Home » Kulturë » ME SY DHE ZEMËR, NË VENDLINDJE…

ME SY DHE ZEMËR, NË VENDLINDJE…

(Doli nga shtypi libri më i ri i poetit dhe prozatorit në diasporë, Sokol Demakut ,”Na ishte një kohë…”, botim i redaksisë së revistës “Dituria”, në Borås të Suedisë)

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Kam përshtypjen se, sado që të flas e të shkruaj, nuk arrij ta jap këtu portretin fizik e shpirtëror, të tregoj e dëshmoj për “të kudogjendurin”, arsimtarin, publicistin e shkrimtarin dhe veprimtarin e palodhur për çështjen kombetare shqiptare, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku.  Këtë emër të bukur shqiptar  e mban një koleg  e mik i imi, për të cilin ruaj  dashuri e respekt të veçantë. Kjo ngjet se ai është “sokol” në çdo detyrë, në krijime dhe tërë jetën e përditëshme.

Ndokush, mund të pyesë, se përse nuk mund ta bëj mirë një gjë të tillë? Arsyeja është se jo pse nuk kam dijeni për veprimtarinë e gjërë të tij jetësore. Por sepse mund të përsërisja ato, për çfarë është shkruar në faqet e librit, me një titull të bukur poetik, “Falë  dashuri, si askush tjetër” (Boras, 2011). Janë fjalët e zemrës, që ka shprehur aq bukur për të dhe duke i përmbledhur të gjitha cilësitë më dalluese të Sokol Demakut, kolegu dhe miku ynë i përbashkët, shkrimtari dhe publicisti mjaft i njohur, Viron Kona. Kështu, ato fjalë janë mishëruar edhe në tërë shkrimet e atij libri, të cilët ngërthehen në 100 faqet e tij.

Kur Sokoli më kërkoi, me mirësjellje e dashamirësi, që t’ia lexoja librin e tij të ri,”Na ishte një kohë…”, solla ndërmend njohjet e miqësitë e reja me të. Së pari, atë e kisha “takuar” në faqet e Internetit “Fjala e Lirë”, e cila publikohet në Londër dhe që ka drejtor shkrimtarin e publicistin, tashmë mjaft të zemrës për ne të dy, por dhe për sa e sa krijues të tjerë shqiptarë, në shtete të ndryshme të botës, Fatmir Terziu. Pastaj, lidhjet tona u shpeshtuan përmes e-maileve dhe dërgesave prej tij, të revistës mujore “Dituria”. Por ja, erdhi rasti, kur ne të takoheshim fizikisht, në kryeqaytetin Tiranë, në rrethin e gjerë të disa miqëve  të tij. Kanë shkruar edhe kolëgë të tjerë për portretin fizik e shpirtëror të Sokol Demakut. Por, me pak fjalë, mund ta cilësoja këtë buzagas, “i kudogjedndur” e dashamirës.

Pra, ishte kënaqësi e veçantë për mua, që ta lexoja dhe të jepja ndonjë mendim për librin, që sapo e përfundova, me shkrime publicistike-letrare të Sokolit.  Shkrimet e përmbledhura në këtë këtë vëllim, japin një informacion të pasur për jetën e gjallë dhe të shumanshme të shqiptarëve në komunitetin e tyre, në shtetin e Suedisë, që ndodhet në brigjet e Skandinavisë. “Vrap këtu e vrap atje”, “shih e shkruaj kudo”, ja, kështu e përfytyroj autorin e tij, në të gjitha shkrimet e publikuara. Në shkollë, që e ka më përzemër, u jep vogëlushëve njohuri për natyrën e jetën, u flet për të bukurën, për artin e kulturën. Pastaj, në gjirin e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në valët e Radios Lokale “Dituria” dhe në faqet e revistës, po me të njëjtin emër, ai na shfaqet i pasionuar, atdhetar, i talentuar, me njohuri të thella për shumë fusha, si për traditat shqiptare: shpirtërore, historike, arsimore, kulturore, etnografike e tjerë. I lexon, me radhë,  titujt e shkrimeve të tij, që ndodhen në këtë libër dhe bindesh plotësisht për këtë gjë. Se, a nuk janë kaq domethënës ata: “Kthimi në vendlindje”, “Takim me intelektualë të Tiranës”, “Radio, që foli shqip…”, “Flamuri i Ardit, një histori e jetës”, “Perla e Adriatikut dhe Jonit”, “Statuja e Skënderbeut”, “Në botën  Astrid Lindgren”, ”Kureshtarë për Kosovën”, “…Përmes veshjeve popullore shqiptare”, “Babadimri, prej Kosove”, “Udha e shkronjave”, “Bubulio, në Boras…”, “Qendra për fëmijë e shkollarë, Navet” dhe mjaft të  tjerë. Janë veprimtari, në të cilat Sokol Demaku nuk ka qenë një shikues i thjeshtë, por organizator dhe pjesëmarrës aktiv. Me nuhatjen, mendimin dhe shkathtësinë e tij, ai ka arritur që çdo veprimtari të shkaktojë te shikuesit nga vendlindja, por dhe te banorët vendës suedezë ose jo, emocione të bukura, kënaqësi estetike dhe të jetë çlodhëse e argëtuese. Siç dihet, nuk është e lehtë të leshë truallin e të parëve, vendlindjen e dashur dhe të jetosh në një vend e shtet të huaj. Se detyrohesh të përballesh me mallin e pashuar të tyre, me nostalgjinë për vegjëlinë e rininë, për gjithë të njohurit dhe për natyrën, ku dielli e hëna ndriçojnë më bukur.  Këto ndjenja të trishta, Sokol Demaku ka arritur që t’i përjetojë me dhimbje, por edhe ka mundur që të përshtatet plotësisht me jetën e re, duke patur kurdoherë vlerësim pozitiv dhe mbështetje nga miqtë e tij suedezë. Sigurisht, kjo gjë nuk arrihet lehtë, por kanë qenë aftësitë e tij, mendore e fizike, që kanë bërë ta ndiejë veten shumë mirë, ndërmjet komunitetit shumëkombësh, në Boras të Suedisë. Fakte të shumta për këtë gjë janë shkrimet e këtij libri dhe janë fjalët e tij të mençura, gjatë bisedave tona në Tiranë, por dhe të mikut tim të pandarë Viron Kona, i cili shkoi atje për të përuruar librin tij, në gjuhën suedeze, “Eh, mor Bubulino”.

Por, “dëshmitarë”, për sa shkrova më sipër dhe pa i thënë të gjitha, janë për mua edhe të nderuarit e të respektuarit e mi, me të cilat tani njihem sadopak, në udhë e mënyra të ndryshme: atdhetari e krijuesi Sadulla Zendeli-Daja; albanologu e mik i Kombit Shqiptar, Ullmar Qvick; veprimtarja e përkthyesja Qibrije Hoxha; veprimtari i palodhur e publicisti, Bahtir Latifi; arsimtari Abdyl Buçpapaj, Hysen Ibrahimi, kryetar i SHSHAKSHS; Hakif Jashari, Hamit F. Gurguri, Julieta Spahiu, Hamit Bytyqi, Sanie Selmani, Remzi Basha dhe mjaft të tjerë. Jam i bindur se këtë mendim e ndajnë me mua edhe mikpritësit vendës suedezë, në Boras ose jo, si: Per Kettisen, Petter Loberg, Ronnu Augustsson, Annette Ekelund, Sonja Persson e të tjerë. Sepse edhe vetë Sokoli është nderues e vlerësues i drejtë dhe i hollë i meritave për figurat e shquara të diasporës shqiptare dhe atyre të huaja, në Suedi, por edhe në Kosovë, Shqipëri e tjerë.Të më falë lexuesi i këtyre pak radhëve, se nuk u ndala posaçërisht në analizën e shkrimeve të këtij libri. Se e di që, secili vetë, do ta shijojë bukurinë e shprehjeve, të ndjenjave dhe mendimeve të pasqyruara përmes tyre, nga autori Sokol Demaku.

Prandaj, nuk më mbetet gjë tjetër, veç ta falënderoj atë nga zemra, që ma besoi leximin dhe redaktimin letrar të librit të tij të ri, “Na ishte një kohë…”. Njëherazi, i uroj atij gjitha të mirat, në jetën vetjake e familjare!

Tiranë, më 13 maj 2012

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch