Home » Opinione » Lugina e Preshevës, Kurban i shqiptarisë

Lugina e Preshevës, Kurban i shqiptarisë

Shqiptarët anembanë globit këto ditë po përjetojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë, 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit Shqiptar. Qytete e fshatra në tokat autoktone shqiptare janë stolisur me flamuj kuq e zi dhe simbole të ndryshme kombëtare, duke filluar me figurën e Ismail Qemalit, Skënderbeut, Hasan Prishtina dhe shumë burrave tjerë që vunë themelet e shtetit shqiptar. Përveç kësaj nëpër kryeqendrat shqiptare Tiranë, Vlorë, Prishtinë, Shkup dhe vende tjera po bëhen edhe organizime  të llojeve të ndryshme kushtuar 100 vjetorit të Shqipërisë.

Para se gjithash në këto manifestime është për t’i lakmuar njerëzve të cilët dalin nëpër rrugë dhe shprehin atdhedashurinë ndaj nënës “Shqipni”. Kjo tregon se shqiptarët dinë të duan shtetin e tyre, por jo edhe shteti dinë ti duan ata?

Derisa shqiptarët e vendeve tjera festojnë me dinjitet, Lugina e Preshevës përballet me realizimin e të drejtave themelore kombëtare, lirinë e shprehjes, përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe përmirësimin e çështjes sociale dhe ekonomike.

Lugina e Preshevës e përbërë më një popullsi afro 100 mijë banorë  me një shumicë shqiptare, në prag të 100 vjetorit të shtetit shqiptar përballet me ekzistencën ekonomike por edhe atë fizike. Që nga përfundimi luftës së Kosovës dhe konflikti i armatosur në vitin 2001 në mes strukturave të UCPMB-së dhe forcave të ndryshme ushtarake e policore të Serbisë, nga Lugina janë shpërngulur drejt qyteteve të ndryshme të Kosovës dhe Evropës mbi 20 mijë banorë.

Problemet kryesore të shqiptarëve të Luginës janë mos krijimi i kushteve për jetesë nga shteti që administron këtë territor  dhe ngecja e zhvillimit ekonomik. Njëkohësisht edhe mos uniteti i spektrit politik për një qasje të përbashkët drejt përmirësimit të mirëqenies sociale dhe politike.

Gjithashtu ky rajon është lënë anash nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, deri më tani nuk është bërë asnjë konkret drejt realizimit të  projekteve me rëndësi për shqiptarët e këtushëm. Ky rajon shfrytëzohet për marketing politik nga liderë të ndryshëm nga Shqipëria e Kosova e aspak nuk interesohen për ruajtjen dhe kultivimin e substancës kombëtare shqiptare.

Integrimi zgjidhje e vetme për shqiptarët e Luginës!?

Derisa qeveria shqiptare dhe ajo në Kosovë deklaron se shqiptarët e këtij rajoni duhet t’i realizojnë kërkesat e tyre brenda shtetit të Serbisë, liderët  e (mëhallëve) partive politike shqiptare në Luginë shesin patriotizëm të rremë dhe me një fjalor folklorik të mësuar përmendësh që nga viti 2001 e këndej. Ata mbajnë elektoratin e vet duke deklaruar se Lugina është Kosovë, dhe se për ata kryeqyteti është Tirana e Prishtina e jo Beogradi që administron me këtë rajon dhe njëkohësisht po pasurohen në kurriz të tyre.

Populli i mjerë  dita ditës po varfërohet, largohet dhe po e humbë shpresën për të jetuar dhe punuar në vendin e tyre. Gjithashtu është shqetësues edhe fakti që pjesa më e madhe intelektuale po largohet për shkak të depresionit dhe dhunës psikike ndaj trurit intelektual shqiptar që po ushtrohet nga shteti i Serbisë dhe përkrahet nga liderët shqiptar në Luginë.

Andaj është momenti i fundit që Tirana e Prishtina të reagojë dhe të krijojë një unitet brenda politikës shqiptare në Luginë,  me qëllim të ruajtjes se identitetit shqiptar dhe zhvillimit ekonomik. Derisa nuk ka strategji të përbashkët për t’i realizuar qëllimet tona, popullata shqiptare po e humbë durimin dhe shpresën për një jetë me perspektivë dhe prosperitet.

Në fund shfrytëzojë rastin të urojë gjithë shqiptarëve 100 vjetorin e pavarësisë dhe le të shërbejë historia jonë e lavdishme për të ndërtuar një të ardhme drejt vlerave integruese kulturore dhe  ekonomike brenda shqiptare edhe integrimit të plotë në familjen evropiane…

 

Autori është gazetar i lirë dhe drejtor i Portalit Informativ Titulli në  Luginë të Preshevës

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch