Home » Lajme, Opinione » Lugina e Preshevës gjendet “në gojë të ujkut”!

Lugina e Preshevës gjendet “në gojë të ujkut”!

Shkruan: Nehat Hyseni

Lugina e Preshevës gjëndet “në gojë të ujkut” dhe para sfidave e presioneve dramatike nga Qeveria e  Serbisë dhe nga SNS-i, partia e Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Aleanca sekrete APN-SNS, bllokuese e kuvendit

Me “sponzorizimin” dhe nxitjen e konflikteve politike midis shqiptarve, si dhe me mbështetjen dhe nxitjen e Alternatives për Ndryshim të Shqiprim Arifit, realisht Serbia e ka bllokuar punën dhe funksionimin të Kuvendit të Komunës së Preshevës, duke imponuar shpërbërjen e Kuvendit të Komunës së Preshevës, meqë më 24 gusht 2017 u bënë tre muaj të plota të kësaj bllokade të punës së Kuvendit të Komunës së Preshevës.

Hapi tjetër i radhës së veprimit antishqiptar të aleancës APN-SNS ishte vendimi i Qeverisë së Serbisë për shpërbërjen e kuvendit dhe vendosjen e “Organit të Përkohshëm” i 15 shtatorit 2017, i nënshkruar nga premierja Ana Bërnabiq, me të cilin shkarkohet kryetarja e komunës së Preshevës, zonja Ardita Sinani (PVD).

Dyshimet e kahëmotshme dhe zërat konfidenciale reth ekzistimit të aleancës sekrete të APN-së dhe lidhjes së ngushtë e misterioze të Shqiprim Arifit me Aleksandar Vuçiqin dhe partinë tij SNS-in, morën fund me vendimin e përmendur të Qeverisë së Serbisë, me të cilin Aleancës APN-SNS i caktohen tre vende në Organin e Përkohshëm, edhepse përbënin vetëm 23% të Kuvendit, me 11 përkundrejt 27 këshilltarëve të PDSH-PVD-BDL-UDSH-së, të cilëve i caktoi vetëm dy vende! Në këtë mënyrë, pra, APN-SNS-it iu sigurua majorizimi apo mazhoranca antishqiptare në raportin 3:2.

Natyrisht, kryetar u caktua Shqiprim Arifi, i preferuari dhe i besuari i Aleksandar Vuçiqit dhe politikave serbe në Luginë të Preshevës, “meritat” e të cilit i theksoi dhe lavdëroi publikisht kohë më parë Presidenti i Serbisë në Leskovc.

Pushteti paralel antishqiptar i SNS-it në Bujanoc

Serbia pretendon haptas edhe për vendosjen e pushtetit politik paralel në komunën e Bujanocit,  që udhëhiqet nga kryetari i komunës Shaip Kamberi  nga Partia për Veprim Demokratik.

Me anë të të ashtuquajturit “Aktiv Ekonomik” dhe me veprimet tinzare të deputetit të SNS-it në Parlamentin e Serbisë, pretendohet të sfidohet pushteti lokal i kësaj komune të banuar me shumicë shqiptare.

Blerja e lojalitetit shqiptar

Investimet e Qeverisë serbe në “blerjen e lojalitetit” dhe besnikërisë ndaj regjimit të Serbisë të partive politike dhe liderëve të caktuar politikë, aktualisht paraqet formë dhe pamje të jashtme pak më të ndryshme, por me esencë dhe përbërje të njejtë sikur në të kaluarën.

Në periudhën dyzetepesë vjeçare 1945-1990, komunistët ishin zbatues të politikës serbe ndaj shqiptarve, nëpërmjet partisë-shtet, dmth PKJ-LKJ-së.

Natyrisht, regjimi serb i keqpërdorte edhe disa nga hoxhallarët për qëllimet e veta antishqiptare, duke i bërë vegël dhe instrument kundër shkollimit dhe emancipimit kombëtar, si dhe argat të devotshëm të pushtetit për nxitjen e shpërnguljes së shqiptarve në Turqi, me moton: “mos me ndejtë ndër shka”, si dhe për t’u deklaruar shqiptarët me përkatësi kombëtare si turqë.

Kurse, sa i përket komunistëve shqiptarë, pas rënies së UDB-së dhe Aleksandar Rankoviqit në vitin 1966, Serbisë “i dolën prej dorës” shqiptarët.

Rikthimi i kontrollit serb mbi politikbërjen e shqiptarve

Por, megjithatë, kontrolli i Serbisë ndaj shqiptarve, edhepse i dobësuar, vazhdoi deri në vitet 90-ta të shekullit të kaluar.

Regjimi i Millosheviqit, i ndihmuar nga bandat kriminale të Vojisllav Sheshelit, bëri kërdi mbi shqiptarët, por dhe ndaj kroatëve, e sidomos ndaj boshnjakëve apo myslimanëve në Bosne.

Ndërkaq, SNS-i i Aleksandar Vuçiqit, që është edhe President i Serbisë, është pasues i Partisë Radikale të Sheshelit.

Por, meqë deklaroi qëndrimin “proeuropian”, Aleksandar Vuçiq u “shkëput” nga SRS-i i Sheshelit, si antieuropian, antimysliman e antishqiptar i sëmurë dhe  patologjik.

Aktualisht, SNS-i dhe Aleksandar Vuçiq si kryetar i kësaj partie, ushtron pushtetin absolut në Serbi, meqë udhëheq Qeverinë, Kuvendin e Serbisë dhe Presidencën e  këtij shteti dhe paraqet pushtet absolut dhe diktaturë të re totalitare në Serbi.

Pra, Aleksandar Vuçiqi dhe partia e tij SNS-i, aktualisht paraqesin forcën më të fuqishme, absolute e totalitare në Serbi, që nga koha e Sllobodan Millosheviqit dhe partisë së tij nacional-socialiste, SPS-in famëkeq, që solli deri te luftërat e përgjakëshme dhe shpërbërja e Jugosllavisë.

Tradhëtitë “për të mirën e shqiptarve”

Paradoksalisht, asokohe ishin inkuadruar edhe disa “shqiptarë të ndershëm” në radhët e SPS-it, ashtu sikur ishin rekrutuar gjatë Luftës së Dytë Botërore disa të tillë edhe në radhët e çetnikëve gjakatar të ministrit të mbrojtjes së Mbretërisë së Jugosllavisë, Drazha Mihajlloviqit.

Ata tradhëtarë, kriminelë e mjeranë nga radhët e pakëta të shqiptarve, asokohe pretendonin se këtë po e bënin “për të mirën e shqiptarve”, ashtu siç pretendonin edhe shqiptarët tradhëtarë në radhët e SPS-it të Sllobodan Millosheviqit, si dhe tani argatët e politikës antishqiptare e gjenocidale të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch