Home » Lajme, Vendore » ME NDERIME TË LARTA VARROSET VEPRIMTARI E ATDHETARI, ADEM DEMAÇI

ME NDERIME TË LARTA VARROSET VEPRIMTARI E ATDHETARI, ADEM DEMAÇI

Në ceremoninë komemorative, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha para të pranishmëve se Damaçi, ishte një kolos që u flijua gjithë jetën për shqiptarët. Ai tha se Demaçi ideal jetësore e kishe bashkimin e shqiptarëve.

“Kombi shqiptar po ndahet nga Adem Demaçi, një kolos që u vetmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e shqiptarëve”, tha Thaçi.

Thaçi tha se sot bota po ndahet nga “Mandela i Evropës”. Sipas tij, Demaçi ishte një burrë ku i flijoi 28 vitet në burgje, pa u mposhtur asnjëherë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se Adem Demaçi, qëndroi, luftoi dhe fitoi, duke u bërë shembull për të gjithë shqiptarët.

“Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove, duke u bërë për gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun i sakrificës dhe dashurisë për të, i vetmohimit dhe dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit. I dashur baca Adem, jeta jote ishe luftë dhe t’i ketë luftë e fitove. Jeta jote ishte sakrificë pa mbarim po t’i ja dole t’i përballosh e sfidosh ato si rrallë me urti e fisnikëri”, tha Meta.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Adem Demaçi ishte patriot si të tjerët, por i veçantë me veprën e tij. Ai tha se kur të tjerët ju gëzuan lirisë së pjesshme, atë e mundonte padrejtësia e pjesshme.

“Nuk ka si ti, të tjerë baca Adem që për të gjallë dhanë kaq shumë sa dhe ti nga e drejta jote për jetë e liri, që ne të jetojmë të lirë. Ti dhe na dhe lirinë tëndë për lirin tonë më së shumti nga gjithë ne për së gjalli. Ti na e mësove rrugën deri te liria. Më në fund baca Adem, popull yt po i bashkohet popujve të lirë”, tha Haradinaj.

Abetare Demaçi, vajza e Adem Demaçit, që mori fjalën në ketë ceremoni tha se “kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët”.

Në emër të bashkëluftëtarëve foli , Selatin Novosella  i cili tha se bashkëvuajtësit dhe bashkëluftëtarët e Demaçit  ndihen mirë që ishin me të në rrugën e lirisë.

“Dhembja jonë bacë sot ka emrin e Kosovës për lirinë e së cilës flijove rininë, shëndetin, familjen, dhuntinë tënde krijuese. Dhembja jonë bacë sot mban emrin e atdheut tënd, Shqipërisë të cilën e quaje nëna Shqipëri. Bacë sot kur po ndahemi nga ti për të fundit herë, të gjithë ne bëjmë këto pyetje, po mos të kishe qenë ti kush do të na mësonte ka do të niseshim në rrugën e lirisë, po mos ishe ti, kush do të na mësonte në udhëkryqet e historisë që të mos na ngatërroheshin rrugët “, tha ai.

Novosella tha se dhembja e pakufi ka emrin e nënës Ajshe, e cila të porositi të mos kujdesesh për të por për nënë Shqipëri.

“Baca jonë i mirë ti më përpara zgjodhe lirinë në burgun se sa burgun në liri të rrejshme. Ti me burgun tënd të papërkulur ishe gjithnjë sepse e ndjeje vetën të lirë aty në raport me veten dhe në raport me idealet tua. Baca Adem sot kur po ndahemi prej teje vetëm na ngushëllon një moment se patëm fatin të jetojmë në epokën tënde”, tha ai.

Pas ceremonisë së varrimit drejtues të institucioneve dhe personalitete tjera vunë kurora lulesh pranë varrit të tij.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch