Home » Opinione » ME MARRËVESHJEN E BRUKSELIT KOSOVA DHE SHQIPTARËT E LUGINËS U TRADHËTUAN!

ME MARRËVESHJEN E BRUKSELIT KOSOVA DHE SHQIPTARËT E LUGINËS U TRADHËTUAN!

Nehat Hyseni12Shkruan: Nehat Hyseni

Marrëveshja e Brukselit për normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi e 19 prillit 2013 dhe përgjithësisht Dialogu i Brukselit, që u zhvillua midis kryeministrave Thaçi e Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton,  ishte një gabim i madh historik, me pasoja shumë të rënda, madje të pariparueshme për Kosovën dhe për shqiptarët, kudo që janë.

Sepse, Ky Dialog u zhvillua dhe kjo Marrëveshje u nënshkrua pa kurrëfarë parimesh dhe në mënyrë krejtësisht jotransparente, madje pa u shtrua për debat të mirëfilltë në Kuvendin e Kosovës, para se të filonte ky Dialog, në mënyrë që të përcaktoheshin kornizat dhe parimet bazë për zhvillimin e tij.

Prandaj, ndodhi ajo që as skeptikët më të mëdhenjë nuk do ta besonin më parë: nuk u shtruan çështjet kyçe të krimeve të Serbisë në Kosovë, që do ta venin Serbinë para përgjegjësisë dhe obligimeve përkatëse, nuk u shtrua çështja e të drejtave të shqiptarve në Luginë të Preshevës dhe barazimi i të drejtave dhe pozitës së tyre me atë të serbëve të Kosovës, sipas parimit të njohur të reciprocitetit, etj.
Madje, grupi negociator i Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri  e as Kryeministri Thaçi asnjëherë nuk i kishin shtruar fare këto çështje për debat!

Natyrisht se kjo neglizhencë dhe papërgjegjësi totale e palës kosovare, nga shumëkush u cilësua si tradhëti kombëtare dhe vënie e plotë, me verbëri të pakuptueshme e Grupit negociues të Kosovës në shërbim të interesave të Serbisë, për ta ndihmuar atë në rrugën drejtë BE-së. Kurse, Kosova mbeti akoma vendi i vetëm i izoluar dhe getoizuar në Europë, edhepse iu bënë gjithato shërbime Serbisë, e cila, falë bisedimeve të Brukselit,  mori ftesën për fillimin e bisedimeve për pranim në BE.
Sidomos u dëmtuan shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët me fajin e Grupit negociator të Kosovës, ata nuk u përfshinë në Marrëveshjen e përmendur të 19 prillit 2013 dhe as në Dialog, fare.
Pra, fare nuk u përmendën shqiptarët e Luginës, për t’ia vënë si kusht parimin e reciprocitetit midis të drejtave të serbëve të Kosovës dhe shqiptarve të Serbisë, duke i kushtëzuar kështu të drejtat e serbëve të Kosovës me shkallën e realizimit të të drejtave të shqiptarve në Luginë të Preshevës.

Mjerisht, ata u lan vetëm, nën mëshirën e Serbisë, pa kurrëfarë mbrojtje e të drejtash dhe të shtypur e persekutuar si është më së keqi.

Por, edhe situata në veri të Kosovës nuk u trajtua si duhet.  Sepse, Serbia sillej sikur ajo pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, të  jetë Serbi, duke ia lënë duartë e lira Serbisë që të veproj e sillet atje lirshëm, si “në bahçe të babës”.

Në popull thuhet se “qeni i keq ta bjen ujkun në torishtë”.
Kam përshtypjen se kjo thënie askund nuk i përgjigjet më tepër realitetit se sa tek ne në Kosovë dhe sidomos në pjesën veriore të saj, ku qeveria e Serbisë para pak kohësh e sfidoi vullnetin e mirë dhe marrëveshjen midis serbëve lokalë, shqiptarve dhe ndërkombëtarëve për heqjen e barrikadës mbi Ibër, në Mitrovicë.

Kështu, posa e hoqën ata barrikadën prej dheu, menjëherë erdhi urdhëri nga qeveria serbe në Beograd, dhe në vend të dheut vendosën mure prej betoni dhe mbollën pisha, duke e pagëzuar me emër cinik, ” Parku i paqes”!

 

Ata nuk u ndalën me kaq.Sot, më 9 korrik 2014 morëm lajmin se punëtorët e “Novi Pazar Put” me makinerinë e tyre kanë filluar reth orës 09:40 prerjen e asfaltit dhe punimeve tjera për fillimin e ndërtimit të sheshit “Car Llazar”, në veri të Mitrovicës.

Pra, se Serbia është duke punuar në atë pjesë të tokës së Kosovës, pa e pyetur fare Qeverinë e Kosovës!
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës nuk po reagon fare në këtë veprim të Beogradit dhe cenimin e integritetit territorial të Kosovës, duke u arsyetuar para se, kinse ” e kemi mbështetjen e Brukselit për ta heqë barrikadën apo të ashtuquajturin “Parku i Paqes”.

Kjo situatë është e papranueshme dhe duhet jetë e patolerueshme. Sepse, asnjë shtet sovran në botë sot nuk do ta lejonte një cenim kaq flagrant të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së vet.
Kurse, Qeveria e Kosovës është bërë e verbët dhe nuk reagon fare në një çështje kaq madhore, e cila doemos do duhej ta alarmoj menjëherë Brukselin dhe ta ngrisë çështjen edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Gjithësesi, është koha për ndryshime në qeverisjen e Kosovës dhe shpresojmë që qeveria e ardhëshme, e dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, të mos i përsërisë gabimet e këtilla, si dhe të përpiqet për të riparuar dëmet e shkaktuara nga neglizhenca, papërgjegjësia, mosgadishmëria për t’i dalë zot vendit dhe nga jokompetenca e ekspertiza joprofesonale e saj.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch