Home » Lajme, Vendore » Me përvjetorët e lavdisë kombëtare – DOBROSINI MIDIS LUFTËS DHE PAQES

Me përvjetorët e lavdisë kombëtare – DOBROSINI MIDIS LUFTËS DHE PAQES

N.Saqipi ne Dobrosin-1Të nderuar qytetarë të Luginës së Preshevës,

 

Këtu e 16 vjet më parë, në Dobrosin të Komunës së Bujanocit, në mënyrë ceremoniale u bë varrimi vëllezërve Saqipi, të vrarë nga policia serbe. Në këtë ceremonial në të cilin merrnin pjesë me mijëra qytetarë nga Lugina e Preshevës dhe më gjerë, u shfaq për herë të parë Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

 

N.Saqipi ne Dobrosin-2Pas një fjalimi të shkurtër mortor dhe prezantimit të UÇPMB, me diskutime u paraqit Jonuz Musliu, këshilltar politik i UÇPMB-së dhe unë Nexhmedin Saqipi, si kryetar i KBI-së, ngase në ato momente të vështira ishin mbyllur gojët e krerëve politikë, përshkak frikës dhe pasigurisë.

 

Diskutimi im në atë atmosferë të zymtë e të dhimbëshmë, mbështetej në predikimin e paqes, dialogut dhe qetësimit të situatës.

Në këto rrethana konfliktuoze fjalët e urta e paqësore, nuk shkonin, karshi fjalëve të zjarrta, atdhetare dhe patriotike. Mirëpo, unë një përvojë të tillë e kisha fituar nëpër periudha të ndryshme politike në Kosovë e Luginë, për të mbjellë paqe në vend se të hidhej vaj në zjarr.

 

Këtë pjekuri politike të banorëve të zonës kufitare, nga Zoti e kemi si dhunti, ngase kemi qenë në mes të dy zjarreve, në një tampon zonë, ku kemi shërbyer si mur i gjallë, për kusuritje. Ata që kanë lexuar libra historie ose kanë dëgjuar rrëfimet e njerëzve të moçëm, s’ka se sit ë mos e kujtojnë vitin 1878, kur me qindra fshatra shqiptare u boshatisën me dhunë e gjak.

 

Dua t’ju përkujtoj se kur për herë të parë  krisi pushka në Dobrosin nga Shefket Hasani, situata qe tensionuar shumë në Komunën e Bujanocit. Një frikë e tillë u kthye në panik, ngase qytetarët shqiptar i kishin të freskëta kujtimet e hidhura të aksioneve të “dorës së zezë”, e cila mbolli shumë vrasje misterioze në këtë komunë dhe më gjerë. Ata, që e përjetuan atë periudhë të kobshme, kujtojnë tmerrin e njerëzve të cilët kishin frikë të qarkullonin ditën e lërë më natën.

Shumë familje shqiptare në pikë të ditës iknin nga shtëpitë e tyre, për të gjet strehë shpëtimi jashtë vendit.

 

Pavarësisht, nga frika dhe tmerrin, në qytetin e Bujanocit, gjendej zyra e Partisë për Veprim Demokratik, në të cilën vepronin në rrethana të jashtëzakonshme, Ismet Sadiku, kryetar i Degës së PVD-së, unë, Nexhmedin Saqipi, në cilësinë e kryetarit  të KBI-së, Sevdail Hyseni, administrator dhe gazetar, Fatmir Hasani, kryetar i Fondit Solidar, Shaip Kamberi, sekretar i Fondit Solidar, Ramadan Ahmeti, deputet republikan, Begzad Avdiu, Mehmet Dalipi, Netali Krasniqi etj.

 

Më kujtohet si sot, se dita e varrimit të vëllezërve Saqipi, ishte e rëndë dhe e mërzitshme për ne dhe gjithë qytetarët, por edhe krenare ngase u shpall një ushtri që do t’i mbrojë qytetarët e Luginës. Unë isha i ftuar si kryetar i Bashkësisë Islame, të marrë pjesë drejtpërdrejt nga babai i djemve Saqipi, ku vrasja e tyre ngriti zërin e Luginës deri në Uashington. Lajmi u bë më i fuqishëm me daljen në skenë të UÇPMB-së, në Dobrosin.

 

E mbaj mend si sot fjalimin tim mortor. Me këtë fjalim paqësor kisha për qëllim t’i jap kurajo familjarëve dhe popullit, të prekur nga kjo vrasje mizore.

Nuk kemi nevojë ne që të frikësohemi, sepse jemi në shtëpitë tona dhe në tokën tonë. Njerëzimi i ka dy rrugë që duhet t’i ndjek, e të cilat e kanë zanafillën te bijtë e Ademit, te Kabili dhe Habili. Në botë jetojnë dy palë njerëz. Njëra është që e do paqen,  lirinë, të mirën, ndërsa tjetra palë janë ata që duan luftën, gjakderdhjen, kriminalitetin dhe të keqën.

 

Ne shqiptarët jemi nga ana e njerëzve që e duan paqen, lirinë  dhe njerëzit. Shembull është rasti i vëllezërve Saqipi, që ranë viktimë në tokën e vetë,duke e siguruar kafshatën e bukës. Ata u vranë në emër të paqes, këta janë dëshmia se ne jemi njerëz paqësor, e duan jetën, familjen, vendin e lindjes dhe dëshirojmë të jetojmë të lirë në tokën tonë. Vëllezërit Saqipi, nuk e kanë sulmuar e as nuk e kanë rrezikuar askënd, andaj ftoj popullin që të mos e braktisin vendin, por të bashkuar më lehtë t’i përballojnë këto sakrifica, thuhet në fjalimin mortor të vëllezërve Saqipi, 16 vjet më parë, pikërisht, më 26 janar të vitit 2000, nga Nexhmedin Saqipi, kryetar i BIPBM-së.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress