Home » Kulturë » “MË JOSHË AROM’ E LULEVE, NË VENDLINDJE…”

“MË JOSHË AROM’ E LULEVE, NË VENDLINDJE…”

(Poezi të frymëzuara, nga Shadije Hotnjani)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

1.

Ndërsa nisa t’i shkruaja këto pak radhë për poezitë e frymëzuara të emigrantes Shadije Hotnjani, përmbledhur kryesisht në librin me titullin mjaft simbolik, “Ujëvarë malli”(Prishtinë, 2011), sjell ndërmend  rastin, se si ky më ra në dorë. Disa muaj më parë, kolegu e miku im, krijuesi i talentuar Xheladin Mjeku, me banim në Prishtinë, erdhi në Tiranë.  Më telefonoi dhe u takuam bashkë në mjediset e Pallatit të Madh të Kulturës së kryeqytetit. Bisedat tona kishin një temë të përbashkët: krijimet e botimet. Ai më tregoi me kënaqësi që priste t’i dilte nga shtypi një libër i ri. Por, sakaq, nxori nga çanta librin e një autoreje të njohur dhe më tha se Shadije Hotnjani dëshironte që ta kisha dhuratë të saj. U befasova, se atë nuk e njihja nga afër, veç pak përmes Internetit. Me stilolapsin e tij, Xheladini shkroi  këto fjalë, në faqen e brendshme: ”Me autorizimin e autores, me respekt të veçantë, Prof. Murat Gecajt. Tiranë, 15.12.2011“. Sigurisht, e falënderova nga zemra, si autoren dhe mikun tim, që ma dorëzoi këtë libër.

Ishte e natyrshme që falënderimin tim t’ia shprehja edhe vetë poetes Shadije Hotnjani. Prandaj e kërkova emrin e saj në Internet dhe kështu bëmë lidhjen tonë. Gjatë 2-3 muajve të fundit, ne kemi “biseduar” disa herë dhe vërej se është “e ngarkuar”, jo vetëm me punët e përditëshme, por dhe me mallin e pashuar për vendlindjen, me brengat që të shkakton emigracioni. Ajo jeton në një qytet të Gjermanisë, merret me veprimtari të dobishme atdhtare e shoqërore, por dhe shkruan poezi. Sigurisht edhe përmes tyre i kuptojmë më mirë ndjenjat dhe shqetësimet e saj.

Në një lidhje tonë përmes Internetit, i premtova Shadijes se do të shprehesha diçka rreth krijimeve të saj, megjithëse nuk jam poet. Por plagët e emigracionit i përjertoj me dhimbje, sepse jam bërë dëshmitar i tyre që në marsin e vitit 1991, kur dy djemtë tanë emigruan në Itali, ku jetojnë dhe sot, familjarisht. Prandaj, po përpiqem ta bëj këtë gjë më poshtë, duke kërkuar mirëkuptimin e kësaj mikeje e kolegeje dhe të lexuesve.

2.

Më duhet ta shfletoj me kujdes librin e mësipërm, për të parë nëse është aty poezia “Deri kur?”, një varg i të cilës më shërbeu edhe për këtë shkrim timin. Atë nuk e gjeta, veçse nëqoftëse i është ndërruar titulli?! Prandaj, po e paraqes bashkë me shkrimin tim, ashtu siç e mora në Internet dhe nuk po bëj komente rreth saj. Ajo më tërhoqi me trishtimin, që përmban dhe me ndiesitë e holla, që autorja ka derdhur në vargje. Po përmend vetëm këto: “Pres gjatë, pres me natë e ditë,/ të ndërrojmë dy fjalë brenge e halli./ Dhe, befas, na ikën muaj e vite,/ na shtohet dhimbja e na bren malli!”

Në fakt, e ke të vështirë të veçosh vargje ose edhe poezi të tërë, për të dëshmuar mallin e pashuar të kësaj mërgimtareje. Pra, nga njëra poezi në tjetrën dhe nga njëri cikël në tjetrin, derdhen si ujëvarë mali, brenga dhe shqetësimet e autores për largësinë e saj nga trualli i të parëve. Ajo sikur e ndien pranë edhe në ëndërr zërin e nënës te shtegu i oborrit; sikur dëgjon këngën e bilbilit dhe cicërimën e zogjëve shtegtarë në fluturim, prej të cilëve pret t’i sjellin që andej një fjalë, një lajm të shumëpritur. Vetëm ai, që e ka përjetuar ose e përjeton plagën e rëndë të kurbetit i kupton mirë ofshamat e shpirtit të trazuar të kësaj poeteje. Ndërsa asaj i bëhet që nga “dheu i largët” i vjen një zë ngushllues: “Të pres,  e në zemër me mall të mbaj!” Dhe, ndërkaq, “sheh një pikë drite” a “mediton për ditën e re” pranverore në mëmëdhe, se si blerojnë luleveret, sesi shpërthen magjishëm natyra e vendlindjes. Si mjaft poetë, ajo e krahason veten me një dallëndyshe, e cila fluturon kaltërsive të qiellit, për ta parë se  ku është: “Vendlindja ime e dashur,/aromë e trëndafilit…”.

Në ditët e zakonshme, të punës e pushimit, në gjumë a në ëndërr qoftë, asnjëherë mendja dhe zemra e poetes-mërgimtare nuk është e qetë. Asaj i kujtohet përherë dita e ndarjes me vendlindjen: “Në shtigje u nisa… Eh, largësia,/ më ktheu kujtimet e ëndrrave të mia,/ atje ku mbetën të dashurit e mi,/ gjuha e gjaku dhe shqipja kuq e zi…”. Pasthirrmat janë ndër shprehjet më të dukshme, në këto poezi malli e dhimbjeje, që e kanë pushtuar shpirtin dhe zemrën e trazuar të autores: “Ah, megrim, mërgim!…/ më djeg malli e më bën shkrumb,/ s’di çka bëhet në jetën time,/më hapë plagë zemre, si me plumb”.

Por edhe atje larg në mërgim, autorja-poete e ndien gëzimin e jetës, që ia sjell në vatër edhe zëri i bukur, dritëdhënës e jetëdhënës, i nipit të saj të vogël, Arianit, vazhdues i stërgjyshërve të tij kosovarë: “Këto troje blerake,/me pemë e fruta plot,/ ishin kështu gjithmonë,/ t’i gëzojë nipi im sot!” Se janë traditat e stërlashta dhe të çmuara shqiptare, të cilat lipset t’i ruajmë dhe t’i trashëgojmë brez pas brezi: “Me besa-besë të qendrojmë,/ me nder në shqiptari!”

Sidomos në poezitë e fundit të këtij vëllimi bien në sy poezitë, që përshkohen nga fryma e lartë atdhetare, kombëtare shqiptare. Të tilla janë edhe poezitë: “Gjuha shqipe”, “Kombi” e “Gjaku”, “Tri lulet e Luginës”,”Atje më pret vendlindja” ose “Mos më thuaj…”, “Kuvendi i fëmijëve” etj. Në këtë të fundit, të mbeten në mendje vargjet: “Atje, ku flitet gjuha e ëmbël,/ ku çelë lulëmolla, ku piqet qershia,/ atje, ku jeta ka kuptimin e saj,/ është Atdheu ynë, atje është Arbëria!”

3.

Mund të flisja edhe shumë më tepër rreth poezive  të  bukura dhe të frymëzuara, që autorja Shadije Hotnjani i ka përmbledhur në vëllimin e parë (me redaktor e pasthënien nga Xheladin Mjeku). Por, në mbyllje,  dëshiroj të shënoj edhe pak radhë për jetën e saj. Ka lindur në një familje me tradita në fushën e arsimit, në Tërrnocin e Madh të Bujanocit (Lugina e Preshevës ose Kosova Lindore). Pasi kreu shkollën fillore aty, të mesmen dhe të lartën i përfundoi në qytetin  Gjilan të Kosovës. Ka disa vite që jeton në emigracion, në Mynih të Gjermanisë. Atje është mësuese dhe drejton kurse për të huajt, në gjuhën vendëse. Punon edhe përkthyese e merret me veprimtari të ndryshme, sidomos me vajzat e gratë shqiptare.

Me krijimtari letrare është marrë që në bankat e shkollës dhe herë pas here ka publikuar poezi në shtyp e në Internet. Me këtë rast,  e urojmë nga zemra poeten Shadije Hotnjani për librin e parë të saj. Realizim të dëshirave e qëllimeve të saj në jetën e përditëshme dhe veprimtari  sa më të dobishme në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare!

Tiranë, 14 maj 2012

.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch