Home » Opinione » Lugina e Preshevës, “Qytetet e lira” dhe Distrikti i Brçkos

Lugina e Preshevës, “Qytetet e lira” dhe Distrikti i Brçkos

Distrikti i Bërçkos, në verilindje të Bosnjë dhe Hercegovinës është neutral, njësi vetëqeverisëse administrative, por nën sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Brçko është zyrtarisht pjesë e të dy njësive, Republika Srpska dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ajo ka 493 km/2 dhe një popullatë me mbi 87.000 banorë. Gjuhë zyrtare në këtë Distrikt janë: gjuha boshnjake, gjuha kroate dhe ajo serbe.

Bërçko ishte i vetmi element në Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit i cili nuk u finalizua. Marrëveshja e arbitrazhit është finalizuar në mars 1999 duke rezultuar si një “Distrikt” i cili u vendos që të administrohet nga Zëvendësi kryesor i Përfaqësuesit të Lartë i cili është edhe “ex officio” Mbikqyrës Ndërkombëtar i Bërçkos.

Përpara vitit 1997, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka pasur një zyrë modeste të kryesuar nga Randolph Hampton. Kështu, Distrikti i Brçkos, ngadalë, por sigurtë, filloi të përfitojë nga programet e qeverive të huaja që e ndihmuan në rimëkëmbjen e saj.

Më 5 mars 1999 Distrikti i Brçkos themelohet me vendim përfundimtar të Arbitrazhit.

Në këtë njësi administrative, jetojnë serbë, boshnjakë, kroatë dhe popuj të tjerë. Më saktësisht në Distriktin e Brçkos jetojnë: mbi 40% boshnjakë, mbi 30% kroatë, mbi 20% serbë, dhe të tjerë. Në këtë territor ekzistojnë 57 vendbanime me popullsi të përzier. Zgjedhjet në nivel kombëtar dhe lokal mbahen në kuadër të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës. Poashtu buxheti ndahet nga Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës. Mirëpo politikisht Brçko është njësi e pavarur administrative. Kjo “njësi” sipas Matthew Parish quhet “Qytet i lirë”.

Tani ndalemi në situatën politike, ekonomike, sociale dhe kombëtare në Luginë të Preshevës.

Lugina e Preshevës, regjion i cili gjendet në lindje të Kosovës dhe në Jug të Serbisë, dhe që në këtë term përfshinë tri komuna: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. “Lugina” ka diçka më shumë se 1200 km/2 dhe në këtë territor banojnë mbi 100.000 banorë, dhe me mbi 65% shqiptarë. Në Preshevë struktura kombëtare është 95% shqiptarë, në Bujanoc 60% shqiptarë, dhe në Medvegjë mbi 25% shqiptarë.

Që nga konfrontimet e vitit 2001, atëherë kur doli UÇPMB-ja, popullata shpresonte që ka një dritë në fund të tunelit. Pas arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, e cila parashikonte amnesti për ish-luftëtarët e UÇPMB-së, dhe përveç tjerash zhvillim ekonomik të kësaj njësie territoriale, asgjë nuk ndryshoi. Këto njësi territoriale të banuara kryesisht me popullatë etnike shqiptare, u la anash që nga Qeveria e Koshtunicës, e deri sot kur në krye të Qeverisë serbe është Ivica Daçiq dhe Tomisllav Nikoliq.

Në këtë njësi territoriale mbi 65% e popullatës është e papunë që i bie krizë sociale. Pushtetet që qeverisen në komunat Preshevë dhe Bujanoc nuk kanë çfarë t’i ofrojnë zgjedhësve të tyre, për shkak të krizës ekonomike.

Edhe pse këto dy komuna shtrihen në korridorin më të rëndësishëm dhe më të shkurtër të daljes së shteteve te Evropës në Detin Egje, ato nuk përfitojnë as edhe një qindarkë nga këto të ardhura shumëmilionëshe. Vetëm nga të hyrat e kalimit kufitar në Preshevë, mund të zhvillohet kjo njësi territoriale.

Në “Luginë” rrezikohen të drejtat elementare, siç janë e drejta e përdorimit të lirë të gjuhës, e drejta për flamur, pastaj fëmijëve në shkolla u mungojnë tekstet bazë në gjuhën e tyre. Në “Luginë” teksti i Abetares mbarëkombëtare nuk “guxon” të futet si literaturë shkollore. Ndoshta kjo nuk është e drejtë elementare!

Këto të drejta janë shkruar qysh më 1215 në “Magna Carta Libertatum”, pastaj më 10 dhjetor 1949 me “Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut” u rishkruan e përforcuan këto të drejta. Nënshkruese të kësaj Karte të fundit kanë qenë të gjithë, por siç duket dikush i ka harruar obligimet ndërkombëtare. Dhe po deshën t’i harrojnë, le ta bëjnë, por  askush nuk do të qëndrojë duarkryq.
Prandaj, Lugina e Preshevës me këto tri komuna që ngërthen në vete, me të drejtë duhet të shpallen “Qytete të lira” dhe të funksionojnë ashtu siç funksionon Distrikti i Brçkos.

Distrikti i Luginës, do të duhej të funksiononte qysh prej 2001. Megjithatë, fuqitë e mëdha nuk dorëzohen, dhe mund t’ia kthejnë dinjitetin këtij territori. Aspak nuk është e vështirë të zgjidhet ky problem. Duhet vullnet dhe parime.

Kosovës iu ka marrë ky territor pas 1945, dhe që atëherë nuk ka zhvillim dhe mirëqenie.

Serbia, pretendon se është territor i tyre, por nuk investon aspak në këtë pjesë. Megjithatë, zgjidhja më fatlume për të gjitha palët e përfshira, është krijimi i Distriktit të Luginës, me mbikqyrje nga ndërkombëtarët, ku mund të investojnë shtetet e fuqishme në këtë korridor Euro-Aziatik.

Mund të funksionojë, sepse çdo gjë bëhet me një marrëveshje të nënshkruar, dhe duke iu përmbajtur me korrektësi asaj!

Por, siç duket, “Lugina” është bërë gacë, që askush nuk dëshiron ta kapë.

Nga Fidan Shaqiri

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch