Home » Kulturë » MEDITIME, NË BORDIN E AVIONIT…

MEDITIME, NË BORDIN E AVIONIT…

Nga: MURAT  GECAJ

Përshëndetje, Shqipëri! (Në foto, M.Gecaj)

Ndokush, mund  të  thotë se, tashmë, nuk është diçka e rrallë ose e veçantë, që të ndodhesh në bordet e avionëve. Bile dhe të fluturosh në linja shumë të largëta, deri në Amerikë e Kanada, Kinë e Australi, pa përmendur shtetet e ndryshme të Europës. Kjo gjë është plotësisht e saktë, se këto mundësi dikur të dëshiruara, në një periudhë gati  50-vjeçare, ka më shumë se 22 vjet, që janë bërë realitet i prekshëm për cilindo shqiptar. Jo për t’u “mburrur” këtu, po shënoj se rasti e ka sjellë që, duke u nisur nga Rinasi, të udhëtoj në linja të tilla, si: Lubjanë, Londër, Sofje e Nju Jork, Bolonjë  e Gjenova të Italisë, Vjenë e Goteborg të Suedisë…

Pra, shpesh kam patur mjaft kohë për të medituar e menduar për sa e sa gjëra. Tema më e prekshme dhe më  e afërt për mua ka qenë dhe është emigracioni. Megjithëse kanë kaluar kaq vite, e mbaj mend mirë se, që në vitin 1991, udhëtova me tragete e trena, nga Bari e Brindizi, Ankona e Trisete,  në gjurmët e emigrantëve tanë, që kaluam Adriatikun dhe u shpërndanë nëpër qytete të ndryshme të Italisë, Francës, Gjermanisë e tjerë. Ndodhi kështu se, ndër ta, kanë qenë  edhe dy djemtë e mi. Sa e sa prindër e gjyshër i kanë marrë udhët për tek ata, gjatë këtyre viteve, të zhuritur nga dashuria e malli për bijtë e bijat, nipat dhe mbesat e tyre. Po nuk janë të paktë që edhe emigrantë të moshuar kanë kaluar Detin Adriatik e, bile, Atllantikun e largët, për të jetuar sa më afër me bijtë e bijat ose nipat e mbesat e tyre. Në mes tyre, janë edhe kolegë të mi, në Amerikë e Kanada, si Fiqiriu e Fuati, Qatipi, Hysa, Tomsoni e Kiçua dhe shumë të tjerë.

”Arsye” kryesore, për t’i shkruar këto pak radhë, u bë udhëtimi im me avion, në pasditën e datës 13 janar 2013,  nga Malpensa e Milanos, për në Rinas të Tiranës, nga ku isha nisur që më 27 dhjetor 2012, me biletën e prerë në agjencinë e udhëtimeve  “Drita” të Tiranës, që drejtohet nga Pashk Preka.  Kisha qendruar afër tri javë, pra edhe në festën e Vitit të Ri, në Asti të Italisë. Është qytet  i vogël, i qetë dhe i gjelbëruar, në veriperëndim të atij vendi, afër një gjysëm ore me makinë, larg Torinos. Meqenëse erdhi koha e caktuar nga unë vetë, për qëndrimin tim atje, mora udhën e kthimit. Në një veturë të rehatshme, të cilën e drejtonte djali im i vogël, Altini, tanimë mbi 42-vjeçar, me ne ishte edhe Lori me djalin e saj, Marcellon.

Në aeroportin Malpensa të Milanos… Nga e djathta: Murati, Lori e Altini (Foto nga: Marcello)

Gjatë afër një ore e gjysëm udhëtimi me makinë bëmë biseda të ndryshme. Ndërkaq, sigurisht, solla ndërmend, me një farë nostalgjie të përligjur,  se  në Asti kam shkruar,  për hërë të parë, që në tetor 1991, si dhe në shumë raste të tjerë. Por kujtova me kënaqësi edhe vizitën e këtyre ditëve atje, takimet, shëtitjet dhe bisedat me miqtë e të njohurit e mi shqiptarë,  si Robert  Mergo, Hasan Bakalli, Eri Zhegu e të tjerë.  Gjithashtu, përveç familjarëve të mi, përmes Internetit e telefonit, mbajta lidhje të pashkëputura me  kolegët e të afërmit në Tiranë dhe në shtete të ndryshme, si me Viron Konën, Loni Peppon, Agim Mërturin e Manjola Milon (Tiranë), Fiqiri Shahinllarin (Virxhinia-SHBA), Sokol Demakun (Suedi), Halil Haxhosajn (Gjakovë) e disa të tjerë. Ndërsa e vërteta është se tërë kohën mua, kryesisht, mendja “më punonte” më shumë për Tiranën dhe Shqipërinë. Se me ngjante që isha larguar prej tyre muaj më parë, pra jo vetëm disa ditë.

Sapo arritëm në aeroportin Malpensa dhe dorëzova bagazhet, patëm kohë të qendronim pak kohë bashkë të katër, pra unë, Altini e Lori me Marcellon e vogël, i cili e kreu detyrën e fotografit.  Sigurisht, ato fofografi do t’i kemi kujtim, nga ato çaste ndarjeje. Kur largohesha me shikimin pas, i përshëndeta me dorë shoqëruesit e mi të dashur. Pastaj, si gjithë të tjerët, po më bënin kontrollin vetjak të sigurisë dhe më pyetën, nëse në çantën e vogël të dorës kisha lëngje me vete. Sakaq, nxora një shishe të vogël me ujë, e hapa atë e piva pak, duke u thënë se atë e mbaja “në gatishmëri”, nëse më nevojitej për ilaçet. Kontrollori u tregua dashëmirës dhe shishen e ujit e mora me vete, pasi nuk ishte “lëndë  eksplozive”. Ndërkaq, m’u kujtua se, kur u nisa në Rinas, ma mbajtën një biçak fare të vogël, që nuk ishte  as sa një gisht dore!? Kur u ktheva përsëri këtu, për kërshëri, pyeta se ku ndodheshin gjërat, që mbaheshin “peng”, po askush nuk më dha përgjigje të saktë! Megjithatë, mendova se rregullat janë rregulla dhe ato duhen zbatuar me përpikëmëri nga kushdo, sidomos kur lidhen me sigurinë e lëvizjes së njerezve, me mjete ajrore fluturuese.

Në sallën e pritjes së aeroportit gjeta mjaft udhëtarë të linjës Milano-Tiranë. Sigurisht, shumica e tyre ishin shqiptarë dhe në fytyrat e tyre dalloje një farë huje pezmatimi e përmallimi, që vinte nga ndarja me të afërmit e tyre. Ndër ta, kishte burra e gra, por dhe të moshuar e fëmijë të vegjël. Me atë padurimin e udhëtimit të pritshëm, i kaluam edhe 20 minuta nga koha, kur avioni “Bell Air” duhej  të kishte fluturuar?! Sigurisht, shkaku i vonesës ka qenë i arsyetuar, ndoshta edhe nga koha, që ishte me mjegull të dendur. Pastaj hymë nëpër një “tunel” të gjatë dhe u futëm  brenda. Udhëtarët i zunë shpejt vendet e tyre dhe stjuardesat po na jepnin udhëzimet e rastit, që të mbërthenim rripat e sigurisë dhe se si duhej të vepronim, në rast rreziku.

Unë isha në radhën 4-D të avionit. Pranë meje zunë vend një grua, mbi 50-vjeçare dhe më tej një djalë i ri, mbi 40-vjeçar. Ajo më tregoi se vinte aty që nga larg dhe se i kishte emigrantë, në shtete të ndryshme, katër fëmijët e vet. Prandaj dhe i shfaqi hapur emocionet, duke lotuar, sapo foli në celular me një vajzë të saj dhe i tregoi se ishim gati për nisje. Sakaq edhe ai djaloshi vlonjat nisi të “rrëfehej”. Ai na tha se kishte qenë emigrant në Greqi dhe, më pas, disa vjet në Itali. Por, më në fund, kishte vendosur të largohej nga ai vend “i huaj” dhe ishte kthyer përfundimisht në Shqipëri. Kur po tregonte, m’u kujtua edhe nipi im, Fatmiri me të shoqen, të cilët dy vjet më parë u kthyen, nga Greqia në Durrës. Këtu ndërtuan shtëpinë e tyre dhe janë sistemuar në punë. Po kështu veproi edhe kolegu  im, poet e publicist, Përparimi, i cili u kthye me bashkëshorten nga Amerika dhe u vendosën  në Tiranë. Shembuj të tjerë të ngjashëm ka plot dhe ata dëshmojnë se, edhe në fundin e botës po të shkosh, vendi yt, vendlindja,  të tërheq si një magnet i fuqishëm jetëdhënës.

Në një çast, punonjësja e shërbimit në avion, na paralajmëroi se po i afroheshim Rinasit dhe porositi  t’i mbanim të lidhur rripat e sigurisë. Po, në fakt, ai kishte qenë ende  larg. Përsëri, ndoshta, arsyeja lidhej me kohën me re të dendura, në ato lartësi e frikën nga turbulancat e mundshme. Por, për fat, çdo gjë shkoi mirë dhe, pas pritjes së zakonshme për të marrë valixhet tona, dolëm nga aeroporti. Mua më prisnin aty bashkëshortja. Katarina dhe nipi, Deivisi, i cili e drejtonte një makinë të sapoblerë. Ndërsa sot u bëra një vizitë, në shtëpinë e tyre dhe u çmalla me vajzën Mirela, mbesën Dorela e dhëndrrin, Shpëtimin.

…Tani, kur u erdhi fundi  këtyre radhëve, për udhëtimin e treguar më sipër, nga Malpensa e Milanos, për në Rinas të Tiranës, u kërkoj të falur lexuesve për çfarë shkrova. Janë mendime e mbresa, që i ka secili udhëtar shqiptar, në fluturimet e lira, me pasaporta biometrike, drejt shteteve të Europës, por dhe në ato me viza, për në SHBA e Kanada dhe vende tjerë të botës. Urojmë e besojmë që, së shpejti, edhe këto udhëtime të jenë të lira, pra pa pengesa, për të gjithë bashkatdhetarët tanë. Sepse Planeti ynë, Toka është e përbashkët dhe ne, na takon një “pjesë” e saj.

Tiranë, 14 janar 2013

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch