbanime në komunën e Preshevës.Pra, nuk kam trajtuar: Gradinën në Bushtran, Kalanë e Bërçecit, Gropat e Gerajve, Bostanishten në Zhunicë, Përzharin në Preshevë, Gurudanin në Bukuroc, Kalanë e Stanecit, vendbanimin në Mëhallën Gjinaj të Depcës, Vendbanimin e vjetër në Ilincë, Qytetin e Vjetër dhe Gradinën në Preshevë,Dobrecin, Koplenicën, Selishten në Bukuroc, Biganocin dhe Krroin e Ujit të Ftohtë në Raincë, Disa lokalitetet në Miratoc : Bajka e tjerë, Mirasheci në Rahovicë, Vaç në Preshevë, por të cilët i kam trajtuar në librin tim:Presheva/Monografi/ dhe në shumë punimetë veçanta. Lokalitetet dhe vendbanimet të sumta kanë mbetur të pa trajtuar që i mbetet studiuesve të ardhshëm për studim të mëtutjeshëm.

Gjendja e tanishme e trashëgimisë kulturore edhe e lokaliteteve dhe vendbanimeve arkeologjike në komunën e Preshevës është e vështirë, duke patur parasysh shkatërrimin e tyre nga natyra, por edhe nga dora e njeriut, sidomos po shkatërrojnë disa arkeologë të egër nga komuna e Preshevë, por edhe nga komunat të rajonit.

Kështu u shkatërrua Hamami i Preshevës, përmbi Qytetin e Vjetër të Preshevës dhe Vorrezat e Vjetra të Qytetit u ndërtua e tërë një Mëhallë e Kurbalive, u dëmtua Nekropola e vjetër ilire në Bukuroc, u hapën disa varre dhe u shkatërruan, u dëmtuan Vorrezat e Krushqëve në Bukuroc, ndërsa Varri i Nuses, pjesë e Vorrezave të Krushqëve u mbulua me dhe dhe i humbi tragu, po shkatërrohet Teqeja në Tërnavë e tjerë.

Shoqata për trashëgimi dhe krijimtari kulturore në Preshevë disa herë ka intervenuar tek Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kultuore në Nish, në organet komunale të Preshevës, por deri më tashti nuk ka pasur sukses. Ajo, në të ardhmenë planifikon edukimin e të rinjve nëpërmjet vlerave të trashëgimisë kulturore, vetëdijësimin e tyre dhe të qytetarëve në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore si dhe planifikon që te një numër i madh i objekteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore të vendos tabela informuese, ndërsa disa prej tyre edhe t’i rrethojë për mbrojtje dhe ruajtje.

Enti për Mbrojtjen e Monumenteve kulturore në Nish ka bë evidentimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës, por pak kujdeset për t’i mbrojtur ato.

Propozojmë që më një angazhim të përbashkët Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish, organet komunale dhe Shoqata për trashëgimi kulturore mund t’ia dalin në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore që ka mbetur e pa prekur në komunën e Preshevës.

Hulumtimet e para arkeologjike në komunën e Preshevës i filluan Dr. Jahi Murati dhe Sabedin Hetemi, të cilët mund të quhen pionerë të kësaj pune.

Poashtu edhe Shoqata për Trashëgimi kulturore, nëpërmjet të realizimit të një projekti hulumtoi, evidentoi, regjistroi, fotografoi, xhiroi, krijoi një bazë faktesh dhe argumentesh për 346 vlera të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës.

Hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike në Preshevë nga institucionet relevante filluan gjatë viteve 1966 e tutje, së pari nga Muzeu Popullor i Vranjës, më pastaj nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish, të cilët pos kuadrit të tyre angazhuan edhe kuadër arkeologësh nga Maqedonia.

Hulumtimet, gërmimet arkeologjike patjetër duhet t’i udhëheqin kuadrotë arkeologjësh shqiptarë, sepse arkeologët serbë dhe maqedonasë  bënë gërmime jo të mirëfillta dhe vetëm disa rekogniscime të lokaliteteve dhe vendbanimeve arkeologjike.

REFERENCAT

1.Dr. Jahi M. Staneci, Arkeologjia e territorit të komunës së Preshevës, në librin : Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999

2. Xhevabi Hoxha, Generalni plan Preseva, mreza naselja i izgradjenost prostora, Pristina, 1998.godine.

3.Skender Anamali, në Kosova dhe trevat etnike në hapësirat e ish-Jugosllavisë në Mesjetën e hershme, Kosova, nr. 4/1994

4. Dr Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(monografi), Prishtinë, 2010

5. Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik/monografi/ Preshevë, 2009

6. Dr Jahi Murati-Staneci, Kështjella e Preshevës, Preshevë, Autori, 2013

7. Aleksandar Bulatović, Vranje, kултурна стратиграфија праисторијских локалитета у Врањској регији, Beograd, 2007

8. Jovan Hadzi-Vasilevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj.II, Beograd, 1913

9.Aleksandar Kapuran,архитектура из позног бронзаног и старијег гвозденог доба у басену Jужне Mораве, Београд, 2009

10.Zef Mirdita, Studime dardane, Prishtinë, 1979

11. M.Kostic, Vranjsko-bujanovacka kotlina, Vranjski glasnik IV,

12. Vukmanović, M./Popović, П. 1982, Sondažna iskopavanja gradinskih naselja

na području Vranjsko – Пreševske kotline, Godišnjak Centra za balkanološka

ispitivanja, XX/18, 189 – 210.

13.Milan Jovanovic, Arheoloska istrazivanja u 1866. i 1967.godini, Vranjski glasnik III, Vranje, 1967

14.I njësti,Vranjski glasnik, IV, Vranje, 1968

15.Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, Prishtinë, 1981

16.Mikel Ndreca, Fjalori shqip-serbokroatisht, Prishtinë, 1976

17.Fjalori serbokroatisht-shqip, Prishtinë, 1986

18.Prof. Sami Agushi, professor I gjeografise, në faqen e Facebookut të tij

19.Dr.sci Naser Kamberi, Gjetjet arkeologjike në lokalitetin Bostanishtë, Bunishtë të Zhunicës dhe nekropolet e lokalitetit Përshk /Përzhar/dokumentojnë antropogjenezën dardane, Gjimnazisti, Preshevë, 2010, nr.2. 

20.Dr. Aleksandar Stojanovski, Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1968

21.Bisedë me Demush Berishën i Buiçit në Preshevë, më 30.08.2010


[1].Dr. Jahi M. Staneci, Arkeologjia e territorit të komunës së Preshevës, në librin : Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999, f. 15

[2]. Bisedë me Demush Berishën i Buiçit në Preshevë, më 30.08.2010

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch