Home » Opinione » Lugina e Preshevës e gatëshme për opcionin “ A “dhe “B”

Lugina e Preshevës e gatëshme për opcionin “ A “dhe “B”

 Opcioni “A” i zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Referendumin e vitit 1992 ishte përcaktuar me anë të „Autonomisë politike e territoriale“.  Kurse, në rast të prishjes së kufijve midis shteteve apo ndarjes eventuale të Kosovës, ne kishim paraparë  opcionin apo planin “B”: “Bashkëngjitjen me Kosovën“.

Shkruan: Mr. Nehat Hyseni

Qysh nga ditët e para të vendosjes  së sistemit pluralist në vitet 90-ta, kur filloi organizimi i pavarur politik i shqiptarëve në ish Jugosllavi, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës i vunë themelet e këtij organizimi, duke themeluar Shoqatën e Pavarur Demokratike (SHPD) dhe partinë e parë politike të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës – Partinë për Veprim Demokratik (PVD). SHPD pas pak kohe u shndërrua nga shoqata në parti politike , dmth në Partinë Demkratike Shqiptare (PDSH) dhe fillimisht kishte shtrirje vetëm në Preshevë, kurse PVD që nga themelimi kishte shtrirje (degët) në tri komunat dhe në diasporë.

Edhepse fillimisht kishte zikzake dhe huti të ndryshme politike, duke shfryrë  shpeshëherë folklorizëm e radikalizëm jorealist, megjithatë përvojat e para pluraliste, përkundër sfidave të mospasjes së eksperiencës pluraliste, filluan të japin frytet e para të organizimit të pavarur politik të tyre, duke dhënë deputetin e parë në zgjedhjet e para pluraliste në Serbi, si  dhe organizimin e pushtetit lokal në Preshevë .

Ndërkaq, më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 organizuan Referendumin  me pytjen: “A jeni për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkëngjitjes Kosovës?

Deklarimi i shqiptarëve ishte masovik, duke shenuar një numër rekord të daljes në votim dhe reth 98.60% e tyre u deklaruan “PËR”.

Pra, siç shihet, Referendumi kishte dy ditë të përcaktuara për mbajtjen e tij: datën 1 dhe 2 mars.

Pse kishim caktuar dy, e jo një ditë kohë për mbajtjen e Referendumit?

Ne këtë e bëmë atëherërë për arsye sigurie, meqë nuk ishim të sigurtë se do të lejoheshim nga pushteti për mbajtjen e tij. Prandaj, kishim lënë një ditë “rezervë” që në rast të dështimit në ditën e parë, për shkak të intervenimit eventual të pushtetit serb,  do të riorganizoheshim për ditën e dytë, duke iu përshtatur rethanave që do të na imponoheshin, në mënyrë që ai të mos dështoj kurrësesi.

Gjithashtu, duhet përmendur edhe faktin se ne kishim caktuar këtë datë, meqë përkonte me Referendumin e Bosnes, I cili ishte në fokus të interesit të opinioinit ndërkombëtar,  për të cilin ishin caktuar atëherë reth 200 vëzhgues ndërkombëtarë, që shpresonim se do t’i ndihmonte edhe internacionalizimit  të Refrendumit dhe çështjes tonë, duke qenë në kontakt me ata.

Përndryshe, ky Referendum i arriti , bile edhe i tejkaloi në aspektin e publicitetit  parashikimet dhe pritjet tona, duke u paraqitur në top lajmet e Agjencive kryesore botërore e europiane. Me këtë ne ia tërhoqëm vëmendjen opinionit ndërkombëtarë për problemet tona, duke ua bërë të qartë edhe vullnetin dhe vizionin  tonë politik për zgjidhjen e tyre.

Ndërkaq, jo vetëm data e mbajtjes së Referendumit kishte alternativë, duke mundësuar variantin “rezervë”, por edhe vet pyetja e Referendumit ishte e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë e pyetjes së Referendumit kishte të bënte me deklarimin për “Autonomi politike e territoriale” në kuadër të republikës apo shtetit serb. Ky ishte opcioni i parë, apo thënë me gjuhën aktuale politike Plani “A” i zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve të Luginës me anë të Autonomisë. Kurse, në rast të prishjes së kufijve midis shteteve apo ndarjes eventuale të Kosovës, ne kishim paraparë opcionin “B”: “Bashkëngjitjen me Kosovën

Sigurisht se ishim të vetëdijshëm për rrezistencën dhe refuzimin  e shtetit serb ndaj çfarëdo autonomie të shqiptarëve të Luginës, meqë pushteti i atëhershëm totalitarë e ultranacionalist i Millosheviqit kishte arritur ta rrënoj Autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës, si dhe kishte bërë tentative ( të pasukseshme) për rrënimin e republikës sllovene, kurse me Kroacinë kishte zhvilluar luftë të ashpër duke shfrytëzuar njësitë e rregullta të Armatës Jugosllave, e cila ishte kryekëput në duar të serbëve. Kjo armatë u shfrytëzua në luftën e Bosnes, e cila filloi menjëherë pas mbajtjes së Referendumit me të cilin e deklaroi vullnetin politik dhe pastaj e shpalli pavarësinë e shtetit të Bosnes dhe Hercegovinës.

Megjithatë, të këshilluar për çdo hap dhe për çdo veprim politik me faktorin politik shqipëtar të udhëhequr atëherë nga prezidenti historik Ibrahim Rugova, si dhe me faktorin ndërkombëtar, ne i kushtuam rëndësi dhe përkushtim realizimit të autonomisë së shqiptarëve të Luginës duke bërë përpjekje për themelimin e institucioneve të shqiptarëve në nivel të Luginës. Duhet pranuar se sfidat ishin të mëdha në këtë rrugëtim.

Një pjesë e atyre sfidave vinin nga pushteti i Serbisë, i cili nuk dëshironte t’ë lejoj çfarëdo organizimi institucional të shqiptarëve në nivel të Luginës, por sfidat vinin edhe nga përçarja e shqiptarëve dhe lufta e tyre e egër për pushtet. Qëndrimi i tyre ndaj themelimit dhe funksionimit të Këshillit Nacional (KN) është dëshmi më eklatante lidhur me këtë. Pra, realizimi dhe funksionimi i çfarëdo forme të autonomisë institucionale të shqiptarëve të Luginës, për arsyet e përmendura,  është tejet i vështirë dhe përballet me sfida nga më të ndryshmet.

Andaj, të vetëdijshëm për rethanat politike në të cilat veprojmë, si dhe duke parë synimet serbe në Kroaci dhe Bosne,  ne në pjesën e dytë të pyetjes së Referndumit kishim paraparë mundësinë ose variantin “rezervë”: “Bashkëngjitjen me Kosovën”.

Natyrisht, ky variant rezervë ishte paraparë vetëm në rast se do të prisheshin kufijtë midis shteteve të ish  Jugosllavisë për shkak të ekspanzionizmit serb, e në rend të parë, poqese do të prisheshin kufijtë e Kosovës me ndarjen eventuale të saj. Sepse, edhepse shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë “fatlum” meqë kanë mbetur  si një pakicë e parëndësishme në Serbi, duke iu ekspozuar diksriminimit dhe ekzodit me përmasa biblike, megjithatë, nuk donim ta merrnim fajin për prishjen e kufijve midis shteteve në Ballkan, duke shkaktuar kështu hapjen e “kutisë së Pandorës” që do të shkaktonte gjakëderdhje dhe destabilitet të rajonit dhe Europës.

Por, sigurisht se pjesa e dytë e Referendumit: “Bashkëngjitja me Kosovën” do të ishte opcion i pashmangshëm i kësaj pjese të gjeografisë shqiptare poqese do të pranohej ndarja e Kosovës, apo “shkëmbimi i territoreve” si opcion.

Andaj, lirisht mund të konkludojmë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të gatshëm qoftë për Planin “A”. që nënkupton pranimin e Planit të Ahtisarit nga serbët e Kosovës, që konsiderojmë se do të ishte zgjidhje më e mirë dhe do t’i kontribuonte mirëqenies dhe paqes e prosperitetit në rajon, kurse ne shqiptarët e Luginës të mund t’i realizojmë të drejtat dhe liritë tona në kuadër të një Autonomie substanciale që do të na garantonte  realizimin e të drejtave dhe lirive kombëtare në arsim, kulturë, në përdorimin e lire të simboleve kombëtare, mirëqenie, zhvillim dhe prosperitet të gjithëmbarshëm.

Nëqoftëse të gjitha këto do të na i pamundësonte neve shqiptarëve të Luginës shteti i Serbisë, duke realizuar ndarjen e Kosovës, atëherë domosdoshmërisht vihet si opcion i vetëm varianti “rezervë” i Referendumit ose Plani “B”, që do të thotë:  “Bashkëngjitje me Kosovën”.

One Response

  1. Himni thotë:

    KUSH NE? Ti? dhe…………….

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch