Home » Opinione » MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI DHE PROTESTAT NË LUGINË

MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI DHE PROTESTAT NË LUGINË

Shkruan: Nehat Hyseni

Shikuar nga perspektiva dhe këndvështrimi i Luginës së Preshevës, dialogut Kosovë-Serbi që nga fillimi i ka munguar normaliteti. Sepse, kemi përshtypjen se ai u fillua mbrapshtë,  duke shkelur mbi parimin e reciprocitetit të shqiptarve të Luginës me serbët  e Kosovës . Me këtë i dërgohej botës demokratike mesazh i gabuar, se në këtë pjesë të Ballkanit ekziston vetëm problemi serbëve të Kosovës. Dokumentat e shumëpritura nuk janë miratuar akoma nga Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës, duke pamundësuar kështu njoftimin zyrtarë të instancave ndërkombëtare me kërkesat politike, si dhe me propozimet për zgjidhjen e tyre.

                      Mungesa e normalitetit

Palët negosuese të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, më 19 prill 2013, pas shumë takimesh e bisedimesh, më në fund nënshkruajtën Marrëveshjen për “normalizimin e marrëdhënieve” midis Kosovës dhe Serbisë. Ky akt u mirëprit nga opinion demokratik europian dhe rajonal, sepse, më në fund, shpresuam se do t’iI jipet fund epokës së konflikteve dhe urrejtjes midis serbëve dhe shqiptarve në Ballkan, si dhe do të hapet rruga për normalizimin e jetës në shtetin më të ri të Europës, Republikën e Kosovës.

Shikuar nga perspektiva dhe këndvështrimi i Luginës së Preshevës, këtij dialogu që nga fillimi i ka munguar normaliteti. Sepse, kemi përshtypjen se ai u fillua mbrapshtë, meqë  i ngatërroi punët qysh në start, duke shkelur mbi parimin e reciprocitetit të shqiptarve të Luginës me serbët  e Kosovës, të shumëpërfolur dhe të deklaruar me unanimitet të plotë të faktorit politik shqiptarë të Luginës së Preshevës, që është përkrahur unanimisht edhe nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Mirëpo, sa duket, ky parim nuk u mbështetë edhe nga Prishtina zyrtare dhe nga mbështetësit ndërkombëtarë me rastin e fillimit dhe zhvillimit të Dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, duke e lënë jashtë këtyre bisedimeve dhe duke mos e përmendur çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, si të mos ekzistonte fare ajo.

                                         “Konsenzusi”

Për opinionin mbarëshqiptarë ishte krijuar një huti e kësaj politike “të lartë”, të cilën ata nuk e kuptonin, ashtu si nuk e kuptonte as opinion europian dhe ai botërorë. Kështu, sa më tepër që zhvilloheshin, fillimisht “bisedimet teknike”, ato shndërroheshin në bisedime të thella “politike”, duke qenë si palë negociuese Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë.

Krijohej përshtypja se fillimisht ishte krijuar një konsenzus i fuqishëm midis palëve negociuese dhe ndërkombëtare për vetëm një çështje, e kjo ishte përjashtimi i plotë dhe jo vetëm mospërfshierja, por edhe mospërfillja dhe mospërmendja fare e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës!

Me këtë i dërgohej botës demokratike mesazhi i gabuar se në këtë pjesë të Ballkanit ekziston vetëm problem i serbëve të Kosovës dhe se problem të tjera nuk ka, duke e deformuar kështu skajshmërisht kuptimin modern të demokracisë dhe të barazisë së të gjithëve, pa marrë parasysh përkatësinë racore, etnike, fetare etj. Pra, duke rrënuar parimet dhe të arriturat dhe frytet themelore të demokracisë bashkëkohore, synohej vendosja e “normalitetit” në jetën politike të Kosovës. Ky absurd nuk kuptohej nga askush nga opinion politik e shkencorë jashtë tryezës së bisedimeve.

                               Absurdi i “plusave”të pafund

Pra, në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk ekzistonin fare! Ky mëkat, do të thoja i pafalshëm politik dhe ky absurd, krijoi së paku tre probleme madhore:

1)      E para është se, sipas rregullit, çdo gjë e filluar mbrapshtë, s’ka se si përundon ndryshe, pos me rezultate jo të natyrëshme dhe me zgjidhje politike absurde, jo të drejta, diskriminuese dhe jonjerëzore. Andaj edhe janë të papranueshme për ne shqiptarët e Luginës, dhe jo vetëm për ne. Kuptohet se çdo gjë e filluar mbrapshtë, s’ka se si të përfundoj ndryshe, pos ashtu si  edhe  ka filluar: mbrapshtë. Andaj edhe implementimi i kësaj Marrëveshjeje, sa duket, do të jetë i pamundur dhe absurd. Edhepse ndokend do ta mashtrojnë këto konkluzione absurde, si fraza politike në letër, ato, si të tilla, konsideroj se janë të pamundura për t’u realizuar, duke kërkuar “plusa” sa here që të takohen palët negociuese për t’u marrë veshë (gjoja) për implementimin e tyre.

 

2)      E dyta, mospërfshierja e çështjes së shqiptarve të Luginës krijoi problemin e balancave politike dhe të krahasueshmërisë. Sepse, po të shtroheshin këto dy çështje, pra çështja e shqiptarve të Serbisë me ate të serbëve të Kosovës, si të barabarta, pa e diskriminuar asnjërën palë, do të edukohej edhe mbarë opinion me drejtësinë e treguar dhe me qasjen parimore ndaj problemeve ndëretnike, për të shërbyer më vonë si model dhe praktikë e drejtë politike. Duke mos u përfillur kjo e drejtë themelore e demokracisë dhe duke u diskriminuar në mënyrë mospërfillëse dhe nënçmuese të pales shqiptare, iu lane duartë e lira Serbisë që ta ngrisë “pazarin” deri në absurd. Sepse nuk kushtëzohej dhe nuk obligohej ajo për të njejtën gjë ndaj qytetarëve të vet shqiptarë.

 

 

3)      Përvoja politike në këtë Ballkan të trazuar na mëson se sfidat e injorimit dhe diskriminimit të plotë të njerës palë, mund t’i përngjajnë absurdit Beketian të “pritjes së Godos”,  i cili nuk vjen kurrë, apo i ndërtimit të urës së Rozafës, duke u ndërtuar ditën dhe duke u rrënuar natën. Ngjarjet e fundit lidhur me lapidarian e dëshmorëve të UÇPMB-së nëPreshevë na e dëshmoi këtë, me paraqitjen e revanshizmit shkatërrues në Kosovë, si hakmarrje për grabitjen e tij nga xhandarmeria serbe dhe diskriminimin e shqiptarve në Luginë. Prandaj, mashtrohen të gjithë ata që mendojnë se mund të vazhdojnë deri në pafundësi me injorimin e këtillë të tyre.

 

                    

Mjerisht, kësaj situate të panatyrëshme, të mjerë dhe absurde, vështirë se do t’i vijë ndonjëherë fundi. Sepse, janë krijuar kushtet ideale për paraqitjen në pafundësi të “plusave”: “Ahtisari plus”, “Marrëveshja e 19 prillit plus”, e shumë e shumë plusa të tjerë që do të paraqiten gjatë kohës, deri në pafundësi.

Edhepse Marrëveshja e arritur më 19 prill paraqet maksimimin e të gjitha maksimumeve të parapara me standardet ndërkombëtare për minoritetet, duke krijuar kështu Serbinë Brenda Kosovës. Këto forca zor se do të ndalen para se të arrijnë objektivin e tyre politik, që Kosovën ta bëjnë (sërish) Serbi.

Ndërkaq, faktori politik i Luginës së Preshevës në krye me Ragmi Mustafën, i cili para pakë kohësh  u quajt nga kreu politik i Kosovës si “matrapazë politik”, i “pa denjë”, “mashtrues”, tradhëtarë”, “pa ndjenja kombëtare” e tjera. Pra, u quajtë me epitete më denigruese e poshtëruese, duke i tejkaluar kufijtë e caqeve dhe poshtërimit më banal për mosveprimin e tyre në mbrojtje të lapidarit dhe për mosmbajtjen e premtimeve politike të dhëna para opinionit, për dhënien e dorëheqjes në rast se hiqet lapidari.

Megjithatë, mbetet enigmë e pasqaruar akoma për opinionin e gjerë mbarëshqiptarë se sa ishte i drejtë dhe korrektë ky reagim dhe kjo fyerje e pashembulltë në analet e politikës,  nga kreu politik i Kosovës. Dilema dhe paqartësia u shtua edhe më tepër sidomos me “pritjen vëllazërore” pak ditë më vonë në një tubim partiak ku mori pjesë i tërë lidershipi i Luginës, të cilët as nuk denjuan që të dalin dhe të falemnderojnë mijëra protestues që ishin në rrugët e Prishtinës në mbështeje të Luginës.

Shija e hidhur e mungesës së dinjitetit elementarë moral e politik të tyre, ka mbetur edhe sot e kësaj dite si hije, si zhgënjim i skajshëm dhe dëshprim.

Avazi i vjetër i veprimit politik “kuturu” në Luginë, duke mos përfillur subjektet politike shqiptare dhe duke shpërfillur dhe denigruar çdo formë të veprimit unik dhe institucional të tyre, sikur është trimëruar dhe ka marrë hov më të madh dhe  krahë, në vend që të merrte mësime të domosdoshme nga pësimet dhe gabimet me rastin e keqmenaxhimit dhe keqveprimit, për çka edhe i “fituan” epitetet poshtëruese që u përmendën.

Të zhbllokohet puna e Kuvendit

Kuvendi i këshillëtarëve shqiptarë si organ i përbashkët politik i shqiptarve të Luginës, deri më tani është mbledhur vetëm një herë, duke mos përmbushur nevojën e domosdoshme për miratimin e Platformës së re dhe Propozimit për zgjidhjen e çështjes së shqiptarve të Luginës, duke u haremonizuar edhe me Marrëveshjen Thaçi-Daçiq të arritur në Bruksel më 19 prill 2013.

Kështu, dokumentat e shumëpritura nuk janë miratuar akoma, duke pamundësuar kështu njoftimin e instancave ndërkombëtare me kërkesat institucionale politike të shqiptarve të Luginës.  Është i pakuptimtë bllokimi i punës së këtij Kuvendi nga ana e PDSH-së së z.Mustafa dhe “satelitëve” të tij.

Bllokada e tillë e Kuvendit ka sjellur dëm politik dhe pasoja të pariparuershme për të gjithë. Mosveprimi institucional i shqitarve të Luginës dhe obstrukcionet e përmendura politike nga ana e koalicionit për pushtetin lokal në komunën e Preshevës e kanë bllokuar dhe paralizuar veprimin e suksesshëm politik të të gjithë shqiptarve në nivel të Luginës, duke ofruar protesta në rrugë, që më tepër shërbejnë si farsë politike.

Veprimet e tilla janë shterpe dhe pa rezultate konkrete, meqë nuk janë miratuar paraprakisht dokumentet e domosdoshme politike nga Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë, që pastaj do të mbështeteshin dhe promovoheshin me tubime protestuese masovike, e jo sikur ishte rasti i fundit, kur mezi u tubuan disa qindra protestues.

Mossinqeriteti dhe veprimi krye në veti i kujtdo qoftë, është veprim i papranueshëm dhe shumë i dëmshëm për kauzën tonë kombëtare.

Andaj, nevoitet unitet i plotë i të gjitha subjekteve politike shqiptare të Luginës, si dhe koordinimi i veprimeve të tyre me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, si dhe me faktorin ndërkombëtarë.

One Response

  1. Ganiu thotë:

    O ti zotni, boll shpesh po na del me opinione qe shpesh here po ta kam lakmi por po shihet kjarte se je i ngarkum politikisht edhe ate PVD i flakt po ska randsi kjo se normal qe secili duhet ta perkrah doni parti politike, mirpo kur e mer rolin e opinionistit duhesh me e nda mire shapin pi sheqerit dhe jo mi ja fut kot vetem sa per ta nençmu dike veç pse nuk ju pelqen, kjo per mu nuk eshte ne regull per ju si nje intelektual me titull jo te vogel te shkollimit. Kete po du me ta argumentu sidomos me kete koment kur thua se Ragmiu e paska blloku kuvendin e kshilltareve te tre kuvendeve qe per mu eshte absurd i llojit te vet. Shtrohet pytja pse po them kshtu. Shum e kuptushme se ne kuvendin e fundit qe mbajti ky kuvend i tre kuvendeve doli me nje rregullore ku qarte shihet se kush eshte udheheqes i tij per mandatin e pare dhe kush eshte dasht ta thret kuvendin e tre kuvendeve nese eshte dasht te thirret a edhe un po besoj se eshte dasht edhe ate jo tash per kete proteste qe fatkeqsisht nuk u pershendet nga kryetari qe ju e perkrahni por qysh po shihet edhe pati nje ndikim qe nuk iu pergjigjen nje pjese e simpatizuesve tuaj. Pra kur deshiron ta kritikosh dike nuk behesh i keq edhe nese ne ate kritik e fut edhe njeriun ose partine qe e perkrahni se tekefundit ai njeri se paku po thot se eshte perfaqesues i popullit te ktij rajoni dhe padyshim se ka pergjegjesi pse jo edhe kur behet fjale doreheqja e un po them jo doreheqja por ngrirja e funksionit te deputetit me qeverine dhe parlamentin serb qe jo pak ndikon ne politiken shteterore te serbise po edhe te nderkombetaret e qe njesoj eshte dashte ta benin edhe tjerat parti ken ose jo ne pushtet. per ate pom vjen keq qe nuk je i realte ne vleresime perndryshe po t’ishe ashtu si duhet vertet je per tu pershendetur po e di qe kjo ste ben pershtypje por nuk ka rendesi.
    Respekte

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch