Home » Opinione » “MBRETËRIA” E ÇOLIQIT NË SHQIPËRI!

“MBRETËRIA” E ÇOLIQIT NË SHQIPËRI!

AFRORE SHAIPIAFRORE SHAIPI

(gjimnaziste nga Presheva)

 

“MBRETËRIA” E ÇOLIQIT NË SHQIPËRI!

 

 

“Arti duhet t’i paraprijë politikës” ky ishte justifikimi i disa shqiptarëve që e mbështetën ftesën e Zdravko Çoliqit në spektaklin shqiptar në TV Klan. Parimisht të gjithë jemi dakord se arti duhet të jetë nje hap përpara politikës, por ama në rastin e fundit nuk ishte personi i duhur, në vendin e duhur dhe kohën e duhur.

Shqiptarët, sidomos ata jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk ishin ende gati të shikonin sesi një serb pritet me aq entuziazëm e ngrohtësi në një festival shqiptar, të dëgjonin ato fjalë e epitete që e ngritën në qiell këngëtarin serb, i cili realisht nuk u duk i jashtëzakonshëm; të shikonin sesi ata 300 veta që ishin në sallë “u çmendën” e veç sa s’u ngjitën në skenë bashkë me të teksa kërcenin me aq shumë energji nën tingujt e këngës serbe, e cila sinqerisht nuk meritoi kaq shumë brohoritje. U duk qartë se ata mezi paskan pritur të kenë para syve idhullin e tyre, Zdravko Çoliqin! Për më tepër u thonë kosovarëve “Turp të keni që keni braktisur këtë festival”, “Zdravko nuk ishte këngëtar nacionalist”, “Çoliq s’ka faj për krimet e Serbisë”, “Zdravko ishte pacifist”…duke i dhënë kështu një shuplakë vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës.

Më falni por, ku e shihni ju qëndrimin pacifist të Çoliqit? Meqenëse arti i paraprin politikës, përse nuk morën guximin Zdravko Çoliqi dhe kolegët e tij artistë, të kërkojnë falje për gjithë ato krime e masakra të kryera nga shteti i tyre në Kosovë? Mbi 10 mijë shqiptarë të vrarë, rreth 20 mijë gra të dhunuara, mijëra të zhdukur, mbi 1 milion shqiptarë të shpërngulur nga shtëpitë e tyre…dhe asnjëherë deri tash nuk u dëgjua zëri i këtyre artistëve pacifikë, s’u dëgjua një këngë apo një vepër arti kushtuar vuajtjeve të gjithë atyre njerëzve të pafajshëm që ranë viktima të tragjedive të shkaktuara nga Serbia. Ishin po këta artistë paqësorë e për të cilët arti duhet ndarë nga politika, që këndonin nëpër koncertet e organizuara nga politika e atëhershme pas masakrave të kryera, zbavitnin dhe motivonin edhe më tej paramilitarët serbë dhe ishin kundër bombardimeve të NATOs. Pra, ky “qëndrim i tyre pacifist” nuk u doli në mbrojtje vlerave të humanizmit, atyre vlerave që i dalin në mbrojtje artistët e mirëfilltë.

Nuk duhet përzier arti me politikën, por të gjitha ato vrasje, humbje e dhimbje, tragjedi e tmerre të luftës, në fund të fundit nuk janë as politikë, as art, por ndjenja të thella shpirtërore që kërkojnë respekt dhe mbështetje. Arti duhet të shërbejë për t’i zbutur dhimbjet njerëzore, e jo për t’i ringjallur urrejtjet për të kaluarën e dhimbshme, e këtë gjë “Klani” duhet ta kishte parasysh para se të ftonte një këngëtar serb në një festival të këngës shqipe. Meqë gabuan njeherë, mos të gabojnë përsëri duke akuzuar këngëtarët e Kosovës për tërheqjet e tyre. Vendimi i tyre ishte dinjitoz, sepse treguan se arti i tyre bashkëjeton me ndjenjat e qindra e mijëra vendasve që i përfaqësojnë.

Natyrisht që arti duhet respektuar dhe vlerësuar në bazë të meritave, pa dallim kombi a feje. Por arti i nje serbi, kroati, slloveni a cilitdo inidvid të një etnie tjetër, mund të respektohet pa patur nevojë të ftohet si mysafir special i një festivali. Në qoftë se do të organizohej në Shqipëri ndonjë festival në nivel ndërkombëtar, qoftë edhe vetëm ballkanik, sigurisht që meritojnë të ftohen edhe artistë serbë dhe të mirëpriten njësoj, si gjithë të tjerët. Por, të ftosh mysafir special një këngëtar serb në një festival ku promovohet muzika e mirëfilltë qytetare shqipe, ku marrin pjesë këngëtarët më eminentë të të gjitha trevave shqiptare me këngët më të mira popullore shqipe, është e tepërt. Madje, ta ftosh atë dhe të argëtohesh pa fund me muzikën e tij, ndërkohë që pjesa tjetër e shqiptarëve me lot në sy kujtonin 15 vjetorin e eksodit të kosovarëve e kur edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të hapen varreza masive e të nxirren eshtrat e qindra njerëzve, kjo është fyese dhe e pandershme. Në vend që dhimbja e tyre të bëhej më e lehtë, plagët u trazuan edhe më tej kur në një prej televizioneve më të mira shqiptare, performohej, këndohej e vallëzohej serbisht. A thua kanë menduar organizatorët dhe vetë Pandi Laço si njohës i mirë i muzikës, se si janë ndier të gjitha ato nëna e baballarë, motra e vëllezër, bij e bija që i kanë humbur më të dashurit e tyre në luftën, së cilës i thurrej lavd në veprat e këtyre artistëve?  Kanë kaluar vetëm 15 vite nga gjenocidi i fundit i shekullit 20, është ende herët të argëtohesh me aq eufori me këngë serbe.

Shumë shqiptarë në Shqipëri, paskan ndjerë nostalgji për muzikën sllave gjatë regjimit të Enver Hoxhës e po thonë shyqyr që erdhi koha të dëgjojmë këtë muzikë, pa frikë dhe haptazi, e disa madje edhe po i ankohen shqiptarëve të Kosovës se si regjimi i Millosheviqit paska qenë më i mirë sesa ai i Enver Hoxhës në Shqipëri. Ata që mendojnë ashtu, le t’u mbetet në ndërgjegjen e tyre. Por pyetja është se pse nuk ndjejnë nostalgji për muzikën përëndimore, angleze apo amerikane, meqenëse edhe ato nuk ishin të lirë t’i dëgjonin, por mendja i paska ngelur pikërisht te ato sllave? A nuk pat Europa këngëtarë aq të mëdhenj e cilësorë, sa t’i kënaqnin shijet e publikut shqiptar, por u desh patjetër të ftohej pikërisht Zdravko Çoliqi?

Meqë shqiptarët paskan qenë që moti të dashuruar në muzikën sllave, atëherë pyetja që lind natyrshëm është: Po në kohën kur shqiptarët e Shqipërisë strehonin në shtëpitë e tyre shqiptarët e dëbuar nga Kosova, po t’i vinte rasti, a do të këndonin e vallëzonin serbisht me aq entuziazëm siç bënë atë natë te “Kënga ime”? A do t’u vinte turp para bashkombasve të vetë të vuajtur?” Nga ajo që pamë atë natë në “Klan”, personalisht nuk do të çuditesha!

Po nëse në ndonjë trevë shqiptare të duartrokitej me aq shumë dashuri një këngëtar grek, vetëm 15 vite pas masakrës së Çamërisë, si do të ndiheshin viktimat e prekura nga ajo ngjarje?

Po në Beograd, a ka pasur ndonjëherë ftesë speciale dhe mirëpritje aq bujare, “të tipit mbretëror” për ndonjë artist shqiptar? Disa do të thoshin “po ne nuk jemi si ta, ne jemi me të mirë se ata” dhe eshtë e vërtetë që ne si popull duhet të tregojmë një nivel civilizimi, por të respektosh tjetrin, mjafton të mos e shash dhe ofendosh, por jo të arrish në atë masë sa të humbasësh respektin për veten dhe kombin tënd. Adhuruesit e Çoliqit mund të na quajnë nacionalistë, por ky është patriotizëm qytetar. Duket qartë se shumë herë, shqiptarët duke u munduar të respektojne dhe të duan të tjerët (të huajt), harrojnë të respektojnë dhe të duan njëri-tjetrin.

Pandi Laço tha se është debatuar më shumë se duhet për këtë çështje, por kjo ishte një çështje që meritonte të debatohej. Bile bile edhe Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, do duhej të reagonte dhe të dilte me një qëndrim të hapur ndaj ngjarjes e cila revoltoi disa artistë nga Kosova dhe jo vetëm. E ajo që i mbetet Pandi Laços dhe organizatorëve të tjerë është të paktën të kërkojnë falje, sepse qëllimisht apo jo, me gjestin e tyre, ofenduan kryesisht ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave të tjera jashtë Shqipërisë. E për ata që thonë se Kosova nuk do të mund të përparojë më një mentalitet të tillë, duhet ta dijnë se edhe shqiptarët e Kosovës, dinë të bëjnë art, ta vlerësojnë atë dhe të nderojnë artistët e huaj, por arti i tyre ngërthen në vetvete një vetëdije dhe respekt kombëtar, që mesa duket, i mungon disave në Shqipëri.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch