Home » Lajme » Lorik Cana: në shtëpi jemi të pamposhtur

Lorik Cana: në shtëpi jemi të pamposhtur

Lorik Cana paralajmëron Francën se nuk do ta ketë aspak të lehtë të fitojë në Tiranë. Kombëtarja është në kulmin e përgatitjeve për përballjen me “gjelat”, e cila do të shërbejë si udhëkryqi i skuadrës së drejtuar nga Josip Kuzhe në Euro 2012.

Me një rezultat pozitiv, Shqipëria do të vazhdojë të luftojë deri në fund në Grupin D kualifikues, ndërsa një humbje do t’i hapte rrugë procesit të rinovimit të skuadrës dhe përqendrimit te kualifikueset e Botërorit 2014. Aktualisht kuqezinjtë renditen në vendin e pestë në grup, me 8 pikë të grumbulluara: pas 2 fitoreve, 2 barazimeve dhe 2 humbjeve, por duke qenë të pamposhtur në shtëpi.

“Qemal Stafa” dhe mbështetja e tifozëve mbetet pika e fortë e skuadrës dhe është pikërisht te këto faktorë që Cana e vendos theksin në deklaratat e tij. “Franca është një skuadër e madhe, që ka në kontingjent lojtarë me emër. Në këtë skuadër aktivizohen futbollistë si Samir Nasri apo Stiv Mandanda, me të cilët kam luajtur tek Olimpiku i Marsejës. E kemi të qartë që francezët vijnë për të fituar. Megjithatë, mund të ndodhë gjithçka. Do të jetë një sfidë interesante, sepse Shqipëria është e pamposhtur në shtëpi në këto eliminatore”, tha lojtari i Lacios për faqen zyrtare të Federatës Franceze së Futbollit (FFF).

Edhe pse i ka bërë të ditur francezëve se sfida e së premtes nuk do të jetë një shëtitje, kapiteni i përfaqësueses shqiptare nuk ka dyshime kur flitet për ekipin favorit të grupit. Cana shtoi: “Blutë e Loren Blank janë favoritë në Grupin D kualifikues. Logjikisht, ata janë skuadra që duhet të renditet në vendin e parë. Gjithsesi, më duhet të them se nuk e prisja që Franca të humbiste pikë përballë Bjellorusisë. Askush nuk e priste, por ne shqiptarët më shumë se të tjerët, pasi bjellorusët janë rivalët tanë direktë”. 28-vjeçari foli edhe për ecurinë e skuadrës së drejtuar nga Kuzhe në Euro 2012 dhe zbuloi ambiciet për katër ndeshjet e mbetura, ku Shqipëria do të luajë me Francën (dy herë), Luksemburgun dhe në fund me Rumaninë. “Humbja në fushën e Bosnjë-Hercegovinës na ngadalësoi në rrugën tonë. Megjithatë, do të vazhdojmë të shkojmë përpara. Gjatë viteve të fundit, përfaqësuesja shqiptare ka ngritje. Rezultatet tona na kanë lejuar që të ngrihemi në vazon e katërt në shortin për kualifikueset e Botërorit 2014”, nënvijëzoi mesfushori. “Në katër sfidat e mbetura synojmë të marrim 6-7 pikë. Është një objektiv ambicioz, por mendoj se mund ta realizojmë. Nëse do të arrinim ta mbyllim edicionin me 14 pikë, do të ishte historike për Shqipërinë”, tha në fund të deklaratës, Lorik Cana.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch