Home » Lajme, PVD, Vendore » Me rastin e 28 vjetorit të mbajtjes së Referendumit në Luginë, PVD del me komunikatë

Me rastin e 28 vjetorit të mbajtjes së Referendumit në Luginë, PVD del me komunikatë

Sot bëhen 28 vite nga ngjarja më e rëndësishme politike në historinë moderrne të organizimit politik në Luginë të Preshevës, mbajtjes së Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992.

Vlera kryesore e kësaj ngjarje, që edhe pas kësaj distance të gjatë kohore vazhdon të ketë rëndësi të veçantë, është se Shqiptarët e Luginës së Preshevës shprehën unanimisht, si kurrë ndonjëherë më parë, vullnetin politik për zgjidhjen më të drejtë të statusit të tyre politico-juridik.

Referendumit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës i kishin paraprirë qëndrimet e “Deklaratës politike për pozitën e popullit shqiptarë në Jugosllavi” të 3 shtatorit të vitit 1991 të Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare në ish Jugosllavi, pjesë e të cilit ishte Partia për Veprim Demokratik.
Marrë parasysh pozitën jashtëzakonisht të vështirë socio-politike të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Referendumi i 1 dhe 2 marsit duhet të shërbej si model i koordinimit të spektrit tashmë skajshmërisht të fragmentarizuar politik në Luginë, për unitet në veprim për çështjet që janë në interes të përgjithshëm të Shqiptarëve në këto troje.

Mjerisht, edhe në përvjetorin e 28 të organizimit dhe mbajtjes së Referendumit, statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës mbetet akoma i pazgjidhur.

Procesi i integrimit të vendeve të Rajonit të Ballkanit Perëndimorë në Bashkimin Evropian, i cili po rrjedh tepër ngadalë, jo vetëm që nuk dha ndonjë shtytje serioze të ndërtimit të stabilitetit rajonal dhe respektimit të të drejtave të popullsive autoktone, ai, me vonesat e shkaktuara nga kreu i BE-së për përshpejtim të integrimit po shkakton frustrime të gjera edhe atë jo vetëm në popullsinë lokale, por, edhe te elitat politike.

Sa i përket të drejtave të shqiptarëve dhe aspiratave të shprehura në Referendum, procesi i integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian ka shkaktuar dhe po shkakton regres në pozitën e tyre politike. Praktikat diskriminuese të fundviteve të shekullit të 20, po vazhdojnë të zbatohen, ndaj popullsisë shqiptare, edhe në dy dekatat e këtij shekulli.

Zgjidhja e drejtë e statusit politik të shqiptarëve konform kërkesave të Reverendumit është një ndër premisat e ndërtimit të paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë drejtim Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të rinisë, pashmangshëm duhet të respektojë kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që në të, të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës.

Kosova dhe Shqipëria duhet përfundimisht të marrin përgjegjësinë politike dhe kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve të këtij rajoni.

Përkrahjet deklarative, pa ndihmë dhe projekte konkrete, nuk janë të mjaftueshme për të siguruar qëndrueshmëri afatgjate dhe mirëqenie të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, konform kërkesave të Referendumit të 1 dhe 2 MArsit 1992.

Preshevë, 1 Mars 2020,

Partia për Veprim Demokratik
Shaip Kamberi-kryetar

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch