Home » Opinione » ME HYRJEN NË BASHKIMIN EVROPIAN, A ZGJIDHET “AUTOMATIKISHT” EDHE ÇËSHTJA E BASHKIMIT TONË KOMBËTAR?

ME HYRJEN NË BASHKIMIN EVROPIAN, A ZGJIDHET “AUTOMATIKISHT” EDHE ÇËSHTJA E BASHKIMIT TONË KOMBËTAR?

Prof. Dr. Hulusi Hako*

 

 

 

 

 

 

 

 

 

H.Hako

                                                                                                                                                                                           Në ditët e fundit të kremtimit të 100-vjetorit tonë jubilar, pa pritur e papandehur, seç u lakua e u amlifikua ideja e Bashkimit Kombëtar edhe me gjuhën e politikave zyrtare, po, në stilin e “fallxhoreve” ose të orakujve të lashtë, në se duhet synuar ai, para apo do të quhet vetëvetiu i kryer, pas Brukselit. Politikat zyrtare e kanë përshtatur, tanimë, pozicionin se bashkimi ynë kombëtar do të kryhet vetëm nëpërmjet integrimit të Ballkanit Perëndimor, në Bashkimin Evropian. Politikanët e thonë shprehimisht: “Përparësia jonë kombëtare është integrimi evropian, na duhet Evropa e Madhe, jo Shipëria e Madhe!” Lënia, deri tani, në “gjumë” e kërkesës për zgjidhjen e “Çështjes shqiptare” i janë gjendur dhe arsyet: “s`është koha”, “na pengon tabu-ja e mosndryshimit të kufijve”, varemi nga roli sundues i “vullneteve ndërkombëtare”. Pastaj, ja ku na doli dhe kjo “risia ose trendi i integrimit evropian” dhe “lum, si ne” etj.

Shpalosja e bujshme zyrtare e nevojës së Bashkimit kombëtar, e motivuar kjo ide edhe si retorikë për qëllime elektorale, apo prej çfarëdo motivesh të tjera, dëshmon se kësaj kauze i njihet forca e gravitacionit popullor, u ngall dhe xhelozia politike prej vrullit të “Aleancës KuqeZi”, me motivin dhe në terrenin kombëtar, jehona e rritjes politike të “Vetëvendosjes” në Kosovë etj.                                                                                                    Por, sido që sillen e vërtiten, politikat zyrtare, po në Bruksel lidhen e alternativës së tij i “fallen”, për realizimin e bashkimit tonë kombëtar! Prandaj, ajo që duhet sqaruar e bërë transparente: A është vërtetë Brukseli edhe rruga e dekolonizimit të trojeve shqiptare, në Ballkanin Perëndimor, apo ky i ashtuqujatur “bashkim” kombëtar i pritshëm në këtë mënyrë, nën “ombrellën evropiane”, është, të paktën, iluzion dhe, të shumtën, mashtrim?                                                                                                                                             Se, sikur të ndodhte vërtetë një “magji” e tillë, ajo nuk do të vihej fare në diskutim, sepse nuk ka të verbër që nuk e dëshiron dritën e syve, nuk gjendet as ndonjë njeri normal, që do t`i binte të mirës me këmbë; nuk ka popull të robëruar e të diskriminuar, që s`e dëshiron lirinë dhe emancipimin, në rrugën dhe me mjetet më komode. Do ta prisnim atë ditë të Integrimit me padurim, do ta përshëndesnim si një shpëtimtar i të vërtetës historike dhe të drejtës sonë; do arrinim ta glorifikonim deri në atë farë feje, sa të brohorisnim:“Rroftë Integrimi, ai qenka shpikur posaçërisht për të paqësuar fatet e kombit shqiptar!” Por, na duhet ta shohim realitetin në sy, thellbin e “çështjes shqiptare”, tablonë reale të vetë Evropës së Bashkuar,  përvojën e derisotme të vendeve të integruara, bazuar dhe në pak intuitë sociologjike. Kështu, do të nxirrnim argumente të mjaftueshme për të pohuar, në mënyrë kategorike se, brenda Evropës së Bashkuar, nuk do të vijë automatikisht i zgjidhur e në mënyrë rë plotë përfshirëse edhe Bashkimi ynë Kombëtar!                                                                                                                                                                                                                                                              Së pari, “çështja shqiptare”, në thelb, u krijua prej pushtimit ushtarak të pjesëve kryesore të trojeve amtare nga shtetet fqinjë, duke i kthyer ato në koloni, brenda suazës së tyre, të mbështetura e bekuara edhe nga ish- Fuqitë e Mëdha të kohës, në Kongresin e Berlinit (1878), në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913) etj. Historia e përgjakshme e Kombit tonë dhe trojeve amtare, u trajtuan si “Turqi e vogël”, që u përkiste fitimtarëve, si trofe lufte, (copëtim, që ka ngelur në histori si një njollë e zezë e Fuqive të Mëdha dhe “ndërgjegje e vrarë e Evropës”, pa zgjidhjen e të cilës Ballkani nuk mund të gëzojë qetësi e stabilitet). Pra, tërë kjo histori, nuk mund të fshihet me një të rënë të lapsit, apo si “me urdhër të peshkut”, prej Integrimit të pritshëm në Evropë! Përkundrazi, të flasim hapur se, me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në Evropën e Bashkuar, një pjesë e mirë e trojeve etnike dhe bashkëkombësve tanë do të vahdojnë të mbeten po ashtu nën katër sundimtarë politikë (serbë, malazezë, maqedonas e grekë), ku të mund të livadhisë dhe padroni moskovit në krye!

Kjo “çështje”, me pjesëza kolonish nëpër katër shtetet fqinje, mbetet problem i historisë, i shtruar për zgjidhje, edhe kështu shumë i vonuar, me të cilin do të quhej i përfunduar edhe vetë procesi botëror i dekolonizimit. Fqinjët tanë i kanë kaq të rrënjosur shovinizmin dhe lakmitë kolonale të tyre i  shfaqin kaq pa cipë, sa e bëjnë çështje të ditës dhe nevojë jetike zgjidhjen përfundimtare të “Çështjes shqiptare”! Bota demokratike e ka shumë të qartë këtë tablo aktuale, që rëndon në shpirt dhe në shpinë të bashkëmbasve tanë! Çdo brez i shqiptarëve autoktonë në territoret etnike të pushtuara, ka vetëm një jetë, të cilën don ta jetojë me të drejtat njerëzore dhe kombëtare të pacënuara.                                                                                                                                                                                              Në përputhje me këtë konceptim të thelbit të çështjes sonë kombëtare, si çështje trojesh të banuara e të kthyera në koloni, kemi në dispozicion shumë Rezoluta dhe Konventa zyrtare të oranizmave ndërkombëtare, ku të mbështetemi dhe të cilave duhet t`u referohemi. Ajo e ka mbështetjen e duhur juridike dhe demokratike,  janë të gjitha instrumentet në dispozicion të politikës dhe diplomacisë shqiptare, në se do të kishin vullnetin politik t`i përdornin.                                                                                                                                                    Së dyti, Evropa e sotme, në njësitë shtetërore kryesore të saj, pak a shumë, i ka të sheshuara ndërlikimet kombëtare. Të paktën, nuk ka asnjë rast të ngjashëm ose të përafërt me gjndjen, peshën dhe përmasën e fateve tragjike të Kombit Shqiptar, as kërkesat e baskëve në Spanjë, as polemikat etnike në Belgjikë etj. Kurdët, që janë të përafërt me ne, i përkasin kontinentit të madh fqinj. Shtet-kombet në Evropë, të mëdhenj ose të vegjël, përgjithësisht, janë të konsoliduar, bëjnë jetën e tyre dhe funksionojnë normalisht, si një familje e natyrshme, me identitet të përcaktuar qartë, me interesa të spikatura dhe me kohezion kombëtar të pacënuar, pak a shumë në harmoni edhe me pakica të tjera kombëtare. Edhe imazhi i ndonjë shteti ish “multi-etnik” (si Zvicra, tanimë i shkrirë në një komb), është diametralisht i kundërt me imazhin e një shteti të “improvizuar” ballkanik, siç paraqitet sot, për shembull, Maqedonia. Evropa e Bashkuar është bashkim kombesh të mirorganizuara politikisht e juridikisht, me potencialin dhe nivelin e vet të jetës ekonomike, brenda identitetit, kulturës dhe interesave të veta. “Bashkimi Evropian,-thekson akademiku ynë Kristo Frashëri, – është një projekt “politik” … që synon jo shkrirjen e kombeve evropiane në një kombësi më vete … por bashkimin politik vullnetar të shteteve të shumtë, nën një çati të vetme politike, super-shtetërore, … ku, secili shtet do ta ruajë, madje, do ta forcojë identitetin e vet kombëtar e kulturor”.

Organizmat politike ndër-evropiane konsolidojnë harmoni mes popujsh e kombesh, hedhin ura lidhjesh e komunikimi, që të mund të harrohet epoka e luftërave të përgjakshme midis popujve; sjellin në një njësim e harmonizim politika të përbashkëta, legjislacion standard, nxisin prosperitet e funksione të tjera, duke mbetur e mbajtur shtet-kombin si makro-qelizën bazë të Kontinentit. Në  jetën e vet të brendshme, ai duhet të jetë i mirorganizuar, ashtu siç duhet të jetë e siguruar teknikisht edhe çdo anije, në oqean të hapur. Në se ndonjë nga këto qeliza shpall SOS, organizmat komunitare mobilizojnë potencialet e tyre për ta shpëtuar, brenda disa kushteve, por duke ia forcuar imunitetin e brendshëm që të mund të kthehet në normalitet.

Sa dua veten, nuk dua Evropën”, – buçet gjithnjë e më fuqishëm zëri anglez. Evropa e ka të qartë se baza, forca dhe burimi i zhvilimit e përparimit të shqiptarëve është bashkimi i tyre në një shtet-komb. Por, thjesht, nuk dëshiron t`u hyjë atyre telasheve. Mandej, kur edhe vetë politikat zyrtare shqiptare janë “dorëzuar”, e kanë braktisur këtë synim e ideal dhe nuk e vënë fare “ujin në zjarr”, pse do ta prishë Evropa rehatinë e vet? Ajo merret me zgjerimin e integrimit dhe anëtarët e rinj, si dhe të vjetërit, i dinë vetë si i vërtisin punët e veta “të brendshme”. Një prove, para së cilës gjendet Brukseli, është ajo e presionit që do të ushtrojë mbi Serbinë, për raportet e saja me Kosovën! Apo prej kapriçiove të së parës, do të ndëshkojë edhe të dytën?                                                                                                                                        Së treti, paskemi arritur në një nivel të politikës botërore, të një lloj “real-politike”, na thuhet, ku i ka humbur funksionet e veta “shteti kombëtar” dhe qenia jonë në Bashkimin Evropian, do të përjashtojë, si me magji, çdo sundim e diskriminim! Po kështu, aspak nuk ka për të ndodhur. Ç`ndryshime do të sjellë integrimi, për shqiptarët nën Maqedoni, me kompaktësinë gjeografike e demografike të njohur, që kanë ata? Po për shqiptarët, nën Mal të Zi e ata të Luginës së Preshevës, nën Serbi? Integrimi nuk premton të jetë dhe zgjidhje e çështjes sonë kombëtare edhe prej disa dukurive reale, që përjetojmë. Ja, Greqia, që prej më se dy dhjetëvjeçarësgh është në BE. Po, ç`ndryshime ka bërë në sjelljen e saj, që vazhdon të jetë ultra-nacionaliste? Po Brukseli, kur e anëtarësoi Greqinë, mos nuk kishte fare dijeni për gjenocidin e saj ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe viseve të tjera etnike? Ajo, bashkë me pushtimet ushtarake, ka në ngarkim penal dhe moral këtë kolonizim e shkombëtarizim. Për ato, as vetë nuk po reflekton në mënyrë demokratike, të cilës as Brukseli nuk i vuri ndonjë kusht, nuk ia ka përmendur fare si njollë ose detyrim. Përkundrazi, Athina vazhdon me të njëjtin avaz, i bie “fyellit po në atë vrimë”; synon ta fshijë fare çështjen çame nga kujtesa historike. Me sjellje të paskrupullt të kthen edhe nga kufiri, duke demonstruar se e ndjen, që e ka “mizën nën kësulë”. Por as Beogradi zyrtar nuk heq dorë nga zotërimet e veta koloniale, për hatër të Integrimit. Përkundrazi, në emër të mbrojtjes si interesave të veta “kombëtare”, më shumë i rri mendja te “Kosova e Metohia”, se sa te Evropa! Nacionalizmi shovinist serb nuk e pranon dot ose nuk e “honeps” dot as Përmendoren e të rënëve në Preshevën shqiptare! Shkurt, “i zoti e din, ku i pikon çatia”: Brukseli ka axhendën e vet, shtetet u mëshojnë interesave të veta!                                                         Së katërti, edhe mendimi sociologjik botëror, vazhdon t`i qëndrojë fort pikëpamjeve për  kombin dhe çështjen nacionale, nuk u bën atyre asnjë devijim a deformim, as një modifikim sado të thjeshtë, që lidhen me globalizmin e integrimet, siç “triblojnë” politikat aktuale shqiptare. Në to thuhet, se “Kombet nuk dhurohen, ato krijohen nga nacionalistë e shtete … Nacionalizmi është fat i pashmangshëm i botës moderne, si besim, sipas të cilit çdo kombësi ka të drejtën për shtetin e vet kombëtar, të qeverisur nga anëtarët e asaj kombësie, i cili mbron një identitet … Një botë e drejtë e paqësore, mund të ndërtohet vetëm duke u mbështetur te kombet e pavarura … Kombi dhe nacionalizmi mbeten baza e vetme realiste për shoqërinë e lirë të shteteve në botën moderne … Shtetet kombëtare mbeten aktorët kryesorë në botën moderne … Kombi është një koncept i ri, që mbetet një hapësirë për demokracinë dhe solidaritetin, një platformë për solidaritet të vërtetë ndërkombëtar” etj. etj. I tillë është zëri i Evropës shkencore, kurse Evropa politike nuk i qëndron e palëkundur këtij zëri, thjesht sepse nuk do t`i hapë vetes telashe.                                                                                                                    Kombi shqiptar është ende larg këtij imazhi e roli të ravijëzuar e bindës të më sipërm dhe është absurde të presë t`i fitojë ato, duke u akomoduar copa-copa brenda në BE. I qëndron besnik kësaj logjike të hekurt edhe publicisti e diplomati ynë, Shaban Murati, kur thotë: “Integrimi evropian nuk është magjia e rregullimit të çështjeve kombëtare të Ballkanit, … nuk e mënjanon atë nga axhendat shtetërore e kombëtare … Shtetet dhe interesat shtetërore, kombet dhe interesat kombëtare, nuk kanë qenë dhe nuk mund të jenë domosdoshmërisht të përputhshme edhe brenda të njëjtës organizatë ndërkombëtare, qoftë  kjo NATO apo BE”.                                                                                                                                                       Më qartë, s`ka si të shprehet. Pra, t`u thuash shqiptarëve sot, se misioni i shtet-kombit është i shterruar dhe i konsumuar, se nuk ka kuptim të kërkuarit prej tyre të një shtet-kombi të vet, se aspirata e bashkimit kombëtar ka kaluar në legjendë; ta paragjykosh shtet-kombin e pritshëm të tyre si “kurth” kundër integrimeve, kur lindja e tij është mbytur që në shpërgënj për të satën herë prej faktorëve negativë të historisë, do të thotë të kundërshtosh proceset më të natyrshme dhe më thelbësore të jetës shoqërore.                                                                                                           Në kushtet e demokracisë moderne, shqiptarët janë të obliguar të ndezin tërë motorat e integrimit e kohezionit kombëtar, qoftë edhe duke krijuar, fillimisht, konfederatë ose shtete të tjera shqiptare të pavaruara në territoret e tyre, gjithnjë me Piemont Tiranën! Politikave zyrtare shqiptare nuk u duhen fjalë patetike e slogane “atdhetare” zhurmuese, mbi imperativin, kauzën dhe amanetin tonë historik, (të cilat  përdoren dhe si shkak i aludimeve për retotikë nacionaliste nga ndërkombëtarët), por të ndërmarrin  hapa dhe vepra konkrete lidhjesh e kohezioni mbarëkombëtar. Se, po pritëm nga Brukseli, “çështjes shqiptare”, ai nuk ia heq dot “as qimen nga qulli”, jo më ta zgjidhë atë automatikisht!

——

*Autori është Kryetar i Shoqatës Atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar.

Tiranë, janar 2013

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch