Home » Opinione » ME MBESËN DORELË, NË TIRANËN FESTIVE TË 99-VJETORIT TË PAVARËSISË

ME MBESËN DORELË, NË TIRANËN FESTIVE TË 99-VJETORIT TË PAVARËSISË

Nga: Murat Gecaj

Publicist-Tiranë

Tiranë, 28 Nëntor 2011

1.

Sot mëngjesi në Tiranë ishte i bukur, pra qielli ishte i pastër dhe dielli vjeshtak ndriçonte kudo, si për të dëshmuar harenë e festës së 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare. Gazetat e stacionet radio-televizive jepnin muzikë të gëzuar dhe tregonin për programin e veprimtarive festive, organizuar nga Bashkia e kryeqytetit.

Siç është e njohur, fëmijët e përjetojnë më shumë gëzimin dhe kënaqësinë e festave. Kështu ndodhi edhe me mbesën time, Dorelën, të cilën tashmë ju e njihni edhe nga shkrime të tjera, pasi bashkë me të kam shkuar më parë edhe në Cirkun e Metropolit, në Teatrin e Fëmijëve, në Lodrat “Çufo”, në përurime librash etj. Bile, kujtoj këtu edhe një mesazh të mikut dhe kolegut Përparim Hysi, dërguar nga  Florida  e SHBA-së. Ndër të tjera, ai më shkruante aty:

“More, Babush! Pash Zotin, mos dil me mbesën, se a e di, që i kam vetë dy mbesa, larg prej këtu, deri në Shkodër dhe, sa pashë Dorelën tënde, jam përlotur.Thashë “t’i shkruaj, mos t’ii shkruaj”.Por s’munda të ndalem. Kush është gjysh, si ne dhe ca më tepër, kush i ka larg si unë, vuan dyherësh. Me Dorelën i ke heqë koren plagës së mallit dhe ti e di: Plagës, kur i heq koren, dhëmb më shumë. Puthe Dorelën edhe për ne, gjyshërit e përmalluar”.

Por, në këtë shkrim, nuk kam ndërmend të “ngacmoj” ndjenjat e natyrshme të miku tim Papi as të gjyshërve tjerë emigrantë. Përkundrazi, dëshiroj t’u tregoj se edhe nipat e mbesat tona i përjetojnë  bukur dhe kënaqen në ditët e festave kombëtare shqiptare. Kështu ne, më të moshuarit, e ndiejmë veten më të lumtur e më të qetë, se mendojmë që edhe brezat, të cilët do të vijnë pas, do t’i kujtojnë gjithnjë  dhe nuk do t’i harrojnë përpjekjet titanike të të parëve tanë për liri e pavarësi dhe përparim të gjithanshëm, në trojet tona amtare.

2.

Mendova që Dorela do ta krijonte më mirë përfytyrimin e kësaj feste të bukur, kur të niseshim që nga stacioni i trenit dhe të vazhdonim nëpër bulevard dhe deri në kodrat e qytetit. Dhe kështu vepruam. Menjëherë, asaj i bëri përshtypje dekori festiv, me flamujt kombëtarë kuqezi kudo, por dhe pastërtia e shesheve e rrugëve. U kënaq ajo, sidomos, kur kaluam në Sheshin “Skënderbej”, ku para disa ditëve ishin duke u përfunduar punimet dhe aty dukej si një “shesh beteje”. Ndërsa tani, aty bien në sy shumë pemë të mbjella rishtaz, lule shumëngjyrshe dhe pranë kalojnë lirshëm makinat, në drejtime të ndryshme dhe njerëzit nëpër udhët e vijëzuara. Sigurisht, kur ato pemë do të rriten ca dhe gjelbërimi do të shpërthejë aty, qendra e Tiranës do të duket më e bukur.

Kënaqësi të veçantë përjetoi mbesa Dorelë, kur shkuam në Këndin e Lodrave, që është ngritur në qendër të kryeqytetit. Fëmijët aty sikur “ziheshin” me njëri-tjetrin, se kush e kush të hipte më parë në lodrën më te bukur dhe pastaj të provonte kënëqësinë mbi kalë ose, ndokush, në një kabinë të sigurtë.

Në vazhdim të udhëtimit tonë, Dorelës i tërhoqën vëmendjen fluturimi mbi kryeqytet i një balone të madhe dhe zbukurimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku ngrihen shumë flamuj kombëtarë dhe qarkohen me zbukurime të dyja anët e bulevardit. Në të majtë, ndodhet hijerëndë Galeria e Arteve Figurative, ku janë çelur dhe janë paralajmëruar të tjera ekpozita në pikturë. Aty përpara, artistë të njohur po interpretonin këngë atdhetare. Një gjallëri të veçantë kishte në parkun “Rinia”, ku ishin mbledhur qindra fëmijë, shumica të shoqëruar nga prindërit dhe ku Teatri e  Cirku i Metropolit po jepin një shfaqje, që i kënaqte  shumë ata. Përveç këngëve e valleve, ata ndoqën me kureshtje dhe duartrokitën pjesën “Maçoku me çizme”.

Por edhe Sheshi “Nënë Tereza”, para ndërtesës së Universitetit, ishte zbukuruar si jo më mirë dhe po përgatiteshin që në mbrëmje banorët e kryeqytetit të ndiqnin aty një program të madh festiv, me këngë e valle të zgjdhura, nga artistët tanë më të mirë. Gjallëria fesive vihej re edhe në udhën, që ngjitet për në Parkun e Madh. Aty kalonin mjaft prindër e gjyshër, me fëmijët  përdore ose në krahë, të cilët dëshironin ta shijonin natyrën e bukur dhe të ndiqnin veprimtaritë e organizuara aty. Në një lokal, në mes të gjelbërimit të pafund, u ulëm me Dorelën dhe pimë nga një limonatë. Në ato çaste, natyrshëm, edhe ne të dy e ndiem veten krenarë, pjesëtarë të banorëve të kryeqytetit, në festën e madhe të 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare.

…Pasnesër, kur të kalojnë ditët festave të Nëntorit,  ashtu si gjithë fëmijët e të rinjtë e Tiranës, Dorela do t’i nisë përsëri mësimet, në shkollën e saj 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”. Por edhe ajo ka se çfarë  t’u tregojë, mësueses dhe shokëve e shoqeve të saj, për ato që pa e dëgjoi në shëtitjen e bërë nëpër kryeqytet, e shoqëruar nga “Babushi”, siç më quan dhe, nga ajo, kështu më drejtohen me dashamirësi edhe mjaft kolegë.

(Fotot: nga M.Gecaj)

Tiranë, 28 Nëntor 2011

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch