Home » Lajme, Ndërkombëtare » Mbledhja komemorative në nderim të veprës së prof. Beqir Sadikut

Mbledhja komemorative në nderim të veprës së prof. Beqir Sadikut

Ceremoni mortore për Beqir Sadikun

 

VENDOSI GURË TË MËDHENJ NË THEMELET

E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

Beqir Sadiku ishte një veprimtar i devotshëm në Suedi. Për 7 vite ishte kryetar i Lidhjes Demokratrike të Kosovës, dega në Suedi, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri”, dega në Suedi, mësues shembullor dhe bashkëpunëtor  besnik i presidentit historik dhe shpirtëror të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës.

 

Më 2 dhjetor 2012 në Kristinehamn të Suedisë në moshën 63-vjeçare u nda nga jeta Beqir Sadiku nga fshati Zhabar i Epërm i Mitrovicës, me qëndrim të përkohshëm në Suedi.

    Prof. Beqir SADIKU

 

Për ta nderuar dhe përkujtuar veprën e tij, komuniteti shqiptar në Suedi në bashkëpunim me familjen e të ndjerit më datë 5 dhjetor 2012 në Kristinehamn të Suedisë organizoi dhe mbajti një ceremoni mortore në të cilën ishin të pranishëm shumë veprimtarë shqiptarë me qëndrim në Suedi, bashkëpunëtorë e bashkëveprimtarë të të ndjerit, miq e dashamirë shqiptarë e suedezë dhe familjarët e tij.

Kryetari i Këshillit organizativ të ceremonisë mortore, zoti Hysen Ibrahimi , pasi kërkoj që të mbahet një minit heshtje për të nderuar vepërn e Beqir Sadiikut,

prezantoi të dhëna interesante nga jeta dhe veprimtaria e Beqir Sadikut. Që në fillim ai nënvizoi: ”Beqir Sadiku, Baca Beqë, ishte njeriu i cili gjatë dy dekadave në Suedi, asnjherë nuk u ndal së vepruari për çështjen kombëtare shqiptare dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.”

Beqir Sadiku ishte i lindur në vitin 1949 në Zhabarin e Epërm, komuna e Mitrovicës, kishte kryer fakultetin filologjik, dega e gjuhës shqipe dhe kishte punuar në arsim nëpër shkollat e komunës së Mitrovicës. Në Suedi kishte emigruar në vitin 1991 ku menjëherë i ishte rrekur veprimtarisë atrdhetare në shërbim të Kosovës, duke realizuar themelimin e LDK-së më Kristinehamn, hapjen e shkollës shqipe të mësimit plotësues dhe duke i organizuar shqiptarët në nivel lokal dhe më gjer, kurse nga fundi i vitit 1994, e deri në vitin 2001 ishte kryetar i LDK-së dega në Suedi. Disa vite me radhë ishte edhe kryetar i LASH-it ”Naim Frashëri” dega në Suedi. Ishte organizator dhe pjesëmarrës e orator në shumë demonstrata të shqiptarëve në Skandinavi.

Në vazhdim Hysen Ibrahimni nënvizoi: ”Beqir Sadiku theksonte se në veprimtarinë e tij atdhetare ka pasur bashkëpunëorë të shkëlqyeshëm, të pakompromis si: Fejzë Halilin, Qibrije Hoxhën, Hysen Ibrahimin, Osman Ahmetgjekajn, Muhamet Shatrin, Fetah Bahtirin, Haki Musliun, Sinan Hasanin, Ali Rexhepin, Avdi Ramën e shumë e shumë veprimtarë të tjerë.

Nënvizon edhe kontributin e madh për shqiptarët dhe çështjen shqiptare të cilin e kanë dhënë edhe suedezët Ullmar Qvick, Göran Wassenius, Göran Persson, Marianne Kordes, Anna Lindh etj.”

Veprimtari Osman Ahmetgjekaj mbajti fjalën mortore për figurën dhe veprimtarinë atdhetare të Beqir Sadikut dhe për bashkëpunimin që kishte pasur me te për një kohë të gjatë dhe me emocione revokoi kujtime nga fusha të ndryshme të veprimtarisë në kuadër të LDK-së, të LASH-it dhe më gjerë. Osman Ahmetgjekaj, ndër të tjerat theksoi edhe sa vijon:

”Beqir Sadiku në Suedi na priu në të gjitha aksionet e Lidhjes Demokratike të Kosovës kryetar i së cilës ishte për 7(shtatë) vite me radhë. Kurrë nuk hezitoi të gjendet aty ku e kërkoi nevoja, në ballë të proceseve, në ballë të demonstratave për sensibilizimin e opinionit suedez dhe më gjerë, për ndërtimin e lirisë dhe të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

 

Me dashuri e përkushtim si kryetar për shumë vite i priu edhe Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri” dega në Suedi dhe kështu shpërndau dashuri, dritë, ngrohtësi dhe dije te fëmijët tanë. ”

 

Në ceremoninë mortore me plot emocione kujtimet i revokoi edhe Fetah Bahtiri. Përpos të tjerash, ai ceku: ”Rastisi që këtu në Suedi të punonim e bashkëpunonim për plot dy decenie. E ftoja Beqir Sadikun në Uddevalla që të fliste para demonstruesve shqiptarë të cilët kërkonin liri e pavarësi, e Beqa udhëtonte shumë kilometra, ndodhej në ballë të demonstratave në Kungstorget të Uddevallës e gjetiu dhe shkëlqente me fjalimet e tij.

 

Bashkëpunova me te në fushën e shkollës shqipe të mësimit plotësues dhe ai gjithmonë ishte i papritueshëm dhe i angazhuar deri në maksimum.

Na shërbeu ne, bashkëpunëtorëve të tij, u shërbeu të gjithë fëmijëve tanë, u shërbeu të gjithë shqiptarëve, i shërbeu Kosovës dhe në themelin e krijimit të Republikës së Kosovës vendosi gurë të mëdhenj të cilët nuk do të mund t`i rrënojë kurrë asnjë stuhi.

Beqa shkoi. Ne na la keq. E la keq edhe familjen e tij.

Mirëpo, burrat si Beqir Sadiku nuk vdesin kurrë. Ata jetojnë përgjithmonë në kujtesën e komunitetit shqiptar në Suedi dhe më gjerë.”

Zymer Qupeva theksoi në mënyrë të veçantë: ”Humbja e këtij njeriu, është një humbje e madhe për ne shqiptarët në Suedi, e në radhë të parë për familjen Sadiku dhe shoqërinë tonë në përgjithësi. Të punosh dhe veprosh me Beqir Sadikun, ka qenë nderë por edhe privilegj. Ishte dhe mbeti në filozofinë e Presidentit historik dhe shpirtëror të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.”

Për veprimtarinë atdhetare e politike të Beqir Sadikut në Suedi folën miqtë e shqiptarëve Anders Wessman dhe Göran Wasseniu, e Eva Broberg, rektore e shkollës në Kristinehamn shprehu admirim dhe respekt të pashoq edhe për punën profesionale si mësues në shkollën të cilën ajo e drejtonte në Kristinehamn.

Në emër të familjes foli e bija e tij, zonja Burbuqe Sadiku. Ajo falënderoi komunitetin shqiptar për organizimin e kësaj ceremonie mortore dhe të gjithë të pranishmit të cilët në këtë mënyrë ia zvogëlonin dhembjen familjes për humbjen e kryefamiljarit. Burbuqja i lexoi edhe disa vargje të cilat babai i saj, Beqiri, i kishte shkruar vetëm pak çaste para se të ndahej prej nesh. Këto vargje zgjuan emocione dhe shkaktuan lot te shumica e pjesëmarrësve në ceremoni. Ja si tingëllojnë ato:

 

Po këndon zogu n´mal,
Po këndon një këngë plot mall.
Ç`ke mor zog i lirë në mal,
Çka t´bëj pra unë n`spital.
Eja këtu t`i ndërroj dy fjalë.
Eja zogu i zemrës sime,
Eja ha pak thërrime,
T´i kam vënë në dritaren t´ime.
Ha o zog se ke një provë,
Rrugë e gjatë kjo për Kosovë.
Çoj n`Kosovë këto dy fjalë
Një në Banjë e një n`Zhabar…

Shtator 2012, Shkruar në Spitalin e Karlskogas, Suedi
(Dërguar motrës së vogël në Banjë të Mitrovicës)

Në ceremoninë mortore u lexuan edhe disa mezazhe, letra e telegrame me të cilat shpreheshin keqardhje dhe ngushllime për humbjen e madhe të komunitetit shqiptar në Suedi. Këto i drejtoheshin familjes, por edhe tërë komunitetit shqiptar në Suedi, Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri” dega në Suedi, Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi ”Papa Klementi XI Albani” etj. Disa nga telegramet të cilat u lexuan në ceremoninë mortore ishin ato të dërguara nga Dr. Isa Mustafa, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë, Yllka Beçi, Kryetare dhe Prof. Murat Gecaj Sekretar i Përgjithshëm, zoti Lulzim Peci, ambasador i Republikës së Kosovës në Suedi, albanologu Ullmar Qvick, miku i madh i shqiptarëve, Bedri Paci, kryetar shumëvjeçar i LASH-it dega në Suedi, shkrimtari nga Tirana Viron Kona, Sadri Ferati, kryetar i LDK-së, Mitrovicë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës etj.

Të gjitha mesazhet, letrat dhe telegramet, i autorizuar nga Këshilli organizativ i ceremonisë mortore, i lexoi Dr. Refet Nura, për çka i shprehim falënderime të sinqerta.

 

Në emër të Këshilli Organizativ të Komunitetit Shqiptar për Suedi

Prof. Fetah BAHTIRI

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch