Home » Lajme » Me kë po polemizon Daçiqi?

Me kë po polemizon Daçiqi?

Beograd, 25 gusht – Porosia e ashpër e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë në qoftë se në listat për votime do të jetë logoja e shtetit të Kosovës, apo nëse ato nuk do të jenë neutrale ndaj statusit, i ka befasuar zyrtarët në Bruksel.

Kjo për faktin se ende nuk ekziston ndonjë vendim nga Prishtina zyrtare se si do të duken fletëvotimet dhe as marrëveshja në Bruksel.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, Rikard Dzhozviak paralajmëroi se çështja e fletëvotimeve do të jetë një nga temat kryesore në takimin e ardhshëm Thaçi – Daçiq, që pritet të zhvillohet në Bruksel, më 27 gusht.

“Fletëvotimet do të jenë një nga temat kryesore në takimin e dy kryeministrave, të Kosovës dhe të Serbisë, të martën e ardhshme. Qëndrimi i Daçiqit i ka habitur zyrtarët e BE-së. Ata dëshirojnë të gjejnë zgjidhjen dhe ato që BE-ja dëshiron t’i shmangë janë dy lloje të simboleve në fletët e votimit”.

“Nga ajo që kam marrë vesh unë, ekzistojnë dy variante. Njëri variant është që fletëvotimet të jenë pa kurrfarë vule, as të Kosovës e as të Serbisë. Varianti tjetër, por më pak i mundshëm, është që vula e BE-së të vendoset afër vulës së Kosovës. Këto janë opsionet që do të diskutohen ditën e martë”, theksoi Dzhozviak.

Përderisa fletëvotimet ende nuk kanë një pamje të përcaktuar dhe për këtë pritet ende një marrëveshje, shtohet pyetja se me kë polemizon Ivica Daçiq?

Këtë pyetje po e bëjnë jo vetëm në Bruksel, por edhe në Prishtinë, për shkak se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë vendim nga i cili  kryeministri serb do të ndihej i provokuar.

Zoran Luçiq, nga Qendra për zgjedhje të lira dhe demokratike në Beograd, për të krahasuar situatën, flet për atë se si çështja është e zgjidhur në Serbi.

Sipas tij, në fletëvotime ekziston identifikimi i shtetit vetëm në vulën me të cilën vërtetohen ato fletëvotime, ndërkohë që, siç thotë ai, ligji në Kosovë po ashtu nuk detyron në mënyrë obliguese që në fletëvotime të ketë çfarëdo logoje të shtetit të Kosovës.

“Askund në ligjin e Kosovës nuk qëndron që fletëvotimi të ketë çfarëdo simboli të Republikës së Kosovës, shtetit të Kosovës, krahinës së Kosovës apo çfarëdo tjetër… Shenja dalluese askund nuk përmendet. Do të ishte logjike që të bëhej një marrëveshje politike. Por, ajo që është e shkruar në ligj, është krejtësisht e qartë”, theksoi Luçiq.

Borko Stefanoviq, ish-shef i ekipit të Beogradit në bisedimet me Prishtinën, komentoi se si duhet të duket fletëvotimi.

“Ai duhet të duket ashtu siç janë marrë vesh dy delegacionet apo dy shefat e delegacioneve. Në qoftë se nuk janë marrë vesh për këtë, atëherë ky është një lëshim shumë i madh”, tha Stefanoviq, duke shtuar se në fletëvotim duhet të vendoset shenja se zgjedhjet janë për organet lokale dhe duke iu shmangur udhëzimeve statusore.

Ai, gjithashtu, theksoi se deklaratat e Daçiqit lidhur me zgjedhjet lokale në Kosovë janë kontradiktore, sepse në një rast ai i kërcënon serbët lokalë nëse nuk marrin pjesë në zgjedhje, kurse, në anën tjetër, e porosit Prishtinën se serbët nuk do të marrin pjesë.

One Response

  1. Stuart Palmer thotë:

    Shefi i ekipit të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalovic, para bisedimeve të sotme ka deklaruar se “do të shqyrtohen çështje dhe probleme që shkakton pala kosovare, me shpresë se këto do të tejkalohen përmes bisedimeve të drejtpërdrejta bashkë me përfaqësuesit e OSBE-së, të cilët do të bashkëpunojnë në organizimin, mbikëqyrjen dhe vërtetimin e këtyre zgjedhjeve”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch