Home » Lajme » Marrëveshjet me Serbinë rikthejnë targat “KS”

Marrëveshjet me Serbinë rikthejnë targat “KS”

Kuvendi dhe presidenca tashmë i kanë në duar konkluzionet e lehtësuesit të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Robert Cooper. 
Dokumenti të cilin Cooper e quan “Konkluzionet e kryesuesit”, përmban 11 pika, për të cilat palët janë pajtuar në Bruksel. 

Në pikën e parë thuhet se qytetarët e të dyjave palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës, raporton KTV-ja.

Në pikën dy thuhet se secila palë do të zbatojë një sistem të kalimit të kufirit të qytetarëve të palës tjetër me letërnjoftime. Krahas fjalës kufi, përdoret edhe shprehja kufi administrativ.  Në pikën tjetër të marrëveshjes, sqarohet se edhe Kosova, edhe Serbia mund të zbatojnë një sistem ku letërnjoftimet do të shoqërohen nga dokumente me shkrim për “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër, të cilët dëshirojnë të kalojnë transit në një shtet të tretë.  Kjo nënkupton që qytetarët e Kosovës lejohen të përdorin pasaportat e Republikës së Kosovës kur të kalojnë kufirin e Serbisë dhe shteteve të saj fqinje.  Gjithashtu, nëse Serbia aplikon dokument përcjellës për letërnjoftimet dhe pasaportat kosovare, në dokument thuhet qartë se këtë masë mund ta aplikojë edhe Kosova për qytetarët serbë.  Në konkluzionet e Cooperit thuhet se targat KS mund të kalojnë në dhe përmes Serbisë, por askund nuk jepen sqarime për targat RKS, nëse ato duhet të mbulohen ose zëvendësohen me targa të përkohshme.

Megjithatë, në pikën 9 të marrëveshjes, thuhet se çdo posedues i automjetit, nëse dëshiron, mund t’i marrë në kufi tabelat e përkohshme. Edhe ky element bazohet në reciprocitet. Nga Serbia është paralajmëruar se nuk do të pranojë që automjetet me targa RKS të hyjnë në territorin e saj pa u mbuluar me targa të përkohshme, një masë të njëjtë kanë të drejtë ta aplikojnë edhe autoritet kosovare për automjetet me targa të Serbisë. Në dokument thuhet se qytetarët e të dyjave vendeve duhet të blejnë polisën e sigurimit kufitar të automjeteve në pikat kufitare, me synimin që të arrihet një marrëveshje për njohjen reciproke të polisave të sigurimit.  Në dokument thuhet se si masë kalimtare, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë vlefshmërinë e targave KS të automjeteve për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh në përfundim të së cilës çështja do të rishikohet nga të dyja palët, me lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet.  Në pikën 7, thuhet se që nga 1 nëntori e tutje, të gjithë qytetarët e Kosovës mund të përdorin vetëm targa RKS ose KS. Të gjitha targat e tjera serbe, të reja dhe të vjetra, nuk do të lejohen nga kjo datë. Kjo vlen edhe për serbët në Veri.

Targa të reja KS mund të lëshojnë vetëm autoritetet e Kosovës, me ndihmën e EULEX-it. Pika 10 e dokumentit nuk ndërlidhet direkt me lirinë e lëvizjes, por përmes saj sigurohet që riatdhesimi i kosovarëve që refuzohen në shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të mos sillen në Serbi, por në Kosovë.  Një marrëveshje tjetër e përfshirë në konkluzionet e Cooperit është edhe çështja e diplomave, konkretisht njohja e tyre. Palët kanë rënë dakord për pranimin reciprok të diplomave universitare dhe shkollore përmes certifikimit të tyre nga një palë e tretë, një organizatë ndërkombëtare, ose nga një institucion arsimor ndërkombëtar. Marrëveshja përfundimtare për këtë do të arrihet në takimin e radhës në Bruksel.  Marrëveshja tjetër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është edhe regjistri civil. Kjo marrëveshje përmban vetëm katër pika. Në të thuhet se do të formohet një komitet i përbashkët, i kryesuar nga EULEX, për të identifikuar zbrazëtirat në librat amzë origjinalë të para vitit 1999, të cilat mungojnë. EULEX do t’i certifikojë të gjitha kopjet e librave amzë, për secilën komunë veç e veç në konsultim me ekspertë nga të dyja palët, nëse kjo kërkohet.  Të tjera marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pritet të arrihen brenda këtij muaji.

Bashkë me konkluzionet e marrëveshjeve të arritura, Qeveria e Kosovës dje ka dërguar  në Kuvend edhe Platformën e saj, në të cilën mbështet këto bisedime. Ajo, zyrtarisht, mban data të muajit mars, që do të thotë se është mbajtur larg opinionit publik më shumë se 4 muaj. Në të shpjegohen parimet e përgjithshme se pse e ka pranuar qeveria e Kosovës nisjen e dialogut me Serbinë, duke respektuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të shtatorit 2010, e duke menduar se dialogu teknik ofron mundësi për implementim reformash në përputhje me legjislacionin e BE-së. Më pas jepen shpjegime se si do të ecën dialogu e se si do të bëhet agjenda, duke shtuar gjithashtu parimet e panegociueshme, që janë se statusi i Kosovës është i zgjidhur dhe se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Aty përmendet plani i Ahtisaarit si e vetmja platformë për rregullimin e të drejtave dhe garancive për komunitetet në Kosovë dhe vihet në pah se serbët kanë më shumë të drejta sesa që u garantohet me dokumente ndërkombëtare. Si objektiva të dialogut jepen përmirësimi i jetës së qytetarëve, fuqizimi i shtetit të Kosovës e avancimi i agjendës evropiane për Kosovën. Platforma flet për ekipet koordinuese që merren me dialog që nisin qysh prej Edita Tahirit, vazhdojnë me Zyrën e Kryeministrit dhe përfshijnë edhe Kabinetin e Presidentes së Kosovës.
Kabineti i Presidentes së Kosovës thuhet se jep kontribut në dialog dhe shërben si lidhje e drejtpërdrejtë mes ekipit të dialogut dhe Presidentes.
Në mars 2011 kur pretendohet se është formuluar ky tekst ,Atifete Jahjaga nuk e ka pasur idenë  se do të bëhet presidente, dhe president ka qenë Behgjet Pacolli.

Kjo mund të vërtetojë  teorinë se Prishtina nuk ka pasur asnjëherë platformë  dhe se e ka përpiluar krejt së fundi, pas presionit të  opinionit publik. Platforma për bisedime u bë histori, pasi që opozita insistoi se nuk kishte një të tillë, kurse qeveria thoshte se e ka. Deri më sot, duket se e ka mbajtur veç për vete.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch