Home » Lajme, Politikë, Vendore » Mbahet Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë, miratohet deklarata politike

Mbahet Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë, miratohet deklarata politike

Sot në Bujanoc, këshilltarët shqiptar të tre Kuvendeve komunale sot në Bujanoc kanë miratuar deklaratën e përbashkët me të cilën kërkohet përfaqësimi i shqiptarëve të Luginës në dialogun e Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në këtë seanc ishin të pranishëm 50 këshilltar shqiptar dhe kryetarët e subjekteve politike përveç kryetarit të APN-së dhe të komunës së Preshevës. Shqiprim Arifi i cili nuk dihet se përse nuk ishte prezent në seancën e sotme.
Në deklaratën e miratuar thuhet:

 

Ne, përfaqësuesit e shqiptarëve të tre Kuvendeve Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, konsiderojmë se në rrethanat kur :

• Vendet e Ballkanit Perëndimor gjenden në procesin e pakthim drejt integrimit në Bashkimin Evropian

• Dialogu i Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë po hyn në fazën finale drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse (juridikisht të obligueshme për të dyja palët)

• Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet rajoni më i diskriminuar dhe ekonomikisht më i pazhvilluar, si pasojë e politikës diskriminuese shtetërore të Serbisë,

Në mbështetje të:

– Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut (1948),

– Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave,

– Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore,

– Referendumit të 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992,

– Marrëveshjes së Konçulit (2001),

– Platformës politike Janarit të vitit 2006,

– Masave urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve (Plani 7 pikësh) të Marsit (2013),

– Rezolutës së Parlamentit të Republikës së Kosovës Majit (2013),

– Vendimit mbi formimin e Asociacionit të shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të Shtatorit të vitit 2015.

Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, mbajtur më 14 korrik 2018 në Bujanoc, aprovon këtë:

DEKLARATË POLITIKE:

Realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, konform standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës si dhe praktikave përkatëse

a) (Ishujt Olland, Tiroli Jugor dhe në Kosovë);

b) Ngritja substanciale e Monitorimit të vazhdueshëm Bashkësisë ndërkombëtare me qëllim të vlerësimit real të pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës;

c) Nga të gjitha palët pjesëmarrëse në dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zgjidhja të kërkohet me aplikimin e parimit të RECIPROCITETIT, me të drejtat e serbëve në veri të Republikës së Kosovës.

Kuvendi konstaton që pa normalizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Prandaj, Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkon nga Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të parashtruara me dokumentet përkatëse në këtë Deklaratë.

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch