Home » Lajme » Marrëveshja KFOR-Serbi, Kosova: E papranueshme

Marrëveshja KFOR-Serbi, Kosova: E papranueshme

Marrëveshja e arritur në orët e mbrëmjes së mërkurë mes KFOR-it dhe qeverisë së Serbisë për heqjen e barrikadave në rrugë dhe për lejimin e lëvizjes së mjeteve deri në 3.5 ton në dy pikat kufitare, në Jarinjë dhe Bërnjak, për qeverinë e Kosovës është e papranueshme.

Në deklaratën e saj, Qeveria e Kosovës thotë se mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve, por shton se mbetet e vendosur për të mos patur kthim mbrapa, pra në gjendjen e para 25 korrikut, kur në Veri u dërguan forcat speciale “ROSU”.

Prishtina vlerëson se marrëveshja bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se është e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikmëri masat e reciprocitetit me Serbinë. Qeveria e Kosovës mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, detyra këto në përputhje me mandatin që ka KFOR-i. Për Kosovën nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga qeveria e Kosovës

Në marrëveshjen e arritur mes komandantit të KFOR-it, Erhard Byhler dhe kryenegociatorit serb, Stefanovic dhe që kundërshtohet nga Prishtina zyrtare, parashikohet:

1) Pikat kufitare 1 dhe 31 do të mbeten nën kontrollin e KFOR deri në mesin e shtatorit, me opsionin e zgjatjes së misionit.

2) Veturat dhe kamionet me peshë deri në 3.5 tonelata, që transportojnë ndihma humanitare, do të lejohen të kalojnë kundrejt kontrolleve të detajuara.

3) Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset.

Për mbajtjen e bisedimeve, në të cilat ka marrë pjesë edhe ministri serb për Kosovën Goran Bogdanovic, gjenerali Byhler kishte autoritetin e plotë të dhënë nga të gjitha institucionet e përfshira.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch