Home » Opinione » Lufta ekzistenciale në Luginë… FENOMENI I QENVE ENDACAKË!

Lufta ekzistenciale në Luginë… FENOMENI I QENVE ENDACAKË!

“Sot nuk është lajm, kur dëgjojmë se një qen ka kafshuar një njeri, por kur një njeri ka kafshuar një qen”. Kështu kishte thënë dikur një filozof, por si duket jetët tona nëpër provinca, kthehen në retrospektivë.

 

Nga Drilon Hyseni

 

Ndjenja ndaj kafshëve shtëpiake e sidomos ndaj qenit, si një specie shumë e dashur, besnike dhe inteligjente, sa vjen e kthehet në një fobi anormale.

Këtë ndjesi kaq të tmerrshme, të urryer dhe hakmarrëse, po e krijon shoqëria e jonë, e cila nuk është e denjë t’i trajtoj qentë me dinjitet ashtu siç kanë vepruar të parët tanë, e siç po veprojnë sot shtetet perëndimore.

Kjo shoqëri, e cila prej kohësh ka pas si “shok” besnik qenin, i cili ia ka mbrojtur atij shpinën dhe shtëpinë, i ka thurur kësaj kafshe simpatike këngë e legjenda nga më të ndryshmet. Madje, kali dhe qeni si kafshë inteligjente janë përdorur jo vetëm për nevojat shtëpiake, por edhe për luftë si “aleatë” të kujdesshëm e miqësor.

Në të kaluarën ka ndodhur, që njerëzit kanë rënë në bela, madje edhe janë vrarë për qenë. Zoti i shtëpisë, qenin e ka llogaritur si anëtar të familjes dhe është vënë në mbrojtje të tij. Atëbotë u pat krijuar përshtypja se po u vra qeni i shtëpisë, nëse, ai, me ulurimë ndjell kob, mund t’i ndodhte diçka e papritur asaj familje. Qentë, madje edhe sot nga organet kompetente të mbrojtjes së rendit dhe qetësisë, përdoren për ta luftuar krimin e organizuar.

 

Qentë e Luginës…

 

Qentë e Luginës, nuk janë si të tjerët. Historia e qenve endacakë në rajonin e Luginës së Preshevës, është një fenomen për studim.

Kaq shumë qenë ka në Preshevë dhe Bujanoc, sa ata merren si burim i përhapjes së sëmundjeve dhe rrezikut të kafshimeve nga ta.

Inspekcioni Komunal i Preshevës, në bashkëpunim me kompaninë e kontraktuar “Komrad” nga Vranja, e ka gjetur një zgjidhje të përkohshme për grumbullimin e qenve endacakë,  të cilët në mënyrë të organizuar dërgohen në azilin e qenve në qytetin e Vranjës. Ndërkaq, Komuna e Bujanocit, gjatë vitit 2010, ka financuar projektin për ngritjen e një azili për qenë në fshatin Klenik.

Ky projekt komunës ka kushtuar mjaftueshëm, mirëpo pavarësisht nga këto investime, rrugët e Bujanocit janë plot me qenë endacakë, të cilët paraqesin rrezik për trafik dhe qarkullimin e lirë të njerëzve.

 

Ligji…

 

Ligji është në anën e qenve. Ata nuk guxon të vriten, lëndohen dhe masakrohen. Kush zihet në vepra të tilla dënohet me burg.

Po, ligji, i mbron edhe njerëzit. Sipas ligjeve të Serbisë “qytetarët e Serbisë, kanë të drejtë të ankohen tek organet kompetente nga kafshimet e qenve endacakë dhe kërkojnë një shumë të caktuar të hollash, si dëmshpërblim..?!”

Kohë më parë, në Bujanoc, janë dënuar me ligj disa të rinj, të cilët kanë bërë gara me qenë, se kush prej tyre do të dalë më i fortë.

Për ta larguar të keqen, shoqëria jonë, duhet të gjejë forma e mënyra për t’i ikur “krimit dhe dënimit!”.

Shtëpitë e azilit për qentë, janë forma më e mirë e zgjidhjes së këtij problemi. Po ashtu edhe vetëdijesimi i qytetarëve ndaj kësaj specie e cila me pa arsye u gjend në skaj të ekzistencës.
Masat…

 

Pushtetet lokale në Luginë të Preshevës, kanë kompetenca për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë. Ato nuk duhet ta bartin këtë problem në Bruksel, Prishtinë e Beograd.

Si duket atyre më shumë u pëlqejnë problemet globale se sa ato lokale, me të cilat përballen për ditë.

Masat preventive për këtë problem, janë po aq urgjente sa “masat” e aprovuara, në fillim të këtij muaji, në seancën e jashtëzakonshme të këshilltarëve komunalë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch