Home » Lajme » Mbledhja e dy qeverive, Rama: Ambicia jonë heqja e kufirit Shqipëri-Kosovë

Mbledhja e dy qeverive, Rama: Ambicia jonë heqja e kufirit Shqipëri-Kosovë

Sot në orën 11:00 nisi mbledhja e përkashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës. Nën sloganin “Bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij”, mbledhja mes dy qeverive është mbajtur në Tiranë në “Pallatin e Kongreseve”.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është pritur me të gjitha nderimet shtetërore nga Kryeministri Edi Rama.

Pas ceremonisë së pritjes e cila u zhvillua në oborrin e Pallatit të Kongreseve, dy qeveritë ajo e Kosovës dhe Shqipërisë janë ulur në një tryezë të përbashkët.

Gjatë fjalës së Ramës në tryezën e përbashkët të qeverive, kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar synimi është heqja e kufijve në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas tij, kjo do të arrihet përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve, njëra ndër të cilat është edhe puna e përbashkët mes Ministrive të Brendshme të dy vendeve.

“Nëse i referohemi mbledhjes në Pejë të gjitha dokumentet janë në proces zbatimi ose ato kanë përfunduar. Kontrolli në Morinë funksionon në parimin një pikëkalimi një kontroll. Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të katër lirive të BE-së në rajonin tonë duke filluar nga më e thjeshta, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që MPB-të e dy shteteve të intensifikojnë punën për të krijuar databazën për hyrje-daljet në kohë reale që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin kundër aktiviteteve të paligjshme”, ka thënë Rama.

“Marrëveshja që së shpejti do të firmosim për të lehtësuar procedurat doganore mes dy shteteve na çon në destinacion, shndërrimin e portit të Durrësit në një port defakto të Kosovës”, ka thënë Rama.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti u shpreh gjatë fjalës së tij se pandemia e Covid-19 goditi fort sistemin shëndetësor, ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Megjithatë, Hoti deklaroi se rënia ekonomike për Kosovën pritet të jetë nga -1% deri në -3%, nga -11% që ishte parashikimi në muajin Qershor.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka falënderuar homologun e tij shqiptar Edi Rama për pritjen vëllazërore.

Hoti tha se bashkëpunimi me Shqipërinë është i natyrshëm dhe pret që sa më parë të finalizojë marrëveshjet e arritura.

“Së bashku drejt integrimeve euroatlantike. Falënderoj përzemërsisht kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e tij për pritjen vëllazërore. Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm, dhe pres që sa më parë t’i finalizojmë marrëveshjet e arritura, për të zgjeruar kështu horizontet e bashkëpunimit në mes të dy vendeve”, shkroi Hoti.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch