Home » Lajme, Opinione » Lutfi Haziri ishte “amaneti” apo i preferuari i Presidentit Ibrahim Rugova

Lutfi Haziri ishte “amaneti” apo i preferuari i Presidentit Ibrahim Rugova

Shkruan: Nehat Hyseni

Pas deklarimit publik të Isa Mustafës se nuk do të kandidoj për postin e kryeministrit të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, LDK gjendet para një sprove dhe sfide të fuqishme.

Mbase ky do të jetë rasti i “riprovimit” të kësaj partie, pas “Kuvendit të karrigave” në 2006-tën.

Realisht, Kadri Veseli & Company kishin llogaritur mirë, sipas “kandarit” të tyre, se PDK-së i kishte ardhur “mundësia e shekullit” që ta deklasoj me “nokaut klasik” LDK-në në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017.

Prandaj edhe Kadri Veseli e “preu në besë” dhe e tradhëtoi Qeverinë e Isa Mustafës, duke e ndërprerë mandatin qeverisës 2014-2018, në gjysëm.

Por, sa duket, gjasat janë ideale që kêsaj radhe të mos i del hesapi i paramenduar i Kadri Veselit & Company, ashtu si komploti i tyre kundër LDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kur LDK e humbi komunën e Prishtinës, por një vit më vonë e fitoi Qeverinë e Kosovës!

Kurse tani, Kadri Veseli & Company e ndërprenë mandatin më 10 maj 2017, dmth 13 muaj para skadimit të tij (më 8 qershor 2018), por, mund t’ia sigurojnë kësaj radhe LDK-së mandatin e plotë katërvjeçar të qeverisjes 2017-2021.

Hapi i parë dhe tejet i rëndësishëm drejtë kësaj fitoreje të shumëpritur të LDK-së u arrit me deklarimin dinjitoz të Isa Mustafës në vendlindjen e Presidentit në komunën e Istogut, me rastin e kremtimit të 27 vjetorit të formimit të LDK-së, se “nuk do të kandidoj për postin e kryeministrit”.

Tani mbetet që LDK ta bëjë “hapin e dytë”, dmth caktimin apo nominimin e kandidatut për kryeministër.

Pritshmëritë ogurzeza e tinzare të PDK-së, për fatin e keq të Kadri Veselit & Company dhe për të mirën e Kosovës, si dhe për faqen e bardhë të LDK-së, sa duket, kësaj radhe do të zgjidhet shumë shpejt.

Madje, lista e emrave të lakuar të kandidatëve është mbresëlënëse.

Secili emër është më i mirë dhe më i denjë për këtë post!

Kjo tregon fuqishëm se sa shumë kuadro cilësor ka kjo parti për ta udhëhequr me sukses Republikën e Kosovës, drejtë një qeverisjeje të pakorruptuar dhe për ra dekriminalizuar politikbërje e Kosovës duke e luftuar korrupcionin dhe krimin e organizuar.

Vetëm qeverisja e denjë rugoviane mund ta nxjerrë Kosovën nga gjendja aktuale dhe t’i vazhdoj sukseset fillestare, por shumë domethënëse të qeverisjes në largim, që u realizuan me shumë mund, sakrifica dhe me profesionalizëm e qasje të mirëfilltë problemeve zhvillimore të Kosovës.

Natyrisht se nga të gjithë emrat e shkëlqyeshëm të LDK-së për postin e kryeministrit, duhet veçuar emrin e Lutfi Hazirit, si “i preferuari” i Presidentit Ibrahim Rugova.

Në momentet më të vështira të jetës së tij, kur u detyrua që të largohet nga Kosova, për kurim të sëmundjes së kancerit në mushkëri në një spital të specializuar në Gjermani, Presidenti Rugova e caktoi si zëvendës të tij Lutfi Hazirin, edhepse asokohe ishte tepër i ri në moshë por jo edhe në aktivitete e përvojë partiake, që do t’i koordinonte punët dhe aktivitetet në LDK.

Pra, edhepse thuhet se Presidenti Ibrahim Rugova nuk la pasardhës, realisht, Lutfi Haziri mund të merret si “amaneti” apo i preferuari i tij për t’i prirë LDK-së dhe Kosovës.

Mbase, tani në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, ka ardhur koha që 11 vjet pas vdekjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës të realizohet amaneti dhe vullneti i tij politik, që Lutfi Haziri t’i prijë LDK-së dhe të udhëheq në frymën dhe filozofinë e mirëfilltë rugoviste, me qeverisjen e Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2017 KosovaLindore · RSS · Designed by Kosovalindore · Powered by KosovaLindore