Home » Histori, Lajme » LUFTA E VRANINËS DHE PJESËMARRJA E SHQIPTARËVE NË KËTË BETEJË TË LAVDISHME ME NË KRYE OSO KUKËN

LUFTA E VRANINËS DHE PJESËMARRJA E SHQIPTARËVE NË KËTË BETEJË TË LAVDISHME ME NË KRYE OSO KUKËN

Pas atentatit në princin malazias Daniello Petroviqin në Kotorr më 1860, në pushtet erdhi Nikolla I-rë Pertoviqi, i cili e sundoi Malin e Zi prej vitit 1860-1918, e ndër popullatën shqiptare njihet si Krajlë Nikolla i Cetinjes. Ai në bashkëpunim dhe koordinim me Rusinë Cariste, i kishte sjellë shqiptarëve shumë të zeza dhe hata të mëdha, duke filluar nga viti 1862 e këtej. Atëbotë shqiptarët e Shqipërisë Natyrale, dhanë provat e    pamohueshme mbi vazhdimin dhe koordinimin e luftës së tyre të pa kompromis ndaj bandave të organizuara plaçkitëse dhe vrastare serbo-malazeze, mbi shqiptarët e pafajshëm, duke filluar nga malësia e mbi Shkodrës e gjer në Malësinë e Madhe të Tuzit dhe Podgoricës.

Reshat Avdiu

Reshat AVDIU * Dhjetor, Preshevë  2015.

 

Çështja e shtruar këtu ka një rëndësi të posaçme historike për shqiptarët dhe luftërat e tyre të drejta gjatë vitit 1862, për arsye se me këtë luftë heroike të Oso Kukë-Shkodranit, shqiptarët edhe njëherë u përpoqën dhe i mënjanuan pengesat e politikës jo të drejtë të Malit të Zi, ndaj shqiptarëve dhe lëvizjes së tyre kombëtare.                                                Në këtë mënyrë shqiptarët gjatë vitit 1862, vazhduan t’i shkruajnë disa faqe mjaft të rëndësishme në historinë e tyre përplot luftëra ndaj malazezëve dhe serbëve, pastaj përpjekja dhe sakrifica tjetër e tyre ishte për të mbetur dhe mbijetuar në trojet e tyre të stërlashta të Shqipërisë Verilindore. Dhe se në ballë të këtyre luftërave ndaj bandave të organizuara kriminale në fillim, do të hidhej Hoti dhe Gruda, ndërsa problemi më shqetësues për Krajlë Nikollën e Malit të Zi  vazhdonte të ishte Shkodra me malësinë e saj të krishtere, që jepte gjithmonë ushtarë për lirinë e mëmëdheut. Edhe Porta e Lartë e Stambollit, atëbotë nuk mbetej mbrapa Malit të Zi, ajo me orvatjet e saj për t’i zbatuar reformat  që i kishin mbetur gjëja pezull gjer atëherë, kërkonte ta vendoste rendin e saj represiv publik, ndaj malësorëve “kryeneç”. Porta e Lartë në marrëveshje me Cetinën e Malit të Zi, nisi ta çarmatoste popullatën e qytetit dhe të fshatrave malore të Shkodrës, kjo bëhej me qëllim për t’ia hapur rrugën zbatimit edhe masave tjera të Hati-Humajunit për vitet 1856-1859. Kjo përpjekje e koordinuar me Malin e Zi, ndeshi në kundërshtime të shkodranëve, të cilët me çarmatosjen e tyre e shihnin zhveshjen nga çdo mundësi për t’u mbrojtur nga grabitjet dhe zullumet, sa nga bandat e organizuara dhe të koordinuara nga Rusia dhe cari i saj Aleksandër Nikollajeviqi, por edhe aq më tepër nga administrata turke e Portës së Lartë. Qytetarët dhe malësorët shqiptarë të armatosur e dhanë kushtrimin e luftës ku i detyruan trupat turke të tërhiqeshin nga qyteti, duke e apeluar Portën, se në të kundërtën ata do t’i prisnin lidhjet telegrafike. Ndërsa valiun e Shkodrës e shpallën të rrëzuar nga të gjitha funksionet dhe e mbanin të rrethuar për një kohë në selinë e tij. Si myslimanët njashtu edhe të krishterët shkodran së bashku i dërguan sulltanit në Stamboll një memorandum, ku shprehnin zemërimin e tyre kundër administratës së vendit, e cila, ndonëse në emër të rregullimit të rendit publikë, ishte bërë e rëndë dhe e pa durueshme, me detyrime të shumta fiskale, dhe nuk kishte kurrfarë kujdesi për masat e gjëra popullore shqiptare, nëpër trojet e tyre të vjetra autoktone. Ndërsa, shkodranët deklaronin se siguria e tyre ishte e pamjaftueshme nga kusarët vendor që e kishin pllakosur vendin nga çdo anë, pastaj administrata civile  dhe ajo ushtarake turke nuk ishin në gjendje t’ua mbronte atyre jetën dhe pasurinë nga sulmet e çetave kriminale dhe vrastare malaziase, që sa vinin e bëheshin më të shpeshta.

Për ta evituar një konflikt të pa shmangshëm, me Malin e Zi, Porta e Lart e dërgoi në Shkodër një komision të jashtëzakonshëm shtetërorë dhe që andej e largoi valiun e Shkodrës. Porta e Lartë e Stambollit u përpoq ta evitonte dhe mbyllte çështjen e acaruar të konfliktit mes Malit të Zi dhe shqiptarëve kryengritës, por pa sukses. Në fillim të vitit 1862, lufta kishte shpërthyer dhe zhvillohej me një heroizëm shumë të lartë.

“Në këtë luftë  Stambolli u  mat t’i hidhte  kundër  malazezëve  në  radhë të parë forcat shqiptare. Por këto përpjekje nuk patën veçse rezultate të pjesshëm në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, ku popullata ishte e shqetësuar nga sulmet e çetave malazeze drejt tokave shqiptare, disa reparte vullnetarësh myslimane dhe më vonë edhe malësorët katolikë, u nisën kundër malazezëve. Më 26 shkurt 1862, pas disa ndeshjeve paraprake në një betejë të rreptë në Kërnicë, shqiptarët pësuan një disfatë të rëndë nga malazezët dhe aty lanë mjaft të vrarë dhe robër lufte në duart e tyre. Ky konflikt rrezikonte t’i acaronte  përsëri  marrëdhëniet  midis  dy popujve fqinjë, çetat malazeze dhe ato shqiptare depërtonin në krahinat e njëra tjetrës, duke plaçkitur e djegur fshatra të tëra. Në një aksion i ndërmarrë  nga disa çeta plaçkitëse malazeze, komandanti i një reparti vullnetarësh shqiptarë, Oso Kuka mbeti i rrethuar në një kullë në ishullin e Vraninës në mes të liqenit të Shkodrës. Për të mos rënë në duart e malazezëve, ai ua vuri zjarrin fuçive të barotit dhe u hodh në erë bashkë me luftëtarët tjerë shqiptarë, duke u shkaktuar humbje të mëdha kundërshtarëve malazezë që po e sulmonin kullën.”[1]

Çerkez Abdi Pashai me përpjekjet e tij duke e nxitur fanatizmin fetar jo vetëm se ndër popullata myslimane, por edhe ndër popullatën të krishtere katolike shqiptare ndaj Malit të Zi ortodoks  tentonte me këtë variant ta mbante të hapur konfliktin kufitar me këtë vend fqinj. Në të shumtat e rasteve Abdi Pashai në mënyrë të tërthorët, do të vihej shpesh në shërbim të forcave kriminale banditeske malaziase ndaj shqiptarëve, këtë e bënte  pashai turk për ta larguar vëmendjen e shqiptarëve nga lufta kundër administratës së vet, dhe se shqiptarët atëbotë Porta e Lartë i përdorte si mish për top në luftë kundër kësaj principate të vogël, që i shkaktonte telashe të mëdha Perandorisë Osmane. Porta e Lartë e Stambollit, nuk mundi t’ia arrinte qëllimit të saj imediat, por vetëm se në suaza të kufizuara.

Kërnica

Më 26 shkurt të vitit 1862, shqiptarët në një betejë të rreptë në Kërnicë me forcat plaçkitëse të komitës serbo-malazeze që ishin jo më pak se 8.000 vet të armatosur mirë dhe të shtytur nga cari i Rusisë. Komandanti i njësive vullnetare shqiptare, Oso Kuka, kishte mbetur i rrethuar në njërën nga kullat e barotit në ishullin e Vraninës që ishte në mes të liqenit të Shkodrës. Për të mos rënë në duart e vullnetarëve serbo-malazez, ia kishte vu zjarrin fuçive të barotit dhe ishte hedh në erë bashkë me luftëtarët tjerë shqiptarë. Duke u shkaktuar humbje të mëdha kundërshtarëve serbo-malazez, që po e sulmonin pareshtur  kullën e barotit. Kush ishte Oso Kuka? I cili në “Historinë e Kombit Shqiptar”, la gjurmë të pashlyeshme lavdie dhe trimërie se si duhet të qëndrohet dhe vdiset për trojet e Shqipërisë Mëmë! Ishte yzbash (kapiten) i xhenios pranë ushtrisë osmane në Stamboll.

Njëra, ndër viktimat e shumta që e kishte pësuar nga këto banda kriminale, ishte edhe familja bejlere, e Avdi Hysës nga Vranina e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, të cilin cubat e paskrupullt të Malit të Zi, me Vulë Cetinën në krye e kishin vrarë dhe shituar, në mrrizat e tij diku në pllajat piktoreske të Vraninës. Oso Kuka edhe për këtë rast tragjikë do të merrte hakë të shumëfishtë dhe para se të nisej ai në betejën e pakthyer dhe mjaft tragjike, e bënë betimin e tij, shqiptarçe: “Hajde djem! Heu na vraftë buka”! “Ne na vraftë buka e miletit”! “Dhe na pifshim ujë të detit”! “Po se morëm gjakun e Avdisë”! “Po i humbet ndera mbarë Shqiptarisë”!     

 

KËTË RRËNOJË TË KULLËS SË BAROTIT NË LIQENIN E SHKODRËS E FIKSOI DJALI I AUTORIT:                                              BARDH  R. AVDIU

 

Kush ishte Oso Kuka? I cili në “Historinë e Kombit Shqiptarë” la gjurmë të pashlyeshme lavdie dhe trimërie se si duhet të qëndrohet dhe vdiset për trojet e vjetra të Shqipërisë Natyrale. Ishte yzbash (kapiten) i xhenios  pran  ushtrinë  osmane  në  Stamboll. Abdi Pashai dinaku, duke i vërejtur rreziqet që po i kanoseshin tokave shqiptare, por edhe vet Portës së Lartë, nga komitët dhe ushtritë e principatave serbo-malaziase, kërcënime këto që parapërgatiteshin dhe sugjeroheshin prej vet Carit të Rusisë, i cili do t’i nxiste dhe financonte luftërat dhe konfliktet e komitëve serbo-malaziase me në krye cubin e paskrupull Vulë Cetinjën.

Vulë Cetinja, ishte një kryekomitë plaçkitës dhe zullumqar shumë i njohur dhe vështirë mund t’ia gjeje shoqin, në tërë Malin e Zi atëbotë. Cari i Rusisë, e sugjeronte atë dhe komitët tjerë, që të vrisnin plaçkitnin dhe uzurponin pasurinë dhe bagëtinë e shqiptarëve, pastaj urdhëroheshin cubat të thernin vrisnin digjnin dhe piqnin në zjarr dhe hekur deri edhe fëmijët e vegjël të shqiptarëve nëpër djepa, ku pastaj viktimave ua hiqnin kokat dhe i ngulnin nëpër hunj gardhi, për të mbjellë ndër popullatën shqiptare në ato vise tmerr dhe frikë. Terrori barbar bëhej në veçanti ndaj çobanëve shqiptarë, të cilëve ua merrnin dhentë dhe dhitë, ku pastaj ata të gjorë i vrisnin dhe i thernin pa mëshirë! Kurse bujqve shqiptarë ua merrnin të mbjellat dhe bereqet tjera vjetore dhe i lenin edhe pa bukën e gojës.

Njëra ndër viktimat e shumta që e kishte pësuar nga këto banda kriminale, ishte edhe familja e pasur bejlere, e Avdi Hysës nga Vranina, e Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Të cilin cubat e Malit të Zi, me Vulë Cetinën në krye e kishin vrarë dhe shituar, në mrizat e tij diku në pllajat piktoreske te Vraninës, për t’ia marr edhe këtij fatziu shqiptar dhitë e kuqe. Motra e tij, Ajkuna nga baladat e vërteta shqiptare ishte atë moment në veg, duke ia qëndisur dhe endur vëllait të saj të vetëm, pajën e martesës. E shkreta motër, shpirti i shqiptarizmës, e para do t’i dëgjonte pushkët ndëshkuese, që i kishte shkrepur Vula i Cetinjës, mbi trupin e vëllait të saj të pafajshëm. E kishte lënë e gjora vegun dhe me nënën e saj të trishtuar ia mësyn pllajave të Moraçës nga ishin dëgjuar breshanat vrastare. Çfarë të shihnin dhe dëgjonin atje nën mrizat e zanave dhe krojet e akullta vetëm se mortje të zezë, që kishte rënë mbi trupin e Avdi Hysës i vrarë dhe i shtrirë për tokë. Kujës së motrës dhe nënës iso, i bënin edhe qyqet e maleve të Vraninës, dhe Luginës së Moraçës vaji dhe kuja e tyre që atëherë do të shndërrohej në baladë “epiko  tiravaje”  homerike ndër ne shqiptarët, sepse  nga  vaji  dhe përmallimi i madh, siç thotë një fjalë e urtë popullore e jona, i bënë të qanin gurët dhe drunjtë në bjeshkët e Vraninës, dhe Luginën e Moraçës.

Ato vite Çerkez Abdi Pashai, ishte emërtuar nga sulltani pasha në Tiranë, duke e vërejtur se nga bandat kriminale dhe vrastare serbo-malaziase, do të sulmohej Shkodra me malësi, e ndoshta edhe mbarë Shqipëria. Pashai turk, duke ia njohur Oso Kukë-Shkodranit, aftësitë e tij ushtarake, pastaj trimërinë dhe guximin e paluhatshëm e fton atë në Stamboll në Sarajet e Bardha me padishahun në bisedime. Pas marrëveshjes e kishin vendosur në krye të disa trimave vullnetarë, të cilët kishin shprehur gatishmëri dhe trimëri që ta jepnin jetën e tyre për mbrojtjen e tokave shqiptare dhe popullatës së pa mbrojtur nëpër ato vise malore, duke filluar që nga Shkodra e gjer në Vraninë. Oso Kuka, pa dyshim do t’i përgjigjej me vullnet të madh ftesës së padishahut dhe pashait të Tiranës, e kishte dhënë edhe betimin: “Derisa ai të ishte gjallë, kullat e barotit në Vraninë nuk i lëshon dot.”

Duke e parë se ushtria malaziase po e përgatiste një afektiv prej më tepër se 8.000 trupash, dhe me kalorësi të armatosur shumë mirë, nga Serbia dhe Rusia. Atëbotë Krajl Nikolla i Malit të Zi; shprehej se për 24 orë, do ta merrte Shkodrën dhe tërë Shqipërinë dhe se nënave shqiptare,  njëherë e përgjithmonë do t’u mbeteshin djepat thatë. Porse Krajli i Malit të Zi, gabim i kishte bërë llogaritë e tij, se ai ende nuk e njihte mirë Oso Kukën, se me gjak ia lanë atij trupin. Pastaj as urdhëresa e Rusisë nuk do të realizohej që thoshte: “ n’Rozafat e n’kish t’Deçanës, duhet të ngritët stema e serbijanës”. Trimi i maleve tona, e dinte se edhe Çerkez Abdi Pashai, nuk ishte ndonjë njeri i fjalës dhe besës, se ai si zakonisht, do të kollaboronte me serbo-malazezët, ndaj ushtrisë vullnetare shqiptare dhe popullit të robëruar shqiptarë, por kreshniku ynë, këtij pashai dualist turk, me prejardhje shqiptare, do t’i kërkonte vetëm se trima vullnetarë, që e japin jetën për shqiptari.

Mosbesimi dualist, i Oso Kukës ndaj pashait turçeli, vërehet edhe në rapsodinë homerike shqiptare, kur ai në ballafaqimin e tij të parë me Abdi Pashanë, do të hamendej se a duhej njëherë të vritej pashai, e tek pastaj të shkohej dhe ballafaqohej me bandat kriminale serbo-malaziase në Vraninë. Me të drejtë thuhej në opinionin e etnosit shqiptarë, se:

 

“shumë e keqja ndodhi ndër shqiptari,                                                                     kurse na mori fisi jabanxhi.”

Vranina

Kështu dukej atëbotë Vranina e shëndrruar në tym e flakë, mes bandave kriminale serbo-malazeze dhe vullnetarëve shqiptar. Ku luftohej per jetë a vdekje në kullat e barotit, e flamuri i luftës sa vinte e rëndohej nga gjaku, plisat e vullnetarëve shqiptarë dukeshin dhe vezullonin si xixëllonja nate, nëpër tymin dhe pluhurin e luftës.

                Oso Kuka i imagjinuar nga piktori anonim në këtë tabllo artistike rrin i ulur në cep të atdheut duke i soditur për herë të fundit trojet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, tash të okupuara nga serbo-malazezët.

 

                                Këto pamje filmike i reprodukoi: Burim R. Avdiu

 

Atë ditë pranvere të vitit 1862, kur trimat bëheshin gati për betejën e  Vraninës,  nëpër  pazarin  e  Shkodrës  dhe në  atë  të Tivarit,  nuk do të mbetej asnjë sasi e barotit pa u shitur, kaushat e trimave duheshin të ishin për plotë me barot, për armët e tyre mbushtore me çarkë. Darkën, dyzetë trimat shqiptarë, do ta hanin në bjeshkët e Kërnicës, pasi kishin mbaruar së darkuari, në dritë të pishës në mënyrë pagane sipas zakonit, do ta shikonin ashtin e kofshës së dashit. E tëra ajo tregonte vetëm se gjak e varre. Për këtë dukuri të besimit pagan, ishte informuar edhe vetë kreshniku i maleve tona Oso Kuka. Ai këtë e dinte dhe e parandiente, se një e keqe e madhe do t’i ndodhte atij,dhe trimave tjerë të Vraninës. Porse nuk jepej, një natë më parë, e kishte ëndërruar një ëndërr të keqe dhe mjaft të kobshme, sesi kullën flaka dhe tymi i dendur ia kishte kapluar dhe tanë shokët Osës iu kishin farua, ndërsa kulla ashtu e përflakur, disi i kishte fluturuar,dhe sipër kalasë së Rozafatit në Shkodër ishte shkatërruar.

Kreshniku, i maleve tona, e dinte fare mirë, se me tremijë cuba të: Malit të Zi, Serbisë dhe Rusisë, nuk do të ndahej edhe aq lehtë pa viktima nga beteja e pabarabartë. Por për ta hekur brengën nga shpirti i tij, e lutë lahutarin Kaçel Dodën, që t’ia merrte një kënge trimërie nga baladat shqiptare, atë të Gjergj Elez Alisë. Kaçelë biri im! Të lutem na e këndo një këngë shqiptare se rrënja jonë nuk do të shuhet, pa dalë të gjithë fare, se me qenë more shokë eshtrat diçka me tregua, gjer më tani të gjithë ne shqiptarët ishim farua. Kënga, siç kishte nisë dhe kishte mbaruar Oso Kuka fare nuk e kishte dëgjuar, por mendjen ia kishte kapluar ëndrra e natës paraprake sesi kulla i kishte fluturuar.

Kur Oso Kuka, komandanti i njësive vullnetare të shqiptarëve me të 17 luftëtarët tjerë të mbetur, u gjend i rrethuar nga tremijë cuba serbo-malaziaso-rusë, në fortesën e barotit në ishullin e Vraninës, në liqenin e Shkodrës. Për të mos rënë të gjallë, në duart e sulmuesve plaçkitës që iu kishin afruar krejtësisht fortesës, Oso Kuka u jep zjarr fuqive të barotit dhe e hedhë në ajër veten me shokë! Aty do ta gjenin vdekjen edhe treqind sulmues serbo-malazias dhe rusë, që po përgatiteshin të hynin në fortesën e barotit, për ta nxënë kreshnikun e Vraninës me luftëtarët tjerë të mbetur aty.

Një variant i përafërt i këndimit, për betejën e Vraninës, nga rapsodi popullor, ishte bërë edhe në trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore në Preshevë. Edhe këtu interpretuesi ishte përpjekur që ta derdhte tërë aftësinë e tij gjeniale në opusin e këngës regjiake homerike mbi trimërinë e Oso Kukës. Ajo do të këndohej, përafërsisht njësoj si në: Pashallëkun e Beogradit, Nishit, Leskocit, Vrajës etj. Kjo këngë epiko legjendare, gjithmonë do të këndohej ndër popullatën autoktone në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, krahas me këngën tjetër regjiake: “Prej Prokupje deri në Nish”. E cila kishte lindur dhe mbijetuar në opusin popullor 50 vite para betejës së Vraninës, dhe atë më 1812, aty Zeqir Rrëzalli nga Llausha e  Skenderajt, i kishte hapur tre llogore gjaku me qafirët serb edhe këmbët i kishin sharruar në gjak, dhe nuk i lëvizte dot nga istikamet prej Prokupje deri në Nish.

Si e kënduan rapsodët shqiptarë këngën e O. Kukës në  Shqipërinë e Vjetër Verilindore të Nishit dhe të Toplicës para dhe pas viteve (1862-1878):

 

Oso Kuka shka ka maru

Drejt te Pasha n’Tiranë ka shkua

Vul Cetina s’po durohet

S’po le kali n’mulli me shkue

S’po le vajzë me u martue

S’po le çoban dhitë me i rue.

Dy nizeta  Pashë me mi dhanë

Që s’kanë babë, e që s’kanë nënë

Shuj’ Oso, Pasha i ka thanë

Nizetë vet si t’i m’kanë thanë

Vulën sunë ma ka zanë.

More Pashë më vjen keç,                                                                                                         Ç’i t’ka nëna një për mall

Me t’ra grusht t’i thej dy dhamë.

T’kallëzon puna t’kallëzon doka

Pasha zotin azgan koke.

Nizet vetë Pashë me mi dhanë

Që s’kanë babë, e që s’kanë nënë

Markin Fanë Pashë me ma dhanë

Dymbëdhjetë vjet kaçak o kon

 

Shumë e ke lyp Pashë sun e ke n’xon

Marki Fanë djali i ri, s’shkon n’kish                                                             Nuk shkon n’xhami, babën shka e nënën turki*.

Vajtimi i motrës së Avdi Hysës

Vajtimi i motrës së Avdi Hysës, tash e 150 vjet, ka gjet shprehje në intonimin e gradacionit epiko tragjik të folklorit shqiptar ndër vargjet e vajtimit të motrës për vëllaun i vrarë padrejtësisht nga cubi i Malit të Zi, Vulë Cetina, diku në pllajat e Vraninës. Vajtimi ishte: “Kur ka le vëlla çaj ylli i dritës”(…) “Mbi ato çuka të Podgoricës” (…) “U jepeshe ujë vëlla dhive n’lum të Moraçës” (…) “Dhe i mrizojshe në hije të rrafshit” (…) etj.

Këtij vajtimi përmallues, atëbotë iso i mbanin edhe qyqet e maleve të Vraninës, foto; Burim Avdiu.

 

    * R. Avdiu babai i Prenkë Mark Kolës, ishte shqiptarë i krishterë nga Mirdita dhe se në Mirditë kura-kurës nuk ka pasur shkie karpatjan. Këtë e bënin turqit që ta futnin thikën vëllavrasëse mes shqiptarëve të besimit katolik dhe të shqiptarëve të besimit islam, se edhe nëna e Markut ishte shqiptare myslimane. Këtë këngë në variantin e këndimit nga trojet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, ma këndoi Demush Berisha poet nga malësia e Karadakut të Preshevës, dhe unë e shënova ashtu siç e këndonte ai dhe shumë muhaxhirë të tjerë që ishin vendosur pas dëbimit të dhunshëm nga Nishi, Leskoci, Vraja etj, dhe ishin vendosur nëpër këto anë.

 

Oso Kuka – Ai është hero më popullor, më i dëgjuar më i njohur, është kulmi i çdo heroizmi. Trimëria e ka marrë dhenë e përmasave që rrallë mund t’i ketë një hero tjetër.

Familja e Kukajve ishte një familje e vjetër, me tradita patriotike. Këtë mbiemër e gjejmë-thotë studiuesi shqiptarë Dr. Mikel Prenushi, në literaturën historike humaniste të shek. XVI, si mbiemër te disa luftëtarë të Skënderbeut.

Prejardhjen e tyre të largët Kukajt e kishin nga rrethina e Pejës dhe e Plavës. Oso Kuka jetoi në vitet kur lëvizjet kundër Turqisë nuk kishin të sosur, e pushtonin atë në forma e madhësi të ndryshme. Në kryengritjen shqiptare të vitit 1831, u bashkërenduan veprimet e luftëtarëve të Zyleftar Podos me të Mustafa Pashë Bushatlliut.

Përsëri me 1831-1835, plasën kryengritjet kundër reformave në të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe më e rëndësishmja ishte ajo e Shkodrës, më 1835-ën. Kryeministri turk, Ali Pasha, e emëroi Namik Ali Pashanë në krye të sanxhaqeve (prefekturave) të Shkodrës, Ohrit dhe Elbasanit.

Në Shqipërinë veriore në Shkodër, Kosovë, Dibër etj. ashtu si në jug, politika e re e të ashtuquajturave reforma ndeshi në një qëndresë të ashpër, për këtë arsye qeveria otomane dërgoi ekspedita ndëshkuese. Ndërsa Knjazit i Malit të Zi, kërkonte ta shfrytëzonte rrethanën politike për t’i zgjeruar tokat e tij, duke i sulmuar herë pas here pikat kufitare më të ndjeshme.

Në Shkodër, në fillim të vitit 1862, ishte krijuar një situatë kryengritëse, populli i armatosur i detyroi trupat otomane të largohet nga qytetet, i preu lidhjet telegrafike, e deklaroi Valiun të rrëzuar, siguroi lidhjet me malësorët trima dhe krijoi çeta me luftëtarë-vullnetarë në mbrojtje të kufijve,edhe Oso Kuka ishte në krye të një çete prej 24 vetash.

Osman Bejtullah Kuka, ishte prindi i kryetrimit të Vraninës, i lindur dhe i rritur në Shkodër në një familje qytetare, e cila banonte në qendër të Shkodrës (në vendin ku sot është gjimnazi “28 Nëntori”). Fëmijërinë e kaloi në shtëpinë e ardhur (të re),e ndërtuar në Çinari Hoxhë Dheut.

Kënga thotë:

 

“Në Vraninë unë jam tue dalë, (…)                                                                           Cubat Knjazit me t’ia ndalë (…).

 

Kur Çerkez Abdi Pasha, Vali e komandant i Vilajetit të Shkodrës, shfaq fije dyshimi nëse çeta e vogël e Oso Kukës prej 24 vetash do t’i përballonte  ushtrisë malazeze prej 8.000 trupash. Oso Kuka me shikim të rreptë e të rëndë i thotë: “Pasha! Në qoftë se malazezët guxojnë me përkit ka me e ndie e besa ke me e pa, se kush asht Hasan Kuka (…). Pashai osman me pushtetin e tij voli mundin e djersën e popullit, grabiti e shteroi burimet jetësore e nuk ishte në gjendje as t’i mbrojë, as t’i luftojë lakmitë e cenimet  e të tjerëve ndaj Shqipërisë, madje i pengonte shqiptarët t’i bënin mbrojtje vendit të tyre, trojeve të veta, se Turqia i plotësonte dëshirat dhe qëllimet hegjemoniste të Malit të Zi, mbi kurrizin e vendit tonë. Duke e nxitur edhe ai vetë gjakderdhje vjedhje në kthinat kufitare e shpesh herë qeveritarët nuk i linin shqiptarët t’u përgjigjeshin kërcënimeve malazeze e serbe.

Ngjarja, ku lindi heroizmi i Oso Kukës, ishte në vijën kufitare me Malin e Zi, ishte kalaja e Vraninës, e cila në qershorin e vitit 1862, u sulmua nga ushtria malazeze. Ajo i numëronte siç thamë edhe më lartë një kontingjent hiç më pakë se 8.000 trupash. Në fillim ata e zaptuan Lisedrën (një ishull i vogël në liqenin e Shkodrës), nga ku me lundërza komandanti armik hodhi forca në Vraninë, për ta marrë së pari kullën, se kjo e bënte më të lehtë ecjen përpara të ushtrisë serbo-malazezo-ruse.

Kulla (Kalaja), e kishte përpara një të ashtuquajtur Maksud-kullë (turq. kullë rezervë), ku Oso Kuka, i kishte lënë një pjesë të shokëve të vet. Pabarazia në numër e luftëtarëve shihej qartë, luftonte një ushtri prej 8.000 trupash me një çetë të vogël prej 24 shkodranësh.

Djemtë e Osoja e mbanin pushkën ngrehun gati, ndërsa kënga te “Lahuta e Malcisë” thoshte kështu: “Djersë e gjak xu me kullue (…), “Po s’nxue asnjëri me u ligshtue” (…).

Me zjarrin e njësitit të Osos ushtarët serbë-malazezë e rusë nuk bënin asnjë hap përpara. Kjo e bindi komandantin armik, se me forcën e armëve kalanë e Oso Kukës nuk mund ta merrte kur sesi, prandaj vuri në shërbim dredhinë. I dërgoi Osos me besë një njeri, duke i premtuar atij nderime dhe grada.

Trimi ynë ia kthen një përgjigje, ashtu siç e këndon kënga e lahutarit nga malet tona:

 

Me xhevap po shkon te shkina

Po dëgjo more Nikollë

Pa u djegur e gjithë Vranina

Oso kuka nuk të bjen në dorë…

 

 

Kënga matej shton:

 

Nuk jena mësua ma ra

Në duar të huaja për së gjalli,

E nuk kemi nevojë për nderë të tjerëve,

Kena boll të tonat…

 

Për së fundi i është përgjigjur Oso Kuka cubave të Malit të Zi, që po bëheshin gati që t’i sulmonin dhe merrnin kullat e barotit në Vraninë.

Me vete ai kishte një djalë të ri të quajtur Salë Behri, nga Shkodra. Me të kishte lidhje familjare, djali tregoi trimëri të pashoqe gjatë luftës së egër e të pabarabartë me forcat serbo-malazeze dhe pjesërisht me ato ruse, që e kishin rrethuar Vraninën e qëllimi i fundit i cubave sllav ishte marrja e Shqipërisë gjer në Prevezë.

Duke e parë vetën të rrethuar dhe të pamundur për ta çarë rrethimin e mijërave forcave armike, Oso Kuka ka folur:

 

“Kush donë me dekë me mua

të rri, por unë gjallë nuk

dorëzohem, por do të digjem

brenda këtu në kullë”.

 

Lajmi i kësaj beteje të pabarabartë u mor vesh edhe në Maksud-kullë, ku kishin mbërritur forca ndihmë nga Shkodra, të cilat i kanë vënë përpara serbo-ruso-malazezët.

Oso Kuka, mbasi e kishte marrë edhe mendimin e shokëve të çetës për të mos u dorëzuar i jep urdhër njërit prej tyre që shërbente si kuzhinier: “Afroi fuçitë e barotit midis kullës, se dora e varrueme nuk më len me i afrue”? Dhe kur mbi pullaz (çati) kishin kërcyer qindra malazezë qindra të tjerë kishin thyer muret, trimi ynë thërret edhe njëherë:

 

“Ah kadale, Nikollë të vraftë Zoti,

se këtu i thonë Oso Baroti,

se djeg veten edhe ty…”

 

Dhe Oso Kuka, u jep zjarr fuçive të barotit me dorën tjetër që e kishte shëndosh! Me qindra armiq u hollën në erë. E fortë ishte tronditja e shpërthimit të fuçive me barot, sa malet e Krajës u zbardhuan, tregonte plaku i motnuem (i vjetër), nga atë që kishte dëgjuar prej prindërve të vet.

Me këtë ngjarje trimërie  Oso Kukës e ngriti monument Vraninën, në gërmadhat e së cilës është heroizmi i shqiptarit, aq sa një gjeneral turk, i detyruar nga fakti i trimërisë së rrallë, shkroi: “Janë nga popujt ma trima e ma luftëtarë, e s’durojnë vdekjen, sidomos kur është puna për mbrojtjen e vendit të tyre, me këtë heroizëm të Oso Kukës, ata tregojnë se janë ushtarë të shkallës së lartë. Kjo pranohet nga të gjithë.

Vdekja heroike e Oso Kukës mori dhenë,e dëgjoi i madh e i vogël. Oso Kuka u vajtua nga familja e tij, dhe e mbarë shqiptaria atdhetare. Erdhën për ngushëllime jo vetëm nga mbarë qyteti i Shkodrës, por edhe nga Shala e Shoshi, Gruda nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit.

Revista “Albania”, që botohej atëbotë jashtë atdheut, i kushtoi një shkrim me interes, në fillim të shekullit tonë, figurës heroike të Oso Kukës. Pastaj, për krijimtarinë popullore, kushtuar këtij trimi legjendar, kanë shkruar Gustav Majer në “Studimet Shqiptare” 1897, pastaj revista “Dituria” Tiranë, 1927,  Kasem Taipi në përmbledhjen e tij “Zana Popullore” më 1933 në botimet folklorike. Kurse më 1923, Avni Rrustemi e përmend emrin e Oso Kukës në një thirrje që ua drejton autoriteteve të shoqërisë “Bashkimi”.

Në fillim të viteve të ’20-ta, mësuesi patriot Zef  Harapi i kushtoi një dramë heroit të Vraninës. Ndërsa Homeri i shqiptarë At Gjergj Fishta e ka skalitur në veprën e tij, në këngë Oso Kukën, e që këndohet në dasma e gëzime. Heroi doli nga populli e populli i këndoi me vargjet e poetit të madh.

 

 

 

Autori është ish i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së  Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.

[1] Historia e Popullit Shqiptar II, Tiranë, 1965. Fq. 83-84.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch