Home » Lajme, LPD, Politikë, Vendore » LPD SHPALOS PROGRAMIN ZGJEDHOR NË TURI

LPD SHPALOS PROGRAMIN ZGJEDHOR NË TURI

Në ambientin e shkollës fillore “Sami Frashëri” në Turi, Lëvizja e Progresit Demokratik, ka vazhduar fushatën elektorale me moton: “Ne bëjmë ndryshime, Ti vendos”.

Kjo vatër arsimore ishte e stolisur me flamuj kombëtare partiakë si dhe me posterë të liderit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, z. Jonuz Musliu.

Tubimi elektoral u hap nën intonimin e Himnit kombëtar dhe me një minut heshtje për dëshmorët e kombit, të cilët u flijuan për lirinë e vendit.

Fillimisht fjalën e mori kandidatja për këshilltare komunale nga radhët e LPD-së, znj. Nurtene Isufi, e cila falënderoi liderin e këtij subjekti politik, Jonuz Musliu, i cili ka bërë shumë për mëvetësinë e kësaj bashkësie lokale, duke e pavarësuar nga Bashkësia Lokale e Tërnocit dhe paraqiti një varg prioritetesh për zhvillimin e këtij vendbanimi.

Në vazhdim lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, shpalosi programin zgjedhor të këtij subjekti politik, i cili është angazhuar për realizmin e kërkesave të qytetarëve në të gjitha fushat e veprimtarive me interes kombëtar e qytetar.

Kryetari i LPD-së, gjatë diskutimit të tij ka potencuar nevojën e ngritjes së infrastrukturës së fshatit, rregullimin e shkollës e cila duhet t’i përshtat standardeve evropiane, pastaj rregullimin e kanalizimit dhe projekte të tjera, të cilat janë prioritare për banorët e fshatit Turi.

Për t’i realizuar këto projekte të rëndësishme për fshatin Turinë dhe banorët e saj, lideri i LPD-së Jonuz Musliu, kërkoi përkrahjen e të gjithëve, ngase ashtu bashkë mund të rrugëtojnë drejt fitoreve të sigurta.

Lideri i LPD-së, z. Jonuz Musliu, përmbylli diskutimin, duke ftuar elektoratin që sa më masovisht të dalin në zgjedhjet e 6 majit, për të rrethuar numrin 7 për një qeverisje të suksesshme komunale dhe numrin 15 për avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në nivel të Luginës së Preshevës.

Gjatë diskutimit të tij, Jonuz Musliu, disa herë u ndërpre me duartrokitje frenetike dhe ovacionet: “Duam fitore!”, “Duam fitore!”.

Tubimin elektoral e konsideroi të mbyllur, kandidatja për këshilltare komunale nga radhët e LPD-së, Nurtene Isufi, e cila porositi bashkëfshatarët e saj, që të dalin sa më masivisht në zgjedhjet e 6 majit, për ta rrethuar nr. 7, i cili u sjell fat e fitore, njofton Qendra për Informim e LPD-së.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch