Home » Opinione » LUGINA E PRESHEVËS NË VIGJILIE TË KREMTIMIT TË PESËVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

LUGINA E PRESHEVËS NË VIGJILIE TË KREMTIMIT TË PESËVJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Shkruan: Mr.Nehat Hyseni

 Njëqindvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 2012, u festua në mënyrë dinjitoze gjithandej në trojet etnike të shqiptarëve të shpërndarë në pesë shtete të ndryshme në Ballkan, ku ata aktualisht jetojnë në trojet e tyre stërgjyshore, në kushte dhe rethana të ndryshme shoqërore, politike e kulturore. Por, të gjithë ata, edhepse të shpërndarë në shumë shtete, ishin të bashkuar shpirtërisht si një trup i vetëm, duke kremtuar dhe kënduar me krenari, e mbi të gjitha jehonte kudo refreni „O sa mirë është me qenë shqiptar…“ Pra, krenaria e të qenit shqiptar i bashkonte të gjithë ata, pa marrë parasysh se ku jetojnë dhe në cilin „cep“ të gadishullit Ballkanik apo të diasporës në Europë, Amerikë, Australi e gjetiu, i kishte shpërndarë fati historik dhe furtunat politike që e rrahën pamëshirshëm gjatë shekujve tërë hapsirën e gjeografisë shqiptare.

Pas kremtimit filloi sulmi

Menjëherë pas kremtimit të jubileut të madh, nuk kaloi as një javë nga ky kremtim madhështor, për t’iu vërsulur „retë e zeza“ politike që e vërshuan Luginën e Preshevës, duke  shfryrë rrebeshin e urrejtjes së papërmbajtur antishqiptare nga kreu i Qeverisë së Serbisë Ivica Daçiq, i cili e cilësoi Lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, të vendosur pak ditë më parë në platonë para ndërtesës së Kuvendit komunal të Preshevës, si „provokim“ ndaj shtetit të Serbisë.

 Me këtë rast, ai u kërcnua se lapidari do të „rrënohet“ dhe  se përgjegjësit komunal do të ndëshkohen, meqë kanë vendosur „pa leje adekuate“ lapidarin  „terroristëve“ . Ky kërcnim u prit me habi të madhe nga të gjithë dhe u cilësua fillimisht si „reagim“ ndaj kremtimit mbarëkombëtarë të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili i „shqetësoi“ qarqet antishqiptare në Greqi, Maqedoni e Serbi. Ky sulm mbi Lapidarin, krahas premierit Daçiq, u shoqërua edhe nga zëvendësi i tij Vuçiq dhe nga vet presidenti i shtetit Nikoliq, duke bërë gara midis tyre se cili do të ishte më i ashpër dhe më bindës në „qortimin“ dhe ndëshkimin e shqiptarëve të Luginës, deri në heqjen dhe grabitjen e dhunëshme të tij në mëngjesin e hershëm të ditës së diel, para se popullata të zgjohej nga gjumi i fundjavës, në orë 7:00, më 20 janar 2013.

Pra, ky ishte „sihariqi“ dhe „dhurata“ që shqiptarët e Luginës së Preshevës e përjetuan nga shteti serb ku ata aktualisht jetojnë, pas kremtimit të  Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke pasuar këto ditë edhe rrënimi  i varrezave shqiptare në fshatin Osllare, të banuar me shumicë shqiptare. Ky realitet i hidhur e karakterizon aktualisht situatën e brishtë politike në Luginë të Preshevës.

Lugina jashtë dialogut Kosovë – Serbi

Ndërkaq, meqë jemi në vigjilie të kremtimit të Pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, akoma nuk e dijmë se çka po na përgatitet me këtë rast, me qëllim të zhvendosjes së vemendjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës për mospërfshirjen e tyre në bisedmet Kosovë –Serbi në Bruksel.

Kjo aq më tepër na shqetëson, meqë këto zhvillime negative dhe ogurzeza që e kanë mbërthyer popullatën shqiptare nën „kthetrat“ e pamëshirëshme të shtetit të Serbisë, janë duke ndodhur pikërisht në momentin intenziv të „dialogut“ Kosovë – Serbi në Bruksel, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton,  midis Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaç dhe Kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiqit, takimi i radhës së të cilëve është caktuar për datën 22 shkurt 2013.

 Kurse, më 6 shkurt është paralajmëruar edhe takimi i shumëpërfolur dhe i shumëpritur midis presidentes së Kosovës zonjës Atifete Jahjaga dhe Presidentit të  Serbisë z. Tomisllav Nikoliq, poashtu në Bruksel dhe me ndërmjetësimin e z. Ashton.

Këto bisedime synojnë që Serbisë t’ia hapin rrugën për fillimin e negociatave për marrjen e statusit të kandidatit për antarësim në BE, kurse Kosova pret „liberalizimin e vizave“ për qytetarët e saj. Afati i përfundimit të këtyre bisedimeve është caktuar qershori 2013.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, në fokus kanë statusin e serbëve të Kosovës, duke u ofruar atyre pakon „Ahtisari Plus“, që parasheh nivel të lartë dhe të pashembulltë në Europë dhe në përmasa botërore, të drejtave kolektive të serbëve që jetojnë në Kosovë. Kurse, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë përfshirë fare në këto bisedime!

Shqiptarët e Luginës fyhen e stigmatizohen

Përkundrazi, atyre jo vetëm që nuk u është premtuar përfshirja në ato bisedime, por ata edhe fyhen e stigmatizohen nga kreu i Qeverisë së Serbisë Ivica Daçiq, si „terroristë“ dhe krahasohen me Al Qaeda famëkeqe.

 Kurse, javën e kaluar, me rastin e heqjes së dhunëshme dhe grabitjes së Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë nga xhandarmeria serbe, lidershipi dhe popullata shqiptare e Luginës u quajtën “tradhëtarë”, “pa dinjitet kombëtar” e tjera, nga Kryeministri aktual i Kosovës z.Hashim Thaçi, duke deklaruar se ata nuk e paskan „zbatuar marrëveshjen“ dhe këshillat që ua paska dhënë në takimin e përbashkët të lidershipit shqiptarë të Luginës në zyren e tij.

Por, në Konventën e PDK-së të mbajtur më 26 janar 2013, aty ishin prezent, për habinë tonë, i gjithë lidershipi i Luginës, të cilët edhe e përshëndetën Konventën në fjalën e rastit, duke bërë gara se cili prej tyre do t’i thurrte lëvdrata dhe „oda“ PDK-së dhe kryetarit Thaçi. Bile, kryeprotagonistin, apo „kryefajtorin“ e aferës së Lapidarit, z. Ragmi Mustafa, z. Thaçi nuk e la pa e përqafuar „enkas“, në shenjë falemnderimi për „fjalët e mëdha“ që i tha. Ky gjest na la të gjithëve gojëhapur dhe të habitur se si u bë kjo punë. Ose nuk po marrim vesh nga politika „allashqiptarçe“ fare!

Lugina e Preshevës ka mbetur keq që nga viti 1999
Duhet përkujtuar se Lugina e Preshevës, si  pjesë e gjeografisë sonë kombëtare, ka mbetur si është më keq që nga viti 1999, e sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Prej asaj dite të madhe për popullin e Kosovës, por edhe për shqiptarinë, pozita e shqiptarëve të Luginës u përkeqësua edhe më tepër.

Nuk duhet harruar historinë e vitit 1912, kur Shqipëria shpalli Pavarësinë më 28 Nëntor 1912, kurse Kosova, Maqedonia Perëndimore, pjesët e Malit të Zi të banuara me shqiptarë: Ulqini, Plava, Gucia e Malësia e Madhe, si dhe Presheva, Bujanoci (Medvegja kishte mbetur në Serbi më 1878), mbetën nën Serbi.
Paradoksi i festimit të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më 28.Nëntor 2012 qëndronte në faktin se Shqipëria festonte lirinë, por Kosova pikërisht në këtë vit kishte përjetuar rënien nën sundimin e Serbisë dhe  katrahurën e luftërave shfarosëse të aleancës Ballkanike midis Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë.Tmerrin e terrorin që synonte  t’i shfarosë nga faqja e dheut shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës e Bujanocit. Pra, trevat e mbetura jashtë Shqipërisë, fati i të cilave  u “vulosë” në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913 në Londër ishte se ata iu ekspozuan terrorit gjenocidal që synonte shfarosjen e tyre nga faqja e dheut.
Por, megjithatë, edhepse viti 1912 u solli shqiptarëve fate të ndryshme: atyre në Shqipëri u solli lirinë dhe shtetin , kurse shqiptarëve që mbetën jashtë shtetit shqiptar u solli robërinë, terrorin dhe masakrat e përmasave shfarosëse. Megjithatë, pra festën e Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, e festuan unikë, si një komb i vetëm dhe i pandarë, në të gjitha viset ku jetojnë.


Gjithashtu, vlenë ta përkujtojmë popullin shqiptar të Kosovës, por jo dhe të gjithë Kosovarët, sepse pati prej tyre, pra shtetasve (serbë) të Kosovës që nuk iu gëzuan Pavarësisë së Kosovës, meqë, edhepse jetojnë në Kosovë, ata nuk e konsideronin dhe akoma nuk e konsiderojnë atë si shtet të vetin, duke bërë trazira dhe duke shfaqur pakënaqësi, disa prej të cilëve edhe i dogjën pikat doganore 1 dhe 31, si institucione të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës. Kurse, pikërisht këta “kosovarë” Qeveria dhe kryeministri i Kosovës i trajton “shtetas” të vet, të cilët bëjnë garë me shtetin e Serbisë se kush po i “shpërblen” ata më tepër, duke ndarë sasi marramendëse mjetesh financiarte për t’i ndihmuar ata!


Të mos lejojmë rindodhjen e Çamërisë para syve tanë

Ndërkaq, popullata shqiptare e Luginës së Preshevës nuk është “kosovare”. Megjithatë, kjo popullatë ditën e shpalljes së Pavarësisë, ashtu si edhe shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi e diasporës, e përjetoi dhe festoi si një trup ( komb) i vetëm, duke e ndjerë dhe përjetuar të gjithë ata,pa asnjë përjashtim, gëzimin dhe fitoren e tyre si të përbashkët.
Andaj, apelojmë në ndërgjegjen kombëtare të të gjithë shqiptarëve kudo që janë, e në rend të parë Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës që të mos lejojnë rindodhjen e Çamërisë para syve të tyre.

Sepse, shumë shpejt kjo pjesë e gjeografisë sonë kombëtare rrezikon  të mbetet pa asnjë shqiptarë. Atëherë, do të “rahatohemi” dhe do ta ruajmë “krenarinë tonë kombëtare” të pasfiduar, sepse nuk do të kemi më “kokëçarje” me këta shqipëtarë të Serbisë që dikend po e nevrikosin dhe po ia ngrisin nervat, prandaj edhe ata po fyhen me aq moskonsideratë dhe mospërfillje poshtëruese të kësaj pjese të gjeografisë tonë kombëtare, të pambrojtur dhe të pambështetur as nga shteti serb ku ata aktualisht jetojnë, por as nga dy shtetet e veta kombëtare shqiptare në Ballkan.

 Ndërkaq, në vend të ndihmës aq të domosdoshme, sidomos për mbajtjen gjallë të arsimit shqip në Luginë që ka mbetur pa tekste shkollore dhe mjete mësimore që nga shpallja e Pavarësisë msë Kosovës më 17.shkurt 2008, shqiptarëve të Luginës i janë vendosur taksat e hyrjes në Kosovë, apo si e quajnë ata në mënyrë të popullarizuar “haraç”. Pra, këto veprime absurde e shkatërrimtare i kanë izoluar shqiptarët e Luginës, duke i shndërruar në „geto“ etnike.
Pra, ia bëjmë të gjithëve me dije se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë nevojë më tepër se kurrë për ndihmë normale vëllazërore e shtetërore nga Shqipëria e Kosova, e jo për “haraç” e poshtërime!

Shqiptarët e Luginës nuk janë terroristë dhe nuk kanë lidhje me Al Qaeda-n


Në anën tjetër, Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq i quan shqiptarët e Luginës së Preshevës “terroristë” dhe Al Qaeda, duke i stigmatizuar kështu si entitet dhe etni krimale, që rrezikon mjedisin dhe shtetin ku jeton.Natyrisht se nga kjo pretendohet të konkludohet se këta shqiptarë të mbetur akoma nën Serbi, meritojnë ndëshkimin, diskriminimin dhe masakrimin e tyre. Andaj edhe arsyetohet dhuna shtetërore mbi këtë popullatë të pambrojtur që ka marrë rrugën e pakthim të ekzodit për të gjetur jetë më të sigurtë dhe për të siguruar kafshatën e gojës dhe ekzistencën e e familjeve të tyre.

  Nuk kemi dëgjuar dhe parë ndonjë protestë, apo pse jo, notë shtetërore kundër Serbisë për këtë poshtërim, fyerje dhe satanizim të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare nga kryeministri “i tyre” Daçiq.
Apelojmë tek të gjithë që, në vend të fyerjeve kombëtare, të ofrojnë ndihmën  kësaj popullate të shkretë, të pambrojtur dhe të izoluar.

Shqipëria e Kosova të bëjnë Platformë shtetërore mbi Luginën

Shqipëria e Kosova të bëjnë Platformë shtetërore mbi Luginën e Preshevës, duke përcaktuar dhe fonde përkatëse, si dhe hapjen e një Zyre Konsullore të Shqipërisë, si përfaqësi diplomatike e shtetit shqiptar për Luginën e Preshevës, që do të siguronte praninë fizike shtetërore dhe mbështetjen nga afër të tyre.
Ndërkaq, tek Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq apelojmë që të mos i quaj shqiptarët “terroristë” dhe Al Qaeda, por t’ i trajtoj ata si qytetarë të barabartë të shtetit ku jetojnë, duke i trajtuar sipas normave dhe standardeve demokratike europiane.

Dhe në fund, urojmë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të mos „shpërblehen“ me ndëshkime dhe poshtërime me rastin e kremtimit të Pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sikur pas kremtimit të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sepse ata festojnë së bashku me të gjithë, pa marrë parasysh faktin se ata tani kanë mbetur më keq se kurrë më parë.

 Andaj, apelojmë që duke festuar e kremtuar bashkarisht, të mendojmë më tepër se kurrë për fatin e trojeve etnike të Luginës, që po boshatisen dhe braktisen në mënyrë të pandalëshme nga shqiptarët.

Me gjithë këto halle e probleme që aktualisht i preokupojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, ata me padurim dhe kënaqësi e krenari presin kremtimin e Pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, e cila paraqet festë të madhe gjithëkombëtare për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch