Home » Kulturë » “LUMJA TI, MOJ SHQIPËRI, FESTON 100 VJET PAVARËSI!”

“LUMJA TI, MOJ SHQIPËRI, FESTON 100 VJET PAVARËSI!”

(Koncert në shkollën 9-vjeçare Babrru-Fushë, Tiranë)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

Këto ditë, përmes kolegut e mikut tim, shkrimtarit e publicistit Viron Kona, mora këtë mesazh, në të cilin thuhej: “Përshëndejtje! Në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kolektivi i shkollës 9-vjeçare Babrru-Fushë e Tiranës, organizon një veprimtari kulturore-artistike, sipas projektit “Atdheu im”. Jeni të ftuar që të na nderoni me pjesëmarrjen tuaj. Me respekt: drejtoresha, Mimoza Haxhiu”.

Sigurisht, këtë ftesë e prita me kënaqësi të veçantë. Së pari, sepse do të zhvillohej veprimtari në kuadrin e festës sonë të madhe mbarëkombëtare shqiptare. Ndërsa, së dyti, sepse kohë më parë kisha qenë pikërisht ndërmjet kolektivit të mësuesve e nxënësve të asaj shkolle, bashkë me Vironin. Me atë rast, ne përjetuam emocione të veçanta, gjatë diskutimit e pyetjeve, që na bënë nxënësit rreth disa botimeve tona.

Kësaj radhe, bashkëshoqërues i imi ishte arsimtari e publicisti Ibrahim Hajdarmtaja, i cili e vizitonte për herë të parë shkollën 9-vjeçare Babrru-Fushë. Në një farë mënyre, të dyve na afronte diçka më tepër me të edhe nga fakti, se aty shumica e nxënësev vijues janë nga rrethet veriorë të vendit tone, pra bashkëkraninas tanë.

2.

Kur mbërritëm në sallën e shfaqjes, kjo sapo kishte nisur. Menjëherë u pushtuam nga gjallëria e nxënësve interpretues dhe nga muzika e vallet popullore, plot ritëm, shkathtësi e bukuri. Menjëherë të binin në sy hijeshia dhe larushia e veshjeve mjaft të bukura popullore, nga krahina të ndryshme të vendit tonë. Për sigurimin e tyre ishte kujdesur me përkushtim dhe shijë artistike, mësuesja Arta Lala; ndërsa me recituesit kishte punuar Rina Beqiri. Gjithashtu, palestra e shkollës, e kthyer në sallë shfaqjeje, ishte zbukuruar me mjeshtëri të veçantë nga mësuesi Duro Ibrahimi. Në mjedisin e saj ishte inskenuar një tryezë e rrumbullkët, mbushur me gatime të ndryshme, pra me gjitha të mirat e me përmbajtjen kryesore, traditën e shqiptarit: “Bukë e kripë e zemër”.

Është e pamundur t’i tregojmë këtu numrat e bukur, që u paraqitën para mësuesve, nxënësve dhe prindërve të tyre të shumtë, në një orë të asaj shfaqjeje, si recitime, valle, këngë, skeçe e tjerë. Por dëshiroj të nënvizoj edhe punën e lavdërueshme të mësuesve tjerë, sipas prirjeve të tyre, Refie Bala (muzikë) e Mirela Kulla etj.

Titujt e këngëve dhe recitimeve ishin mjaft domethënës, si: “Nga lindja në perëndim, në jug e në veri, gëzojmë vetëm për ty”, “Gjithë Shqipëria po feston, nga Adriatiku e deri në Jon”, “Porosia e gjyshit: Amanet, Shqipëria!”, “Nuk ka si Shqipëria ime”, “Vendi më i bukur në botë”, “Shqipja ime kuqezi”, “Shqipëri, sat ë dua”, “Erdhi dita e bashkimit” e tjerë.

Ndokush, mund të pyesë: Po,  ndër artistët e vegjël, cilët u dalluan? Kur e kërkuam këtë gjë, drejtoresha dhe organizatorja kryesore e tërë kësaj veprimtarie, mësuesja e talentuar Merita Prenga, e ndien veten paksa ngusht. Pra, nuk dinin se cilët të veçonin nga ata artistë të vegjël, që edhe me mësime janë mirë. Megjithatë, këtu po shënojmë disa prej tyre, duke u kërkuar të falur gjithë të tjerëve dhe duke i përgazuar për shfaqjen e tyre të bukur. Ata janë, kryesisht, nxënës të klasave të teta: spikeret Deniona Prenga e Ilda Met’hasani; vallaret Gerta Mata, Besiana Dybeli , Albana  Nuzi e Irena Elezaj, si dhe Lorent Meta, Armando Ledio e Frenkli Prenga; humoristi Griseld Metallari, këngëtarja Merita Tole, Laura Haxhiaj e të tjerë.

…Kur shfaqjes i erdhi fundi dhe të gjithë ne në sallë i duartrokitëm nxehtësisht artistët e vegjël, shkuam e i takuam ata dhe së bashku bëmë fotografi. Ndërmjet tyre ishte edhe drejtori i zyrës arsimore të Kamzës, nga e cila varet kjo shkollë, Sherif  Koldashi dhe kryetari i Bordit të saj, Bardhyl Metallari.

Me siguri, nga ky  kolektiv mësues-nxënës, të mbështetur nga prindërit, do të organizohen edhe veprimtari të tjera kulturore e artistike, në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Por edhe për një gjë tjetër  jam i sigurtë, se tashmë aty është krijuar, ruhet e çohet më tej, një traditë mjaft e mirë, në ruajtjen e vlerave të mrekullueshme të shpirtit dhe artit popullor kombëtar shqiptar. Prandaj ishte zgjedhur edhe aq bukur e aq domethënës titulli i tërë këtij manifestimi artistik: “Lumja ti, moj Shqipëri, feston 100 vjet Pavarësi!”, për të cilin meritojnë urime dhe përgëzime, dashamirëse e nxitëse.

Tiranë, 25 maj 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch