Home » Lajme, Vendore » ME PËRVJETORËT E BIPBM-së

ME PËRVJETORËT E BIPBM-së

Sot, pikërisht, më 21 janar, u mbushën 11 vjet, që nga themelimi i Bashkësia Islame për Preshevë  Bujanoc  dhe Medvegjë (BIPBM), institucion i vetëm i licencuar fetar në rajonin e Luginës së Preshevës, i cili vepron  si subjekt  juridik  mbi baza  të normave  dhe parimeve Islame, që nga viti 2003.

Rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, janë zona Shqiptare të shkëputura administrativisht nga tërësia politike territoriale e Republikës së Kosovës me specifika të veçanta të organizimit të jetës politike dhe ekonomike.

Pas shpërbërjes dhe shkatërrimit të RSFJ-së, edhe tek shqiptarët e Preshevës Bujanocit dhe Medvegjës ishin paraqitur shkaqe dhe nevoja të domosdoshme që e arsyetojnë riorganizimin e jetës fetare e cila do t`i përshtatet ndryshimeve me krijimin e shoqërive multietnike dhe multikulturore. Duke pasur parasysh situatën, përpjekjen dhe gjendjen e krijuar pas Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 për deklaratën e popullit për një autonomi territoriale, si dhe luftës në Kosovë, konfliktit të armatosur dhe në fund të ndërmjetësimit të monitoringut ndërkombëtar, Lugina e Preshevës ishte bërë një vend strategjik si për politikën ndërkombëtare ashtu edhe për Kosovën dhe Serbinë.

Pas luftës në Kosovë dhe ndryshimeve me reformat, dhe krijimin e rendit të ri botëror duke u mbështetur në shoqëritë multietnike dhe multikulturore Lugina e Preshevës mbetet prapë në sistemin e administratës së Serbisë dhe kështu me ndërmjetësimin  ndërkombëtar kjo popullatë u desh që prapë të kyçet në administratën shtetërore të Serbisë dhe dalja në zgjedhje të parakohshme komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në vitin 2002.

Më parë, në Rajonin  Presheves Bujanocit dhe Medvegjes, besimtarët  myslimanë  ishin  të organizuar, ekskluzivisht, në Këshilla të Bashkësisë Islame  të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët funksiononin në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës- BIK. Në ndërkohë, si domosdoshmëri e rrethanave të reja u strukturua një organizim tjetër me synim të riorganizimit fetar – Bashkësia Islame për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë. Kjo iniciativë u konkretizua  si rezultat  i përpjekjeve për të kërkuar identitetin  dhe strukturimin organizativ  si dhe realiteteve të krijuara pas vendosjes  së administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut në Kosovë.

Bashkësia Islame për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë BIPBM, është institucion  i pavarur, i cili vepron si subjekt  juridik  mbi baza  të normave  dhe parimeve Islame, si dhe të ligjeve në fuqi, e cila është themeluar, më 21 janar 2003, në kontinuitetin e  këshillave të mëparshëm.

Vlen të theksohet se gjatë vitit të kaluar nga radhët e BIPBM-së u emërua koordinatori për lëndën fetare nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe, duke i përgjigjur konkursit të saj shumica e imamëve. Gjithashtu në kuadër të BIPBM-së, janë duke u bërë përgatitjet për rregullimin e statusit të imamëve, në rregullimin e stazhit të punës dhe çështjeve të tjera të mirëqenies sociale.

BIPBM-ja, gjatë këtij 11 vjeçari të aktivitetit të saj ka luajtur një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin, koordinimin dhe bashkëveprimin me institucionet e tjera fetare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Bashkëpunimi i ndërsjellë mes institucioneve fetare në rajon, është në frymën e Islamit dhe ndikon pozitivisht në avancimin dhe promovimin e vlerave fetare në Luginë të Preshevës dhe më gjerë. Njofton Qendra për Informim e BIPBM-së, në Bujanoc. 

21.01.2014   

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch