Home » Kulturë, Lajme » MBRESA NGA NJË “DREKË LETRARE”, NË BREGDETIN E DURRËSIT…

MBRESA NGA NJË “DREKË LETRARE”, NË BREGDETIN E DURRËSIT…

( Nën kujdesin e mikut, Kadri Tarelli)

Nga: Murat Gecaj


B.Gashi, V.Papaj,V.Kona, M.Gecaj etjNga e majta: B.Gashi, V.Papaj,V.Kona, M.Gecaj,B.Saliasi, K.Tarelli, A.Bajrami,   A.Kuçi e Sh.Topallaj (Durrës, 19 tetor 2015)

1.

Kishte disa ditë që, kolegu e miku ynë i përbashkët, Kadri Tarelli, arsimtar veteran e publicist i njohur, e kishte “projektuar” një takim të ngrohtë, ndërmjet disa krijuesve ose, siç po dëshiroj ta pagëzoj tani, një “drekë letrare”. Nuk ishte hera e parë, që ai e bënte një gjë të tillë. Megjithatë, kësaj radhe kishte një arsye tjetër të përligjur. Pra, jo shumë kohë më parë, ai bëri një operacion jo aq të vështirë, aty në qytetin bregdetar, por që pas tij iu desh të qendrojë afër tri javë në spital. Sigurisht, lidhjet me mikun tonë nuk i ndërpremë, në ato ditë  të pakëndshme për të. Dikush i bëri vizitë në spital, ndërsa të tjerë i telefonuan, për ta mësuar gjendjen e tij shëndetësore, por edhe për t’ia larguar sadopak mërzinë njohur, që përjeton secili, kur ndodhet brenda mureve të një spitali.

Ndoshta, u zgjata paksa, në këto radhë hyrëse. Ndërsa, po e zbuloj këtu një “sekret”. Megjithëse dje ne u takuam me Kadriun dhe kaluam së bashku jo pak orë, me sa di unë, asnjëri nga ne nuk pyeti as nuk bisedoi, për sa tregova më lart. Pra, dashur pa dashur, sikur e lamë të gjithë pas krahëve ose në harresë, atë që kishte ndodhur. Kjo gjë erdhi se, për fat të mir, miku ynë Kadri tani është i shëruar e në gjendje të kënaqshme shëndetësore dhe urojmë që ai të jetë i tillë, përgjithnjë!

2.

Pasi gjatë udhëtimit ishim lidhur 2-3 herë me celular, kur zbritëm nga autobusi i linjës Tiranë-Durrës, unë dhe miqtë e mi, Viron Kona e Bashkim Saliasi, e takuam Kadri Tarellin në stacionin e trenit. Sakaq, aty ia mbërriti me veturën e tij, ish-drejtori i një gjimnazi të atij rrethi bregdetar, Bajram Gashi. Kështu, të katër shkuam në afërsi të Detit Adriatik, përballë Universitetit të Durrësit. Me shaka, i thamë mikut tonë vlonjat, Vironit, se ai nuk shkëputet ose nuk qetësohet dot, pa dëgjuar  shushurimën e valëve të Adriatikut…

Kur po ecnim drejt një lokali mikpritës, në bregdet, pamë që aty na prisnin kolegë e miq të tjerë, të cilët i kishin të njohur që më parë. Sigurisht, kjo ishte një suprizë tjetër e Kadriut dhe  befasi e këndshme për ne. Ja, po ua tregoj emrat e atyre, që tashmë janë të njohur, në fushën e letrave dhe të botimeve: Vaso Papaj, Shpend Topallaj e Agim Bajrami.

Pasi kishim zënë  vend rreth dy tavolinave, duke përshëndetur e kërkuar të falur për vonesën e saj të përligjur, aty mbërriti poetja Merita Kuçi-Thartori, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare”14 Nëntori” të Durrësit. Me atë, ishim takuar e njohur edhe më parë, pra kur shkollën e saj e vizituam bashkë me arsimtarin e krijuesin e njohur shqiptar, me banim në Boras të Suedisë, Sokol Demaku.

Si për ta “ëmbëlsuar” tërë takimin tonë, Merita na vuri përpara disa pasta, që i shijuam të gjithë me kënaqësi. Ndërsa Bajrami na gostiti me produkte nga shtëpia e tij në fshat, si djathë dhe speca turshi me gjizë, aq të kërkuar, sidomos gjatë pijes. Nuk mund të lë pa përmendur këtu, se unë u “vetëpërjashtova” nga mezetë, me peshk e prodhime deti edhe pse jam rritur brigjeve të Valbonës kaltëroshe. Ka vite që nuk e ha peshkun, edhe pse në fëmijëri shpesh i kam ngrenë troftat pikaloshe, që i zija me koshin e thuprave të shelgjeve, i shoqëruar nga bashkamoshatarët e mi?!

Kur tavolinat u mbushën me gjitha të mirat dhe ngritëm dollitë  e para, bisedat tona morën “zjarr”. Kadriu nuk harroi ta çonte shëndetin edhe për një të ftuar tjetër, në këtë takim, pra për arsimtarin e publicistin Sejdo Harka, i cili nuk mori dot pjesë, për arsye familjare. Siç mund ta nënkuptojë secili lexues i këtyre radhëve, pothuajse tërë kohën, bisedat tona u sollën rreth krijimeve e botimeve tona, për letërsinë e artin etj.

Ndërsa mjedisi u gjallërua më tepër, kur fjalën e morën poetët. Ata nuk mbajtën “fjalime”, por nisën të lexonin poezi të tyre,  sigurisht, ndër më të zgjdhurat. Kështu, recituan bukur e me pasion: Vasoja, Shpendi e Agimi. Përkrah kishim edhe Meritën, e cila nxori nga çanta disa fletë të thjeshta, ku e kishte të derdhur frymëzimin e saj poetik. Kështu, ajo recitoi me pasion e frymëzim, dy-tre krijime të bukura të saj.

Ju kërkoj ndjesë këtyre kolegëve, që nuk arrita t’ua shënoj dot titujt e poezive të tyre, që recituan. Por nënvizoj se ato ishin me tamatikë të larmishme, që nga ajo atdhetare e shoqërore, për dashurinë etj. Pas çdo rectimi, nuk munguan as duartrokitjet tona, në shenjë pëlqimi e miratimi, si të poezive dhe recitimeve.

3.

Nuk dua të zgjatem më shumë, në këto pak radhë, por tregoj se, pasi qendruam aty jo pak kohë, me pëlqimin e të gjithëve bëmë një shëtitje pranë brigjeve të Adriatikut.Me atë rast, së bashku, bëmë  disa fotografi, për t’i patur kujtim nga ajo “drekë letrare”. Vërtetë ajo u organizua, ashtu si spontanisht, por na la mbresa të pashlyera në kujtesë. Prandaj, falënderimi ynë shkon, së pari, për “sebeçiun”, kolegun e mikun tonë të përbashkët, Kadri Tarelli. Gjithashtu, e falënderojmë mikun Sh.Topallaj, i cili na dhuroi, me nënshkrim, disa libra të tij, si: “Ironia e moshës”(poezi të zgjdhura), “Unë kam qenë në Mat’hauzen”(roman biografik, për tropojanin Ahmet Zenel Çekaj) etj. Mirënjohje shprehim edhe për arsimtarin veteran, B.Gashi, i cili na shoqëroi, me makinën e tij, deri në kryeqytet. Kënaqësi ishte për mua, kur sëbashku  e sollëm në kujtesë këngëtarin e njohur popullor, Dervish Shaqja e ai më dha një kopje të shkrimit, shoqëruar me dy fotografi, që ka publikuar, “Dervish Shaqja: 30 vjet, në dorë sharki, zemrën në Kosovë dhe vetë në Shqipëri”.

…Urojmë e shpresojmë që, përsëri e përsëri, ne do të shihemi, të çmallemi e të bisedojmë përzemërisht me njëri-tjetrin dhe, pse jo, të recitojmë e të këndojmë, së bashku. Se kështu jeta jonë bëhet më e bukur, merr ngjyrat e kaltra të Adriatikut dhe të luleve plot aromë, që ndodhen pranë tij.

Tiranë, 20 tetor 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch