Home » Opinione » Lufta e derrkucit, ajo e veshit dhe lapidari

Lufta e derrkucit, ajo e veshit dhe lapidari

 

 

 

 

 

Adriatik Kelmendi

Lapidari i UÇPMB-së do të duhej të ishte jo pengesë për pushtetin aktual në Beograd, por përkundrazi, përkujtues se si nuk duhet të sillet ndaj qytetarëve të vet. Daçiqi do të duhej të zgjidhte mbrojtjen e atij lapidari, pasi që kështu do të mund ta mbronte vetë Serbinë, një Serbi që do ecjen drejt së ardhmes e jo kthim në historinë e konflikteve

 

TRONDITJET E MËDHA jo gjithmonë kanë qenë të paraprira nga ngjarje të mëdha. Përkundrazi. Ka shumë raste kur deri edhe luftërat kanë pasur zanafilla në, thënë së buti, marrëzi njerëzore.

E dimë se lufta antike që shkatërroi Trojën kishte filluar rreth një gruaje, Helenës. Nejse, kjo për dikë edhe mund të shihet si arsye jo e vogël. Por ja që ka shumë raste krejt banale të kohëve pak më të reja.

Për shembull, në vitin 1969 Hondurasi dhe El-Salvadori filluan luftën pas ndeshjes futbollistike në kualifikimet për Kupën e Botës në FIFA 1970, kur humbën jetën rreth 900 persona.

Amerikanët e britanikët patën një luftë të vogël në vitin 1859 pas vrasjes së një derrkuci dhe mosmarrëveshjen për kompensimin në rajonin e shteti të sotëm të Washingtonit.

Më 1739, britanikët gjetën pretekst për të sulmuar ushtarakisht Spanjën për veshin e prerë të kapedanit detar Robert Jenkins plot tetë vjet më herët nga disa spanjollë. Mbi një milionë njerëz humbën jetën pastaj në luftërat pasuese të nxitura nga veshi i kapedanit.

Ushtria austriake në vitin 1788 zhvilloi një “luftë të brendshme” me rreth 10 mijë viktima, pasi që një grup ushtarësh të dehur kishin pandehur se janë sulmuar nga turqit dhe kishin vazhduar duke qëlluar njëri-tjetrin pa u marrë vesh asgjë.

Doni më?

NUK DUA TË ndjell zi lidhur me çështjen e nxehur rreth lapidarit për dëshmorët e UÇPMB-së në Preshevë, por të mos harrojmë se në dy anët kundërshtare ndodhen po ata që kanë zhvilluar një luftë vetëm rreth 10 vjet më parë.

Tash sërish të dyja palët janë vënë në pozicione krejtësisht të kundërta. Në qoftë se njëra palë nuk lëshon pe, ose nëse nuk do të gjendet një kompromis, atëherë nuk mund të pritet ndonjë e mirë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka dhënë një ultimatum që shqiptarët ta heqin vetë përmendoren e ngritur në qendër të qytetit të banuar me shumicë shqiptare.

Në anën tjetër, liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës, përfshirë këtu edhe ish-udhëheqësit e UÇPMB-së, thonë se do ta mbrojnë atë me çdo kusht.

Përkrahje shqiptarëve në Luginë u kanë dhënë edhe liderë politikë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, teksa edhe shoqatat e veteranëve të luftës kanë çuar selamet e veta.

Deri më tash Brukseli ka mbetur kryesisht i heshtur rreth problemit, por këtu do të duhej të gjendej mu zgjidhja. Sidomos kur në proces është edhe dialogu politik mes dy kryeministrave, Thaçi e Daçiq, ndërmjetësuar nga baronesha Ashton.

Teksa vetë komisionarja e BE-së kërkon që deri edhe çështja e barrikadave që kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës të zgjidhen nëpërmjet të këtij dialogu, njësoj duhet të kërkojë edhe për problemet që dalin në Luginë të Preshevës.

Çaste si këto tregojnë fare qartë se s’do të mund të vazhdohet edhe shumë me standarde të dyfishta sa u përket të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Serbi.

Shtypja dhe mostoleranca institucionale e Beogradit ndaj shqiptarëve të Luginës po shihet qartë me rastin e lapidarit. Beogradi në njërën anë kërkon që Prishtina të mos ndërmarrë asnjë veprim për të hequr barrikadat e rrugëve në veri, që vazhdojnë tash e një vit e gjysmë, e as përsëritje të veprimeve të ngjashme me ato të korrikut 2011, kurse vetë jep ultimatume “o me hatër, o me zor”.

Tash, a është kjo qeveria serbe që po synon aderim në BE, e cila po i kërcënon drejtpërdrejt qytetarët e vet, në këtë rast – shqiptarët, e në mesin e tyre nuk po i merr fare parasysh as pikëpamjet e liderëve të tyre të zgjedhur politikë?

Brukseli duhet të jetë i qartë: Beogradi nuk duhet të marrë asnjë hap të njëanshëm dhe lapidari nuk bën të lëvizet në qoftë se për këtë nuk pajtohen përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës.

SHQIPTARËT E LUGINËS kanë çdo të drejtë të ngritin memoriale për ata që u përpoqën për lirinë e tyre me anë të luftës. Në Luginë ka pasur një luftë, ka pasur palë të asaj lufte dhe ka pasur një marrëveshje paqeje, të njohur si Marrëveshja e Konçulit. Kështu që derisa ka pasur një marrëveshje, e marrëveshja ka ardhur si pasojë e kompromisit të të dyja palëve, atëherë s’ka pse njëra palë të heqë dorë nga aktorët e vet e pjesa tjetër të shkelë ata.

Pa luftën e UÇPMB-së vështirë se do të fitoheshin edhe ato pak të drejta të shqiptarëve në Luginë. Kështu që dëshmorët e rënë janë heronjtë e atyre pak të drejtave të shqiptarëve. Dhe meritojnë nderimin. Po të mos kishte qenë represioni i pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve të Luginës, sigurisht se as shqiptarët prej qejfit nuk do të merrnin armët në dorë.

Lapidari i UÇPMB-së së këndejmi do të duhej të ishte jo pengesë për pushtetin aktual në Beograd, por përkundrazi, përkujtues se si nuk duhet sillet ndaj qytetarëve të vet. Në mënyrë që konfliktet e armatosura të mbesin prapa në histori.

Kështu që Daçiqi do të duhej të zgjidhte mbrojtjen e atij lapidari, pasi që kështu do të mund ta mbronte vetë Serbinë, një Serbi që do ecjen drejt së ardhmes e jo kthim në historinë e konflikteve.

E QEVERIA E KOSOVËS s’ka më si të luajë strucin. Në mosmarrëveshjet Prishtinë-Beograd sot nuk janë vetëm serbët e veriut, por edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Vështirë se do të ketë zgjidhje të qëndrueshme të këtyre mosmarrëveshjeve, në qoftë se ato zgjidhen pjesërisht.

Reciprociteti i të drejtave të njeriut si në Kosovë ashtu edhe në Serbi është çelësi i paqes së përhershme në këto hapësira.

Se, mund të nisë me një lapidar, por kurrë nuk dihet se ku mund të përfundojë…

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch