Home » Ndërkombëtare, Shëndetësi » MBRESA NGA NJË KONGRES EUROPIAN PËR MJEKËSINË, NË AMSTERDAM

MBRESA NGA NJË KONGRES EUROPIAN PËR MJEKËSINË, NË AMSTERDAM

Dr.L.Peppo

Dr. Leonidha Peppo

mjek kardiolog, Poliklinika nr.4-Tiranë

Dr.L.Peppo

1.

Para disa ditësh, në kryeqytetin Amsterdam, të Mbretërisë së Holandës, u  organizua Kongresi më i rëndësishëm i Kardiologjisë  Evropiane. Ky vend nordik  ka një sipërfaqe prej 41.500 km katrorë dhe një popullsi  me mbi 16.5 milionë banorë.

Në atë Kongres  merrnin pjesë kardologët më të njohur e të shquar europianë, por edhe të tjerë. Sigurisht, ndër ta, kryesorët ishin amerikanët, të parët si gjithmonë, në  çdo fushë të jetës. Por, gjithashtu, u  bë një grup i madh mjekësh tanë kardiologë, të cilët merrnin pjesë në këtë veprimtari me shumë interes për të gjithë. Sepse, tashmë, është bërë e zakonshme, që mjekë shqipëtarë të jenë aktivë në këto kongrese të rëndësishme.

Sigurisht, ajo që pohuam më lart, bëhet e mundur nga mbështetjet e pakursyera, që japin kompanitë farmaceutike, që punojnë në Shqipëri. Kështu, psh, kësaj radhe grupi ynë i madh u sponsorizua nga Kompania Berlin Chemie” dhe “Menarini Group”, që u jemi shumë mirënjohës. Ato janë përkrahësit e përhershëm të mjekëve tanë, që të marrin dije të reja shkencore  mjekësore dhe pastaj t’i praktikojne ose t’i venë në jetë në vendin tone, i cili ka shumë nevojë aktuale për to.

Kështu mund të përmendim edhe grupe të tjera mjekësh shqiptarë, që janë sponsorizuar nga firmat e kompanive të ndryshme farmaceutike, si Novartis (kompania e parë, që ka sjellë në Shqipëri preparate moderne në trajtimin e hipertensionit, siç janë Arb, me perfaqësues Diovan), të cilat tashmë, në kuadrin e tregut të lirë dhe konkurrencës, janë të shumta, si në Shqipëri e kudo. Se kjo formë është e përgjithshme dhe kështu funksionon kudo në botë. Bile edhe zbulimet e rëndësishme shkencore mjekësore  ose fusha të tjera sponsorizohen nga kompani të ndryshme, që i kanë mjetet monetare për të ndihmuar këto ndërmarrje të rëndësishme për njerëzimin.

Disa nga ne, mjekët shqiptarë, ishim për herë të parë në Amsterdam. Megjithatë, përvoja e dr. Gëzimit e Matjanit, por dhe e të tjerëve, para se të njiheshim me qëllimin kryesor të udhëtimit tonë, pra punimet e Konferencës, na e lehtësonte shumë për të parë dhe shijuar gjeografinë, ndërtimet, muzetë e shumtë parqet, me shfaqje të natyrave  të ndryshme. Mosha jonë tërhiqet, domosdo, nga emri i famshëm i  skuadrës së futbollit, “Ajax”, që  ka bërë namin në vitet ’70-të shekullit të kaluar,  duke fituar gjithçka dhe që mbahet mend edhe tani, si më e mira e të  gjitha kohërave, me Kruifin fluturues. Stadiumi “Amsterdam  Arena”, një vepër arkitektonike artistike tepër funksionale, na mahniti të gjithëve.

2. 

Pallati i Kongreseve, tepër i madh, me planimetri sallash tepër të qarta në harta, por që kërkonte kohë të shkoje nga një sallë në një tjetër. Atje do të ndiqnim, sipas interesave të secilit,  temat për çështjet kardiologjike, të zbatueshme edhe në Shqipëri. Pra, për ato ishte vëmëndja jonë më e madhe. Sepse duhet thënë që jo të gjitha arritjet në vëndet e zhvilluara ekonomike dhe shkencore, si SHBA, Francë, Angli, Gjermani, Itali etj.,  kanë zhvillime e zbatime praktike në vendin tonë.

Dr.L.Peppo me shoke

Bashkë me kolegët tanë, në sallën shqiptare të Kongresit…

Interesante ishte se sallat, ku mbahen ligjëratat, ju vihen emra të qyteteve të ndryshme. Kështu, për herë të parë, ishin sallat me emrat ”Tirana” dhe “Prishtina”. Kjo gjë u arrit me këmbënguljen e kardiologut të njohur shqiptar, Adnand Kastrati, me qëndrim e punonjës në Mynih të Gjermanisë dhe drejtorit të “Berlin Chemie” , z. Payam Payman. Sigurisht, ne të gjithë shkuam për ta parë dhe, domosdo, ishim krenarë për njohjen e shteteve tanë shqiptarë edhe nëpërmjet këtyre formave. Tema të tilla, si “Efekti i kolkicinës në parandalimin e fibrilacionit atrial,  pas Bypass”, i mbajtur nga grupi belg. Ky, është me shumë interes për kardiologët tanë. Kjo sepse, tashmë, në vëndin tonë bëhen me plot sukses edhe shumë operacione Bypass.

Temë tjetër interesante, që diskutohet gjerësisht në veprimtari të tilla shkencore mjekësore, është denervimi simpatik renal, në hipertensionin rezistent, referuar nga mjekët: anglez, danez, polak e austriak. Ndërsa tema të tjera ishin dëmtimet valvulare të zemrës, për kurimin dhe zëvëndësimin  e tyre, pa ndërhyrje kirurgjikale.

3.

Pas orëve të frytshme e të lodhëshme në Kongres, na u dha plotësisht dhe me ndërgjegje të qetë, e drejta që ta vizitonim Amsterdamin e mrekuellueshëm, këtë “Venecie të Veriut”, siç quhet. Ai rrethohet me dhjetëra kanale, kështu quhen ato ujëra të kripura, pra detare, të cilat lidhen me qindra ura, duke marrë edhe nga deti. Kështu zgjerohet ky qytet i ndërtuar mbi 150 ishuj, siç thuhet, në vitin 1200.

Amsterdami-qëndër, është i jashtëzakonshëm, me stacionin qëndror për trena tramvaj, metro e mijëra biçikleta. Kështu,  vetëm ecja më këmbë të bën t’i shijosh plotësisht gjithë ndërtimet, stilet e banesave, zyrave e muzeve. Kurse për udhëtimin ujor shërbejnë anije. Me rreth 15 euro, për 1 orë, me ato përshkon shumë kanale, duke e parë qytetin edhe nga uji. Kudo të vinte në sy pastërtia shembullore, si  në rrugë, banja, kopshte, kampuse etj.

Ndërkaq, përfytyroja vendin tim, ku kultura në rritje do të zhvillohet, që edhe ne të mësohemi të mbajmë pastërti të tillë. E veçanta, por edhe qesharake për ne, ishin disa urinarë,  ku shiheshin burrat nga të trija anët, që kryenin nevojat e tyre vetjake në mes të trotuareve, me popullim të madh. Kurse për gratë kishte rrjeta jeshile. Ishte kjo një çudi ose veçanti, që se kemi parë në gjithe ato vënde,ku kemi shkuar.

Në qëndër të qytetit  shihet shtatorja e Amsterdamit, më tutje, duke ecur dy- tre minuta në këmbë, shkohej për te zona, që thirrej “ Distrikti i kuq”. Pastaj vijojnë me dhjetëra lagje, qendra,  rrugica dhe  rrugë buzë kanaleve, ku ekspozohen femra të bukura, me rreth 99% të trupit lakuriq, por pas xhamave, që i ftonin klientët për t’i parë! Poshtërim të kësaj natyre të femrave nuk kam parë askund. Ishin në mosha të reja, por edhe të moshuara. Gay ose transvestite pozonin para turmave, si pelegrinazhë,  që shërben kundrejt shpërblimit. Na la përshtypje të keqe dhe neverie kjo pjesë e rëndësishme e qytetit. Se, Amsterdami i bukur, ka edhe këtë pamje trishtuese e mënyrë  jetese “modern” . Pyetja e natyrshme, që të shkon menjësherë në mëndje, është: “Vallë, çfarë bëjnë ato vajza, kur të rriten?!”

…Pastaj kthehemi te Kongresi ynë, ku mjekët shqipëtarë takohen me kolegë të njohur më pare, gjatë specializimeve në vënde të ndryshme ose që janë takuar në ngjarje të kësaj natyre, duke na dhëne kënaqësi të madhe.

Kthimi në Atdhe, në shtëpitë tona, ishte çasti më i pëlqyeshëm dhe më i mirëpritur. Sepse këtu në Shqipërinë tonë të bukur ndjemë qetësinë shpirtërore dhe sigurinë, që na i jep vendlindja, jeta jonë e përditëshme dhe familja.

Sigurisht, pas gjithë asaj përvoje mjaft të çmuar, të përjetuar në atë Kongres Europian,  e ndjenim edhe se ne, mjekët kardiologë shqiptarë, tani do të jemi më të aftë profesionalisht, për t’u shërbyer sa më mirë pacientëve tanë.

( E dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch