Home » Opinione » LUGINA E PRESHEVËS SI “MJET PËR KUSURITJE”, APO TEMË REALE E BISEDIMEVE KOSOVË-SERBI?!

LUGINA E PRESHEVËS SI “MJET PËR KUSURITJE”, APO TEMË REALE E BISEDIMEVE KOSOVË-SERBI?!

Shkruan: Mr. Nehat Hyseni

Edhepse shqiptarët e Luginës së Preshevës janë deklaruar me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për “Autonomi Politike e Territoriale me të drejtë Bashkimi Kosovës”, duke realizuar kështu deklarimin e parë  në historinë e  vet të vullnetit të lirë politik të tyre, megjithatë, realizimi i tij dy dekada pas mbajtjes së tij, na duket i largët dhe aktualisht akoma  i  parealizueshëm.

Shpresat e kësaj pjese të gjeografisë shqiptare u shuan edhe më tepër kur nënkryetari i PDK-së, z. Rrustem Mustafa, gjatë vizitës së përfaqësuesve të shoqatës “Vatra” nga Gjilani, deklaroi se “çështja e Mitrovicës së veriut dhe e Luginës së Preshevës, janë të ndara…”.

Ndërkaq, deklarata e Zëvendëskryeministres dhe Kryenegociatores së Kosovës,  z. Tahiri, siç njofton Agjencia TANJUG, se “në bisedat e Brukselit do të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës”, si dhe deklarata e sotme e Zëvendëskryeministrit dhe Nënkryetarit të PDK-së, z. Hajredin Kuçi dhënë gazetës “Koha Ditore” , se“… në dialogun e ardhshëm, pa dyshim se edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të zërë vendin e merituar”, paraqesin një “kthesë” të befasishme. Befasia është edhe më e madhe, meqë kemi  deklarata të ndryshme me njëri tjetrin nga .dy nënkryetarët e PDK-së.

Sido që të jetë, shpresojmë që kjo kthesë realisht të ndodhë, meqë e dijmë se shqiptarët e Luginës meritojnë që të përfshihen në këto bisedime, sepse edhe problemet e tyre janë të ngjajshme me ato të serbëve të Kosovës. Tek e fundit, edhe të gjitha subjektet politike të Luginës së Preshevës janë deklaruar me unanimitet të plotë për parimin e “reciprocitetit”  të pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës me serbët e Kosovës, duke qenë thellë të bindur se vetëm një qasje e tillë dhe barazim i statusit të tyre do të ishte i drejtë dhe real, që do të sillte paqë dhe mirëqenie afatgjate në rajon.

Andaj, shqiptarët e Luginës së Preshevës urojnë nga zemra që problemet e tyre të merren realisht në konsideratë dhe të mos jenë eventualisht objekt kalkulimesh të ndryshme joparimore politike, duke i lënë ata,  pa të drejtë, anash këtyre negociatave, duke shërbyer kështu si “mjet për kusuritje” dhe për zgjidhje pragmatike poqese ata mbeten anash procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi  në Bruksel.

Sepse, në të kundërtën, pasojat do të ishin të mëdha dhe të pariparueshme jo vetëm për shqiptarët e Luginës, të cilët i janë nështruar procesit të ekzodit me përmasa të mëdha të shqiptarëve, sidomos pas vitit 1999, duke realizuar pothuajse  boshatisjen e plotë të Medvegjës, si dhe rrezikimin real të Bujanocit dhe Preshevës, por edhe për Kosovën dhe rajonin.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch