Home » Lajme » MAJKO: MAQEDONIA TË SQAROJË SITUATËN

MAJKO: MAQEDONIA TË SQAROJË SITUATËN

Pandeli MajkoIsh-kryeministri Pandeli Majko, aktualisht deputet i partisë Socialiste në Parlamentin shqiptar, ka reaguar sot për situatën në Maqedoni, duke kërkuar nga autoritetet në Shkup përgjigje të qarta për ndodhitë e përgjakshme në Kumanovë.

Majko mbështeti deklaratën dhe qëndrimin e mbajtur deri më tani nga Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës, ndërsa thotë se i takon Maqedonisë që të sqarojë situatën dhe të tregojë se çfarë po ndodh në Kumanovë.

E gjitha ajo çka po shohim deri tani nga autoritetet e Shkupit është “e mbuluar me një mjegullnajë, dhe njerëzit janë të tmerruar”, tha Majko, duke theksuar se “i takon Maqedonisë që të japë përgjigje të plota lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Kumanovë dhe të mos e bëjnë këtë shërbimet inteligjente”.

 

“Së pari dëshiroj të them se deklarata e Qeverisë Shqiptare ishte shumë e plotë, e cila identifikoi shqetësimin e shtetit shqiptar në radhë të parë dhe të mënyrës se si Shqipëria, por jam i bindur dhe Kosova në vazhdim duke pasur parasysh deklarimet e drejtuesve të shtetit të Kosovës, do ta ndjekin nga shumë afër këtë që sapo ka ndodhur në Kumanovë. Është një ngjarje e mbuluar me mjegullnajë, ajo që duket tani janë njerëzit e tmerruar, gjerësisht shqiptarët, pasi Lagjja e Trimave është një lagje që banohet nga shqiptarë, dhe një aksion i cili titullin e ka policor, por në terma realë është ushtarak. Kështu që i takon Maqedonisë që të japë përgjigje të plota lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Kumanovë. Është mirë që qytetarët dhe opinioni publik që po ndjek situatën në Maqedoni ta marrin vesh ngjarjen tani dhe jo më vonë nga xhirimet apo survejimet e shërbimeve inteligjente. E them këtë pa asnjë sens ironie, pasi hyj te njërëzit që ndihem i dëshpëruar që historia e Maqedonisë po shkruhet nga shërbimet inteligjente dhe jo nga politikanët e Maqedonisë”, tha Majko.

 

Lidhur me këtë situatë Majko thotë se ka pasur deklarata të fryra deri më tani dhe të gjithë presin prova se kush janë këto grupe terroriste për të cilët flitet, nga kanë ardhur, kush i ka strehuar etj.

 

“Ajo që unë kam dëgjuar është pjesa e deklaratave shumë të fryra do t’i quaja për ‘grupin më të rrezikshëm terrorist në rajon që është eliminuar’. Pres të dëgjoj prova se kush është ky grup terrorist, si ka ardhur, pse ka ardhur, kush e ka ftuar, kush e ka strehuar, cili ka qenë informacioni i parë bazë, mbi ç’vendimmarrje është bërë dhe mbi ç’logjikë ka ecur operacioni, sa është pasur parasysh bashkëpunimi me komunitetin. Ajo që dëshiroj tani të them është që shqiptarëve në radhë të parë iu takon të varrosin të vrarët. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia edhe t’i bashkohem edhe heshtjes së kryeministrit shqiptar dje, z.Rama,” tha më tej Majko.

 

Për Majkon, Maqedonia ka përgjegjësi për moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit që është bërë deri diku shkak i këtyre konflikteve të herëpashershme. Ndaj, duke parë këtë situatë, Majko mendon se janë ndërkombëtarët ata që duhet të ndërhyjnë në Maqedoni dhe të garantojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

 

“Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje midis shqiptarëve dhe maqedonasve firmosur në konfliktin e 2002-it por është një marrëveshje e Maqedonisë si shtet me ndërkombëtarët për mënyrën se si ky shtet do të organizohet. Mbase ka ardhur momenti që pas disa qeverive, pas firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia me vullnet të njëanshëm nuk po shfaq arsyetime të plota se pse nuk po e zbaton Marrëveshjen e Ohrit. Tanimë në këtë shtet duhet të ketë një prezencë ndërkombëtare për të qenë garantuese e realizimit të Marrëveshjes së Ohrit si fondament i ardhmërisë së Maqedonisë. Mosrealizimi i saj është shpesh pjesë e problematikës që krijon situata të natyrave të ndryshme. Ky status i shqiptarëve, pra me këtë status që kanë shqiptarët në Maqedoni nuk mund të vazhdojë kështu. Unë nuk jam i parimit që politikanët shqiptarë duhet të mallkohen, sigurisht ata mund të kenë probleme apo mbase dhe gabimet e tyre, por jam i bindur se nuk mund t’i kërkojë deri në fund llogari Ali Ahmeti pse kryeministri i Maqedonisë sillet në një mënyrë apo në një tjetër. Unë mendoj se ajo që ndodh me mosrealizmin e Marrëveshjes së Ohrit është përgjegjësi në radhë të parë e drejtuesve të institucioneve të Maqedonisë dhe nuk kanë të bëjnë me shqiptarët,” tha më tej Majko.

Gjithsesi Majko thotë se reagimi i Qeverisë shqiptare edhe pse mund të duket disi i vakët në sytë e opinionit, duhet të kemi parasysh që shteti nuk mund të reagojë në mënyrë emotive por sipas rregullit diplomatik. Marrëdhëniet njerëzore janë të ndryshme nga marrëdhëniet mes shteteve.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress